Për herë të parë tuneli atomik që gjendet në oborrin e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve të Sigurimit të Shtetit “Shtëpia me Gjethe” u shndërrua pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve në një hapësirë ekspozuese. Kjo falë artistit bashkëkohor Oltsen Gripshi, i cili nëpëmrmjet gjuhës së tij artistike ka tentuar të zbërthej errësirën si qasje filozofike dhe si simbolikë e së shkuarës para viteve ’90. Një ekspozitë konceptuale sa e veçantë për nga gjuha pamore me të cilën kërkon të komunikojë, aq dhe kuptimplotë për nga aspekti përmbajtësor.
Artisti Oltsen Gripshi me errësirën nxit dëshirën për të dalë nga ajo. Errësira për të është zbrazëtia, ku qenia njerëzore shkëputet nga ekzistenca fizike, aq sa brenda saj ajo humbet orientimin në kapërcyell midis dy përmasave: reales dhe metafizikes. Sipas artistit Gripshi këtë nyjë teorike e shohim të materializuar në mendimin utopik të Ernst Bloch, i cili ka arritur të shkojë përtej pikëmbështetjes së tij, duke pohuar se errësira është desiderium dhe e vetmja cilësi e sinqertë e qenies njerëzore e pazbuluar mirëfilli.
Ekspozita përbëhet nga një kompleks intim i zonave të errësirës dhe dritës të vendosura në rrugën që mund të imagjinohet si rruga e të vërtetës, plot pengesa, si sprova që duhen kapërcyer për të arritur njohjen, dijen.
Zbritje në thellësinë dhe errësirën e së shkuarës, frikë, një rrugëtim disi i rrezikshëm plot zikzake ku ndeshen simbole dhe fytyra gjysmë të fshehura, të tjetërsuara e të deformuara nga dhimbja e nga vuajtjet. Një rrugëtim që ngjall ankth. Duket si një rrugëtim i mundimshëm në kërkim të së vërtetës. Megjithatë, misteret e realitetit zbulohen papritur, në mënyrë të njëpasnjëshme; ankthi ngecet në vend dhe drita e dijes, e njohjes së të vërtetës duke grisur errësirën, tregon rrugën dhe jep shpresë.
Gjithsesi rrugëtimi në “Errësirë” i Oltsen Gripshit nuk është vetëm rrugëtimi ynë i përbashkët si shoqëri shqiptare në të kaluarën e errët komuniste. Ai është gjithashtu një rrugëtim në subkoshiencën e secilit, në anën e errët të personalitetit tonë, hijes tonë të brendshme që duam ta injorojmë, me vetëdije ose pa vetëdije, ndoshta, thjesht sepse nuk pranojmë lehtësisht gabimet dhe mangësitë tona! Në fund vërejmë se ky rrugëtim shërben dhe për zbulimin e vetvetes.
Në këtë ekspozitë ne përballemi me errësirën e botës sonë të nëndheshme. Ecim vazhdimisht drejt njohjes së të vërtetës për të arritur lirinë tonë. Sepse dija dhe e vërteta na bën të lirë, përderisa vazhdojmë të kërkojmë, të dimë, të kuptojmë historinë tonë dhe atë të botës, mënyrë kjo për t’i dhënë kuptim jetës sonë.
Fotot nga Blerina Zela