More
    KreuLetërsiShënime mbi libraZija Çela: Shkrimtari i trillit, ky mashtrues i pafajshëm... (mbi katër romane...

    Zija Çela: Shkrimtari i trillit, ky mashtrues i pafajshëm… (mbi katër romane të Mehmet Krajës)

    Do të kisha dashur t’i bëja disa pyetje Mehmet Krajës për katër romanet e botuara nga Onufri: “Edhe të çmendurit fluturojnë” (2004), “Im atë donte Adolfin” (2005), “Selvitë e Tivarit” (“2007) dhe “Hotel Arbëria” (2010). Do të doja ta pyesja, për shëmbull, si dreqin arriti t’i shkruante vetëm në gjashtë vjet katër romane të këtij niveli?!

    Mirëpo i përmbahem mendimit të njohur, atij që thotë se vështrimi kritik i një vepre nuk mund të arrihet duke u konsultuar me orakullin, autorin e saj. E po ashtu, me gjithë diversitetin që sjellin leximet vetjake, besoj se asnjë përfundim objektiv nuk mund të arrihet, kur del jashtë sferës që sugjeron vetë autoriteti i veprës, sidomos veprës ku gjallon mrekullisht pseudo-objektiviteti i shkrimtarit të fiksionit.

    Mehmet Kraja është i llahtarshëm në këtë objektivitet të gënjeshtërt. Gjasmues, ngashënjyes, iluzionist, “i pafytyrë” dhe gjithsesi i pafajshëm si tërë vëllazëria e përbotshme e këtij lloji shkrimi, ai mashtron pa pikën e drojës, sepse trillon në mënyrën më të besueshme e më të shëndetshme, duke kaluar përmes asaj fijes së hollë që ndan irealen me realen dhe, në këtë fqinjësi kaq të afërt, lexuesi i gëlltit pa ujë edhe mëdyshjet që i lindin. Në sfondin e zhvillimeve bashkëkohore, në të vërtetë, kjo është nga shprehjet më domethënëse të përgjegjësisë krijuese për “mospërgjegjësinë” e trillit në letërsi.

    E kështu, pa e pyetur autorin, po jap ndonjë përgjigje se ç’shkrimtar është Mehmet Kraja.

    1. E di se mjaft autorë e presin si mujsharë çastin që krijimtarinë e tyre dikush ta cilësojë postmoderne, thua se postmodernizmi është më shumë lavdi sesa kalendar. Thjesht, sipas meje, Mehmet Kraja ndoshta është një postrealist. Me një fjalë, shkrimtar i integruar plotësisht në nivelin më të përparuar të prozës bashkëkohore.

    Nëse katër romanet do t’i përfytyroja si një kuartet me katër instrumente, aherë “Im atë donte Adolfin” do të ishte pianoja, “Edhe të çmendurit fluturojnë” viola, “Hotel Arbëria” violonçeli dhe “Selvitë e Tivarit” violina. Por sido që t’i renditësh dhe pavarësisht nga ndryshimi i partiturave, gjithë së bashku luajnë muzikë dhome, ku nuk mungon balada për të gjallët, një requiem për të vdekurit dhe një skerco për të gjallët e të vdekurit bashkë.

    E këto rrinë mirë me njëra-tjetrën, sepse në prozën e Krajës mbisundojnë gjendjet paraverbale të personazheve, kryesisht trazimet e pazëshme me sy hapur dhe jermet e ëndrrave me sy mbyllur. Janë gjendje që mund të jenë përthithur nga jashtë e janë bërë të brendshme, si dhe të brendshme që mëtojnë të artikulohen për të dalë jashtë.

    Kjo dëshmon se në krijimtarinë e Krajës, para se një zeje që mësohet, letërsia është autenticitet shpirtëror. Dhe në thadrimin artistik të këtij autenticiteti, ndër veçoritë e tjera autoriale, ka edhe ngjyra, nuanca, ndërthurje e kundërti tonalitetesh. Bie fjala, dramatikja (tipari më spikatës i shkrimtarit) bashkëjeton me mahinë e lehtë apo buzagazin ironik, por shfaqet edhe rëndshëm kur një si pikëllim helmues tretet në sarkazmën përmbytëse.

    2. Çfarë i është dashur autorit, para se t’ia niste punës për secilin nga romanet?

    I janë dashur disa troje të njohura, Prishtina, Shkodra, Tivari, Tirana etj. Fermente subjektesh dhe shumë personazhe të panjohura, çka i fantazon me lehtësi. Pastaj ndonjë dokument historik, apokrif në të vërtetë, bllok a fletore me shënime që dikush i paska mbajtur dikur, por që vetëm sa përmenden, pasi nuk luajnë rolin e faktit të njimendtë.

    Çfarë tjetër më pas? Më pas kaq i kanë mjaftuar. Si prozator i racës, të gjitha të tjerat Mehmet Kraja i ka vetë. Me karburantin përbrenda, ai është ndodhur i gatshëm për shkëndijat që i kanë rënë nga jashtë. Dhe rezultati? Tek autori nuk gjejmë pantallona të kuqe të qepura me fill të bardhë, si demonstrim i ekstravagancës së artistit. Por as në duart e artistit nuk shihen shenja të prangave prej despotizmit të mjeshtrit.

    Mehmet Kraja, në radhë të parë, është prozator i leteralitetit të dhuntishëm. Prandaj nuk është e rastit që, duke pasur mjaftueshmërinë e zhvillimit të vetvetes, ka ardhur duke e pasuruar romanin shqiptar jo në statistikë, por në cilësinë e zhanrit. Natyrisht, gjithkush përjeton rrethanat e veta, ndoshta edhe autori u ndihmua nga rrethanat e jashtme. Por më tepër se kombinim rrethanash, është rasti kur zhvillimi arrihet duke e pasuruar individualitetin  me natyrshmëri. Mehmet Kraja i ka lexuar dhe i lexon në vijimësi prozatorët shqiptarë. Por në katër romanet e tij nuk ndihet hija e asnjë pararendësi. Prandaj është kaq neto vlera që sjell në letrat tona, çka e bën po aq të epërm edhe respektin e autorit për individualitetet e pararendësve.

    3. Sipas një sprove tjetër, duke e ndarë kuartetin, vërej njëfarë binjakëzimi në përafrimin e tipareve. “Selvitë e Tivarit” me “Im atë donte Adolfin” vijnë bashkë si një koncert për violinë e piano; “Edhe të çmendurit fluturojnë” dhe “Hotel Arbëria” si një koncert për violë dhe violonçel. Binjakët e fundit mbartin shumë dhembje, jo vetëm për dramat që sjellin, por edhe për thikat që shqiptarët ia ngulin njëri-tjetrit. Ndërsa dy të parët, romane që i kam më për zemër, krahas dhembjes dhe ravgimeve njerëzore, kanë aq kapriçio të narrativës, sa mbërrijnë edhe kulme.

    Në këndvështrimin e ligjërimit të rrëfyesit dhe botës së brendshme të personazhit, Lindita Tahiri i ka kushtuar një studim të mprehtë stilistik romanit “Im atë donte Adolfin”. Ajo pohon se me mënyrën e paraqitjes së realitetit historik, Kraja krijon metafiksionin historiografik, të cilin lexuesi nuk e pranon me skepticizmin që do t’i ishte qasur historisë, sepse domethënënia e rrëfimit nuk mbështetet në dokumentimin faktik të të dhënave të imagjinuara, por në ndërlidhjen e këtyre të dhënave me ligjërimin e rrëfimit. (Libri “Monolugu”, fq. 133) Siç shihet, është një depërtim në thelbin e specifikës së fiksionit të Mehmet Krajës. Po kujtoj shkurt se, kur ekzistojnë studime të qelizës letrare, si ky që përmenda, një autor ka shansin për ta njohur më gjakftohtë vetveten, pasi në procesin e studimit ka ndodhur një transformim i çuditshëm, nënvetëdija e shkrimtarit është bërë vetëdija e studiuesit.

    Por unë po ndalem te “Selvitë”. Në letërsi ka mjaft romane që i bashkon një arketip: shkrimtari zbret në fëmijërinë e tij dhe, nga pozitat naiviste të asaj moshe, rrëfen botën përreth. Mirëpo nën ndikimin e një rezultati sundues, mjaft autorë përfundojnë pa dashje ose në letërsi imituese të pavullnetshme, ose në epigonë të pandreqshëm. Për nga origjinaliteti i mbrojtur me vetëdije, befasitë artistike dhe kënaqësia e leximit, “Selvitë e Tivarit” i vihet përkrah modelit më gjeneral që kanë dhënë në këtë rast letrat tona, “Kronikës në gur” të Kadaresë, pikërisht për pangjashmërinë e dukshme mes tyre.

    Tek “Adolfi” paragrafi i parë i rrëfimit nis me: “Im atë…”. Krijohet kështu iluzioni i menjëhershëm se gjithçka që do të rrëfehet është reale, përvojë fort mirë e njohur nga autori, pasi këtë e përcakton lidhja e gjakut, plus të famshmet shënime (sic!) që na qenkan mbajtur dikur me hollësi. Mirëpo çfarë ndodh letrarisht? Mbasi ka trilluar të atin (ngjarjet zhvillohen në sfondin e Luftës së Dytë Botërore), autori trillon edhe të birin, pra fëmijërinë e vet. Por fëmijërinë e dytë ama, sepse ai nuk do të ndalet, do ta trillojë edhe tjetrën. Për nga kronologjia kohore, fëmijërinë e parë do ta gjejmë te romani pasues “Selvitë e Tivarit”, me ngjarje që zhvillohen shumë më herët, rreth vitit 1878. Dhe pak vëmendje për paradoksin tani, sepse këtu kemi të bëjmë me një trill të pazakontë, kur për nga mosha i biri çertifikohet më i madh se i ati. Nëse autori ka qenë dhjetë veç kur bëhet pjesëmarrës në ato ngjarje, rezulton se librin (sipas shënimit në fund: Prishtinë, janar-nëntor 2010) e ka shkruar kur ka qenë 123 vjeç, ndërsa sot, megjithëse i ditëlindjes 1952, shkrimtarit i bie të jetë mbi 140. Çudia është se, sado tepër fantaste dhe e guximshme kjo lojë trefish e fshehtë me kohën, letrarisht mbetet prapëseprapë e pranueshme.

    Narratorët i kanë thyer prej së hershmi rregullat e kohës duke informuar në distancë, madje duke ditur edhe çfarë ka ndodhur para lindjes së tyre. Por, zakonisht, kjo bëhet duke e respektuar honin ndarës nëpërmjet neutralitetit, të cilin e siguron rrëfimi në vetën e tretë. Kurse te “Selvitë” lexojmë: “Edhe tani, kur e sjell në përfytyrim pamjen e atij vendi, më duket sikur sjell në kujtesë një gravurë të vjetër… Nuk është se kjo pamje vetëm tani më duket e tillë. Gjatë atyre ditëve të largëta dilnim shpesh mbi muret e kalasë dhe nuk bënim asgjë, ngjiteshim mbi kullën e princit…” (Fq. 112) Shihni si guxon autori të rrëfejë në vetën e parë, si e kalon vështirësinë e saj dhe çfarë rrengu na ngre “mashtruesi”, duke aktivizuar njëherazi kohën e ngjarjes, kohën kur shkruan dhe kohën relative kur do të na drejtohet ne nëpërmjet leximit.

    Veçse kjo lojë nuk do të mund të mbahej gjatë më këmbë, nëse nuk do të ushqehej në mënyrë simultane gjatë tërë romanit me mjete të tjera të stilistikës, duke treguar të njëjtin guxim dhe të njëjtën mjeshtëri unifikuese. Asnjë mbret në faqe të dheut, me gjithë fuqinë që i pati dhënë froni, nuk mundet që prej një distance kohore një shekull e gjysmë ta shohë veten në mënyrë aktive në kalanë e tij, si lëviz, çfarë sheh e çfarë përjeton. Por shkrimtari edhe të pamundurën e bën të mundur, duke dëshmuar se çfarë force krijuese kanë princat e letrave në mbretërinë e përjetshme të artit.

    4. Për nga kompozicioni, romanet e Mehmet Krajës kanë disi formën e shtjellës. Është kapur më parë një nukël potencial, diçka si syri i ciklonit, pastaj ka filluar përhapja e rrathëve duke e rritur diametrin. Këto rrathë herë priten kushtëzueshëm njëri me tjetrin, herë vetëm takohen nëpër lakore ose ruajnë pavarësi, por gjithë së bashku harmonizohen në një mozaik. Tek “Im atë donte Adolfin” këtë rol e luan  babai, tek “Edhe të çmendurit fluturojnë” e luan Kakami, te “Hotel Arbëria” është Skënder Berisha.

    Po te “Selvitë”? Fugën fillestare në këtë roman e nis zuska profesioniste Zuke Kalimani, për të përfshirë pastaj në shtjellë tërë Tivarin e përtej Tivarit, ushtrinë e Dovletit, atë të Krajlit të Cetinjës apo flotën angleze të Stjuartit të çalë. Dhe çfarë tabloje e paharrueshme krijohet, çfarë personazhesh të larmishme gëlojnë! Ato jo vetëm e pasurojnë njëri-tjetrin, por kontrastet theksojnë edhe profilet brenda veprës: Samiu dhe Sani Kanduri, Ilham Shaqir Suma, Cuf Idrizi, Beqir Demi, Shuab Damoni, Jehud Doraci, Xhemilja e Habib Katanës, Ymer Efendia, gjakoni Dedë Zarishti, Padër Shtjefni, Nikë Pjetër Jungu, Lami i Kasëm Demirit, Johan fon Bergmani, Nel Gjeshku me mushkën e tij, boshnjakja e Hetem Hoxhës, Lami i Kasë Demirit, Selim Çerkezi, Sebernazja e Beqir Demit dhe deri te gjashtë burrat e Tivarit, Kabili e Rahili, Sabiti e Hamiti, Aliu e Veliu, që hyjnë në bisedime për kufijtë me ushtritë e huaja. E ndonëse me këta gjashtë burrat veprës po i afrohet fundi, krerët 34-36 vazhdojnë të ngrihen artistikisht, ato kthehen në dramë për nga tensioni, në grotesk universal për nga përmbajtja dhe në poemë për nga stili.

    Në kuptimin e mirëfilltë, te “Selvitë” nuk ka ndonjë temë që mund të formulohet, gati-gati as subjekt që mund të tregohet në mënyrë lineare. Veçse nuk ka aty situata ku të ndihet shtërzimi i kërkimit, por gurra të bollshme ku imagjinata buis vetvetishëm. Autori është ndodhur mu në amën e lëndës së pastër letrare (les lettres pures), çka i ka dhënë krejt romanit atë që quhet frymë, dhe pikërisht fryma ka qenë përcaktuese në kahjen e kësaj letërsie luminishente.

    Në këtë roman, bashkë me “Im atë donte Adolfin”, Kraja ngrihet në nivelin e asaj krijimtarie ku realja s’i përket aq realitetit, sesa fantazmagorisë së tij. Me një fjalë, çfarë ka në përditshmërinë e vdekshme të një kohe mund të mos gjendet në vepër, por gjendet aty çfarë përfaqëson shpirtin e pavdekshëm të kohës. Duket sikur autori i ka fshirë nga mendja romanet e tjera që ka shkruar, për t’i krijuar vetes një kondensim të ri, por edhe shenjën më konkurruese për vazhdimësinë e tij në të ardhmen.

    5. Në pasurinë, lirinë dhe elegancën e përdorimit, Mehmet Kraja është një nga kampionët e gjuhës letrare. Në letrat tona haset rrallë ndonjë shkrimtar, që ekspresionizmin e mjedisit dhe të natyrës ta ketë në nivelin e këtij autori. Ai nuk e ka për gjë të trashëgojë nga romantikët (që sot shumëkush i shpall krejtësisht anakronikë) afeksionin për gjithësinë, për qiellin e horizontet e tij, për diellin, hënën, yjet, etj. dhe t’i risjellë në modernitet me shijen e kohës. Kur skenat i kanë të pranishme këta trupa qiellorë, në tekst farfurin drita. Përshkrimi bëhet therës, sapo ia behin hijet.

    Edhe pse nga njëri roman te tjetri shkrimtari sikur e “ka ngrënë” disi natyrën, çdo rimarrje sjell ca rrëqethje dhe ca ndjesi që mbesin flu. Kjo flu, kjo mjegull aq e shpeshtë në romanet e tij, nuk është thjesht lagështira e motit. Por kryesisht nebuloza prej së cilës është krijuar vetë universi i katër romaneve, një tis vibrues që as e ka lënë autorin të shohë gjithçka qartë qysh prej fillimit, siç shohin skematikët, as të ecë qorrazi jashtë hullive të veprave, siç ecin profanët. Ndoshta s’është e rastit që edhe leximi i Mehmet Krajës të lë njëfarë mjegulle shoqëruese. Ajo nis të zhdavaritet pasi mbaron libri, sepse pikërisht atëherë, i persekutuar nga dilemat e aktualitetit, qytetari i sotëm çon gishtin në tëmth dhe, siç ka shtruar vargane pyetjesh autori, nis të pyesë edhe lexuesi: A thua kështu gjithmonë paska qenë jeta, e lakmueshme, ndjellëse, e pabesë, e brishtë, absurde, marramendëse, sureale dhe shpesh idiote njëkohësisht?!

    6. Nuk mund të thuhet se vetë thelbi i artit ka ndryshuar shumë përgjatë historisë. Ka substanca që sikur ngrijnë, sepse për paprekshmërinë e tyre koha i trajton disi në mënyrë frigoriferike. E tillë është letërsia e antikitetit, e cila edhe pas shumë shekujsh ka mbetur sa klasike, aq moderne njëkohësisht. Çfarë ka ndryshuar më tepër, ndoshta është tipografia dhe leximi i letërsisë. S’jam kundër, le ta respektojmë sovranitetin dhe lirinë e lexuesit në këtë epokë të multikulturalizmit. Por nëse kultura është bërë konsum, fenomen që ka prirje vërshuese, atëherë pjesës më të denjë të letërsisë i duhet të bëjë rezistencë për të qëndruar në kulturën e fisme, kulturën e lartë siç thuhet sot.

    Katër romanet e Mehmet Krajës i kundërvihen konfuzionit kulturor dhe ushqejnë mendim, ndjeshmëri e spiritualitet te lexuesi. Por pa i varur shpresat te çdo lloj lexuesi, pasi teknologjia dixhitale ka filluar t’ua nxjerrë bojën rrenave populiste për kultin e kulturës. Letërsia e Krajës, duke i kthyer shpinën mediokritetit, letërsisë së shurupit dhe të mediatizimit stinor, bëhet më e pëlqyeshme vetëm për ata që ngrihen në nivelin e saj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË