More
    KreuLetërsiBibliotekë"Zonja asnjeri dhe zoti askurrkush" poezi nga Agron Tufa

    “Zonja asnjeri dhe zoti askurrkush” poezi nga Agron Tufa

    Kam një ide të ndarë përgjysëm

    Kam një ide të ndarë përgjysëm,
    ide të ngulmët.
    Gjysma e saj është e mysët,
    gjysma e lugët.

    Jam gati të vdes për njërën gjysëm.
    madje dhe verbtas.
    Për gjysmën e lugët, gjysmën e mysët
    dhe anasjelltas.

    Kjo nuk përbën asfarë kundërvënieje,
    sido të jetë rasti.
    Krejt qenia ime është kundërvënie
    e çdo grimëçasti.

    E vërteta në do të bashkëjetojë –
    ka kushte komploti.
    Dy gjysmat idesë le t’i bëjnë rojë
    tek unë, i ploti.

    2017

    Pamjaftueshmëria

    shiu është për të gjithë:
    fatet janë të ndryshme.
    zhurma e ekspresit të kafesë
    i përbashkon një grimë
    këto arabeska gjaku njerëzor
    që kundrojnë përhumbur pas qelqesh
    shqelmat e ujshme të kalit hapësinor.

    tokë, o rrafsh i së tashmes…
    fat, o fytyrë e së panjohurës…
    ëndërr, o stacion kalimtar trenash…

    ajo që qëndron,
    ajo që do qëndrojë –
    (dhe duhet të qëndrojë)
    është pikëpyetja shtegtare
    mbi thekse emocionale
    të njëfarë kuptimi,
    të njëfarë pandehme,
    të njëfarë shprese a ëndërrimi
    në kontekstin e përkohshëm të universit
    me prenka efemere shirash.

    mendimi e shtyn gojën të hapet
    dhe ndjen pamjaftueshmërinë e vet
    për t’u shprehur.

    E përditshme

    S’diskutohet më ngasja, instinktet e ngasjes.
    As vrasja vetë, por rituali i vrasjes.

    S’diskutohet as mllefi, format e urrejtjes,
    por mbytja e ndërgjegjes nga tenja e brejtjes.

    Në performancën publike të Meshës së Zezë
    thelbi satanik ushtron delikatesë.

    S’ka patur e Keqja ushtarë kaq besnikë
    të stërvitur në frontin e saj estetik.

    Mes terrorit real e terrorit verbal
    përpunohet stili vrastar epokal…

    2012

    Motivi

    krejt çka më nxit me kërkue
    asht ekzistenca e një vazoje
    të strukun diku, n’terrinën e butë
    të pakujtesës sime.
    nuk di pse u spraps në kujtesë.
    nuk di pse u msheh në pendesë.
    nuk di me ç’farna e lashë,
    as pse u nguta me dalë jashtë…

    por koha e kthimit në shpi
    e tjetërsoka njeriun:

    kështu na u kthye i bombarduem
    ndër pezhishka përvojash një natë
    leopold blumi – o me dreqin, o me të birin –
    dhe të dy, mandej, nuk njohën
    vedin në pasqyrë,
    por surratin e shtrembnuem t’shekspirit.

    Kështu ta qet gjuhën realiteti i ri,
    që ka zavendësue vazon.

    Historitë e atyre që s’janë

    Historitë e atyre që s’janë
    zgjohen bef një ditë, marrin frymë,
    bëhen saora erë, erë e fortë,
    na shpupurisin, trazojnë,
    bëhen furtunë e çmendur,
    na shkepin si gjethnajë degësh
    e si rrymë konvekse na ngrenë,
    na hapërdajnë në qiej të enjtur,
    na përndjekin, fshikullojnë,
    na dëbojnë shtigjesh të verbër
    ku na mbulon lluca, llurba,
    dhe ashtu, të kalbur, gërbulur,
    nuk e gjejmë më rrugën e kthimit.

    Në historitë e atyre që do vijnë,
    prej dherash ku jemi shkapetur
    do të ngrihet masa jonë e varrosur.

    Por as ata nuk i pret fat më i mirë…

    10.03.2017

    Bloja e hollë e përditës

    Sekretesh vogëlane, djajsh çikërrimtarë –
    larg turmës me farisej babëzitës,
    ti thur prikën tënde me margaritarë –
    blojën e hollë të përditës.

    Ditën që engjëjt braktise përfare –
    humbe këtu, diell midis hithrash.
    Netët vezullore – varg me rruazare –
    tingullin e shuajnë në fajanca ditësh.

    Plot me ingranazhe sahatesh të vegjël,
    koha end paprâ pëlhurën magjike.
    Ç’do vdesësh me mua, imcake, o thnegël!
    E denjë për tablo mikroskopike.

    U ndave nga engjëjt sogjetarë të dritës
    të ngjërosh misterin, që këtu të vret.
    Prej tij del bloj’ e hollë e përditës…
    Po kush e mbrun me të veten e vet?

    shkurt 2017

    Diç e pezullt heq shpirt…

    rrebeshet e breshërave të majit rinisën…
    kërcet butë faqja poroze e dherave kaf.
    sumbujt e bardhë e të fortë shkartisën
    zhurmën e shkrimit në shaptilograf.
    diç e pezullt heq shpirt mbi klaviaturë,
    kërkon një shtrofkë të errët në dhomë,
    po atë shtrofkë s’ka për ta gjetur kurrë…
    përhapet një aromë bukëvaleje e pjekur
    në flegrat e mbushura me athtësi gjaku.
    ndihem si të isha një televizor i vdekur,
    i flakur shtrembër, në skaj të një parku,
    por me det të verbër para shtrëngate.
    përfytyrimi përvidhet. erë mes hatullash.
    qafa e tendosur struket mes shpatullash
    sikur ta priste një mill i gatshëm shpate.
    një dorë e padukë, me finesë e me sqimë,
    gris velin e bardhë të avujve të shregullt.
    tonzura e një kodre shfaqet një grimë
    dhe zhytet sërish si murgu në mjegull.
    nuk breshëron më. të parët, skërfyell,
    spikasin qiparisët dhëmbaçë të kreshtës.
    mandej, saora, përshkënditëse nën diell,
    të dubluara vërshuan vreshtat e vdekjes.

    Qershor 2016

    Peizazh

    një fllad i përzhitur shkrumbi lëpin hamulloren.

    fluturojnë ulët stërqokat dhe një langua
    sulet shigjetë pas tyre.

    mandej
    miliona pikëpyetje asgjësuese shiu
    ngulen marrafrymas.

    ia mbytin fushës përgjigjet.

    Agron Tufa, portret nga Bujar Kapllani

    Kthimi

    Kthente poeti në shtëpinë atërore
    pas motesh të shumtë mërgimi.
    Frynte erë, erë e çmendur.
    Kurorat e pemëve i përkulte fort
    si krenja të pabindura
    pa ia dalë t’i ngjeshte përtokë.
    Krifa të shpërvjela gjethnajash
    tregonin pushin e prapëm të gjetheve
    si astarë të atllastë xhaketash.
    Diçka po ndoshte me shtëpinë,
    diçka, të cilën poeti e sodiste
    majë sukës ku kishte stepur –
    jo fort larg: një dorë burra,
    farefisi, me gjasë,
    kishin hequr tjegullat e çatisë,
    e tash po shkepnin kafazin,
    kafazin e drunjtë të brinjëve –
    trarë, cungalë, kulmakë –
    fije-fije. Bash atëherë,
    përnën çati, përposh, braflluan,
    u ngritën në ajër qindra flatra,
    vërshuan jashtë në krahët e erës.
    Elipse të bardhë vërtiteshin mizëri
    përreth shtëpisë, në oborr,
    mbi çatitë e tjera, kurorat, rrugët,
    ngecnin midis gjethesh, gardhesh –
    tërë lagjja u mbulua me kësi flatrash.
    Mandej nisi një shi i dendur, imcak,
    me pika të dendura si rruaza çeliku –
    dhe flatrat e bardha zunë të shkrehen,
    të ngjeshen përtokë, të vishen gëmushave,
    në kopshtie, porende ferrash, vija uji.
    Dhe vetëm njëra syresh, me krahë –
    me gjasë, më të fuqishme se tjerat,
    çau ajrin, mbërriti, u plandos
    pa frymë ndën këmbët e poetit.
    Sikur dha shpirt. Ishte një fletë.
    Një nga mijëra fletët e shkruara
    me vargjet e hershme
    të kohës së trishtuar të djalërisë…

    14.03.2017

    Trishtimi

    mustaqedredhur
    e kacadrê
    ia beh trishtimi
    e rrjedh me rânë
    rrëké-rrëké
    çdo grimë gëzimi.

    Po ndaj të gdhirë –
    larashë nën shi
    flatrojmë çative;
    trishtim’ i njelmë
    shkund kripë të thatë
    në fund të syve.

    Na ngushëllojnë
    pezull n’ajrí
    hamendje t’rrasta;
    kafshojmë tërbimthi
    në lartësi
    duar të zbraz’ta.

    2016

    Marshi i vdekjes

    Ky vend popullohet më shumë me të vdekur;
    Me të vdekur të lashtë, me të vdekur të rinj:
    Janë të vdekur qytetesh me brengë të thekur-
    Dhe të vdekur fusharakë e të vdekur – barinj.

    Një popull të vdekurish gëlon kësoane;
    Të vdekur qyshkuri, të vdekur tani…
    Çfarë i mban gjallë vallë, çfarë kambane
    I mbledh dhe i derdh nëpër rrugë mizëri?

    Të vdekurit ngatërrohen pa pra midis vedit…
    Po kush këtë makth do mundë ta zgjidhë vallë?
    Vdes ngapak dhe shpresa tek të vdekurit e shtetit –
    Më shumë gjysmëvdekur, se sa gjysmëgjallë.

    Të vdekurit e lashtë nuk gjejnë dot paqe
    Nga të vdekurit mbi dhe, që ngrenë pallate
    Mbi eshtra fëmijësh, mbi plazmën e ardhme,
    Mbi truallin që zhytet përditë në mëkate.

    Dhe ngrenë rebelimin të vdekurit e vjetër,
    Braktisin qimitret, mallkojnë me tërbim
    Të vdekurit e rinj, bastardë, kokëngjeshur,
    Dhe kthehen qimitresh të pangushëllim.

    Ky marsh i të vdekurve nuk paska të sosur,
    Me shenjat e tyre, me këngët, me shkrimet,
    Që shuhen, rishkruhen dhe mbesin vulosur
    Prej bëmave të tyre, gjithsej, vetëm krimet…

    Të vdekurit tanë s’e dinë që kanë vdekur
    Dhe s’gjendet i gjallë vdekësinë t’u provojë;
    Kësoane të gjallët kanë ngrirë të mekur
    Nën grushtin e vdekjes që kthen në rrënojë

    Lotët, kujtimet, atë shpresë të pakët
    Që gjallë mbet dëshirash në urna, saksi…
    Të gjallët tash janë, ah, kurme të vakët
    Kufomash të gjalla, nxjerrë në liri…

    2015

    * * *

    nimfa përballë shkërmoq kallirin e kohës,
    shkërmoq kokrra lumturish të tabuizuara
    me llërë,
    me kofshë,
    me gjinj të njomë
    nën bluzë,
    me buzë,
    me njomë
    gjestetrazuara,
    grimasë e pozë,
    me faqet rozë
    me gropë,
    me ylberë të plotë
    vetullash korb e sy
    qerpikëgjatë,
    me korp si shlligë në vapë
    e flokë – grunajë në fllad –

    aty, në tavolinë përballë,
    nimfa-koketë –
    statujë rrjedhëse,
    plotë jetë –
    krijesë fërfëllitëse e Rodenit –
    flutur në oxhak,
    që ndjell në flakë
    pa u djegur vetë.

    kalliri i kohës shkërmoqet…
    luksi digjet në trill.
    nimfa-koketë largohet.
    kapakët e syve i mbyll
    dhe ndjej:
    universi ul qepenat
    buzë një honi,
    të cilin kam frikë
    ta shoh trullosur
    nga bedenat.

    Moskë, tetor 1995

    Nokturn XXIV

    Kjo botë e mbyllur nga skaji në skaj –
    molusk me buzë të puthitur –
    e fsheh të fashitur rrëfenjën e saj
    të endet në rrathë të nemitur.

    Ne rrekemi t’i qasemi në dhjetra versione,
    ne pjekim në mendje hamendje të befta,
    dhe mpikset enigma në ekuacione,
    dhe hesht në thurimat e saj të sedefta.

    Shigjeta e kohës nuk është lineare.
    Lotët e djeshëm, sot janë të ndryshëm.
    Historia është shapi i shpirtit vetanak –
    Qenie me cak të perëndishëm.

    2012

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË