Intervistoi: Violeta Murati
Takimi ynë i fundit, në një faqe kulturore letrare, ishte intervista në rastin e ribotimit të librit tuaj në frëngjisht dhe anglisht, Rrëfenja për ndërkombëtarët, nga Tirana Times…Pata përshtypjen që risjellja e librit kishte të rëndësishme ngjarjen që e ndoqi, që gati u shpall një “libër i mallkuar”, por i “legjitimuar” nga vetë Brukseli, ku edhe u përkthye si një manual. A ndani mendimin se ende po kalojmë përvoja të ngjashme me ato të para 100 viteve në këto raporte, se është koha për këtë debat, për një qasje kritike çfarë shkon mirë apo keq?
Për një vend pa shumë peshë në skenën ndërkombëtare është dhe do të jetë gjithnjë koha për debate në lidhje me raportin e Shqipërisë me të huajt, pra ballafaqimi me dilemat nëse interesi i ndërkombëtarëve për Shqipërinë ka qenë, është apo do të jetë emergjencë, partneritet, bashkëpunim apo, në ndonjë rast, edhe alibi. Realiteti shqiptar ka dëshmuar se është më i ndërlikuar dhe më i copëtuar se parimet e vetë organizmave ndërkombëtarë. Në mjaft raste parimet në bllok, apo rregullat universale të këtyre organizmave, mbeten të papërshtatura në situata specifike të realitetit të koklavitur, apo jo në pak raste të interpretuara mbi shije dhe ndjesi individuale të përfaqësuesve ndërkombëtarë. Kam përshtypjen se ndjeshmëria ndërkombëtare ndaj vendit tonë ka prirje standardizimi, për të përfunduar shpesh në një retorikë të konsumuar.
Sado që romani po bën gati 10 vjet që ka dalë, unë i mbetem përherë mendimit se ka mjaft nëpunës ndërkombëtarë, shpesh anonim në vendet e tyre, të cilët me të ardhur në Shqipëri, gjatë “rropatjes për të ndihmuar këtë vend apo për t’u treguar vendasve rrugën e përparimit” u merr kuptim të ri jeta, falë përkujdesjes dhe mikpritjes së “indigjenëve”. Nga ana tjetër, puna e tyre në vendin tonë dhe jo vetëm,në planin ekonomik përkon me privilegje financiare, kurse në planin shpirtëror kjo prirje shkon në favor të mendësive narcistike të ndërkombëtarit, si dhe dëshmon (vetëdëshmon) për “kurajën dhe heroizmin për të punuar dhe rrezikuar kokën në këtë humbëtirë”.
Fatmirësisht, duket se ka kaluar tashmë ajo periudhë kur ne shqiptarët vuajmë nga klishetë e glorifikimit të gjithçkaje që vjen nga jashtë, si dhe e magjepsjes ndaj së huajës. Ndofta po vjen duke u zvogëluar edhe prirja e individit shqiptar post-izolacionist për atë fenomen që do e quaja “aleancat e flirtet fluide me të huajt.”
Mbi këtë përgjigje, në diskutimin për librin, shkrimtari Besnik Mustafaj donte t’ju “shpëtonte” duke ju sugjeruar të mos viktimizoheni nga një histori personale, por me një synim më të lartë, duke e vlerësuar librin tuaj se zbulon një dukuri, fenomen tipik shqiptar, për të krijuar idhuj, e trashëguar nga diktatura? Pati një rezistencë të kundërt nga ju, një farë replike, pse?
Në të vërtetë, aty ishim mbledhur për “hatrin” tim. Nuk isha unë që thashë se ai libër dhe autori i tij ka pasur peripeci, por dikush që punonte në organizmat ndërkombëtarë. Në lidhje me ndërhyrjen e Besnikut, le të themi se kishte formatin e një kritike miqësore. Meqenëse e ringrini këtë pyetje, them se në të vërtetë ai libër nuk kaloi pa u vënë re si nga ndërkombëtarët ashtu dhe kombëtarët, me vlerësime pozitive dhe negative nga të dyja palët. Kur e shkrova, nuk u nisa për të bërë as heroin as antiheroin, thjesht nga një ngacmim personal, dhe nuk e mohoj që për një periudhë kam pasur probleme, madje ndonjë moment gati të viktimizohesha se, qoftë larg, po dëmtoja procesin integrues të vendit! Por, krahas telasheve, them se ai libër më solli edhe shumë lexues.
Nga një vështrim mbi biografinë tuaj, mbani gradën shkencore “Doktor i shkencave”, kur më herët ishit në detyrën e mësuesit, mos gaboj rreth viteve ’73-’83, më pas ka një shmangie nga “edukimi” dhe tani që flasim jeni pedagog duke i shtuar karrierës letrare edhe ca shkëndija kinematografike (të suksesshme). Çfarë shoh të ngjashme, është shqetësimi për të komunikuar mbi një gjë të “mangët”, të “dobët”, a mund të qartësoni më tej veten tuaj, shkrimtarin, në këto vendndodhje?
Sipas rrethanave, kam bërë disa “zanate” në jetë. Deri para ndërrimit të regjimit, ashtu si shumica e shqiptarëve, nuk e kam pasur luksin për të punuar aty ku do më pëlqente. Në lidhje me formimin universitar, s’më pyeti njeri kur më regjistruan te Shkencat e Natyrës për t’u bërë mësues. Nga ana tjetër, si një pjesë e madhe e shqiptarëve, nuk është se ajo kohë më ka ofruar shumë mundësi për të provuar veten në ato gjëra që doja. Fundja, si gjithë të tjerët.
Punën e mësuesit e kam bërë pa pasion, veçse kur rrallë doja ta bëja mirë atë punë, them se dija ta bëja. Ndofta nga ky shkak, nga fundi i viteve ’80, u bëra dhe “Kandidat i shkencave” (ekuivalent i “Doktor i shkencave”) dhe më vonë Profesor. Në këtë kuadër kam botuar mjaft libra në fushën e teksteve shkollore.Është kjo përvojë që më ka ndihur në ulje-ngritjet e jetës sime dhe që aktualisht kam një pozicion komod pune: pedagog pranë Universitetit Europian të Tiranës. Për një periudhë kohe kam punuar edhe si ambasador, punë që nuk mendoj se u dallova për ndonjë dështim a sukses të madh, thjesht u përpoqa ta bëj mirë. Pra, përgjithësisht, nuk jam i pakënaqur me ato gjëra që kam bërë në jetë. Kjo përvojë e gjatë dhe leximet më kanë bërë që ta “zbuloj” veten time si shkrimtar a skenarist filmi. Veçse, si kushdo, gjatë gjithë kësaj karriere rrallë jam bërë edhe target kritikash a dështimesh, kryesisht në ato “zanate” (diplomatit a shkrimtarit) që rëndom provokojnë, në rastin më të mirë, kureshtje…
Si e njihni dhe si ju frymëzon individi shqiptar në realitetin e djeshëm, apo atë të sotëm?
Paraprakisht, them se në raport me njohjen e tjetrit ende jemi larg njohjes së vetes. Më shumë se njohja e vetvetes, më shumë në letërsi, më ka intriguar gënjimi i vetvetes. Pa dashur të rendis këtu vlerat që na dallojnë ne si shqiptarë, si shumëkombe të tjera, ne priremi t’i interpretojmë apo argumentojmë gjërat nga këndvështrimi i narcizmit tonë, duke përligjur si të mirë gjithçka që lidhet direkt apo indirekt me interesat vetjake, sidomos me ato që kanë të bëjnë me protagonizmin, me nxjerrjen në pah të zgjuarsisë, njeriut të mirë, përfitimit material, apo trimërisë dhe nga ana tjetër, t’i gjykojmë si shoqërisht të padrejtë, madje të bindim edhe veten se çdo gjë që cenon ndonjë nga parametrat e sipërpërmendur, është e keqe dhe jashtë normave të pranuara. Njihet fakti se njeriu i shton dozat e moralizimeve për veten sa më shumë dështon në jetën e tij. E më pas, duke ia fshehur edhe vetes xhelozitë apo mllefet që e motivojnë, i bën apel moralit të mirë për të stigmatizuar tjetrin. Kjo më kujton thënien e Sartrit “Ferri janë të tjerët”. Pra, ashtu siç kemi prirjen për të menduar apo folur keq për të tjerët, d.m.th. ferri janë tjerët, ashtu flasin edhe të tjerët për ty, pra aq sa tjetri është ferr në mendjen apo bisedat e tua, aq je edhe ti ferr në mendjen apo bisedat e tjetrit. Në këtë mes secili ka prirjen t’i japë të drejtë vetes, vetëkuptohet duke i veshur blasfemitë e tij me parimet e moralit të shëndoshë, pra në emër të së mirës së përgjithshme! Bie fjala, njeriu ka mundësi ta njohë veten se sa i ndershëm apo sa i korruptuar është vetëm kur ballafaqohet me një ofertë të mirë korrupsioni fitimprurës, atëherë ti provon se sa je në gjendje t’i rezistosh apo jo një tentacioni të tillë, e të mos biesh pré e moralizimeve fiktive.
Apo atëherë kur, mos qoftë, rastis që në rutinën e jetës tënde të përditshme të të trazojë shpirtin “misteri i ëmbël i personalitetit” të një gruaje dhe ti i turbulluar nuk di nga t’ia mbash: nga ruajtja e moralit apo nga joshja ndaj mëkatit.
Për të mos folur kur, le të themi, dikushi vardiset pas “gruas me mister të ëmbël” dhe ajo, mos o Zot, s’të pranon e të kthen kurrizin. Atëherë ndodh që ti mezi pret të shpalosësh “moralin tënd të pastër” e t’i vërsulesh kujtdo që ka fatin e keq që t’i zbulohet mëkati i dashurisë, për ta linçuar atë në sallë parlamenti, në emisione televizive, në klube, apo rrjete sociale, shkurt për ta bërë objekt sulmesh publike, nën etiketimet e shoqërisë me moral të mirë. Mendoj se kjo logjikë (sado e thjeshtë në dukje) funksionon edhe në preferencat apo antipatitë politike, ku, pa dashur ta përgjithësoj, mendoj se shpesh njeriu ia fsheh vetes se përse krijon simpati apo tifozllëk për një forcë politike apo antipati për tjetrën, duke u përpjekur t’i veshë, përligjë, apo interpretojë këto preferenca me argumente objektive e të pranueshme për opinionin dhe për veten, si papunësia, varfëria, padrejtësia, morali, pra ku çdo kriter i interesit të ngushtë qoftë material, qoftë promovimit të protagonizmit personal, priret të argumentohet me shkaqet e mësipërme objektive.
Duhet të jetë ky niveli i maturimit të një shoqërie apo individit, pra raporti midis faktorëve objektivë të formulimit të një bindjeje politike me ata që lidhen me interesat apo egon e ngushtë të individit, që në një pjesë të mirë përcaktojnë dhe momentet historike politike, si hedhja e votës apo pjesëmarrja në një aksion politik masiv.
Si vijnë historitë e romaneve tuaja, i shohim pothuaj në një linjë, histori politike për shpresën e humbur?
Përgjigjen po e marr nga një koment i shkurtër që shkroi gazeta “Le monde”, pas botimit të Parullave me gurë në frëngjisht: “Si përgjatë makthit të partisë unike, ashtu dhe nën anarkinë liberale që e zëvendësoi atë, e njëjta shpërbërje morale që i zhvlerëson personazhet e Aliçkës. Absurdi me të gjitha format e tij që të çon tinëzisht drejt poshtërsisë. Trembëdhjetë tregime nga ku kupton se ideologjia s’është veçse një guaskë boshe.” Në një plan më të gjerë, në letërsi më ka intriguar raporti mes pritshmërive dhe realitetit, shpresës dhe zhgënjimit, raport ky që përcakton gjendjen e lumtur apo të trishtuar të njeriut. Nga ana tjetër, më shumë se e kushtëzuar nga mungesa apo tkurrjet e dëshirave në përgjithësi, lumturia apo trishtimi përcaktohet nga dallimet mes qenieve njerëzore në rrethana të caktuara kohe e vendi. Bie fjala, një i ri i brezit tim, pra i asaj kohe, kishte arsye të ndihej më i lumtur se të tjerët po të kishte një manjeton, vishte rroba të jashtme, ndërkohë që tjetri s’i kishte këto, nuk ishte…Kam përshtypjen se këto detaje, gati të parëndësishme në dukje, e lumturonin në mënyrë të pandërgjegjshme të riun me biografi të mirë dhe që ndofta sot e bëjnë të ndiejë nostalgji për atë kohë. Pra, me ndryshimin e kohërave, sistemeve politike, ndryshojnë edhe ndjesitë apo perceptimet e lumturisë dhe zhgënjimit. Nëse atë kohë një vajzë lumturohej po t’i dhuroje një sapun Camai, sot ky lloj sapuni është zhvleftësuar si objekt lumturie, për t’u zëvendësuar, bie fjala, me një makinë luksoze apo një gjerdan Swarovski.
Dhe diçka që m’u kujtua tek po shkruaja këtë intervistë: të gjithëve na bën përshtypje fakti që bashkëpatriotët tanë në emigracion apo për arsye të tjera larg vendit, vazhdojnë ta perceptojnë apo të ruajnë të njëjtat referenca me vendin, pra të kenë të njëjtat pritshmëri me ato që kanë pasur aq vite sa janë larguar, duke harruar pandërgjegjshëm dinamikën, evolucionin ekonomik, politik, social, kulturor e sidomos shpirtëror, pra se, si kudo në botë, edhe në vendin tënd koha nuk ka ndalur. Për pasojë, gjithmonë në mënyrë të pandërgjegjshme, një sindromë e tillë bëhet burim keqperceptimesh, keqkuptimi dhe orientimi të gabuar ndaj realitetit të vendit tënd.
Ju zbuloni nga tregimet tuaja një realitet ku botët vijnë të rrëfyera thellësisht me gjithë anët tinëzare dhe poshtërsitë e ditëve tona. Nuk e di nëse keni parasysh njeriun apo shqiptarët me rrethanën e tyre?
Sipas meje, Shqipëria dhe shqiptarët kanë ndjekur dhe po ndjekin rrugën e natyrshme që ndjek evolucioni i një shoqërie postdiktatoriale, me vlerat dhe antivlerat e saj, shpesh e prirur ndjeshëm ndaj indoktrinimit, me modele të imponuara sjelljeje, mendimi dhe përfaqësimi, me individë me sistem njohës të manipuluar apo, siç thotë Adam Michnik, “gjykatës të varfër të interesave vetjake,qëmë shumë kontribuojnë për rritjen e individualizmit irracional”. Është fakt se mjedisi i sotëm social është mbushur me propagandë politike që përqendrohet te pabarazia e pasurisë dhe e fuqisë. Është e tepërt të kujtojmë se një fenomen i tillë çon në “fabrikimin e një ndërgjegjeje të gënjeshtërt”. Sot jemi dëshmitarë të një stili individualist të të jetuarit, apo nga një stil i ri klasor, tashmë jo mbi baza biografie, por mbi baza pasurie.
Kur e keni nisur shkrimin e letërsisë? Temat tuaja na duken reminishenca për të cilat njerëzit, lexuesi, ka ende probleme me përballjen…
Unë kam filluar të shkruaj vonë, nga mesi i viteve nëntëdhjetë. Kjo jo domosdoshmërisht ngaqë prisja demokracinë që të shkruaja, por thjesht ashtu erdhi…nga rrethanat.
Kam nisur me përkthime poezish autorësh a kantautorësh dekadentë (Brassans, Cohen, De Andre…). Përktheja për kënaqësi, pa pasur ndonjë objektiv për t’u bërë shkrimtar a përkthyes.
Artistikisht, ndër tregimet më të spikatura janë, pa dyshim, Parullat me gurë që u shndërruan në shembull jo vetëm për lexuesit, por edhe për spektatorët, ndër prodhimet kinematografike me të sukseshme. Mendoj të aktualizoj një pyetje: deri në ç’masë individi shqiptar është përgjegjës për poshtërimin e vet?
Për mua, përballja me periferinë e jetës rutinë është esenca për t’iu afruar më shumë të kuptuarit të egërsisë së diktaturës shqiptare, sofistikimit të saj, mënyrat e zotërimit të mendimeve e ndjenjave të individit. Nga ana artistike, ajo periudhë për mua ishte një laborator i natyrës njerëzore, na tregoi se deri ku shkon nënshtrimi, kuraja, frika dhe dhunimi i njeriut. Asaj periudhe i përket krejt vëllimi Parullat me gurë. Unë nuk kam ndonjë objeksion të madh me komunizmin në vetvete, por me instrumentalizimin e tij si një platformë vetëjustifikimii qenies njerëzore për të vënë në jetë instinktet e tij shtazarake, të dhunimit të dinjitetit të njeriut apo mbizotërimi të jetës së tjetrit. Bie fjala, ç’kishte komuniste kënaqësia që ndiente sekretari i partisë së kooperativës kur propozonte masën e internimit ndaj një mësuesi fshati pse ai nuk e mbante mirë drejtimin e shkrimit të një parulle politike në mur apo në kodër… Them se përveç kënaqësisë sadiste karshi vuajtjes së tjetrit, nuk kishte motivacion tjetër. Për inerci, këto reminishenca i hasim rëndom edhe sot. Shikojmë se aty-këtu po ringjallet kultura e dyshimit, e cila jo vetëm nuhat viktimën e radhës, por që, nga ana tjetër, mbjell paaftësinë e gjykimit real të rrethanave dhe dorëheqje nga kuptimi i gjërave. Për pasojë, individëve të sotëm u duhet të përshtaten, apo ballafaqohen, edhe me pamundësinë e mjaft strukturave apo individëve me pushtet, të cilat paralelisht me përpjekjet për të forcuar shtetin e së drejtës dhe respektin ndaj institucioneve, nuk ia dalin dot t’u vënë fre impulseve të tyre agresive. Në një mënyrë apo tjetrën, është vetë shoqëria e sotme shqiptare që po ofron elemente të mjaftueshme për atë që quhet “ndërgjegjësim fals të grupeve të gjera të popullsisë”, ku informimi publik është shndërruar në komunikim interesash, apo ku narcizmi etno-kulturor shitet si vatër e vlerave të së ardhmes, mjedise këto të përshtatshme për të fikur në mendjen e njeriut çdolloj dyshimi të natyrës njohëse, për të kontrolluar mendimet, si dhe për të rritur pandjeshmërinë ndaj mendimit alternativ.
Cilat momente të jetës suaj kanë ndikuar më tepër në krijimtari?
Jeta e përditshme ku më së shumti nuk i vëmë gjithmonë re gjërat siç janë, por për të ardhur te pyetja juaj, mendoj se më shumë gjurmë më ka lënë ajo pjesë e jetës sime 10-vjeçare si “intelektual fshati”, me një ndjenjë të theksuar vetmie, ajo kohë kur provova bixhozin me shijen përkatëse të humbjes, “bujtjet për mik” nëpër shtëpitë e fshatarëve, kur përpiqeshim të “koincidonim” të mbushnim ujë te burimi atëherë kur shkonin edhe vajzat e fshatit…Shtoj se shumë ndikime i kam nga përjetimet e fëmijërisë.
Gazeta ExLibris e mbyll vitin me këtë intervistë që, në fakt, na ndërmend festimet e Vitit të Ri, duke u zëvendësuar Krishtlindjet. Tërthorazi, kujtoj komunizmin, kur për herë të parë u përballët me letërsinë e ndaluar, cilët ishin librat e parë që ju ranë në duar?
Falë pro hibicionizmit, pra si çdo gjë e ndaluar, sa herë qëmë binte në dorë ndonjë libër i ndaluar, ngazëllehesha dhe e lexoja me të tillë interes dhe shije leximi që, fatkeqësisht, më ka humbur…
Në lidhje me librat, më kujtohet që kam ndjekur për vite me radhë një revistë tremujore italiane, L’Europaletteraria, një thesar i vërtetë i letërsisë botërore, ndërsa si libra më vijnë ndër mend Imoralisti i Andre Gide, Neveria e Zhan Pol Sartrit, I huaji i Albert Kamysë, Shënime nga shtëpia e vdekur e Dostojevskit…
Ju keni një tregim që ironizon fenë, madje, me sa kujtoj, u realizua edhe film dhe ndezi një debat. Këtë mund ta lexojmë si panatyrshmëri se si feja po depërton sot në shoqërinë shqiptare, edhe pse kemi humbje të besimit për 45 vite nga diktatura?
Jo, nuk e ironizoj fenë, por instrumentalizimin apo adoptimin fals të besimeve fetare. Mendoj se rilindja shpirtërore e shqiptarëve nuk përkoi plotësisht me nevojën e brendshme instiktive të individit apo komunitetit për të rigjetur natyrshëm ushqimin e duhur shpirtëror, atë ushqim që do ta ekuilibronte në realitetet e reja, por në një pjesë të madhe u karakterizua nga një konfuzion dhe humbje busulle. Rigjetja e këtij ekuilibri po kërkon kohën e saj, madje vazhdon edhe sot në dinamikën e saj. Duam apo s’duam ta pranojmë, pas rënies së komunizmit, krahas nevojave shpirtërore, individi shqiptar u përfshi nën ato ombrella vlerash aty ku ndien se fiton ekonomikisht, se aty mbrohet nga një rrezik, apo se aty merr vlerë protagonizmii tij.
Kam mendimin se po i njëjti kriter mund të ketë funksionuar historikisht dhe me shumë shqiptarë në Kosovë e Maqedoni, të cilët të kërcënuar nga asimilimi i tyre kombëtar nga një komunitet me një identitet të caktuar fetar, kanë gjetur mbrojtje te një vlerë alternative shpirtërore.
“Një komedi alla italiane nga Shqipëria”, – kështu shkruan revista e njohur italiane “Internazionale.it” mbi romanin Një ëndërr italiane, është një analizë që i bën këtij romani kritiku i njohur italian Goffredo Fofi duke u ndalur në stilin ironik (alla shqiptar dhe njëkohësisht alla italian).Ç’është kjo “ëndërr italiane” për ju?
Në këtë roman u përpoqa të interpretoj me mënyrën time një ngjarje që e kemi të njohur të gjithë.
Më ngacmoi një shkrim në gazetën “Corriere della sera”, mbi fatin e gjashtë personazheve që kryen një akt të guximshëm, gati donkishotesk, në kërkim të lumturisë, apo më mirë njëfarë mirazhi të lumturisë. Ajo që më tërhoqi më shumë në jetën e tyre, ishte tretja apo shpërbërja e shpresës për një jetë më të mirë apo për të kapur lumturinë, zhgënjimi i tyre i thellë, shkërmoqja e ëndrrës, bie fjala, për të bërë një martesë alla italiane, në një kishë pranë detit blu nën tingujt e ndonjë valsi lumturie…
Nga viti 2013 kemi folur sërish së bashku mbi mendimin përse të huajt nuk e përkthejnë letërsinë shqipe, ja ku jemi në të njëjtin agor për ta ngacmuar këtë temë, por tani në një perspektivë më optimiste. Ju jeni botuar si libër më vete, nëse s’gabohem, në gati 7 gjuhë të huaja. Çfarë reference është të jesh i botuar nga një ent prestigjioz brenda vendit tënd dhe sa konsiderohet kjo kur kalon kufijtë?
Po e nis nga vetja. Për mua nuk ka qenë dhe nuk është fare e lehtë për t’u botuar jashtë vendit. Madje, e shoh se kjo gjë po bëhet gjithnjë e më vështirë. Në lidhje me vështirësitë e botimit të letërsisë shqipe jashtë vendit, arsyet janë komplekse. Botuesit e huaj, me të cilët ne përplasemi për t’u botuar, i përpunojnë vlerësimet e tyre mbi realitetin shqiptar shumë më ngadalë se lexuesi apo botuesi shqiptar, dhe siç dëshmon përvoja, shpesh me prirjen për t’i parë ato nën këndvështrime sensacionale, apo ekzotike, që shpesh janë bërë burime opinionesh të deformuara mbi vendin tonë. Ka një dallim shpesh të ndjeshëm ndërmjet vlerësimit, do të thosha real ose më afër realitetit që kemi ne për vendin tonë, dhe perceptimit që kanë të huajt për ne. Kjo gjë e vështirëson bërjen e një vlerësimi real për një vepër letrare shqiptare, pra të orientohesh se ku fillon fantazia e shkrimtarit apo realiteti, apo ku mbizotëron prirja për t’iu përshtatur perceptimit të mësipërm ekzotik të lexuesit të huaj. Në lidhje me hierarkitë letrare të shtëpive botuese, prestigjioze apo jo, personalisht, me ndonjë përjashtim (në Norvegji jam botuar nga një botues të madh…), pavarësisht përpjekjeve, nuk kam mundur “të kap” ndonjë botues të rëndësishëm, bie fjala, si Gallimard, Mondadorietj. Në një plan më të gjerë e konsideroj arritje botimin e letërsisë shqipe dhe me botues të vegjël. Më shumë se sa niveli i botuesit, merr vlerë jehona që i bën librit media e huaj. Paradoksi ndodh me jehonën a pasqyrimin e botimeve jashtë vendit në shtypin a opinion tonë të brendshëm, që do ta quaja një lloj standardizimi a abuzimi mediatik, duke barasvlerësuar si botimin në një shtëpi botuese serioze, me ndonjë botim bërë me paratë e vetë autorit, apo botues gati me profil shtypshkronje.
Sa e rëndësishme është për ju njohja e veprës në Europë? Ka njerëz të letrave që ende nuk i kanë lexuar librat tuaj?
Natyrisht që e vlerësoj shumë botimin e librave të mi në gjuhë të tjera dhe kështu duhet të jetë për çdo shkrimtar, pavarësisht nëse pohohet hapur apo jo. Kjo s’do të thotë që nuk e vlerësoj vlerësimin nga lexuesi shqiptar. Madje, unë ndihem i përkëdhelur në vend, mjaft të kujtoj që pothuaj çdo libër i imi nuk ka kaluar pa marrë ndonjë çmim në nivel kombëtar.
A besoni vërtet se letërsia mbetet mediumi i vetëm krijues që përfaqëson zërat e shkrimtarëve? I referohem me këtë një takimi ku ju keni marrë pjesë në kuadër të projektit “10 shkrimtarë bashkëkohorë prezantuan arritjet e letërsisë së sotme europiane”.Por, në fakt, në kontekst më politik, motoja artikulohej si njohje më e mirë e Europës përmes letërsisë.
Nuk më duket se ka ndonjë paradoks në pjesën e parë të pyetjes suaj, sepse e kundërta do ishte që letërsia do duhej të përfaqësohej jo nga shkrimtarët, por, bie fjala, nga bukëpjekësit, a hekurkthyesit…Në lidhje me përfshirjen në projektin që ju i referoheni, “10 shkrimtarë të letërsisë europiane”, bëhet fjalë për një ndër programet e shumta europiane, ku lexohen pjesë nga 10 shkrimtarë europianë bashkëkohorë, nëpër qytetet e Europës, mes të cilëve ishte edhe një libër i imi me tregime. Padyshim që ishte një hapësirë e mirëpromovuese dhe natyrisht që të sillte edhe kënaqësi të nivelit praktik.
U jemi drejtuar edhe shkrimtarëve të tjerë me pyetjen pse nuk gjen prehje një shkrimtar kur shohim botimet e tyre si kanë lëvizur nga një shtëpi botuese në tjetrën. E njëjta pyetje edhe për ju, kur shohim hartën: Onufri, 1998; Albimazh, 2003; OSMCA, 2006; Toena, 2009 e 2012; Tirana Times…
Kryesisht për shkak të interesit financiar, apo dhe kujdesit të botuesit për t’u promovuar. Shpesh kur ndërrojmë shtëpi botuese, këto arsye kamuflohen nga ne shkrimtarët.
Diplomat, ambasador, keni punuar në institucione ndërkombëtare brenda vendit dhe tani jeni instaluar në rolin e pedagogut. Si ju duket tani jeta, a do kemi ndonjë roman reflektues për punën që bëni…Me “ndërkombëtarët” goditi ironia? Çfarë po shkruani tani?
Pesë vjet pas botimit të Valsi i lumturisë, jam në prag të botimit të një romani të ri. Romani ka për objekt dritëhijet e qytetit ku kam lindur dhe jetoj, Tiranës, nën diktaturë dhe postdiktaturë: evolucioni i vlerave dhe antivlerave i qytetarëve të saj, në planin social, ekonomik e sidomos politik… Tirana, si laborator i natyrës njerëzore. Pak a shumë i shkruar me të njëjtin stil si Ndërkombëtarët. E pres me interes këtë botim, sepse shkruaj rrallë, ky është libri i pestë i krejt “aventurës sime letrare” dhe sipas meje, më i miri.