(Shënime për disa poezi të librit “Buzë të ngrira në gaz”)
“Letërsia e penguar” duhet parë si një mozaik, ku çdo pjesë e tij ka të përbashktën dhe të veçantën me të tërën. Ky mozaik i çuditshëm u zbulua, u plotësua dorë pas dore pas vitit ’90. Madje, duhet thënë, se ende nuk është zbuluar i plotë, me të gjitha dimensionet. Tekste në dorëshkrim me poezi dhe prozë po zbulohen nëpër arkiva të policisë së fshehtë, nëpër arkiva personale të familjeve, nëpër dosje të ish-shtëpisë botuese të shtetit, si materiale të refuzuara për botim, të gjitha të panjohura më parë. Nuk duhen harruar edhe tekstet e fshehura në kujtesë për arsyet që dihen, tekste që po shkruhen aktualisht. Një pjesë e teksteve të botuara pas vitit ’90, pjesë domethënëse e këtij mozaiku, u dënuan sërish me harresë, me mungesë të vëmëndjes. Ky është dënim edhe më i rëndë se ai i pari, i burgosjes në sirtare. Rast tipik është botimi i librit poetik të Zef Zorbës “Buzë të ngrira në gaz” në vitin 1994. Botimi i këtij libri duhet të qe një festë e ngjarje e shënjuar për letrat shqipe, për shkak të prurjes së pazakontë artistike.
Mosleximi është gjëja më e trishtueshme për një tekst. Më e trishtueshme edhe se djegia e tij në sheshet e qyteteve. Në teoritë e sotme të leximit ka mendime se kuptimi i një teksti gjendet dhe zbulohet edhe te lexuesi. Përfytyrohet fatkeqësia e teksteve që burgoseshin në kohë, ata humbnin lexuesin, por humbnin edhe një pjesë të kuptimit të tyre që gjendej pikërisht te lexuesi i humbur. Pra ata nuk mund të quheshin kurrsesi të realizuar plotësisht edhe kur të botoheshin pas njëzetë, tridhjetë apo edhe dyzetë vjet pas shkrimit të tyre, kishin humbur një pjesë të lexuesit, i cili kishte ndërruar jetë. Me atë gjeneratë lexuesish kishte “ndërruar jetë” edhe një pjësë e kuptimit të këtyre teksteve. Dihet se një tekst që është shkruar dyzet vjet më pare, nuk lexohet krejt njëlloj nga lexuesi i dyzetë vjetëve më pas. Mungesa e lexuesit, sidomos lexuesit të kualifikuar, mungesa e krahasimit të teksteve, konkurimit të tyre dëmton krijimtarinë.
Libri poetik i Zef Zorbës “Buzë të ngrira në gaz”, u botua në vitin 1994, dhe u ribotua i përmirësuar me një parathënie të Ismail Kadaresë në vitin 2010. Ky libër, sikurse njofton autori në pasthënie:“Duhet pasur parasysh se në këto pak vargje është shtrydhë e koncentruar një periudhë katërdhjetë-vjeçare”, ka marrë formën e tij në një hark të gjerë kohor. Gjatë dyzet vjetëve autori dhe lexuesi kanë qenë i njëjti person, Zef Zorba. Pse nuk e botoi Zef Zorba librin e tij gjatë kohës së diktaturës? Nuk e botoi sepse, falë kulturës dhe eksperiencës së tij, ai e dinte që ky libër ishte i pabotueshëm. Nuk i plotësonte kriteret e vendosura të metodës së realizmit socialist. Poezitë e tij janë hermetike. Këto ishin problemet e tekstit të Zef Zorbës. Por nuk duhet harruar se krahas problemeve që gjendeshin te teksti, kishte mjaft probleme edhe te autori i tij. Zef Zorba ishte nje i dënuar politik dhe një status i tillë ishte pengesë e pakapërcyeshme për botim. Mendoj se gjendet edhe një pengesë e tretë, që i pengoi tekstet e tij të botoheshin, kur Zorba qe ende në këtë jetë, pas vitit ’90, ndërkohë që dy pengesat e para kishin rënë. Pengesa e botimit të teksteve qe vetë autori i tyre Zef Zorba, i cili, ndonëse kishte mundësi, nuk i botoi tekstet e tij pas vitit “90. Me ç’duket Zef Zorba ka ndrojtjen dhe pasigurinë e një artisti të vërtetë për artin e tij.
Për këtë poet emblematik të ”Letërsisë së penguar” duhet thënë se në tërësinë e teksteve të fshehur në kohë, pati të tillë, që shkaktuan habi estetike, sikurse zbulimi i një margaritari brenda një guacke të thjeshtë, midis një numri të pafund të tillash. Enigma e procesit krijues të Zef Zorbës mbeti përjetësisht e fshehur në kohë, sikurse enigma e krijimit të një margaritari brenda një guacke të mbyllur hermetikisht.
Në tekstet poetike të Zef Zorbës, për vetë tipologjinë e poezisë së tij, takojmë rrjedhoja të dhunës së verbër. “Kur mbetesha vetëm me ty” është titulli i poezisë që ka poshtë shënimin: (Dimër, 1946.) Në këtë kohë poeti dhe gruaja e tij, të dy shumë të rinj, u arrestuan nga diktatura. Vetë teksti i kësaj poezie na vjen në ndihmë nëpërmjet shënimit poshtë titullit për të shpjeguar metamorfozën e njeriut, unit poetik, “në një trupore pjalmi mortore”. Kjo rrjedhë vjen nga gjendja tragjike e subjektit mendues, i prangosur me akuzën “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Ai braktiset nga përditshmëria e jetës së tij, braktiset nga e ardhmja, ndërkohë që pret të dënohet, ai mërgohet edhe nga e shkuara, teksa e braktisin edhe kujtimet. Njeriu shndërrohet në një krijesë pa të djeshme, pa të sotme, pa të nesërme. I vetmi fill që e lidh me jetën është e dashura e tij, gruaja. “Kur mbetesha vetëm me ty, / o zemra ime, / netësh të mbarsura me stuhi, / mërgime kujtesash në atë dhomën e gjatë, / pa dritë. / Në pjesën e dytë të tekstit vizatohet pamja groteske e diktaturës, ndërtesa si grope kumbon nga fabrikimi i fajit, akuzat që do të zënë përfund individin e pambrojtur: Anë-mbanë ndërtesa golle se ç’kumbonte / sajimesh / që një mbas një / ndeheshin palë e palë / mbi mua, kapitur gjumi në shpinë / Synimi i diktaturës është i qartë: me më ba dëshirash një trupore pjalmi / mortore. /
Kthimi i njeriut në një vorrezë dëshirash, është metamorfoza më çnjerëzore që mund të ndodhë. Në vijim të teksteve me pamje nga metamorfoza e trishtueshme e njeriut, kemi poezinë me titull “Robër”. Sërish në tekst gjejmë shpjegime të rrafshit kuptimor të këtij teksti pikërisht te shënimi poshtë titulli: (Vjeshte e v. 1948). Poeti Zef Zorba në këtë ditë ka qënë banor i burgut. Pamja vjen si vizatim i burgut. Njerëzit tani nga qytetarë janë shndërruar në robër në vendin e tyre, nga shteti i tyre. Poezia është eliptike, mjaft sintetike nga ana formale: E pezull varen / në tehun e një rrezeje / qeniet e këputura. / Zef Zorba verteton se gjuha është tinguj dhe fjalë, por është edhe heshtje. Në këtë tekst shohim se njerëzit nuk janë më të tillë, ata janë shndërruar në qenie të këputura. Ata nuk ecin, nuk vrapojnë, nuk vallëzojnë, thjesht qendrojnë pezull, qendrojnë varur. Mund të binin në një gropë a në ndonjë brez ferri, por i mban varur shpresa, e cila është edhe ajo e shndërruar në tehun e një rrezeje. Fjala teh të jep imazhin e presës së thikës ose siç thotë shprehja popullore në presë të briskut. Vetë fjala rreze, si shoqërim idesh na çon te togfjalëshi rreze shprese. Në strofën e dytë të poezisë vizatimi është me ngjyra dhembjeje: Me malle të mënjanuara, / me pezme, / stërkalen / me ta këputë shpirtin. / Qeniet janë të zhveshura edhe nga mallet, filli shpirtëror që njeriun e mban të lidhur me të kaluarën me të djeshmen, me të sotmen. Metamorfoza ka prekur jo vetëm trupin e njeriut, por edhe shpirtin e tij, dënimi nuk i është drejtuar vetëm trupit, por më shumë shpirtit të të dënuarit, sikurse thotë Michel Foucault. Pezmi është aq i madh, sa krijon stërkala dhimbjeje. Shpiti i tyre është shndërruar në dhimbjeje. Diktatura ia ka arritur qëllimit. Ndërsa teksti i poezisë “Zalli i Kirit” sjell një tablo drithëruese, parë në rrafshin estetik, por rrënqethëse, parë në rrafshin semantik. Zalli i Kirit është toponimi në qytetin e Shkodrës që emërton pjesën lindore të këtij qyteti, ku rrjedh lumi Kir. Është i njohur fakti se gjatë viteve të para të diktaturës ky vend përdorej nga shteti për pushkatime me gjyq dhe pa gjyq të kundërshtarëve politikë, apo atyre që konsideroheshin si të tillë.
Në këtë tekst metamorfoza ndodh nga sy fëmijësh në zaje të bardha dhe nga zaje të bardha në yje të zbritur nga qielli. Këto shndërrime ndodhin për shkak të ngjarjes së tmerrshme, vdekjes së fëmijëve në habi. Vetëm ndodhi të përmasave të tilla mund të shkaktojnë metamorfoza. Lëvizja në poezi ka dy sense, njëri i nënkuptuar dhe tjetri i nënvizuar. Lëvizja e parë nënkupton shpirtrat e fëmijëve që janë ngjitur në qiell, (pas vdekjes në habi) për vetë natyrën e dlirë të shpirtit të fëmijës. Lëvizja e dytë ka të bëjë me sytë e fëmijëve të cilët, pasi janë shndërruar në yje, zbresin poshtë për t’u dhënë dritë zajeve të lumit Kir. Metafora zallet e bardha pa dritë dhe pandehma metaforë mbase janë sytë e fëmijëve, është mjaft e gjetur. Sytë e fëmijëve që vdesin në habi janë të ftohtë si zallet e lumit. Zallet e lumit janë pa dritë në natë si sytë e fëmijëve që vdiqën në habi. Po pse vdiqën në habi? Kjo nuk shpjegohet askund. Vdekja në habi tregon se edhe fëmijët që vdiqën nuk e dinin çfarë po ndodhte me ta, pse po vdisnin. Zallet e lumit, në një farë mënyre, kur lumi shterr, duken si eshtrat e lumit që ka vdekur. Ky tekst vetëm me shtatë vargje të krijon dhe të jep mundësi të krijosh si lexues imazhe të panumërta. Natyrisht, kjo është veti e teksteve letrare të arrira sikurse ky: Zallet e bardha pa dritë / ku natën zbresin yje / me mijëra / pa u ndi. / Mbase janë sytë, / sytë e fëmijëve / që vdiqën në habi. / Kur e lexon këtë tekst vëren se asocacionet semantike vihen në lëvizje nga asocacione formale të ngjyrës, tigujve, ritmeve.
Te tekstet poetike të Zef Zorbës fëmijëria është shenjues i kohës tjetër, në kontrast me antikohën që jeton uni poetik në moshë të rritur, ku qytetërimi është kthyer mjaft pas, në mug të tij, në barbari. Teksti i poezisë “Sa mirë, atëherë…” ndërtohet në dy pjesë: fëmijëria dhe mosha e rritur. Nostalgjia për fëmijërinë nuk është nostalgjia universale, që gjithkush në një moshë të rritur ka për kohën kur ishte fëmijë, por është nostalgji për kohën kur ishte i lirë: Sa mirë, atëherë, o mite, kur isha fëmi; / I lodhur prej lodrimesh gjithë ditën, / nën hije të një shelgu bija këputur gjumi: / ëndrra / gjithfarë plot ndriçime./
Uni poetik u drejtohet miteve, me të cilat qe mëkuar fëmijëria e tij. Fëmija ëndërron të ardhmen e vet të lumtur, e cila nuk që e tillë për shkaqe që dihen. Në antikohë mitet treten, përsonazhet mitologjik strehohen në mitet e tyre, sepse krijohen mite të rinj. Në pjesën e dytë të tekstit kemi një metamorfozë tërësore: dita kthehet në natë lubi, shpirti përkundet ndër helme, arsyeja brehet e bren, pra shndërrohet në mi. Uni poetik ndjek rrugën e Jezu Krishtit për në Kalvar, vend i mundimeve dhe sakrificave të padrejta. Në tekst dallojmë refuzimin e kohes se tashme dhe strehimin në kohën e shkuar. Jeta e unit poetik shndërrohet thjesht në “gjurmë të thella në baltë”. Siç kemi shënuar edhe më herët, kjo metamorfozë ndodh për shkak të vendosjes së diktaturës, e cila i ktheu njerëzit e formuar në të dënuar me punë të detyruar dhe të keqpaguar, jashtë formimit dhe profesionit të tyre: I pezmatuar / tash vetëm ndrydhi, e nata, e ditës lubi, shpirtin ndër helme përkundë, / e arsyeja brehet/ pa nda, e bren. / …bie ora pesë: unë kryqin marr në krah / e me pak frymë fillohem për Kalvar. /
Edhe më e rëndë është pamja që sjell një tjetër tekst poetik i Zef Zorbës i titulluar “Kesh ngopeshim me frymë” . Shënimi poshtë titullit (1948) na vjen në ndihmë për të kuptuar se pamja nuk vjen nga ferri, por nga burgu. Në këtë kohë poeti ka qënë duke kryer dënimin si i burgosur politik. Edhe në këtë tekst, për arsye që tashmë dihen, kemi metamorfoza të tilla: qielli është kthyer në plumb dhe u peshon mbi supe të dënuarve, njerëzit janë kthyer në skelete, horizonti lidhet nyje, shtegu i horizontit kyçet, mendimi mbet aty në horizontin e mbyllur dhe kthehet në një pikë, nofullat e dërrmuara përtypin mundimin. Të gjitha dëshirat njerëzore të unit poetik janë shndërruar e zvogëluar në ekstremin e tyre : …kesh ngopeshim thellë / njëherë me frymë. / Eshtë një nga tekstet poetikë që sjell një realitet artistik jo të zakontë, parë në të gjithë “Letërsinë e penguar”: Mbi supe të kanalit, / jarguar currilash, / plumb një rryp qielli / peshon. / Në vargjet që vijojnë vizatohet një pamje që ndeshet në kohën e skllevërve ose në kampet naziste: Shikonani: / vërtetojmë burime primitive: / me nofulla kërcëllyese / të dërmishuara, / përtypim mundim / e balta e në unji. /
Zef Zorba e provoi vetë këtë ferr dhe, falë mjeshtërisë së tij, lexuesi gati e ndjen edhe mbi supet e tij qiellin që rrëzohet si plumb mbi supe. Zef Zorba me artin e tij realizon atë që beson kur shkruan në pasthënien e librit “Buzë të ngrira në gaz”: “Lexuesit i kërkohet përgatitje shpirtërore, kulturore dhe artistike për ta bërë bashkëautor me artistin, jo vetëm për të interpretuar atë që i komunikohet, por për ta ndjerë e për ta vuajtur bashkë me poetin.”
Në këtë tekst nuk shohim asnjë rreze shprese, sikurse shohim në tekstet e tjerë të Zef Zorbës me pamje burgu. Kur horizontet lidhen nyjë, atëherë edhe mendimi është i burgosur, bie në pranga, shpresa vdes dhe qeniet kanë vetëm një dëshira te vetja, të ngopen me frymë : Atje, përpara, larg, në mugëtirë, / ku vija paralele lidhen nyje / dhe e kyçin atë shteg të vetëm që mbeti, / atje mendimi ndalet pikë: kesh ngopeshim thellë / njëherë me frymë. /
Në tekstet poetikë të Zef Zorbës, krahas grisë dhe të zezës nuk mungon e bardha plot dritë. Diktaturat janë të përkohshme me terrin dhe terrorin e tyre, ndërsa e përhershme është drita. Poema “Baladë dritash për Lalin” e Zef Zorbës mbyllet me vargun “Veç drita s’ka mbarim”.