Frederik Rreshpja (1941-2005) është lirik i veçantë, i cili me krijimtarinë e tij poetike ka bërë për vete lexuesin e mirëfilltë të poezisë, por edhe ka provokuar mendimin kritik e studimor për të. Përvçse me poezinë, ai binte në sy edhe me qëndrimet dhe sjelljet e veta në një sistem në të cilin nuk ishte e lehtë jeta dhe krijimtaria. Megjithëkëtë ai ngeli përherë në qëndrimet dhe në botëkuptimet e veta për jetën dhe për artin letrar edhe atëherë kur ato i kushtonin me ndëshkime të rënda, absurde.
Xhahid Bushati, Fredi KOHA E POETIT, Fiorentina, Shkodër 2022
1.
Ne, lexuesit dhe dashamirësit e poezisë në Kosovë, Frederik Rreshpjen e njohëm që në vitet ’70 nëpërmjet librit “Enise, enise”, botuar nga “Rilindja” (1975). Për mua, e besoj edhe për shumicën e lexuesve atëherë, ky ishte takimi i parë me krijimtarinë e tij poetike, e cila zgjoi kërsherinë për njohjen edhe të vetë atij si poet, meqë ai, me këtë libër na erdhi gati me po atë bukurinë, por edhe me misticizmin që e karaktezonte edhe Lasgushin me krijimtarinë e tij. Poezia e tij të linte mbresa dhe ta zgjonte kureshtjen për të ditur më shumë edhe për krijuesin e saj.
Pata fatin që këtë poet ta takoj vetëm një herë. Ishte rasti kur bashkë me Odhise Grillon hymë në oborrin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, përkatësisht në oborrin-bufe të saj, ku në një tavolinë po rrinte vetëm Frederik Rreshpja. Odhiseu, pasi foli vetë, më njoftoj edhe mua me të. Pashë atë qëndrimin njerëzor, mirësjelljen me buzëqeshje e me shumë pak fjalë. Në kokë kishte atë republikën e tij, veshur sakon e madhe që ia mbështillte trupin halllig, kravatën që i mbrrinte shumë nën rrypin e pantalloneve. Derisa po e shikoja gjatë atij takimi të shkurtër, në mendje më sillej libri i tij që e përmenda e të cilin e kisha lexuar qysh kur kishte dalë në Prishtinë, mbresa që kisha nga leximi i tij, por edhe nga ndonjë fjalë e mirë e thënë apo edhe e shkruar nga ndonjë poet, kritik apo studiues i poezisë. Mbase më shumë më vinte në kujtesë poezia e tij për nënën, të cilën e kisha më të freskët, meqë ishte përfshirë në leximin letrar të klasës 7 të shkollës fillore, e cila të pushtone me bukurinë e shprehjes poetike.
Atë takim, ndonëse shumë të shkurtër, e përjetova si një ngjarje të veçantë që ma pasuroi jetën. Isha i lumtur që e takova poetin nga poezia e të cilit kisha shumë mbresa, pak dije për të e shumë kureshtje.
2.
Edhe pse shumë i mirëpritur dhe i vlerësuar nga dashamirësit e poezisë, për Frederik Rreshpjen u shkrua pak në kohën sa ishte gjallë. Për të u fol dhe u shkrua shumë më shumë pas shkuarjes në amshim. Për fatin dhe krijimtarinë e tij shkroi edhe Kadare, duke theksuar se “koha ka qenë jo e mëshirshme me Frederik Rreshpjen”, dhe duke pyetur: “Përse ishte rrëzuar nga fati pikërisht atëherë kur dukej se fati po i buzëqeshte? Si dhe kur u vendos ky rrëzim? Dhe kryesorja: në kohën e madhe të botës si nuk ishte gjetur një kohë për të, krijuesin e kaq brilanteve e midis tyre, ndoshta më befasuesit varg të poezisë pesëqindvjeçare shqipe: Tërë vdekje u rrëzua në fushën me shi.[1] Për veprën, por edhe për jetën e Frederik Rreshpjes shkruan edhe shumë autorë të tjerë. Mirëpo nga gjithë këto shkrime më impresionuan dhe më gëzuan sidomos shkrimet e dy shkrimtarëve tanë të mrekullueshëm, njerëz e intelektualë shumë të mirë dhe dashamirës të vërtetë të artit letrar:
Petrit Palushi përjetësoi në rrëfimin e tij të sinqertë, në një libër të tërë, takimin që i ndodhi rastësisht me Rreshpjen në Kukës ndërsa po kthehej nga Prishtina, ku edhe e ndali një natë. Në këtë libër të titulluar “Frederik Rreshpja që s’e kuptuam kurrë” (OMBRA GVG, 2016) ai shpreh gëzimin për këtë takim dhe nëpërmjet bisedës së gjatë me poetin e adhuruar shpalos shumë gjëra që kishin jetuar në të dhe jo vetëm në të si mbresë e kureshtje.
Shkrimi tjetër që më la mbresa dhe më gëzoi shumë ishte ai i Xhahid Bushatit “Fredi – koha e poetit”, në të cilin ai paraqet disa këndvështrime dhe kujtime për Fredin dhe poezinë e tij, për poetin poezia e të cilit e kishte fascinuar që në filimet e tij krijuese dhe me të cilin kishte pasur fatin të njihet që herët si bashkëqytetar.
3.
Libri i Xhahid Bushatit për Fredin është shkruar me dashuri dhe vjen si një borxh i tij, i cili do të jetë rritur bashkë me vitet që bënte. Në raste të këtilla autori e ka të vështirë ta përzgjedhë e ta strukturojë gjithë atë bagazh kujtimesh, mbresash e dashurie të cilat dëshiron t’ia shpalosë lexuesit. Mirëpo Xhahid Bushati, me përvojën e tij të gjatë si shkrimtar jo vetëm në krjimtarinë e suksesshme letrare për fëmijë, por edhe me disa lirika për të rritur, e veçmas si autor i shkrimeve të shumta për vlerat e qytetit të tij, për traditën letrare, por edhe për traditën dhe begatinë edhe në fusha të tjera të artit dhe të dijes, arrin t’i artikulojë në një libër të gjitha kujtimet për poetin e tij të dashur dhe të veçantë jo vetëm në kierarkinë e krijuesve shkodranë, por edhe në shkallë kombëtare dhe më gjerë. Por si të marrë fill rrëfimi i shtresuar për shumë vite i Xhahidit për Fredin?
Para thirrjes së kujtimeve, që në fillim të librit, ai jep poezinë fort të bukur të Rreshpjes kushtuar qytetit të tij, Shkodrës, të titulluar “Në këtë qytet”, e cila është edhe vendlindje dhe qytet i jetës edhe i vetë Xhahidit. Pse bën këtë? Para së gjithash nga shkaku se kjo del mbështetje, pikënisje e pikënxitje më e mirë për shpalimin e bagazhit të kujtimeve të tij për poetin e dashur, për vlerat e tij poetike, të cilat në këtë poezi dalin aq bukur, të dalluara për origjinalitet dhe bukuri në gjithë poezinë tonë moderne. Xhahid Bushati e hap librin me këtë poezi për shkak se ndien dhe përjeton fuqishëm çdo varg, çdo imazh, ku ai pasqyron historinë, shpirtin dhe gjithë qenësinë e këtij vendi, edhe pse poeti poezinë e përfundon me vargjet: “Figura jote lëviz si një portret që s’e kapin dot penelat / Dhe para meje telajua e poemës mbetet e bardhë”, që nëkupton se pas gjithë asaj paraqitjeje të fuqishme ndjenjash e imazhesh, poeti do të ndiejë se ka arritur të thotë shumë pak nga ajo që ndien e dëshiron të thotë dhe kjo vjen si kulm i përjetimit, por edhe si një përfundim brilant i krijimit poetik.
Për vënien e kësaj poezie që në fillim të shkrimit të tij për Rreshpjen, Xhahid Bushatin e nxisin kujtimet edhe për qytetin, edhe për personazhin interesant të shkrimit të tij, të cilat ai i fton në ndihmë si një thesar të çmueshëm, por të fjetur për shumë vite në mendjen e tij. “Kujtimet më kthyen më shumë se gjysmë shekulli më parë”, shkruan Xhahid Bushati në fillim të shpalimit të tyre dhe shton: “Ato kishin jetuar në “kohën e poetit”. “Teksa më thirrnin, kuptova se ngjanin si shkrepje filmike të një viti, të një dekade, të një kohe, që dikur kishin ndriçuar plotësisht. Tani, me kalimin e viteve, ngjarjeve e historive më dukej se numri i atyre shkrepjeve filmike, sikur ishte zvogëluar dhe mund t’i numroje pa vështirësi, fare lehtë. Edhe pse të paktë në numër, në atë arkivë jetonte KOHA E POETIT”, shkruan poeti e studiuesi Xhahid Bushati.
4.
Që në fillim të librit lexuesin sikur e rrëmbejnë fjalët që autori i thotë për vetveten si krijues i ri në një ambient me traditë të gjatë dhe të begatshme krijuese, i cili është edhe ambient në të cilin lindi dhe bëri pjesën më të madhe të të jetës edhe personazhi për të cilin shkruan. Dhe, cili na qenka ai që ia mësyen të shkruaj për poetin e tij të dashur, të veçantë në gjithë poezinë shqipe dhe çfarë do ta ketë nxitur të bëjë këtë? Ai është shkrimtari shkodran, Xhahid Bushati, i cili që në moshën 13 vjeçare, pas një goditjeje të rëndë që përjeton me humbjen e vëllait më të madh dhë babait brenda një viti (1966), u jepet leximeve, librave, duke “biseduar me mençurinë e tyre” dhe nis të shkruajë vjersha për fëmijë “sipas mendjes (së tij) 13 vjeçare”. Me fare pak të dhëna për vetvetën, autori i këtij libri jep afrinë që ka me jetën e persoanzhit për të cilin shkruan. I mbetur jetim, ai gëzon ndihmën dhe kujdesin e pakursyer të nënës e cila do të kontribuojë që ai dhe të tjerët në shtëpi, shkruan, “ta mbanim trupin drejt e vështrimin larg”. Ndaj gjithë këtë kohë, këtë moshë të nënës së tij ai e quan “mosplakje nënës”, sado që çdo ditë e tij, në pjesën e saj dërrmuese, “ishte e trishtuar, me yje lotësh e hënë pikëllimesh, pse jo edhe me buzëqeshje ëndrrash…” Në këtë përshkrim të gjendjes së tij ekzistenciale dhe emocionale ai përmend edhe një përkujdesje të mësuesit të tij për të, i cili, fshehtazi tij, ua tërheq vërjetjen nxënësve, shokëve të tij, ta kenë kujdes për shkak të situatës shumë të rëndë që i kishte ndodhur në familje. Duke i dhënë këto detaje, vazhdon: “vetmia nga një shok i përditshëm, më bëhej më e largët, më e huaj”. Dhe, me kohë, atë do ta bëjnë për vete gjithnjë e më shumë librat dhe krijimtaria. Bisedat me librat i bëhen gjithnjë e më të shpeshta në bibliotekën e tij, e cila ruan librat e gjyshit, të babait e të vëllait, ndaj aty ai sikur shuan mallin për ta, i cili, siç e thekson, po i shdërrohej në faqe libri. Ndërkaq hyrja aty i bëhet ritual i përditshëm, i cili i vazhdon edhe sot. Nga ky ritual bisedimesh me librat dhe i përkushtimit krijimtarisë letrare, ai nis të botojë vjersha në revistat “Fatosi” dhe “Pionieri”, ku gjen përkrahjen dhe ngrohtësinë e shkrimtarëve Adelina R. Mamaqi dhe Xhevat Beqaraj si redaktorë të tyre.
Me këtë të dhënë për fillimet e tij letrare, ai shpjegon hyrjen e tij në mjediset letrare të qytetit, në të cilat, siç shkruan, ”përmendej si gur i çmuar poetik Frederik Rreshpja, për poezinë tij të veçantë jo edhe aq të pranueshme, siç do ta tregojë më vonë koha”. Por që në fillim autori i librit konstaton se “Fred Rreshpja po krijonte kohën e vet… kohë që, “sikur nuk kuptohej ose kuptohej, por nuk i jepnin zë.”
5.
Është mbresëlënës takimi i parë i autorit Bushati me Fredin, i cili i ndodh në moshën e tij të hershme, si 15 vjeçar, dhe ngel një shoqërim i përhershëm. Në shtëpinë e Fredit autori Bushati gjen një ambient të rëndomë, ku ai bën jetë të rëndomtë. Nuk gjen studio të punës siç do të ketë mundur të ëndërronte dhe idealizonte djaloshi krijues, por siç e kujton me dashuri e ngazëllim zbulesën: “përballë kisha një libër të vlefshëm plot dije”. Ai libër është poeti Frederik Rreshpja, i cili në kujtesën e Bushatit thotë: “Kudo shkruaj. Edhe te kjo tavolinë e vjetër, edhe tek ai raft i vogël ngjyrë arre, në shtrat…” Nga kujtesa e djaloshit shpalosen edhe fjalë të tjera të poetit nëpërmjet të cilave shpërfaqet shpirti i tij, mënyra e punës krijuese, koha më e përshtatshme për të. “Vërtet më pëlqen të shkruaj kudo e kurdo, por nata është perandoria ime”… “Qetësinë që më fal ajo, nuk ma fal askush… Nata dhe Nëna ma falin paqen që më mungon. Unë e dua vetminë, o miku im! Ajo më fal siguri, frymëzim…” Këto janë fjalët që autori Bushati ndien sikur t’ia ketë shqiptuar Fredi që në fillimin e shoqërimit me të, të njohjes më të përfarët të atij që mahnitte jo vetëm për shprehjen e veçantë poetike, por edhe për sjelljen e veçantë, për kuptimin më të veçantë të jetës dhe të realitetit që e jetonte. Ndër të tjera, Fredi, në një intervistë të cilën e citon autori Bushati, për kohën të cilën e jeton, shkruan: “ E para herë në histori që një popull pret të bëhet i lumtur, pa të shkruaj libra. Gjithmonë librat janë shkruar për t’i prirë lumturisë.” E thotë këtë duke e vlerësuar kohën e vet “një lloj mesjete që do të na kushtojë shumë”, por duke përmendur edhe shekujt në të cilët “na kanë munguar shumë gjëra, por kemi patur Bogdanin, Seremben, Mjedën dhe dhjetëra të tjerë”. Duke theksuar se krijimtaria e Fredit u përcoll edhe me shkrime të përcipta, të pathelluara e me hamendësime të paqena, Bushati përfundon: “Është detyrë, kulturë dhe borxh të vazhdojmë thellimin për të nxjerrë në dritë vlerat e njëmendta të kësaj poezie.”
6.
Libri i Xhahid Bushatit për Fredin mbështet në kujtimet e ngulitura në mendjen dhe në shpirtin e tij nga shoqërimi me të, nga kënaqësia dhe privilegji që pati ta njohë atë nga afër, t’ia njohë jetën, botëkuptimet, sjelljet, dashuritë e dhimbjet. Shpërfaq dehjen me artin e tij letrar, të cilin do ta përjetojë në një mënyrë të veçantë, madje edhe si një ndjenjë të veten por të shqiptuar aq bukur nga ai. Bushati e ndjen si një rastësi fatlume apo si një dhurtaë nga hyji se është i një qyteti dhe i një rrugice me Fredin, i asaj rrugice ”ku personalitete të fuqishme jetuan e lanë gjurmë të thella”, i asaj rrugice-muze e cila “ka fiksuar në kujtesë ecjen e shpejtë e pa zhurmë të Fredit”, rrugice e cila bashkë me fëmijërinë e Fredit brenda mureve të gurta “do të linin gjurmë të pashlyeshme në kujtesën dhe shpirtin e tij, të cilat do të përbënin pastaj kodet e poezisë së Fredit”, shprehet Bushati.
Poezia e Rreshpjes, para së gjithash, është e lidhur me jetën e tij, si “një simbiozë e çuditshme por e vërtetë”. Jetën e Rreshpjes do ta njohë mirë krijuesi i ri, i cili pati fatin edhe të shoqërohet me të, edhe ta kundrojë atë me kureshtjen e krijuesit dhe studiuesit. Për këtë Xhahid Bushati shkruan: “Ato vite me Fredin jetojnë brenda meje. Janë vite kur unë jam ulur te ajo sofra e drunjtë dhe kam ngrënë bukë nga duart e nën Drandes”, e cila është nëna Fredit. Tek ajo, shton Bushati, ishte qëndisur çdo gjë fisnike. Ajo zotëronte artin e të qepurit të rrobave kombëtare, art ky të clin ia kishte trashëguar edhe birit të saj poet.
Kujtimet, vlerësimet dhe interpretime për artin poetik të Fredit, Bushatit jo rrallë i vijnë si refeksione nga leximi dhe rileximi i vargjeve të tij, sidomos i atyre vargjeve emblematike që i vijnë në kujtesë dhe mund t’i thotë përmendsh apo, në raste valësh malli, edhe t’i shqiptojë më vete, si “Kurt të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det / Për varkat e lotëve / … Unë kam qenë trishtimi i botës” e të ngjashme.
Bushati mban mend mirë, që nga mosha e tij e hershme, edhe si janë pranuar vargjet e Frederik Rreshpjes nga lexuesit dhe nga ata që merreshin me publikimin e tyre. Nga këta të dytët pati edhe kritika, diku më të lehta e diku më të ashpra, të cilat “nisën që me librin e parë “Rapsodi shqiptare”, që e bafasoi pozinë shqipe.” Madje, Bushati kishte pasur rastin t’i shohë edhe recensionet për një dorëshkrim me poezi të Fredit, të cilat e kishin habitur dhe në të cilat kishte parë shumë “frikë nga ata të cilët kishin marrë librin për të dhënë mendimin.” Por Fredi ishte stoik në artin e tij letrar, nuk bënte kompromise sado që kishte ndodhur edhe t’i hiqeshin poezi nga përmbledhjet, e pas dënimeve me burg edhe t’i ndalohej botimi dhe qarkullimi i lirë i librave, apo t’i ndalohej edhe shfaqja e dramës së tij “Ëndrra e Tokës” e tj.
E gjithë krijimtaria letrare e Frederik Rreshpjes ishte nën llupën e kritikës letrare të realizmit socialist, ndaj jo vetëm për poezinë, por edhe për përrallat e Fredit pati vërejtje nga “kujdestarët” e zbatimin të normave të kësaj metode. Pasi jep disa shembuj të kritikave e vërejtjeve të këtilla të autorëve të ndryshëm për përrallat e Frederik Rreshpjes, Xhahid Bushati shkruan: “I njohur me përrallat e Fredit, lexuar e rilexuar, studiuar e ristudiuar, mund të them pa hezitim se, në themel të arkitekturës përrallore qëndron poetika e tij.” I njohur po ashtu me gjithçka ishte thënë e shkruar për përrallat e Fredit, Xhahid Bushati veçon mendimin e Moikom Zeqos, shkrimtarit erudit dhe mikut të ngushtë të Fredit: “Ai që zbërtheu kodet e vërteta të përrallave të Fredit, ishte poeti Moikom Zeqo… Askush më mirë nuk i studioi përrallat e Fredit” Dhe e ilustron këtë edhe me një konstatim të Moikomit: “Çdo shkrimtar i mirëfilltë, është përralltar. Shkrimtari i vërtetë është vetevtiu përralltar i madh”.
7.
Syrit të mikut të Fredit, Bushatit, nuk i ka shpëtuar i pavërejtur edhe sistemi i tij punës, puna me vargjet, me figurat, me ndërtimin e imazheve fantastike. “Kam patur fatin të shoh edhe fletët e bardha të shkruara me stilograf, me një shkrim jo të rregullt që dukej sikur mbartte trishtimin apo vuajtjen e tij. Nuk e harroj edhe zamin (ngjitësin) me furçë në atë shishen e vogël me të cilën bënte korrigjimet dhe vendoste herë pas here shirita letrash të shkruara. Kjo tregonte për natyrën e tij krijuese, procesin në laboratorin krijues, të cilit shkrimtari i kthehej dhe i rikthehej shumë herë në kërkim të përsosmërisë.” Duke bërë fjalë për natyrën krijuese të Fredit, Bushati shton edhe: “Në poezinë e tij çdo fjalë është e shenjtë, se di t’i shenjtërojë fjalët!”
Për shkrimin e librit për Fredin, Xhahid Bushati ka vjelë dhe ka prezantuar edhe vlerësimet e më shumë shkrimtarëve dhe të studiuesve të veprës së tij, të cilat i përfshin në kontekste të caktuara të çështjeve të cilat i trajton, përkatësisht në pjesët apo kaptinat të cilat e përbëjnë këtë vepër të shkruar me dashuri. Do të gjejmë këtu si një begati të veçantë edhe mendime për Fredin dhe poezinë e tij të autorëve, si Kadare, Moikom Zeqo, Hans Joachim Lanksch, Astrit Bishqemi, Petrit Palushi, Hasan Hasani, Tonin Kaçaj, Sadetin Mezuraj, Dashnor Kaloçi, Përparim Hysi, Gazmend Krasniqi, Isak Eshrefi, Arben Bllaci, Shpëtim Kelmendi, Nikollaq Hanxhari, Bedri Islami, si dhe mahnitjen e autorit me këndvështrimet interesante të profesor doktor Përparim Kabos e të tjerëve.
8.
Libri i Xhahid Bushatit për Fredin, i ëndërruar dhe i realizuar me dashuri, me siguri do ta ketë liruar autorin nga një barrë që do ta ketë bartur gjatë, por njëherësh ai i ka gëzuar edhe dashamirësit e letërsisë. Një çlirim i autorit vërehet edhe në tekstin përmbyllës të librit, në të cilin shkruan: “Në çdo poezi që e lexova disa herë, që më sillnin kujtime pafund, më ngjan sikur Fredin e shoh, sikur Fredi më vjen… herë si një melodi tingujsh, herë si metaforë vetmitare, herë si një pëlhurë Penelope, herë si në tempull lutjeje, me paqen që njomet me shi. Po, po, i bëhet se i vjen poeti i shquar, liriku i paarrirë Frederik Rreshpja në shumë aspekte të tipologjisë jetësore e artistike, që në rrugëtimin e tij e përfaqëson VETMINË, të cilën e dashuroi edhe kur foli, edhe kur heshti, përfundon Bushati.
Xhahid Bushati ka shkruar edhe për figura të tjera të shquara të letërsisë dhe të fushave të tjera të artit të trevës së vet dhe më gjerë, siç është shkrimi për Bepin e për shumë të tjerë, mirëpo shkrimi për Fredin, në një libër të veçantë kujtimesh e këndvështrimesh kritike, na vjen si një nga portretizimet më të bukura, i cili do të lexohet me ëndje ashtu siç lexohet edhe vetë poezia e Fredit. Kjo paraqitje e gjallë e kësaj figure të veçantë në poezinë tonë plotëson kureshtjen e lexuesve të shumtë për të mësuar më shumë për jetën, fatin e Fredit dhe për veprën e tij letrare.
[1] Kadare, Mëngjeset në Kafe Rostand, Një prill për Fredin, f. 89-110, Onufri, Tiranë, 2014.
Një vaj dhe KRENARI për FREDIN. ,,POETËT nuk VDESIN”