More
    KreuOpinionZija Çela: Ai nuk helmon as me dashje, as pa dashje… (skicë...

    Zija Çela: Ai nuk helmon as me dashje, as pa dashje… (skicë e vogël për Ali Aliun)

    Një gazetare nga Maqedonia e Veriut më shkruante se do të kishte intervistë me Akademikun Ali Aliu dhe dëshironte diçka prej meje. Më gjeti thuajse të gatshëm për këtë skicë të vogël.

    1. Në një vështrim vertikal të veprës së tij, Ali Aliu i përket kritikës  dhe filozofisë pozitiviste. Në këtë rast, nga Katër Stinët e Vivaldit do ta vija gishtin te “Pranvera”. S’di pse, edhe si personalitet njerëzor, Ali Aliu më vjen në mend veçanërisht në ditët me diell. Kur bën objekt studimi krijimtarinë e një shkrimtari, ai hedh dritë në anët më te mira të autorit, i shtjellon ato me lupë në dorë, por zbulon edhe sythe që ose jane në zhvillim e sipër, ose pritet të shpërthejnë. Në shkrimet e këtij studiuesi me aktivitet prej dekadash e njëkohësisht kaq intensiv, nuk ka asgjë toksike. Ai nuk helmon as me dashje e as pa dashje, përkundrazi, vihet në krah të shkrimtarit, të cilit i dhuron vlerësim dhe ndjesi gëzimi. Nuk ka autor që mund të ankohet se Ali Aliu ia ka ngrënë hakun, siç nuk ka ndonjë që ta ketë pohuar mbipeshën, kur mund t’i jetë dhënë më tepër.

    2. Në Veprën e Ali Aliut gjenden referenca, por zakonisht të natyrës pohuese, mbështetëse dhe informuese. Duke mënjanuar frymën e debatit dhe polemikës, ai përqendrohet sidomos në analizën e tij, në thellimin e argumenteve dhe depërtimin shpesh kapilar. Si fryt i studimeve të Ali Aliut, ndër të tjera, sot kemi një tablo plot ngjyra mbi krijimtarinë e disa prej shkrimtarëve tanë më të spikatur bashkëkohorë. Në këtë antologji vetjake të mendimit kritik, gjejmë problematika të rëndësishme të estetikës dhe përgjithësisht të teorive letrare. Aty shtrohen pyetje e jepen pergjigje për çeshtje bazike të prozodisë, individualitetit, narracionit, formimit të karaktereve letrare, gjuhës së tekstit dhe asaj të nëntekstit, etj.

    3. Është vërejtur se Ali Aliu nuk i nënshkruan shkrimet me ofiqin Akademik. Dhe këtë nuk e marr as si trill, as si rastësi. Ka gjasa që ai nuk kërkon asnjë potencim me statusin e tij, për ta lënë lexuesin të lirë në gjykimin e tekstit. Madje, në thelb, shkon më tej. Më tepër se pozicion e profesion zyrtar, duket se Ali Aliu kritikën letrare e ka Dashni, e ka Pasion. Ja përse tërë jetën është dëshmuar gjithashtu një lexues i hatashëm, nga ata të thekurit, të cilët lënë sytë mbi shkronjat e tjetërkujt.

    4. Në një shikim linear, me bibliotekën e librave të tij, Ali Aliu ka rrokur figura themeli, që përfshijnë shekuj, sidomos autorë të Rilindjes Kombëtare. Në këtë mënyrë, kjo bibliotekë ushqen e do të ushqejë edhe në të ardhmen çdo Histori të Letërsisë Shqipe, duke qenë vetë njëkohësisht pjesë e ndritshme e kësaj Historie.

    Ah, edhe diçka në fund! Gjatë vitit, në Tiranë ka shumë ditë me diell…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË