Përktheu nga origjinali: Arben Bllaci
NATË DIMËRORE
Binte borë, shfrynte suferinë,
Bardhësi tej e përtej.
Qiriri digjej në tavolinë,
Qiriri tretej.
Siç sulen mushkonjat në verë
Shtjella mbi zjarre.
Në oborr shtjell’ e borës pa prerë
Ngjiste dritares.
Stuhia në xham s’reshtte së shfryri
Spic’ ngrica gdhendej.
Në tavolinë digjej qiriri,
Qiriri tretej…
Nata në tavan të ndriçuar
Hije përhapte;
Kryqe këmbësh, kryqe duarsh,
Kryqe fatesh…
Këpucët u zhveshën e ranë,
Mbi dhoga kumbuan.
Pika dylli ranë në fustan –
Lotë pikuan…
Humbte gjithçka nëpër brorimë,
Zbardhej e zbehej.
Qiriri digjej në tavolinë,
Qiriri tretej.
Frynte mbi flakën, përndrinte
Zjarr i tundimit.
Dy krahë të engjëllt ngrinte –
Kryq kryqëzimi.
Shkurti i tërë s’e pushoi brorimën,
Binte e reshtej.
Qiriri digjej në tavolinë,
Qiriri tretej…
1946
GUSHTI
Na kish premtuar dhe nuk na gënjeu;
Me fashë të pjerrët drite si shafran
Dielli herët, që në agim e ngjeu
Gjithçka, nga perdet deri në divan.
Me nj’okër të ngrohtë e mbuloi
Korijen pranë, pastaj ra mbi fshat.
Jastëkun e njomur, shtratin e shtroi
Dhe qoshen pas librave në raft.
Kujtova se në gjumë kisha qarë
Kuptova dhe jastëku pse m’u lag.
Në ëndërr pashë të shtrirë veten para
Ju udhës pyllit pas më vinit varg.
Ca dy nga dy, në grupe ca të tjerë,
Kur papritur dikush kujtoi se sot
Qe gjashtë gusht 1 me kalendar të vjetër,
Dita kur përndriti i madhi Zot.
Sot as zjarr, as flakë s’ndizet kurrë
Po nga Tabori 2 dritë e bardhë buron.
Dhe vjesht’ e verdhë, e kthjellët si ogur
Me bukurinë na shtang, na robëron.
Varrezës tej verrisht’ e rrallë, e heshtur,
Ndër degë flladi zgjonte drithërime.
Mes pyllit – xhinxhërfil i kuqërremtë –
Kulaç me mjaltë, mbushur zbukurime.
Korijes, në mes varreve të shkretë
Në fytyrë meit s’reshtte së pari
Si gjeometër shteti – vdekja vetë
Në masën time të ma bënte varrin.
E ndienit mes jush sesi jehonte
Zëri i qetë që ndihej sërish;
I hershmi zëri im profetizonte,
Kalbja dot kumbimin nuk ia prish:
”Kaltërsi e përndritjes, lamtumirë,
Feksje e festës së dytë3 të Shpëtimtarit!
Me përkëdheljen e femrës së dëlirë
Zbutma helmin e çastit të varrit!
Lumtumirë kohë që emër s’latë,
Humnerë e jetës që na poshtëron,
O grua me shpirt që sfidon fatin,
Un’ jam sheshi ku ndeshesh, ku lufton!
Krahë nderur në erë, lamtumirë,
Ju doni fluturim veç në liri!
Imazhi i botës që shfaq fjal’ e lirë,
Krijimi, forca që bën mrekulli!”
1953
Shënim
1 Në traditën e krishterë ortodokse, 6
gushti sipas kalendarit Julian është festa
e Shndërrimit të Zotit. Sipas kalendarit
Gregorian, kjo datë bie më 19 gusht.
2 Tabor – mali i lidhur me festën e
Shndërrrimit të Zotit.
3 Festa e dytë e Shpëtimtarit” i referohet një
feste tjetër fetare ortodokse të gushtit.
HAMLETI
Tani jam në skenë, zhurmat u shuan,
Rri përhumbur në parmak, në portë.
Jehonë e largët që mbërrin gjer te mua,
Fillin e jetës sikur vjen të më thotë.
Ndjej sesi mes territ ndihem humbur,
Mijëra sy më zhbirojnë rreth e qark.
Te lutem, Ati im në qoftë e mundur,
Këtë Kupë 1 nga unë mbaje larg.
Pranoj fatin që caktove e s’më pyete
Dhe gati jam ta luaj gjer në fund.
Por tani po luhet dramë tjetër,
Nga kjo sprovë kursemë nëse mund.
Rrjedhë e botës është kaq e menduar,
I sigurt fundi i udhës po na pret.
Vetmitar, nga vese farisejsh rrethur…
Fushë me lule nuk qenka kjo jetë!
1946
* Është fjala për kupën e vuajtjeve të Krishtit,
në lutjen që ai i drejton Atit nga Kopshti i
Gjetsemanit, vendi ku në Ungjillin sipas
Mateut, Jezusi përjeton luftën e brendshme
mes frikës nga vuajtja dhe pranimi i fatit të tij.
NATA E BARDHË
E largëta kohë më vjen ndër mend;
Në Pjetërburg kishe shtëpinë.
Fermere e varfër nëna tende,
Studente, Kurskun ke origjinë.
E ëmbël je, për ty lënë kokën.
Natës së bardhë sy më sy
Dritares rrimë ulur tok,
Shohim nga jotja lartësi.
Fenerët me gaz i ngjethi agu
Tani përcjellin dritë të zbehtë.
Biseda jonë ndihet së largu
Si nëpër gjumë, qetë – qetë.
E njëjta ndjenjë na kap të dyve,
Të dy besnikë ndaj fshehtësisë.
Si pamja shtrirë pafundësive,
Pjetërburgut, Nevës e Rusisë.
Ku gryka pyjesh fërfërojnë,
Tani kur natë e bardhë bie,
Himne bilbilash që gjëmojnë,
I mbushin tej përtej korijet.
Një zog mes kësaj shungëllime,
I vogël sa s’dëgjohet dot,
Zgjon ngazëllim e pështjellime
Që thellë pyllit magjiplotë.
As ndihet fare kur kalon
Tej gjerdhesh nata shtegëtare
Që e dëgjon bisedën tonë
Përgjumshëm përmatanë dritares.
Dhe nderet si jehonë e hollë
Kopshtijeve duke breruar,
Sikur i vesh qershi e mollë
Me zbardhje si me hi mbuluar…
Veshur të bardha enden pemët
Fantazma udhëve më radhë.
Duket sikur i lënë shëndenë
Gjithçkaje pa kjo natë e bardhë…
1948
AGIMI
Për mua ishe fati vetë,
Po erdhi lufta, gjithçka u zhbë.
Për shumë kohë mbeta shkretë.
Nga ty as lajm, as gjurmë më.
Dhe shumë vjet kështu i shkova
Një natë më foli zëri yt,
Si nga një fikje u rizgjova
Pasi lexova porositë.
Për njerëz mallin s’e mbaj dot
Për gjallërinë ndaj të gdhirë.
Jam gati copa ta bëj botën,
Ta vë në gjunjë pa mëshirë.
Dhe kaptoj shkallët i harbuar,
Sikur i shkel për herë të parë.
Në këto rrugë borë mbuluar,
Nëpër të shkretët trotuarë.
Shoh drita, ndiej ngrohtësitë,
Një çaj pi, një tramvajin zë.
Dhe sa i hap dhe i mbyll sytë
Qytetin tim nuk e njoh më.
Dëbora kurthe projekton,
Në qiell zien suferina,
Për punët të mos bëhen vonë
Përgjysmë mbeten tavolinat.
Të gjithë i kam në kup’ të dorës,
Ua përshkoj shpirtin mes për mes.
Dhe vetë shkrihem si kjo borë,
Vrenjtem siç vrenjtet ky mëngjes.
Njerëz që emrat nuk ua di,
Fëmijë, drurë, vetmitarë,
Në gjunjë më kanë vënë tani
E ndaj jam shpallur… fitimtar!
1947
TË DUASH
Kryq të rëndë mbart të duash tjetrin,
Po dëlirësi është bukuria jote.
Këtij nuri kush ia di sekretin
Ia di edhe misteret kësaj bote.
Ëndrrat fëshfërijnë në pranverë,
Fërfërime shtjell dhe e vërteta.
Ty nga familja të breron kjo vlerë,
Nga rrënja që virtytet ka të shenjta.
E lehtë të përmendesh, të kthjellohesh
Fjalë të kota të mos thuash më.
Pas të djeshmes të mos robërohesh…
E gjithë kjo nuk na kushton asgjë.
1931
Borisi buzë Baltikut në Merekule, 1910 nga L. Pasternak.


