More
    KreuLetërsiBibliotekëZija Çela: Stacioni i natës së fundit

    Zija Çela: Stacioni i natës së fundit

    Kur marr një libër të ri në dorë, thuajse pa vetëdije, shpesh më vijnë ndër mend dy pyetje të thjeshta, madje edhe të njerëzishme, por me shumë peshë për letërsinë. Një, zotni, a ke gjë për të thënë? Dhe dy, zotni, si e thua?…

    Tashmë ka vite që romanet e Mehmet Krajës u japin maksimalisht përgjigje pozitive këtyre pyetjeve. E me kalimin e viteve, ai ka krijuar një korpus të veprave të tij. Kjo është fort e dobishme për lexuesin, që mund ta kryejë leximin me rrënjë e me dëgë. Kur arrin korpusin, bëhet cak i gëzueshëm gjithashtu për shkrimtarin. Mirëpo për autorin mbart edhe një rrezik. Me çfarë tiparesh vetjake është shfaqur, me çfarë fryme e stili? Dhe mbi të gjitha, sa e ka zhvilluar individualitetin e tij përgjatë atij korpusi? Sepse sa më shumë libra shkruan, aq më tepër shfaqet mundësia e përsëritjes së vetvetes, deri edhe njëfarë kaogolimi stilistik, çka e ndërpret zhvillimin e mëtejshëm të individualitetit.

    Kam pasur rast dhe herë tjetër të flas e të shkruaj për Krajën, ta shoh atë në vijën e parë të romanit bashkëkohor. I kam cilësuar si kulme të autorit, por edhe maja në letërsinë tonë sidomos romanet “Babai im e donte Adolfin” apo “Selvitë e Tivarit”. Janë vepra ku, përveç peshave të tjera letrare, shfaqet në mënyrën më të konsoliduar stili i autorit. E megjithatë, kur lexova dorëshkrimin “Liria ime”, ndodhi diçka e çuditshme. Është paradoksale të përdorësh për këtë roman të rëndë fjalën “frymëzim”. Por mua ashtu m’u duk, ndjeva se ishte shkruar me një frymë të tjetërllojtë e, duke qenë edhe unë i përfshirë në ngazëllimin që më jep në çdo rast cilësia letrare, i shkrova në çast këtë mesazh:

    “Një roman i shkëlqyer. E gjithë lënda e zezë, më e zezë se katrani dhe prapë misterioze si vetë materia e zezë. Këtu nuk është fjala për absurdin në jetë, por për hiçin e saj. Me këtë roman më dukesh i ri si shkrimtar, thellësisht dramatik në përmbajtje, thellësisht vërshues në stil, kompakt në kompozicion si një poemë. Mos u habit që aty vezullojnë edhe ca xixa nga bota e gjeniales.”

    Po shpjegohem me dy fjalë për këtë përshtypje. Aq më tepër që nëpërmjet personazhesh thuajse të paragjykuar si dështakë, autori e ka mbathur lëndën me filozofi komplekse për qenien njerëzore, duke guxuar të “përmbysë” vetë kanonet e zhanrit. Është e vërtetë se fragmentarizmi ka qenë rreziku më kërcënues në këtë roman. Përfytyroni grumbullimet në një aeroport, ose në një stacion hekurudhor qendror. Përfytyroni se pikërisht këtu disa personazhe hypin në trena të ndryshëm e nisën në drejtime të ndryshme. Merret me mend se, sa më gjatë udhëtojnë, aq më shumë largohen nga njëri-tjetri. Kahjet e ndryshme i bëjnë të humbasin pikat e kontaktit, por të humbin po aq edhe nyjën e rrëfimit, kërthizën, atë që krijon unitetin tradicional të subjektit. Por nuk ndodh tamam kështu. Kur zbresin, sado të individualizuar, çuditërisht ata kanë arritur në të njëjtën platformë stacioni, në platformën e stacionit të fundit, diku përballë një tuneli të errët. Dhe në këtë Excite ata i ka bashkuar uniteti i brendshëm, pra jo ai i trajektores së udhëtimit, ai i destinacionit, por ai i destines. Është fati i përbashkët i zhgënjimit, i dhembjes, i dëshpërimit që i mbledh në atë Excite, në atë dalje përfundimtare prej kësaj bote për në botën tjetër. Dhe autori, me gjithë dhembjen e vet që i ndihet si buçimë e nëndheshme, sado mizor në objektivitet, tregohet xhëntellmen i mëshirshëm, nuk është ai që i vret, ata vetëvritën.

    Po, është i rëndë romani “Liria ime”. Gria e Buzatit jo se jo, por shkrimtarit s’i ka mjaftuar as e zeza e Kafkës. Pasi tushit i ka hedhur ca karabojë, duket sikur herë-herë Kraja fut dorën në thesin e qymyrit dhe i shton natës edhe ca blozë. Sipas meje, kjo ka ndodhur se në tërësinë e vet romani nuk përbën vetëm kronikën e devijimeve morale që individi i bën jetës së tij, as vetëm kronikën e çoroditjeve psikike në lirinë e vonuar. Në thelbin e vet romani është një sulm përkundrejt çvlerësimit të idealeve dhe pamundësisë për të qenë i lumtur. Një sulm total kundër hiçit, hiçit të një jete që si një kaush, i cili kur i vjen koha të mblidhet në grusht për t’u hedhur në kosh, kupton se gjithmonë paskësh qenë bosh. Ky është edhe vetëmashtrimi i hidhur, është dëshpërimi gërryes, është tmerri mortal dhe nata e vërtetë e personazheve. Nata e dikujt që, si metafora e madhe që përmbledh tërë eklokat e një poeme, mbështet tërë mozaikun e romanit, duke paralajmëruar njëherësh se mund të bëhet nata e çdokujt.

    Kaq për njëfarë leximi të mbitekstit, pasi gjatë, plot ndërlikime e plot tërheqje, flet vetë teksti i romanit. Teksti, patjetër teksti.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË