Romani i Fehmi Pirevës vjen në ‘tregun e lirë letrar’ në kohë të një kaosi gjeopolitik përmasash më të mëdha, kur siç thuhet, kur krisin armët heshtin fjalët! Megjithatë, fjala e bukur, qoftë poezi – qoftë prozë edhe në dhimbje edhe në terr e në zjarr bombash merr hov dhe niset me fuqinë e saj për të mbërritur te veshi e te syri, te ‘mendja e uritur dhe e zhuritur’! Pireva, rrëfimin romanor te “Nëpunësi i Kuvendit” e shtrin në një sipërfaqe manovruese relativisht të mjaftueshme për të shprehur qartas dhe për të shpjeguar gjendjen e (mos)funksionimit të organeve vitale të shoqërisë në Republikën e Kosovës.
Romani, duke pasur një titull shenjues, (Nëpunësi…), çelet me Prologun që ka si qëllim të lidhë lexuesin me temën që do të trajtohet, apo në rastin tonë, jep gjendjen sociale dhe civile të Elon Krasniqit, kryepersonazhit të vetë romanit. Autori nuk e di me saktësi a mund të ‘përtypet’, të ‘tretet’ e ‘të shkrihet’ mënyra e përshfaqjes së gjendjes ndër ne, në Kosovën e pasluftës, në Prishtinë e më saktësisht në Kuvendin ligjvënës. Ai kërkon t’i flasë a të bashkëbisedojë me lexues që do e tumirin dhe pranojnë ‘lojën e tij rrëfimtare’. Duke qenë edhe vetë brenda Kuvendit e duke njohur brendinë, jep një freskë shoqërore e cila të krijon përshtypjen e një vetëvëzhgimi si një teknikë që në psikologji e ka zhvilluar Wilhelm Maximilian Wundt-it, psikologu gjerman (1832-1920) me qëllim për t’iu referuar procesit të shikimit të brendshëm, kur analizohen mendimet dhe ndjenjat e një ndërgjegjeje subjektive. Ky term mund të përdoret për të përshkruar një proces reflektimi joformal apo një teknikë kërkimi vëzhgues për të përcaktuar mënyrën e të kuptuarit të gjendjeve të vetëdijes me qasje të drejtpërdrejtë dhe vetëreflektim të subjektit. Prandaj, mund të thuhet se në narrativën e romanit ndërthuret përvoja personale e vetë autorit, si sintezë njohurish të (mos)funksionimit të organeve si KQZ-ja apo Kuvendi. Aty damkoset mënyra e keqqeverisjes, të cilën e shoqërojnë arroganca e njerëzve të pandërgjegjshëm, mbeturina nga regjimi i mëparshëm i periudhës komuniste.
Rrëfimi romanor i autorit e bart me vete kujdesshëm lexuesin, duke e endur nëpër njëqind e katërdhjetë faqet sa ka romani, ku udhërrëfyes i krajatave është Eloni, ky personazh sa imagjinar aq edhe real, i afërt e i prekshëm, duke i zgjuar në shpirt lexuesit, edhe keqardhje – edhe hidhërim e cifla dufi për gjendjen dhe rrugën që ka përshkuar. Elon Krasniqi bëhet sinonim i luftës për demokratizim e mbarëvajtje, duke u bazuar në ligje, në shtetin e së drejtës, pa korrupsion e nepotizëm rrënues e dukuri të tjera deviante. Me ngulm kërkohet fuqizimi i ligjeve dhe kjo nuk është punë e përfaqtë që bëhet sa për t’u dukur e sa për të kaluar radhën, përkundrazi ky paraqet angazhim kundër qorrollisjes e shushatjes të njeriut tonë tok me partitë politike. Kundër kësaj vemjeje që brenë ‘shpirtin’ e njomë e të brishtë të organeve kryesore të Republikës së Kosovës, për t’i rrënuar ato! Kundër kurdisjeve e intrigave të pushtetarëve udhëheqës e mospërfillës të rendit e të ligjeve.
Struktura narrative e romanit shtrihet dhe shtjellohet në katërmbëdhjetë kapituj, për t’u përmbyllur me Epilogun i cili në formë letre i adresohet Met Ziut (dhe Dilaver Danajt), dy flokëthinjëve, personifikim i të keqes e gangrenizimit e organizmit shtet, të cilët në Hotel “Stuhia”, në atë çerdhe strehimi e krimi, “do të ngrenë dolli si një sukses që arritën ta humbin larg një njeri (tok me familjen, xh.h.), i cili e deshi atdheun me ndryshe nga ju” (f. 142). Në këtë letër përmbyllshim shpaloset dhimbja e largimit, a më mirë thënë, e detyrimit për ikje të Elonit që përballoi infarktin nga presioni dhe intrigat në punë. Largimi nuk është individual, por familjar:e shoqja Selvija dhe fëmijët Ylli e Tringa “që do të rriten në vendin e huaj”. Këtë vendim Eloni nuk kishte mundur ta marrë “as në kohërat më të vështira, kur vendi ynë gjendej i pushtuar dhe unë isha i përndjekur me vite për shkak të bindjeve politike” (f. 141). Ky është fati i një njeriu, dimensioni social si motiv kryesor i një të riu që sa ka nisur të ngritë familjen, bashkëshort e baba i dy fëmijëve minorenë me një vetëdije krejt më ndryshe nga praktika e veprimi i njëmendësisë deviante, rrënuese e korruptive të së djeshmes.
Eloni, i cili nuk ka ekzotizëm, shije kulturore etj. për të jashtmen, të huajën si lakmi, përkundrazi që ndalet e mjaftohet tek autentikja e autoktonia. ”Më pëlqejnë rrugët, trafiku i çrregullt, trotuaret e ngushta…”(f. 139). Shkrimi në këtë rrëfim romanor paraqet një orientim të ri (të vjetër!) letrar duke e vënë prozën romanore pakëz më lart se poezinë, meqë vetë romani si gjini letrare, siç dihet, shpërfaq perceptimin e jo-unit! Mishel Turnie, teoricien francez konsideron se vlerat e prozës janë: qartësia dhe përpikëria. Ndërkaq Malarme ka shprehur mendimin se proza niset nga një ide. Do jenë këto arsyet që kanë shtyrë autorin të shkruajë në këtë formë krijuese: “nuk ke ardhur këtu për të fantazuar…me këto gjëra merren poetët. Ti nuk je që nuk ke prirje paksa poetike, imagjinatë e fantazi, por ama nuk je poet” f. 47. Fehmiu, sikur ka mbajtur përbrenda shqetësimin e tij, siç thoshte Tomas Mani, dhe ka pritur deri sa ai është pjekur për ta ‘vjelë’ si rrush a për ta ‘korrur’ si grurë, duke e sajuar Elonin, kryepersonazhin, myjë të mendimit, pra, ajth i rrëfimit tij romanor.
Duke qenë se romani sipas shumë teoricienëve është hulumtimi këmbëngulës, si karakter vendimtar për të arritur deri tek e vërteta apo për ta përfaqur atë kur e gjen të mbuluar me huqe e trille njerëzish, mbeturina të një sistemi të shkërmoqur, autori i “Nëpunësi i Kuvendit” duke rrëfyer krajatat e Elonit mëton të shpalosë gjakimin për ndryshim dhe qasje të drejt-funksionimit të ligjshmërisë. Tërësia e personazheve si material ndërtimor për ngrehinën “Nëpunësi i Kuvendit” nuk është edhe shumë e madhe. Këto personazhe mund të ndahen duke u përcaktuar sitë veçantë:
Elon Krasniqi, Selvija (e shoqja që kishte mbaruar studimet për art, por e papunë, f. 52!), Përkthyesi që vdes nga presioni dhe ‘mobingu’ (ngacmimi) në punë, Naimi nga shkolla e mesme dega e gazetarisë etj.etj…si dritë, e ndritshmja, e mira, e mbara, pozitivja, nga njëra anë;
Enkela Domi (kryetare e Komisionit Qendror Zgjedhor), Met Ziu (ç’ ironizim me emrin, (sic!) sekretari i përgjithshëm që Eloni e kishte njohur gjatë intervistës me gojë kur kishte konkuruar…), Dilaver Danaj (drejtori për çështje ligji, njeriu finok që kishte punuar kohë të gjatë në institucionet e ish sistemit komunist f. 44), Valentina (e përkëdhelura e zonjës Domi “që nuk hezitonte të fliste e para, ta merrte fjalën rend e pa rend…e punësuar mbi bazën e ca lidhjeve, meqë babai i saj mbante raporte të afërta me një parti politike” f. 18), Fatlum Gashi (përkthyes nga anglishtja, në OSBE, f. 56), Vajza nga Drejtoria e medieve (babai i të cilës ka qenë deputet në katër legjislacione!), Besëmiri (që dinte të përshtatej, që ndërron faqe sipas kohës e nevojës), Menaxherja e zyrës së Sekretarit, f. 51), etj…si e keqja, errësira, terri e neveria!, nga ana tjetër, dhe
Erika (nëpunëse në Drejtorinë e personelit në Kuvend, Kamerieri, Zonja pa emër e mbiemër (që qëndronte ulur para sportelit në hyrje të Kuvendit…f. 35-36), Nëpunësi për çështje teknike (…”me një grumbull çelësash në dorë… që ngjante si një lëmsh i ngatërruar plakash që lyp durim derisa ta gjesh fillin e pështjellë”- zyrën A/15 ku do të vendosej Eloni!, f. 45)… asnjanësia e paanueshmja. Këto janë tipare karakteresh që i udhëheq autori si rrëfimtari gjithkund-gjendur, syhapur, mendjekthjellët, me statusin e vetëpërcaktuar të kryesorit, që i mban frerët e drejton timonin, i vetëdijshëm për barrën e rëndë të detyrës që ia ka ngarkuar vetvetes.
Një libër, pra edhe një roman, lind e del duke u ndikuar për frymëzim, nga libra të tjerë, siç shprehet Umberto Eko në Lector i fabula. Nëse Luis Borhesi ka shkruar duke e imituar Kafkën, siç e pranon ai vetë në një intervistë në të cilën thotë se “ka shkruar dy tregime sipas modelit të Kafkës, për të larguar magjepsjen nga vetja, kam bërë maksimumin për t’i ngjarë Kafkës, por natyrisht nuk ia arrita dot”…edhe Fehmi Pireva mund të thuhet se e ka Kafkën e vet.
Romani “Nëpunësi i Kuvendit” lexohet me një frymë dhe sikur ta ndanë frymën, meqë realja dhe imagjinarja ngatërrohen deri aty sa ndahen me vështirësi. Autori i ofron lexuesit të vet, siç thotë semiologu italian Eko, atë që e kërkon, mbase edhe atë që ai në njëfarë dore edhe e pret. Kjo pra është prozë me temë nga aktualiteti, nga përditshmëria që disi është si e munguar.