More
    KreuOpinionXhevair Lleshi: Elbasani dhe shkrimtarët e dashuruar me të

    Xhevair Lleshi: Elbasani dhe shkrimtarët e dashuruar me të

    Një aktivitet i thjeshtë në dukje por që mori harkun me dafina para dhe pas udhëtimit. Do të përuleshin tek dy burra të mëdhenj, duke shkelur mbi barin e butë përpara kalasë, para Skampës antike, tek përmendorja e Lef Nosit dhe një nderim i thellë tek varri i Et’hem Haxhiademit. Dhe befas, duke reshtur paksa bisedat  herë të zhurmshme dhe herë-herë melodioze të autobusit, shkrimtarët e ardhur nga vise të ndryshme të Shqipërisë dhe të diasporës, apo edhe nga trojet e tjera shqiptare, i dhanë një falënderim poetit Rexhep Shahu, Klubit të Poezisë dhe donatorit Flamur Hoxha. E meritonin. Po si, more, ne jemi gati të dëgjojmë lajme të zeza vrasjeje, përdhunimi, grabitjeje dhe çdo gjëje tjetër të allasojtë – edhe në Elbasan – e të mos kujtohemi për këtë ceremoni që u kushtohet dy emrave të mëdhenj të kulturës e të politikës, historisë kombëtare. Asnjë rresht, asnjë kronikë, asnjë fjalë për autobusin me shkrimtarë, ardhur nga Tirana, nga Shkodra, Pogradeci, Berati, Vlora, Prizreni, Tetova, nga Brukseli dhe nga Nju Jorku, për ta sjellë më afër nderimin për këta dy korifej. Këtë sfidë di ta bëjë bukur vetëm një njeri: Rexhep Shahu.

    Do të duhej të dëgjohej atë mbrëmje të tetë dhjetorit se “Shkrimtarët e organizuar nga Klubi i Poezisë, me mbështetjen e humanistit Flamur Hoxha, deputet, nderuan shkrimtarin e vdekur në burgjet e komunizmit Et’hem Haxhiademi edhe patriotin e madh Lef Nosi, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ruajtës i këtij dokumenti themeltar, të cilin e ka pushkatuar partia komuniste dhe ai nuk ka varr.”
    “Para kësaj shtatoreje dhe para shkrimtarëve, si organizator i këtij pelegrinazhi, – tha Rexhep Shahu, – Lef Nosi i jep dinjitet e krenari këtij bulevardi të bukur të Elbasanit, e bën më të bukur këtë bulevard e këtë qytet, u jep atyre edhe më qytetari e fisnikëri. Ashtu si kalaja që është rrënjë e këtij qyteti edhe Lef Nosi është rrënjë e këtij qyteti, rrënjë e kulturës dhe kombit shqiptar.
    Pak njerëz ka si Lef Nosi që na mësojnë me e dashtë këtë atdhe. Lef Nosin e pushkatoi Enver Hoxha dhe e la pa varr, por ai jeton në shpirtin e zemrën e çdo shqiptari.”

    Gjithë kohën që kam ndenjur në Elbasan, veç asaj dite që nuk munda të isha pjesë e pelegrinazhit të shkrimtarëve kam menduar për Bibliotekën Publike në këtë qytet, që ka në gjirin e tij ajkën e kulturës shqiptare të traditës, jam tronditur thellë, aty gjen një mjedis jo ashtu si e mendon dikush nga larg bibliotekën muzeale të Elbasanit, të fëmijëve, të të rriturve dhe gjithkujt tjetër, ku mund të njihet gjerësisht nga afër me veprimtarinë e jashtëzakonshme të Kristoforit (i ashtuquajtur Kristoforidhi), po edhe tërë odisenë e padëgjuar të librit shqip, shkruar së fundmi në veprën e tij UDHËKRYQET E KRISTOFORIT DHE AVENTURA E LIBRIT SHQIP, nga Prof. Dr. Xhevat Lloshi dhe që pret të botohet nga UEGEN, të aq e aq burrave dhe grave të shquara të këtij qyteti të madh, të cilit i kujtohet kultura në ndonjë kumt aty-këtu, kurse krimi i sotëm është ulur këmbëkryq dhe u bie daulleve të televizioneve, të rrjeteve sociale dhe gazetave të ditës. Ndaj dhe e dinim që në fillim se këtë pelegrinazh nuk do ta zinte ngoje askush, përveç ndonjë media që e ka emancipuar veten dhe merret me gjëra për të qenë.

    E megjithatë dikujt nuk iu durua.

    E morët vesh? Jo? Çudi! Nafta sot filloi të shitet me 260 lekë litri.

    Çudi, tha një tjetër, ndoshta Braholli, dje në Kosovë ishte me 1,8 euro. Shumë edhe atje, po me ne s’krahasohet dot askush!

    Mos more, po qershia që shitet me 300 lekë një kilogram. Dhe të mendosh që qershitë po i hedhin hendeqeve dhe skërkave se nuk i ble kush!

    Fundja, u hodh dikush nga mesi! Do ruajtur aleanca me “Open Ballkan”, çmimet që vijnë nga marrëveshjet e tromaksura, apo të mbetemi pa bukë fare! Ç’thoni!?

    Dhe ja kështu, hidh e prit dhe fjala vete te libri. Namik Dokle qesh nën buzë. Po fjala vete edhe tek takimet me Ismail Kadarenë tek “Juvenilia”, fotot që shpalosen në instagram apo në facebook etj. Fundja veprën e tij e ka botuar Onufri dhe ky i takon Elbasanit, apo jo. E di që dikush mund ta cilësojë nga Berati. E çfarë jo tjetër? Po meqë zumë ngoje librat, kjo nuk shkon që të mos mendohemi dy herë për atë që themi. Sikur 12 bibliotekat tona që kanë ndërtesat e tyre të paktën, të merrnin nga 10 ekzemplarë për titull, do bëheshin 120 libra të shitur, pjesën tjetër që nuk e shet dot tregu, do ta përdorë miqësia, po edhe orët letrare… Mos! Erdhi buçima e liqenit të Pogradecit, mos i zër në gojë shkollat! Aq do ministria e arsimit dhe i le pa punë mësuesit. Apo ke harruar që sot është më pak se gjysma e shkollave gjallë! U thanë sytë e shkollave për nxënës dhe për libra… Ta themi hapur ç’mendojmë, de, se na u nxi jeta duke e mbushur mendjen me lugë bosh, zbrazur…

    Dhe ecim nëpër Elbasan, ku rritet bari nëpër kalldrëm dhe hapen petlat e karafilave dhe të trëndafilave kuq si gjaku, ku çel edhe lilaku blu, ku rritet befas çmimi i çmendur i domates dhe i mollës, kur mendon se po humbet shijen vetë fusha dhe mali, ku rritet tektuk edhe ndonjë fëmijë i vogël, ku vritet në cep rruge ndonjë kriminel a drogmen, ku rriten bliret anash shëtitores, ku njerëzit u tremben vezëve dhe pulave, të cilat dikur i mbanin në bahçet e shtëpive elbasanllije plot portokalle e limonë dhe ku rriteshin perimet më të mira në botë, që i thau tymi i metalurgjikut dhe oxhaku i çimentos me tym më të zi nuk bëhet. Po të qe aty Milianov Kallupi poeti, vëllai i Vladimirit, pa vajtur ende tek Shën Vladimiri, do të thoshte se na vrau korrenti elektrik, të cilin e prodhojmë pa lekë dhe e shesim sa frëngu pulën, se gazi që do të gazifikojë Shqipërinë dhe së këndejmi edhe një copë Ballkan, pa pyetur për vëllazëri shqiptare, të cilën e ka marrë ferra uratën, se makinat me naftë aq të shtrenjtë tanimë janë shtuar si rrënja e hithrës (e ke parë si vëllazërohet hithra dhe grami!?). Po buka, hë? Po vargani i pafund i pleqve që i gëzohet atij pensioni që ndonjë gojë e fëlliqur e quan edhe qesharak! Hapu të vërtetave, njeri, ne kemi ardhur në Elbasan të nderojmë trashëgiminë tonë, ashtu siç do vinim në Manastir, në Korçë, në Stamboll, në Kajro, në Bukuresht, në Vjenë, në Paris, në Moskë e kudo ku ka ndritur pena shqipe dhe ka lënë gjurmë në histori. Hapju, pra, të vërtetave! Sepse ato nuk janë të ndenjura në ujëra të cekëta, as cergë merimange, as hije, as terr, as kënetë, as lutje dhe as puthje në gjumë… Të vërtetat duhet t’i themi troç, pa u menduar dy herë! Dhe “mallkojmë” duke thënë me gojën plot: na u futshin të vërtetat edhe në ëndrra! Sepse kështu ajo do të na ngacmojë të organizojmë pelegrinazhe edhe në Varret e Mbretërve Ilirë në Selcën e Poshtme, edhe para Lasgushit dhe Mitrushit buzë Liqerit, me një falënderim tronditës, edhe në një zgjim të trembur, edhe kur policia – pasi të vë drogën në bagazhin e makinës – vjen e të vë prangat, veçse jo më në ëndërr… Atëherë duhet bërtitur fort: shfrytëzoje rastin, poet! Fundja poeti hapet për çdo gjë. Po pse, hë, edhe për fëmijët që mezi i kemi – se dikur (edhe në vitet tetëdhjetë e jo më të shkosh në pesëdhjetën apo gjashtëdhjetën!) kishim mbi tetëdhjetë mijë fëmijë që hynin në klasat e para, kurse tani lum miku mezi bëhen nja njëzet mijë! Ah, kjo politika që e shkretoi vendin, pale librin! E kush mund të kujtohet pë bibliotekat e fëmijëve, të cilat duhet (dhe jo vetëm duhet!) të bëheshin siç thotë populli me një këmbë?…

    Sa i bukur dhe i freskët u zgjua Elbasani i tetë qershorit! Por, sigurisht i tronditur dhe duke belbëzuar diçka nëpër dhëmbë, duke hedhur vështrimet (edhe ato të vëngërta e dyshuese!) deri në Valsh e Shelcan ku pikturoi dikur Onufri i madh, po edhe një vështrim zhbirues që gjithmonë e më shumë turbullohet nga të qeshurat që shpërthejnë edhe nga drita e luleve që t’i ngulin sytë me një vështrim të pakuptueshëm, saqë krejt qyteti të duket krejt i dalldisur, duket nga uria e madhe që të shohë një turmë shkrimtarësh që po e vizitojnë. Kjo nuk ishte vetëm përsiatje e Bujar Balliut nga Pogradeci, i cili bashkë me Istref Haxhillarin bëjnë dyshen më të re të prozatorëve pogradecarë. Përfytyroj kohën kur edhe këta një ditë do të jenë përkrah Lasgushit e Mitrushit, dy kolosëve të paarritshëm siç më thoshte Anastas Kostandini, Tasoja, piktori, në një shëtitje përgjatë studios së tij përdhese aq ndjellëse e mes luleve të oborrit.

    E pamundur të ndaheshe prej Elbasanit asaj dite. Dielli, siç nuk ndodh, binte me rrebesh dhe e spërkatte një tis i hollë freskie. Diku do të kishte rënë shi. Bënin çmos që të shmangnin shpjegimet me njëri-tjetrin për arsyet që i kishin detyruar të ishin aty të gjithë bashkë, në një ditë, në një kohë, edhe pse s’qenë të gjithë viktima të së njëjtës arsye. Unë do të sillja në vëmendje ca vargje të Roland Gjozës se perënditë ishin të këndshme / ditë e natë luteshin për ne / ngjëronin bukë dhe qepë / dhe askujt s’i vinte keq / po sepse thjesht janë në dietë / dhe ndërkohë askush nuk thoshte të vërtetën / se krizës s’kishin ç’i bënin / as perënditë e pavdekshme vetë… E pra Elbasanit nuk i vjen kush për pushime, sepse ia mbathin për në Gjinar, sa më afër Onufrit, se fqinjësia me një mikeshë do t’ia reduktonte kujtdo mërzinë që, pa të, sigurisht, do të ishte me tepri aty, në atë kohë tejetr të zënë, që bluante me mendjen e vet të shkruante një kronike të dytë për pelegrinazhet jo vetëm njëditore, po edhe ato më të gjata, një ose dyjavore, më këmbë.  Ndonjë kishte për t’i varur buzët dhe mbase mbante mëri qëkurse ishte ngjitur në këtë skenë, paçka se mendonte të lidhej përsëri me Elbasanin, siç do të thoshte Beatriçe Balliçi teksa lutej për të vëllanë, kompozitotin, Alfonsin ose Meri Lalaj që u nda dhe nuk erdhi dot në Elbasan, nëse do të arrinte të përftonte ndonjë kënaqësi të re artistike prej këtij udhëtimi.

    Ne e gjetën në ditën e zjarrtë dhe ai është qyteti më i ndezur e më i trazuar prej ndijimeve të reja e të paprovuara të dëshirës, të frikës dhe zemërimit, që luftonin njëra me tjetrën brenda qenies së tij – kohëve të fundit – të tronditur keqas. Ai po merrte një premtim prej secilit nga poetët dhe shkrimtarët eë pelegrinazhit krejt miqësor. Dikush, duke dihatur e zier nga inati, e pa veten ngushtë, pasi lotët ia mbushën sytë. Ah! Ai e kish kuptuar fare qartë, kushdo do të hutohej nga kjo skenë xhelozie, krejt i tronditur teksa sheh se si po vërtiteshin gjërat, madje ai ose ajo vë re se Elbasani po e mbështjell e përqafon në krahët e tij, madje e qetëson dhe e ngushëllon sa e si mundet. Po si kështu? Si mund ta mendoje këtë përpos si një takim e thagmë!? Atëherë duhej të mendoje se edhe te kisha e At’Markut po të qemë, edhe në manastirin e Shën Joan Vladimirit, do të bindeshim se kushdo do përpiqej t’i rregullonte gjërat e veta. Qenkej e vërtetë, pra, që Elbasanin e dashka secili qoftë edhe për fare pak! Atëherë, do të përsëritej e djeshmja? Do të shuanin dritën për ta parë intimisht më mirë, do të rrinin në errësirë gjer në agim në Elbasanin e Dhaskal Todhrit, Kostandin Kristoforit, Aleksandër Xhuvanit, të Dhimitër Shuteriqit… Pastaj, duke qenë ende i turbulluar, dhe me një lloj angështie, ti, shkrimtar a poet, jep fjalën se këtu nuk mundet ta shmangësh vizitën, të qenit pelegrin, duke dëshiruar që ta mbash premtimin ndaj tij, sepse kjo duket vërtet serioze. E kujt do t’i kishte shkuar në mendje për historitë e një nate në Elbasan? Dhe ky, me siguri, do t’i qe dukur aq i mirë, aq i ëmbël dhe që do t’ia kishte qejfi të vazhdonte gjatë, shumë gjatë kjo vizitë, sidomos duke shëtitur nëpër Kalanë e mahnitshme nëpër rrugica dhe dyqane? Ai e kishte fiksuar të luante rolin e qytetit për së mbari, për këdo, ndaj e mbante pezull, me qëllim që të fitonte pikë tek ai, duke e bërë për vete. Eh, në rregull, atëherë! Le të kapardisej dhe të vendoste vetë, nëse do të donte që njëri prej nesh ta mbante akoma varur ose jo tabelën e pelegrinit; po të mos i pëlqente, le të ikte vetë nga sytë këmbët, ose të ulej me pamjen ceremoniale të një fqinji që i vjen për vizitë, ndonëse do të përjetonte emocionin e thellë, në një dalldi, sikur t’i kishte rënë në kokë për këtë qytet, me një qëndrim pezull prej taktikave të zgjuara dhe të përditshme, të kridhej në natyrën e tij sanguine dhe jo të infektuar të paktën deri tani, që edhe të shkaktonte marramendje, një kaos të tmerrshëm brenda vetes. Një qytet kaq serioz, që përshkonte me një hap tërë dinjitet historinë dhe kulturën e madhe, mbetur me një bibliotekë sa për të shpëlarë gojën, e cila kafshonte natën dhe qante me dënesë, e pezmatuar në kulm, duke sjellë nëpër mend gjithmonë të njëjtin imazh të vjetër, atëherë kur bëri të vetat librat e Haxhiademit dhe Nosit. Mirëpo, kësaj here, Elbasani dukej i vendosur t’i jepte fund torturës. Përgjatë ditës, teksa ecnin shkrimtarët mbi rrugët e tij, i zhytur në paqen e madhe të heshtjes, ai kishte menduar edhe për një sjellje të egër. Do t’u lutej vizitorëve të linin librat e tyre në bibliotekën e qytetit. Për këtë do të lutej edhe shkrimtari i ri Aldion Çela me romanin e tij të parë, botuar së fundmi. 

    Kështu, menjëherë pas shkëmbimit të fjalëve të para mes poetëve dhe shkrimtarëve me Elbasanin, ai u përpoq ta kapte e ta shtrëngonte pas vetes secilin prej tyre, me të dyja duart, natyrshëm, pa u zemëruar, madje duke vënë buzën në gaz. Më bëhej se ai do ta kapte secilin përsëri, me dhëmbët e shtrënguar fort, me atë buzëqeshjen e përhershme në buzë dhe, pa u vënë në siklet, ia mbante duart në të vetat. I foli thjesht, me “ti” secilit, me aq dashuri, sepse ca ditë të prillta do t’i vinin qershorit pas datës tetë, ditë të vërteta pranvere që çdokush u gëzohet si fëmijë, sepse vetëm prilli vjen kurdoherë me një sensualitet tronditës dhe në ajër ndjehet gjaku blu turbullues, sepse të gjitha gratë e bukura i sheh si atë ditë qershori për të na sjellë në ditët më magjepsëse të Elbasanit.

    Rexhep Shahu dhe gjithë miqtë e tij pelegrinë të një dite pa zheg e me diell të freskët, ndihej i ngacmuar, i eksituar, i tërbuar, aq sa kurrë nuk kisha parë ndonjë në atë gjendje. Sikur të hynte frika, gati t’i vije secilit gishtat te goja që t’ia pengoje klithmat që ai s’i përmbante dot dhe, duke e ulur zërin, t’i thoshe duke iu lutur që të mos çonte zë, të heshtte, ta linte në hullinë e vetë mrekullinë. Veç do të ktheja kokën pas duke e lënë në mes mendimin. Bashkë me dritën e ditës dhe muzgun e mbrëmjes, teksa kushdo ishte duke shëtitur futej brenda nesh për të na uruar mirë-largimin, lamtumirën. Dhe shtrëngonim duart pa folur, me fytyrën në hije, dukej qenë larg punëve që dihet se nuk po shkojnë mirë, se gjëra të urryera po ndodhnin kudo. Mund ta kthejmë mendjen menjëherë nga Ukraina dhe nga kriza bashkë me qeverinë që sidomos kulturës i ka vënë duart në fyt…

    Si përherë, largimet bëhen pa pipëtirë, të fshehur akoma atje, prapa vetvetes. Për një kohë mbeteshe në errësirë dhe ti i mban sytë prapa, i tërhequr me vrull nga malli befasues i ditës që u mbyll aq shpejt. Secili e përfytyronte veten të kapur e të kapërthyer fort me ditën, drekën dhe mbrëmjen që po ikte, duke lozur e duke qeshur në një përfytyrim real, pastaj të ndalnim një çast, të putheshim e përqafoheshim, duke mbytur të qeshurat me to, derisa përplasnim mendimet pas hijeve dhe krizën sunduese krejt lakuriqe. Nuk po e kuptonim dot se ishim ende nën efektin e asaj që tashmë mungonte, nën përkëdhelinë e gjurmëve që na dhuronte tradita, që çelte si një lule e bardhë dashurie që rritet, e poshtëruar dhe e neveritur nga dita që jetojmë, duke i shërbyer asgjësë. Dhe ndiejmë të skuqemi prej turpit papritmas, me një lloj emocioni që e lë çdo gjë të drithëruar, pa frymë, ndërsa po aq befasisht ndiejmë një nevojë për të qeshur e për të qarë, krejt të tronditur, edhe pse na vlonin dëshira të zjarrta, të cilat na bënin të skuqeshim përsëri. Kurrë më parë nuk kishim provuar diçka të tillë, të mbushur me dashuri, Elbasan! Kurrë!…

    Tiranë, më 13 qershor 2022

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË