More
    KreuOpinionXhevair Lleshi: Duke biseduar me lexuesin Anesti Gjoni

    Xhevair Lleshi: Duke biseduar me lexuesin Anesti Gjoni

    Më bëri për vete mënyra sesi më preku. U ndala. Takim në rrugë me një banor të pallatit 6, aty ku ka vetëm plaka që bisedojnë me njëra-tjetrën për halle të dikurshme. Aty s’ka nevojë për rekuizitë as për të bërë ndonjë përshtypje të madhe. Anesti? Sa mirë që të takova. E di? Kam filluar të bëhem tejet i vëmendshëm ndaj ExLibris. Më ngacmon dhe kjo mjafton. Hë, po ti ç’ke shkruar. Dy romane t’i lexova «Tala» dhe «Telelkat». Më ke vënë në mendime, or mik. Plus që të kam në pallat. Nga ana tjetër jemi bashkudhëtarë nga Parku i Madh, aty ku ecim veç e veç, secili me mendimet e veta. Po ne mund të ecim bashkë. Të paktën e di që do flasim për librat. Se pyllit i shkojnë librat dhe dashuritë, apo jo? Sigurisht pyllit i shkojnë të gjitha: fushë tenisi, fëmijë, dashnorë, lexues, qetësues shpirti…

    Dhe e nesërmja erdhi shpejt. Sa hap e mbyll sytë u krodhëm te librat. Kam një ide, i thashë. A mund të menaxhosh librat që lexon? Po, tha pa u menduar dy herë. E si mendon? Thjesht. Facebook, Instagram, Whattsapp, gjithë rrjetet sociale. E di? Është interesante. Vetëm komenti i një lexuesi do të mjaftonte sa për dhjetë reklama të paguara shtrenjtë nëpër televizione. Kur gjërat bëhen sinqerisht, me siguri që kanë vlerë. Po ç’vlerë them! Janë fantastike! Ja, lexon Sollzhenicin rus dhe të vjen inat që Rusia u bë edhe njëherë cariste, po edhe fashiste, duke sulmuar aq turpërisht Ukrainën! Por megjithatë, Sollzhenicini nuk ka faj pse një Putin bëhet Hitler. Ndoshta është edhe bumerang. Dhe mos harro: Sollzhenicini jetoi në Amerikë, ku iu bënë të gjitha nderet, po ai shkroi libra ku e kritikonte mënyrën e jetesës amerikane; çifutizimin dhe konsumizmin. Po të qe tani gjallë ç’do t’i këpuste Putinit! Dhe atij vetë do t’i vinte turp që ishte rus! Me siguri.

    Ah, po. Kadare! Shkrimtar i madh botëror! Ka për t’u lexuar gjithë kohët me ëndje. Ç’është kjo! E pse u dashka përgojuar vepra e tij e madhe? Ajo i dha dhe i jep elegancë tjetër shkrimit të tij. U bë atëherë kur duhej dhe atij i dha fytyrë ngadhënjyese. Dhe u bë jo vetëm shkrimtar ndryshe, po edhe burrë me përmasa të tjera! I jam rikthyer Mosmarrëveshjes së tij. Po verifikoj të vërtetat. Ta them dhe e kam kënaqësi: Ky libër është busull për ne shqiptarët, kudo që jemi. Është Bibla dhe Kurani ynë. Të mëdhenjtë si ai i kanë të gjitha mundësitë për t›ia mbathur dhe kjo është e drejtë e tyre. Dhe ai së andejmi shkroi duke hapur shtigje. Kolos. Ai nuk pretendon frone, megjithëse do t’i shkonin shumë edhe ato, por ai lakmon lirinë e tij si shkrimtar. E drejtë absolute e tij.

    Anesti Gjoni heshti një çast. Po e shihja. Fytyra e mprehtë, sytë ëndërrimtarë, trupi prej atleti dhe siguria në mendime të dhuronin një portret të bukur.

    Mosmarrëveshja! Ah, të isha unë në krye të shtetit, do bëja dy-tri gjëra të domosdoshme. Një obelisk të madh në fund të Bulevardit të ri, pranë lumit Tirana që zbret nga Shkalla e Tujanit. Një pendë gjigante dhe rreth e rrotull saj Gjuha shqype e Mjedës, të njëzetetre strofat të gdhendura në mermer. Edhe dy obeliskë të tjerë: Gjuha shqipe e Naim Frashërit në Prishtinë dhe ajo e Gjergj Fishtës në Pogradec, pranë dy kolosëve, Lasgushi dhe Kuteli… Pastaj do të bëja fenomenale Bibliotekën e madhe të qytetit të Tiranës, duke shtuar edhe Bibliotekën Evropiane të Fëmijëve, idenë tënde. Dhe e fundit: Të gjitha kafenetë, me investim shtetëror, duhet të kthehen në kafe-librari dhe kafe internet. Tirana sot ka nevojë për dymijë biblioteka të tilla. Si thua?…

    Patjetër duhet të brohorisja mendimet e Anestit.

    Por ai, pasi lë pas shijen meditative të asaj që tha, vijon më tej. Por, miku im, lexuesi që të jetë

    lexues i famshëm duhet të ketë lindur nën shenjën e Apolonit. Lexuesi s’e ka dhe s’mund ta ketë dhuntinë e martirit, duke mos e njëjtësuar veten si shkrimtar… Po, duhet të jetë i pajisur edhe me frymëzime djaloshare, intimitet, nivel të lartë si njohës i traditës së shkrimit shqip, sidomos i përkthimeve të jashtëzakonshme. Ndoshta, s’kam të drejtë, po kur dëshiron të lësh shenjë ka rrezik të bësh efektin e kundërt. Edhe kur lexon poezi lirike nxitesh që këto të bëhen shpejt libra të rinisë. Kur mbaroj një libër unë shkruaj dhjetë-pesëmbëdhjetë rreshta për ’të. E di? Nganjëherë them se në një kohë tjetër mendimet e mia për këta libra mund të kenë vlerë, qoftë edhe orientuese, megjithëse nuk pretendoj kaq shumë. Si? Ti do të dish se ç’kam shënuar për dy romanet e tu? T’i kam thënë duke biseduar tek dera jote në këmbë, por do t’i them me fjalët e mia, kur të kthehemi. Do t’i kopjoj dhe do t’i jap. Ja, për «Talën»: Një roman i shkruar edhe thjesht, edhe me kulturë, edhe ndryshe. Gjuhë e kthjellët, kristal. Skenë dhe paraskenë si në teatër. Prania e legjendës. Ditiramb për mikpritjen. Një përfytyrim interesant për politikën, të mirat dhe dëmet e saj. Një portret aq i bukur për dhimbjen shpirtërore. Dhe Kosova, ah Kosova! Çfarë dashurie! Po edhe keqardhje e fuqishme: përdhunimet në kufi, të cilat zhvlerësojnë vrasjet, gjakun, mëritë, urrejtjet… Ç’të të them! Më ke prekur. Dhe… jam i bindur se askush tjetër nuk e shikon si unë romanin tënd! Kam të drejtë të gjykoj duke krahasuar, po mbi të gjitha, ti or mik, depërton aq bukur në shpirtin e njeriut. Ti e do njeriun dhe po deshe atë, i ke duart të lira dhe shkruan me gjuhën e zemrës… Do më për Belulin?… Qeshëm. Natyra e bukur, ndonëse në ditë shkurti, e donte të qeshurën…

    Pastaj gjej kohë dhe i kthehem ndonjëherë Majakovskit, Migjenit, vijon Anesti – shtruar, dhe luaj me vargjet e tyre. Më duket se i zotëroj. Aty janë figurat kozmike të papara. Heronjtë e ditës, të zakonshmit e mëdhenj, pushtues të zemrave. Prandaj lexuesi i vërtetë kridhet nën thellësitë oqeanike të mendimit. Pale të hysh në korin agjitativ të kohës! Zot! Të çdo kohe, dje dhe sot. Aty çvulgarizohet tema e madhe, mjerimi, puna, uria, komunizmi, heroizmi, skemat e rëndomta, sakrificat. Sot nuk lexohet më si dikur dhe kjo është e natyrshme. Duhet vëmendje tjetër, energji e nevojshme krijuese, dashuri, natyrë, udhëtime, çaste njerëzore të paharruara. Unë i besoj Poradecit, i cili thoshte shpesh se, është i lumtur ai poet që mbetet edhe me një libërth. Dhe unë lakmoj të lexoj ato libërtha. Në i gjetsha, kuptohet.

    Sigurisht sot ka shumë për të lexuar. Po ç’e do? Them kështu se ka shumë pak lexues. Fundja leximi edhe imponohet. Çdo kafene – një bibliotekë. Sidomos për të vegjlit. Do të ishte ku e ku më mirë sikur çdo shtëpi një bibliotekë! Sepse leximi është edhe pezm, hakmarrje e fshehur për kulturën e munguar. More zotërinj, dua të them, shkrimtari është shkrimtar, ai është i lirë në demokraci, nuk merr nga shteti asgjë, nuk ka vënë parà për t›u bërë deputet, kritikon majtas e djathtas kur është rasti dhe nuk e ka mirë me politikanët. Po edhe lexuesi i madh, ai i vërteti, i tillë është dhe s’ka si të jetë ndryshe. Ja, ta them hapur, kudo ku kam vajtur, ndoshta për t’jua plasur në sy politikanëve që nuk dinë që ka një Kadare, se Shqipëria për ta është vetëm ajo fizikja, me bregdet, me Alpe, me prona, biznese, ndërsa për Kadarenë Shqipëria është e përjetshme shpirtërore. Nuk them, kjo është për çdo shkrimtar. Jo për gjë, po po flasim bashkë. Fundja lexuesi i mirë ka aq mall dhe ngacmime të thella artistike, pezm, po edhe e rrok gjer në fund shkakun, nga vjen, pse vjen, absurd, absurd pa mbarim. Shpirtra të vdekur. Hë?…

    Lexuesi duhet të jetë i pajisur me sens humori dhe me shqisën e një nuhatjeje krejt të veçantë. Ai është gjithmonë te librat. Aty dehet, e ndien talentin e madh dhe botës i duhen ndryshuar shumë gjëra, forcë, mundësi të reja, kryevepra, ngjarje tronditëse letrare, por edhe një harresë e bukur, art i madh, çmenduri, origjinalitet, pëlqyeshmëri e lartë, më tepër njerëzì dhe më shumë fantazi… të cilat të bëjnë me krahë pranë letërsisë, të dhurojnë shumë filozofi, madje edhe filozofinë e absurdit…, të ngjallin respekt, dashuri dhe … trishtim.

    Edhe e sotmja është kohë kafkiane! Jo vetëm e djeshmja.

    Duke lexuar shumë sikur nuk të mungon diçka vezulluese, jo si detaj, por ama e kupton më mirë ditën e sotme dhe se pushteti etatist është edhe pragmatist, se ne përfitojmë më shumë nga letërsia, sesa ajo prej nesh, se dimë më mirë të çmojmë atdheun, liderin (Ja tek e ke liderin e madhe, Putinin!), figurat e vogla të makinës shtetërore, njeriun e mërguar, nën-rrogozin e shtetit, rininë e shthurur, spikamën e fuqishme të artit të munguar që e rropos njeriun mos më keq. Aty gjen fraza tronditëse, provokime, liberalizëm, mediokritet të aftë, jetën e shpërfillur, ushtrinë e amatorëve që e kanë fituar me kohë betejën kundër njerëzve të talentuar, përulja para madhështisë së të mërguarve që mbajnë gjallë vendin… Por lexuesit e vëmendshëm janë të rrezikshëm! Mos i jepni fuqi njeriut që lexon, se ai të bën ‘gjëmën’: ndërton atdheun me fjalë zemre…

    Lexuesi e di fare mirë se shkrimtari ziliqar s’e lexon kurrë tjetrin. Prandaj dhe unë librat e ziliqarëve nuk i lexoj. E dini? Sa kam mësuar nga inxhinieri koleksionist fierak (e kam nga qyteti im) Kozma Dashi, rreth mënyrës sesi duhet lexuar dhe të kthehesh në njeri të kultivuar, me aq kumte entuziaste, natyrisht që s’kam për ta gjetur kurrë më. Se të lexosh do të thotë të deshifrosh hieroglifet e papiruseve dhe shkrimin kuneiform të pllakave prej argjile, të kuptosh misterin e shkronjave të etruskëve që shpjegohen me gjuhën shqipe… Të lexosh do të thotë që t’i mbetesh besnik gjer në vdekje parimeve të shenjta, të kalosh prova të rënda, të ngrihesh kërcënueshëm mbi të këqijat, jeton thjesht dhe i jep botës kuptim, mënjanon trysnitë e pamundura, nuk bën kurrë sikur beson, në të vërtetë e pranon vetminë, vë në provë vetveten, njohjen, botën shpirtërore, nuk e ke frikë artin që e pëlqejnë (s’ma nxë goja!) njerëzit e thjeshtë, populli, po ca më shumë armiku që nuk gjendet e nuk shikohet. Jo, këtë s’mund ta mohojë kush, ndryshe bëhet një skemë e përmbysur, anatemohet pushteti, burojnë ide të patolerueshme, përfton një polem të përzierë që të akuzon çdo çast. E di, miku im, po rilexoja Drejfysin, një libër që tani së fundi po bën namin. Jo, këtu, kuptohet. Sidomos letra e shkrimtarit të madh natyralist dhe stilist po aq, Emil Zola, drejtuar presidentit të atëhershëm të Francës. Dhe produkti? Nuk je më beniamin e dishepull i askujt, kërkon të vërtetat me këmbëngulje, kërkon artin gjenial. Jo më sharlatanët! Përndryshe je gati të dënosh njeriun, se e ke natyrisht më të lehtë, do që të gjithë të jenë të kulluar dhe përçmon ata që hiqen si të dërguar të perëndisë. E pra, mos kërkoni kaq shumë! Jetoni dhe pranojeni si një fenomen lexuesin, specie të dashur, si një fenomen që përsëritet rrallë, ose nuk përsëritet fare. Lutem që këtë ta kuptojmë.

    E di se të lexuarit kërkon një ekstravagancë të madhe. Dhe gjithashtu di se kërkon edhe shkrimtarin më ekstravagant që të imponohet marrëzishëm. Ja, ta them haptas, pse fëmijët  e të burgosurve e të internuarve, fëmijët e të deklasuarve i donin aq shumë librat e shkrimtarëve të mëdhenj (Kadarenë, fjala vjen), sepse ai erdhi tek ne me një formë të re, si ajër i freskët, duke u bërë simboli i ëndrrave, përplot mesazhe të guximshme. Leximi s’të lë kurrë në baltë si shokët, si fqinjët. Ai ta bën ndëshkimin më të lehtë e sugjestiv, saqë mund t’i besosh edhe iluzionit. Por në këtë rast të ndihmon intuita, ajo shqisa e padukshme që verbon këdo që nuk lexon.

    Shkrimtari që po lexoj tani e vë gishtin në plagë, të shëron. Unë kështu e kuptoj. Të jesh shkrimtar kritik, pa lustër, pa bojëra, ta thuash një gjë ndryshe, të jesh i pranueshëm, të gjesh një shteg për korrigjim, të mos e fshehësh pezmin, zemërimin, të jesh sa më i sinqertë, pa ‘lakra’… Këtë ta dish edhe prej meje. Të jesh lexues i mirë do të thotë të reflektosh. Dhe me shokët e  miqtë mos luaj pengun, mos u hiq së koti entuziast. Të del kallaji shpejt…

    Të rrija një ditë pa lexuar këtë nuk e besoja kurrë dhe më vonë, megjithatë e kuptova, se ke nevojë të reflektosh për ato që lexon. Sa të hyn në punë, a je më konkret dhe më me intelekt, a të ngre më lart, a je në gjendje ta kuptosh një rreng, a thakmohesh pas një historie rozë, fundja si mund të jesh një Drejfus shqiptar, a i kupton më mirë edhe fundërrinat, sa dhe si ngacmon, sa sfidon me famë, sa e bën që gjithçka të vijë sa më thjeshtë, si mund të ndryshosh apo të mos ndryshosh bindje, sesi ta kuptosh në të ka ikur koha apo se të ka ardhur koha e duhur, sesi të mos merresh me gjëra të rëndomta e që nuk të përkasin, sesi të mos krijosh shqetësim tek askush, sesi të mos bësh gjëra të dhimbshme. Kjo është krejt e natyrshme, se ti ke lexuar e bërë të tuat romanet dhe veprat e atij shkrimtari që s›lëvizin nga vendi. Në letërsi ka libra që lexohen ose jo. Po s’mund të thuash se një shkrimtari kaq të njohur, nuk ia lexon librat. Ato të thithin, të rrëmbejnë, të bëjnë për vete. Dhe ti merr tashmë një nur tjetër, ngre në krahë një barrë të madhe, pse jo edhe për të shpëtuar njerëzit, popullin nga jeta e rëndomtë. Po a i ke sytë në ballë? – pyes veten. Shkrimtari i madhi e shpëton popullin e tij në librat e veta. Dhe të bën si veten, të famshëm. Ndoshta nuk e dini këtë, se ju rëndom nuk keni qenë lexues të librave të shkrimtarëve të mëdhenj. Lexova romanin e Roland Gjozës, “Baterflaj blu”, pa u nisur nga faktet e njohur, as nga mllefi foljor. Ndryshe kthehesh në zhgan ekstremistësh, bie në shtrëngesa të mëdha të brendshme. Mjafton, e lexova dhe u njësove me elegancën e shkrimtarit, me botën e tij dhe e bëra timin Migjenin e tij. Leximi të bën mirë dhe të ndihesh i fortë, i suksesshëm, i qartë dhe vazhdimisht i sinqertë. Më pëlqejnë shkrimtarët shqiptarë, sikur më ngopin, më japin shumë energji. Janë gjëra që i shoh dhe i gjej tek vetja ime, në tërë botën time. Dhe kjo më jep shpirt, instinkt, më ngazëllen… Kur lexon s’ke si bie në qetësi, pa gjetur një fije arsyeje, megjithëse nuk mund të shijosh frytet vulgare, po mjaft argëtuese të një dite të zakonshme. S’ka shaka, mund të jesh i dashuruar, mund të rrihesh me grushte, mund të shkosh me femra, mund të shohësh pa ndërprerë filmat e rinj në televizion, mund të shohësh në video vetëm Kadri Roshin, Sandër Prosin, Tano Banushin, Sokratin, puthjen e parë te ‘Tana’, mund të çirresh sa të duash në stadium, por jo, s’ka si leximi!

    … Duke lexuar ti shikon nga dritarja me një brengë sfilitëse, me një gaz të pandreqshëm dhe me një melankoli rrëqethëse, duke të shoqëruar psherëtima për t’u pasur zili. Dhe kjo s’është pak. Gjithnjë duke këqyrur nga afër rekuizitën e fundit të teatrit të ditës, duke nuhatur parfumin tundues, aventurat plot mister turbullues. Ia vlen të jetosh me këtë peng të pazëvendësueshëm. Po edhe sikur vetëm për kaq: të ndihesh vetvetja dhe i famshëm, që ke bërë tënden dhe që nëpërmjet leximit ke fituar një botë të tërë…

    Tiranë, më 28.02.2022

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË