KreuLetërsiBibliotekëSadedin Mezuraj: Melankolia e përkohshmërisë

Sadedin Mezuraj: Melankolia e përkohshmërisë

1.Melankolia e përkohshmërisë

Dridhet i gjithë peizazhi i përmbysur
mbi sipërfaqen e lumit që rrjedh.
Hedh një guralec.
Fundoset
dhe mbi ujë,
përhapen rrathët
e frymës së tij të fundit.

Era me violat e verdha të gjetheve
luajnë melodinë
e melankolisë së përkohshmërisë.

Një zog i vetmuar nga lartësia e pemës
Më shikon dhe ikën
Fluturon i trembur prej vetmisë time.

Një grua shtatzënë këndellet në një stol
Me duart mbi barkun e saj të bukur.

Do të vijë prilli
dhe nga toka do të shpërthejnë
Hymni i luleve në rrethqarkullimin e stinëve.

2.Revolucioni i fundit

Fryn erë e ftohtë dimërore.
Degët e agaves dridhen
E prej qiellit
Duken sikur kërkojnë mëshirë.

Shpirti i detit shkumëzon nëpër valë.
Mbi rërën e lagur,
gjurmët e këmbëve më ndjekin nga pas si
langua.
Gjembat e kaktuseve më gërvishtin kujtesën
Në ajër enden
puplat e një pulëbardhe shprese të vrarë…

Në revolucionin e fundit qëndrova anash
turmës
kur ajo brohoriste,
e ekzaltuar
për lirinë.
Rrëzonte statujat me boshin nga brenda
Dhe,
me opium optimizmi të verbër
krijonte rishtaz idhuj të rinj.

Liria po vinte joshëse
si gruaja e gjysmë e zhveshur
mbi barrikadat e Delakruasë,
ose,
për ta thënë me gjuhë pak më subversive,
Liria po vinte si lavire mazokiste
që parapëlqen meshkujt e fortë.

Avangarda e re
manifestin e ri të poezisë
shkruante,
Rrëzuar mbi gjinj të hapur
si Ungjijtë.

Gjysma e jetës më iku
me predikime për utopinë e vdekur.
Gjysma tjetër më iku
në rrjedhën e vrullshme të tranzicionit
Mbi varrin e shpresave duke ndezur qirinj.

Dikush po më thotë:
Shiko, shiko,
në fund të tunelit duket pak dritë.
Pak dritë… pak dritë…

Unë kokën tund
me mosbesim metodik.
Ndoshta janë dritat e një treni
katastrofë
që rend drejt nesh
e vjen si krimbat të na shtypë…
I lodhur nga masturbimet retorike
që derdhen nga ekranet çdo natë
Gjërave të vogla të jetës u gëzohem:
një këngë…
një libër…
një film me subjekt romantik
Ose thjesht rrekëllej një kriko birre të ftohtë,
me shkumën
që derdhet
si mjekra e Marksit
mbi të gjitha predikimet
dhe ardhmëritë.

Pyetësorin e Prustit do ta plotësoj
një ditë pas vdekjes,
sepse,
pa transcendencën,
nuk mund të japësh mendim objektiv
për veten
dhe për jetën.

Fryn erë e ftohtë dimërore
Turma thur hymne me afshe
Për idhujt e rinj prej kashte.

3.Adam i dënuar për mëkatin e Evës

Dielli u fundos marramendshëm në det
Me sytë e verbuar nga shkëlqimi i imazheve
dhe pamjet e plojave mbi tokën e Adamit.

Asnjë këmbanë nuk bie
Dhe qielli
plas nga heshtja.

Asnjë shenjë nuk vjen
Asnjë shenjt nuk gjen
Pa kthim
është udha
për andej matanë…
Dhe yjet vështrojnë
mbi humnera moskuptimi.

Një pemë e vetmuar fle mbi një kodrinë.
Zogjtë
s’e zgjojnë dot
Dhe vdesin në natën
me ëndrra të bardha.
Më vdiqën dhe mua
ca zogj me ëndrra në një natë vere.

Ngado që të shkoj
vetes dot s’i shmangem.
Të shkuarën tërheq nga pas
si një thes me gurë të rëndë pendimi.
Nga zemra e çarë
si shegë e plagosur,
pikon gjaku i hidhur i kujtesës.

Gjithçka mund të flakësh
E përsëri mbetet përherë
diçka e tepërt.

Anije me vela të shqyera prej erës
dhe lundërtar i paepur
Në natën që rrjedh mbi lumin e kohës.
Adam i dënuar për mëkatin e Evës.

4.Për një lulebore

Përse duhet të ndjej kaq keqardhje
Kur më s’do të ketë ardhje a kthim ?!
Ti profecinë herët e shpalle,
Kur fillimi ishte thjesht një “feeling”.

Porta u mbyll pa ndonjë dramë
Muri i heshtjes saora u ngrit,
Si pikëllim i gjatë pa pikën në fund
Udhën e ikjes e skicuan sytë.

Si alkimist qielli kryen konvertime,
Një re prej shiu në breshër e kthen.
Si mund ta gjej një formulë magjike,
Që pelinin e hidhur ta kthejë në polen ?

“Gjethja e fundit” nga libri i O’Henry-t
Sakaq vizëlloi si dritë metafore.
Me trill përkohshmërie qielli e ngjiz
Bukurinë dhe fatin e një lulebore.

5.Këmbëzbathur do të ngjitem në qiell

Natyra e ka mbyllur evolucionin
Një grerëz s’mund të bëhet dot bletë.
Si piktor i lodhur pas krijimit
Krijuesi sodit tablonë e vet.

Një ëndërr brenda një ëndrre*
Isha e jam në këtë jetë.
Në kujtesën e këpucëve të vjetra
Kanë mbetur udhët ku eca.

Nëse më pyet për moshën që kam
Po përgjigjem : paradoks është gjithë jeta
Jam i ri sa ëndrra e fundit,
Jam i vjetër sa shpresat e vdekura.

Pas fjalëve të fundit vjen falja,
Pas faljes një heshtje e thellë.
Nostalgjik për fëmijën që isha,
Këmbëzbathur do të ngjitem në Qiell.

—–
*Varg i Edgar Allan Poe

6. Është një natë

Është një ajër ku vdesin të gjithë zërat
Eshtë një zë që m’i dredh fijet e shpirtit.
Është një jetë që shuhet në një çast,
Janë ca çaste të pashlyeshme gjithë jetën.

Është një natë e veshur me ngjyra misteri
Një yll vetmitar nga një qiell i largët,
vallzon e vezullon mbi një humnerë malli.

Një taksi e lyer me të verdhën vangogiane
Me dy engjëj niset në udhët e Ferrit.

7. Dy brigje vetmie

I padukshëm rrjedh lumi i kohës
gjithçka shuhet,
humbet në terr.

Si gjethe vjeshte ranë iluzionet…
Ne të dy-
Dy brigje vetmie
Një urë fjalësh e hedhur në erë.

8.Pendesë

Tri herë të mohova brenda vetes,
Tre ditë qielli dërgoi shi ngushëllimi
që bota të mos shihte sytë e mi të trishtuar.

Nuk mbaj mend sa herë dola nga vetja
duke të kërkuar pas siluetave të ngjashme
në kryqëzimet me sytë e kuq të semaforëve
Ku fytyrat fshihen pas një grimi të rënduar.

Falje i kërkova hënës vjeshtake
për metaforat e mia të lodhura
për flokët e tua,
derdhur mbi muzgjet e mia
si ujëvarë.

Shtatë herë të mohova,
dhe shtatë trëndafila pendimi
çelën
në prillet e shpirtit tim të trazuar.

Tani ngjitem në Golgotën time,
ku ti po më pret
me kryqin e mallkimit në duar.

9.Trashendencë

Qiell i zhgarravitur nga një dorë fëmije,
Orë të mërzitshme si tespihet në fije.

Pezm të pakurueshëm kumtojnë sytë,
Bari i harresës i mbush largësitë.

Perëndimi i prajshëm muzgun ildis,
Në honin e heshtjes kjo ditë u gremis.

Mbi pemën e natës, si hurmë do pikojë hëna,
Trashendenca do ndodhë vetëm në ëndrra.

Vetëm në ëndrra asgjësohen kufijtë,
Materien braktisim dhe bëhemi shpirt.

10.Elegji për gjethet e rëna

Historia shkruan për fitimtarët,
Letërsia- për humbësit.
Për historitë e atyre pa emër…

A kanë emër gjethet që bien?

Pemëve të larta u mjafton prezenca:
të lidhura me tokën
lartësohen,
por qiellin kurrë s’e arrijnë.

Pashë dikë të shtrirë anës rrugës
Ku kalonin
vajza të lumtura
dhe makina luksoze.

Nga rrobat e lyrosura dukej si lypës
por s’kishte dyshim -ishte njeri.
Shtrirë,
rrafsh me tokën
Dergjej si një trung i heshtur
Pa jetë.

Prandaj shkruaj për gjethet e rëna
Sepse pemët madhështore
E shkruajnë historinë e tyre vetë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË