More
    KreuLetërsiShënime mbi libraZija Çela — Narrativa dhe grotesku te “Goja e Botës”

    Zija Çela — Narrativa dhe grotesku te “Goja e Botës”

    Nga Enton Bido

    Romani “Goja e Botës” (Toena, 2010) i prozatorit të njohur Zija Çela përbën një trilogji, bashkë me romanet e mëparshme “Las Varrezas” dhe “SOS, një buzëqeshje”.
    Ndër të tjera, në këtë vepër vërejmë këto elemente: intertekstualiteti mes tragjedisë Hamleti dhe romanit; romani është polifonik, shumëzërësh; në roman figurat kryesore janë grotesku dhe parodia; teknika e palimpsestit, procedim i njohur në letërsinë moderne sidomos. Ndërhyrjet dhe herë-herë shkrirjet e tragjedisë Hamlet me jetën e përditshme të Fifarës. Përdoren motive popullore folklorike shqiptare, si ngjallja e të vdekurit në rastin e Orges Jatës, Zik Kaduku që shkon në Fifara 2 nëpërmjet shpellës, rreziku që i kanoset vajzës së Van Abrashit prej kungullit të varur në traun e shtëpisë, qasjet me legjendat biblike në rastin e plagëve në duart e Desada Stefës në formën e stigmatave etj. Kjo, veç të tjerash, i jep veprës ligjërim etnografik. Ndërhyrjet dhe herë-herë shkrirjet e Hamletit me jetën e përditshme të Fifarës. Kotësia e masivizimit dhe amatorizmit në art, gjë që i çon banorët-aktorë në gjendje absurde dhe paradoksale. Ky është edhe burimi kryesor i groteskut në roman. Personazhin e Hamletit e kanë luajtur rreth gjashtëdhjetë veta. Drama e fatit të artistit idealist në mediokritetin e qytezës (Fifarës). Jul Jusit, antiheroi, megjithëse i vetmi aktor profesionist, i duhet të presë tetë vjet për ta vënë shfaqjen në skenë. Rrëfimi është heterodiegjetik. Bëhet autodiegjetik kur flasin personazhet. Fifara është një toponim i trilluar, procedim ky i parapëlqyer nga autori në prozën e tij, si Balbona te “SOS një buzëqeshje”, Kukunami te “Las Varrezas”, Shën Tirana te “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”. Në roman ka një toponimi e onomastikë të tërë të trilluar: Fifara 1, 2, Eridriva, Goja e Botës, Veshi i Botës etj.; po kështu, të njëjtin funksion ka edhe inventari emëror (lexo: i personazheve) të dorëshkrimit të romanit që ndodhej në muzeun e Fifarës, i cili ishte hartuar nga zoti Abrashi. Lista prej 160 emrash (personazhesh) përmban edhe emrin e autorit, i cili në këtë rast bëhet edhe personazh. Ky procedim i njohur i dorëshkrimit të gjetur është i parapëlqyer në letërsinë moderne. Edhe në letërsinë shqiptare e hasim, p.sh. tek “Arka e djallit” – D. Agolli. Gjuha e pasur, e larmishme, mjaft e përpunuar; shprehjet e ndryshme frazeologjike: dafrunga, thellukat, shpatullore, mujshi etj. Ndikimi i realizmit magjik, por jo realizëm magjik i mirëfilltë, duke pasur parasysh se nuk mbështet plotësisht në mitologji në natyrë. Veprën mund ta përcaktojmë si roman metaforik dhe me elemente të ndjeshme fantastike. Ndonjë ndikim nga realizmi magjik nuk mendojmë se e fut veprën në hullinë e kësaj rryme letrare. Këtu kemi parasysh se ndër përbërësit kryesorë të realizmit magjik është mbështetja dhe përdorimi i figurave mitologjike dhe prania thuajse e përhershme e natyrës, apo e përshkrimeve natyraliste. Elemente të tilla janë hasur më herët në prozën tonë te M. Kuteli (Vjeshta e Xheladin beut, E madhe është gjëma e mëkatit, Lugetërit e fshatit tonë) ku, siç është vënë re edhe nga disa studiues, gërshetimi i elementit fantastik, atij mitologjik dhe natyralist, i afrojnë mjaft këto proza me realizmin magjik. Po kështu është hedhur teza e pranisë së kësaj rryme edhe në ndonjë vepër të Kadaresë. Kemi hasur edhe interpretime të tjera për romane të tjera bashkëkohore, që paraqiten si të afërta me realizmin magjik, por që na janë dukur të paargumentuara nga këndvështrimi i letërsisë së krahasuar. Ndoshta kjo bëhet më tepër për t’i ngritur artificialisht vlerat estetike të aksh vepre apo autori, gjë që e dëmton receptimin letrar dhe e fut në qorrsokak kritikën tonë letrare, që edhe pa këtë, ka mjaft mangësi për të ndrequr dhe problem për të zgjidhur. Si përfundim, kemi të bëjmë me një roman polifonik, me narrativë alegorike-fantastike, ku grotesku zë një vend të dorës së parë në rrëfim. Me gjithë problematikën mbarënjerëzore, figurshmërinë e larmishme, zbërthimi i shenjave letrare dhe ligjërimi etnografik e afrojnë veprën me mikrobotën shqiptare. Autori është në pikën e epërme të prodhimit letrar, gjegjësisht të prozës, duke i lëvruar të gjitha llojet e saj. Në romanin në analizë dendësia e rrëfimit, grotesku dhe parabolat fantastike e rrisin më tej korpusin romanor të shkrimtarit Zija Çela, duke e theksuar si një zë të përveçëm dhe përfaqësues të prozës sonë moderniste.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË