More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArben Çejku: “Fajtorët” e shkrimtarit Besnik Mustafaj

    Arben Çejku: “Fajtorët” e shkrimtarit Besnik Mustafaj

    Besnik Mustafaj është një shkrimtar me kohë të plotë dhe, nga ky këndvështrim, ai, realisht mund të konsiderohet si një intelektual bashkëkohor, që “punon shkrimtar”. Të “punosh shkrimtar”, nuk është një profesion i lehtë, sidomos sot, kur punët e shkrimtarëve sfidohen nga koha moderne në të cilën jetojmë. Koha për të shkruar (shkrimtari) dhe koha për të lexuar (lexuesi), janë vënë në sprovë dhe secili prej tyre është në një tranzicion modern të përkufizimit të vlerës së kohës dhe vlerës së produktit.

    Le të rikujtojmë për një moment, se sa shumë kohë kishte në dispozicion një shkrimtar dhe një lexues në shekullin XIX apo XX. Në disa raste, letërsia dhe krijimet më të mira të saj, ishin një lloj kablli që mbante “lidhur” mijëra lexues anë e mbanë botës, siç ndodh sot me platformat digjitale. Sot ka një kombinim të artit me teknologjinë. P.sh, përveç botimeve klasike (në letër) kemi edhe “botime” digjitale, që lexohen në smartphone apo paisje të tjera elektronike. Dalngadalë, edhe vetë shkrimtarët, po kalojnë nga shkrimtaria në letër, tek shkrimtaria elektronike (krijimtari direkt në kompjuter) pa lënë gjurmët e bojës së stilografit në letra. Besniku, fjala vjen, shkruan bukur me stilografin e tij – vijues i modelit të shkrimarëve klasikë të shekullit të kaluar. Krijimi tradicional, me “penë e bojë” i duket më i gjallë, më shpirtëror, më emocional. Shkrimi direkt në kompjuter, i duket më i ftohtë, më robotik, më pak emocional. Pra, e gjitha kjo, në pak fjalë, tregon se sa sfiduese është koha sot, në raport me shkrimtarinë dhe mjeshtrit e fjalës artistike, siç është Besnik Mustafaj dhe bashkëkohësit e tij.

    Në këtë kontekst, rrjedhin edhe shumë pyetje para nesh; Ku do të jetë pas 50 vitesh marrëdhënia mes një shkrimtari dhe lexuesit? A do kemi të njëjtën marrëdhënie që kemi sot? A kemi ne, të njëjtën marëdhënie mes tyre, siç ishte para 50 apo 100 viteve?

    Ars longa vita brevis, (jeta është e shkurtër, arti i gjatë (dmth vepra jeton) është shprehja e vjetër latine që merr kuptim në stilin e krijimtarisë së Mustafajt dhe shkrimtarëve tanë më të mire të këtyre viteve. E, pikërisht përballë sfidës së kohës, mjeshtrit e artit, koncentrohen gjithnjë e më shumë tek cilësia e veprës së tyre. Sepse vetëm veprat me cilësi e sfidojnë kohën dhe rrojnë më shumë se shkrimtari! Njëri prej tyre, Besnik Mustafaj, gjithnjë e më shumë, po sjell vepra cilësore, të cilat nuk janë asnjëherë “humbje kohe” për ne lexuesit. Jo vetëm kaq, por këto vepra janë një ushqim shpirtëror i pazëvendësueshëm për shoqërinë tonë, e cila vijon të sfidohet çdo ditë nga një tranzicion socio-politik i pashembullt. Plagët e së kaluarës dhe paqartësitë për të ardhmen, shpesh herë kthehen në një makth psikologjik, që prodhojnë sjellje sociale anormale dhe mungesë shprese.

    Triptiku me novela “Fajtori”, i shkrimtarit Besnik Mustafaj (botuar nga “Onufri” në nëntor 2022), është një tjetër arritje dhe sukses letrar për autorin dhe letërsinë tonë. Para këtyre tri novelave (Fajtori, O Tempora dhe Fabika për prodhim armiqsh) pata rastin të lexoj në dorëshkrim novelën “Conarium”, që është botuar nën titullin “366 rrëfenja për të ndjellë gjumin”.

    “Conarium”, është një tekst modern i pa hasur më parë në letërsinë tonë dhe vlerësimet për të mund të bëhen më të sakta e më të plota nga këndvështrimi i teorisë së letërsisë dhe shkencës së analizës së tekstit letrar. Kjo novelë, e shkruar në stilin e monologut kafkian, duke përcjellë tek lexuesi betejën për të dalë nga korniza (izolimi i pandemisë së Covid-19), është në fakt një pasthirrmë civile dhe intelektuale për më shumë liri në ditët e sotme. Në qendër të dramacitetit, pra, është Liria, ky insitucion i shenjtë human e publik që po deformohet dhe keqpërdoret sot për interesat e një grushti autokratësh. Besoj se, në një të ardhme të afërt, kësaj arritjeje cilësore të letërsisë sonë, do t’i jepet vlerësimi dhe vendi që meriton. 

    Ne kemi qenë një nga popujt më të izoluar të Europës dhe botës, mbyllur në kështjellën absurde, ku u aplikua një sistem shoqëror dhe politik sui generis, një diktaturë komuniste e pa ngjashme me askënd tjetër. “Njeriu ynë i ri”, që ishte destinacioni final i makinerisë së propagandës komuniste, dora – dorës u krijua si pasojë e “reformave” radikale që u bënë brenda sistemit, siç ishin ato kundër pronës private, kundër liberalizmit, kundër lirisë së besimit politik e fetar, kundër bashkëpunimit me botën e lirë, pro izolimit ekstrem, pro kolektivizimit, pro revolucionit kulturor dhe eksperimenteve të tjera ideologjike. Pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri, jo pak prej nesh e kanë patur të vështirë ta përkthejnë këtë realitet në gjuhën e botës së lirë.

    Absurdi i një realiteti 50-vjeçar, është i pabesueshëm dhe i papranueshëm tashmë edhe për brezin tonë të ri, që ka lindur dhe po rritet në liri. Për to, është gati e pamundur të besohet saga e rrëfimeve nga brezi i njerëzve që jetuan dhe vuajtën nën komunizëm. Kjo vështirësi “përkthimi”, kthehet në sfidë kur atë synon ta përcjellësh artistikisht tek bota që na rrethon apo tek e ardhmja. E kaluara jonë është psherëtima e një vuajtjeje të madhe, që edhe sot luftojmë t’i vëmë emrin që duhet dhe gjithësesi hasim pafund vështirësi. Historia na mëson se tragjeditë dhe krimet që harrohen, rrezikojnë të përsëriten! Filozofia na mëson se karakteret e deformuara shoqërore, mund të kthehen në normë sociale për kohët që vijnë.

    Ndaj dhe misioni i intelektualëve dhe shkrimtarëve, si Besnik Mustafaj, është që t’i tregojnë të sotmes për të shkuarën, me qëllim që ajo të mos përsëritet në të ardhmen. Kryefjala e këtij misioni është LIRIA. Por, liria politike, nuk mund të jetë kurrë e plotë, pa lirinë individuale. Këtë mesazh mund ta nxjerrim duke lexuar triptikun letrar, “Fajtori”.

    “Fajtorët” e shkrimtarit Besnik Mustafaj, në fakt, janë personazhet e tri novelave, të përmbledhura në botimin “Fajtori”. Gati të gjithë personazhet, edhe ato dytësore, mbartin me vete pjesën e fajit. Në fakt, këto tri novela, jo rastësisht janë botuar së bashku; – ato janë një trilogji për lirinë individuale dhe një homazh për viktimat e një regjimi që vrau liritë individuale! Me pak përpjekje, shkrimtari mund të na i kishte sjellë këto tri novela edhe si tre kapituj të një romani modern. Por, sigurisht, ky nuk ka qenë qëllimi i tij, sepse po të ishte, jam i sigurtë që do ta realizonte pa ndonjë sforco të madhe. Për më tepër që, pas tekstit të “Conarium”, asgjë tjetër nuk është e vështirë për Besnik Mustafajn!

    Tri novelat, na japin mundësinë që, nga tre këndvështrime të ndryshme, të shohim në qendër të këtij trekëndshi fajtorin e vërtetë – Fantazmën e Diktaturës dhe veglat e saj. “Fajtorët” e Besnikut, në përgjithësi, janë pikërisht viktimat e këtij sistemi “revolucionar”, që jo rrallë “ha” edhe bijtë e tij, siç ndodhi me Heroin e Popullit Abdi Golemi, tek novela “Fabrika për prodhim armiqsh”.

    Në të tria novelat ka elementë të përbashkët, siç është p.sh, drama individuale dhe ndërgjegjja e plagosur, si produkt i një mekanizmi të ngjashëm shpirt-vrasës, plagët e ngjashme shpirtërore që la pas një rrebesh ndëshkimesh politike, pamundësia për t’u arratisur përfundimisht nga rrjeta e së kaluarës, mungesa e një mekanizmi perfekt për rehabilitimin e viktimave të së kaluarës, deformimet shpirtërore dhe dhunimet e lirisë individuale nga mekanizmat e sistemit shtypës.

    Të tri novelat janë pjesë e një sage dramatike, e cila ka rrënjët në të njëjtin sistem shtypës dhe denigrues. Dy personazhet kryesore tek “Fajtori” (Hamza Sinani) dhe tek “O Tempora” (Zenel Meça), dramën e tyre e kanë tek periudha post-diktaturë dhe tek pamundësia (secili për arsye të veçanta) për të mos u shkëputur nga e kaluara e tyre. Deformimi i karakterit të tyre është rrjedhojë e mekanizmit shtypës dhe deformues të sistemit, i cili i ekspozon ato si personazhe gati-gati groteske në epokën e re të lirive politike. Liria politike (ndryshimi i sistemit) nuk i ka ndihmuar “fajtorët” e Besnikut, të jenë konfident aq sa të ushtrojnë plotësisht lirinë individuale, shkëputjen e plotë nga e kaluara.

    A jemi ne sot individë të lirë, në kuptimin e plotë të fjalës? A jemi të mjaftueshëm me liritë politike, apo si qënie shoqërore, duhet të investohemi për çdo ditë për të patur liritë tona individuale? Sa “ndërgjegje të vrara” ka ende sot mes nesh, që kanë nevojë për rehabilitim social? Ku mbaron kufiri i fajit dhe ku nis kufiri i rehabilitimit? Këto dhe shumë pyetje të tjera psikologjike dhe social-politike, kërkojnë të marrin përgjigje në triptikun “Fajtori” të Besnik Mustafajt.

    “Fajtori” dhe “O Tempora”, për mendimin tim kanë shumë të përbashkëta mes tyre, ndërkohë që novela e tretë, “Fabrika për prodhim aqrmiqsh”, është një novelë që ka përmasat e një romani dramatik.

    Një tipar dallues në krijimtarinë e Mustafajt është gdhendja mjeshtrore e karaktereve të personazheve deri në detajet më të holla të sjelljes së tyre psiko-emocionale. “Kamera” vëzhguese e Besnikut, i monitoron personazhet e tij së brendshmi dhe së jashtmi, aq sa atyre ndonjëherë më shumë u “flet” përshkrimi, sesa fjala. Edhe kur Mustafaj duket se gdhend pa mëshirë detaje specifike të sjelljes apo paraqitjes së personazheve të tij, atë e bën nga përkujdesja ekstreme, që asgjë të mos mbetet në hije dhe e paqartë.

    I pajisur me një kulturë të lakmueshme historike, me eksperiencën e një gazetari dhe një politikani në shërbim të institucioneve shtetërore, shkrimtari Mustafaj nuk e ka të vështirë të udhëtojë në skenën e historisë së shkuar apo të ditëve të sotme për të sjellë para nesh figura, personazhe e karaktere të fushave të ndryshme, të cilat në thelb i shërbejnë shkrimtarit për të përcjellë mesazhet e tij politike dhe kulturore. Ai nuk shkruan për personazhet e tij, por për ne lexuesit e sotëm dhe ata që do të vijnë nesër!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË