More
    KreuLetërsiBibliotekëXhevair Lleshi: Ambasadori shëtitës (dy fragmente nga romani në proces)

    Xhevair Lleshi: Ambasadori shëtitës (dy fragmente nga romani në proces)

    1.

    Përsiatja, përqendrimi i vullnetit, pendesat, agjërimet: ja çelësat që të hapin dyert e kësaj bote. Toni, duke iu drejtuar Dhjatës së Vjetër hebraike, e cila është e mbushur plot me profetë, krijon një përfytyrim të gjerë shpirtëror tek ata që parashikonin disa ngjarje shumë të mëdha historike nëpërmjet paralajmërimeve, kërcënimeve dhe simboleve, pa ndonjë mundim shumë të madh të vullnetit, me një ushtrim të vazhdueshëm të përqendrimit tek pikësynimet e larta shpirtërore, një mospërfillje dhe një përçmim ndaj rehatisë materiale me të cilën njerëzit e çdo epoke dhe të çdo vendi janë pak a shumë të mbërthyer. Zoti nuk ia fal hirësinë e tij veç atij që e ka hak atë, po ku është e mundur vallë të zbulohet Zoti përveç se tek ne vetë? Sekreti i jetës dhe i qenies qëndron në kishëzën tonë më të vogël, prandaj brenda nesh gjendet çelësi për t’ia dalë mbanë… Toni hodhi vështrimin lart ku qielli dukej edhe më blu, por mund të vije re fare lehtë një dritë të fshehur, që duket sikur shpërthen në sytë e njeriut më të dashur që ka pranë, me një butësi prej flatrash që bie pa lëvizur në pranverën e bulëzuar, ku ka mbështetur bërrylat dhe kryet në pëllëmbë. Meditimi i tij aq i njohur, prej parashikuesi të madh. Ai parashikim tronditi gjithë mediat. Një muaj më parë: «Më 28 shkurt 2022 Rusia sulmon Ukrainën!»

    Gjatë jogës së tij ai vijonte meditimin. Në gjithë këtë lind edhe nevoja që të hapësh shumë sytë nga gabimi i përgjithshëm i cili bën të ndërhyjë një humnerë e pafund midis trupit dhe shpirtit dhe, në përmasa më të gjera, midis shpirtit dhe materies. Këto dallime, të cilat vlejnë për planin tonë jetësor, shpesh merren si ndarje absolute, edhe pse spekulimi filozofik modern dhe shkenca fizio-kimike e këtyre kohëve të fundit ka bërë gjithçka për t’i afruar. Në historinë e filozofisë kemi shembuj kuptimplotë dhe që flasin vetë për mjetet dhe – le t’i quajmë kështu – për mënyrat të cilave qenë të detyruar t’u drejtoheshin spiritualistët tradicionalë (për të cilët qëndronte ende në fuqi kjo ndarje) që të arrinin të gjenin një shpjegim të pranueshëm të ndërkëmbimit të ngushtë të pamohueshëm midis dy elementeve për të cilët bëhet fjalë. Mjafton të kujtojmë të famshmen «harmoninë e paracaktuar» të Laibnicit…

    Por këtë nuk e bën dot ai që nuk sheh se «trupi» ka një rëndësi shumë të madhe në përgatitjen që duhet për të fuqizuar aftësitë tona, deri në atë pikë sa të tejkalojnë kufijtë shqisorë dhe mendorë të dhënë për personalitetin njerëzor. Kjo sepse s’mund ta cilësojmë sesi një tejkalim të këtij lloji fuqinë për të paraparë dhe për të parathënë atë që ende nuk ka ndodhur, atë që gjendet ende jashtë rrethit të ndodhive. Atëherë, mendonte Toni, ideja lulëzon dhe vallëzon nëpër drurin e fatit, që befas bëhet tryezë buke dhe mundet violinë, ku mendimet përplasen e puthen, duke rënë pa peshë e gati pa frymë.

    A nuk duhet, në raste të tilla, të mbahet parasysh psikoza që krijohet tek personaliteti i besimtarëve fetarë, të cilët janë të prirë për vetë natyrën e tyre t’i besojnë asaj që dikush i interesuar mund t’u thotë rreth vërtetësisë së hamendësuar për një ndodhi të paraparë dhe të parathënë? A nuk kemi të bëjmë këtu me gjëra që, në përgjithësi, i shpëtojnë kontrollit të njerëzve, megjithëse ato shfaqen në shikim të parë si jo të vështira për t’u vërtetuar? Situatë jo aq trishtuese, i thoshte vetes Toni, më tepër është gazmore sikur do të japë një kumt, që vjen tek unë dhe shkëputet prej meditimit të thellë, ndërsa bie ndajnata në kishëzën time me shumë dritë. Ndaj dhe parashoh. Së këndejmi duket e thjeshtë. Por ja që është e pamohueshme se përcaktimi në mënyrë empirike i pranisë së gjërave të tilla nuk është i lehtë, edhe pse elementë të shumtë ndërhyjnë dhe ndihmojnë për të shkaktuar iluzionin e përfytyrimit, të dëgjimit, të nuhatjes, të shijes dhe të prekjes. Dhe është gjithashtu e vërtetë që midis njerëzve, me përjashtim të fanatikëve, të atyre që vuajnë nga halucinacionet, të të mashtruarve, ka çrregullime, po aq sa dhe ndoshta edhe më të shumta, tek falsifikuesit dhe tek besimtarët e rremë, të cilët bëjnë gjithçka që është në dorën e tyre për ta veshur gënjeshtrën me rrobën e së vërtetës, dhe këtë e bëjnë për të kënaqur qëllimet e tyre vetjake dhe sektare. Edhe pse humbasin dhe platiten në dritën e fundit dhe errësira bie sërish, saqë vërtet çmendesh prej bukurisë së mrekullueshme e të ndritshme të parashikimit të së ardhmes, pa pikën e komplikimit.

    Toni thoshte me vete: mund të jesh i trishtuar prej dëshirave, duke i dëbuar krejt nga jeta dhe të merresh me errësirën me dritë blu të errët të meditimit, që natyrisht është një trishtim më vete, ndoshta edhe prej frymës drithëruese që të tundon brenda paraparjes së të ardhmes, të ngjarjeve që të rrethojnë apo pritet të ndodhin tek akcili, bashkë me dëshirat, dëbuar nga jeta e tij. Për çdo gjë ai kish arritur të komunikonte mendërisht me të dashurën e tij, Janën:

    «E kemi fjalën për të panjohurat që na presin.» (Mendoi Toni dhe e shënoi në telefon. E diel. Ora 12.23.) «Mezi e përmbaja një valë të lehtë nervozizmi nga lodhja dhe as që doja t›ia dija që ai mendim është i panjohur.» (Mendoi Jana dhe e shënoi në telefon. E diel. Ora 12.28.) «Vetëm si qyq s’hahet drekë, apo jo?» (Mendoi Toni dhe e shënoi në telefon. E diel. Ora 12.33.) «Jo, mua për vete më pëlqen!» (Mendoi Jana dhe e shënoi në telefon. E diel. Ora 12.38.) «Zakonisht unë përgjoj natën me një ndjeshmëri prej ujku!» (Mendoi Toni dhe e shënoi në telefon. E diel. Ora 12.44.)… (Kur do të takoheshin do të këmbenin shënimet me njëri-tjetrin.)

    Ç›punë qenkej kjo e parashikimit? Toni mërzitej shpejt kur ishte pa Janën. Nuk shtyhet tërë kohën e perëndisë duke parashikuar të nesërmen. Punë e bukur por tepër e vështirë. Ndryshe mund t’i biesh kokës me grushte e të mallkosh ditën që ke lindur. Se ajo që parashohim flet me muret, përsëritet në të njëjtat parafytyrime vend e pa vend dhe ngatërrohen punët bëhen lëmsh. Një hata që shtohet e shtohet nga sekonda në sekondë dhe njerëzit rrinë zgjuar, ose flenë me sy hapur. Parashikimet janë si ëndrrat, kapërcejnë detin, shkapërderdhet qiell e tokë bashkë, vegime të pamundura, flet me gjuhë të pabesueshme, hingëllin në kasollet që bëhen auditorë, jep alarme, bën luftë me viganët e mëdhenj, fluturon në skena cirku, bën vokalica me tinguj zërash të padëgjuar kurrë, u jep të puthura dashnoreve që s’i ke pasur kurrë, por ama ai që dashuron e ka të shkruar në ballë…

    – Ky shpik, i ziu, po kur flet për vendet që s’i ka parë, prapëseprapë të vështirë e ka…

    – Ashtu më vjen. E ndjej… Edhe e nesërmja vetë është një vend që s’e ke parë.

    – E po me atë që s’ka ndodhur nuk flasim dot, apo jo?

    – Flasim sot dhe dëgjohemi ditën që e kemi lënë…

    – E kujt i ngjan kjo?

    – Yjeve të shuar që na vijnë pas miliona vitesh…

    – Epo…., ne atëherë nuk do të jemi…

    – S’ka gjë. E shkruajmë në letër, vëmë emrat tanë, e vendosim në shishe plastike, se këto rrojnë mijëra vite!) dhe e hedhim në det. Pas asaj kohe të gjatë dikush i asaj ere të largët do ta gjejë shishen dhe do ta lexojë shënimin tonë… Gjë e bukur…

    2.

    Përsëri e njëjta gjë. Rri e mendoj. Femra dhe reklama lëbyrëse. Mendohem thellë, thith ajër të freskët nate dhe teshtij. E di, të gjitha të takojnë ty, e dashur. Po ja që unë jam gatuar ndryshe. E përhapëm vetë namin e fallit dhe hajt përmbaje tani. Se falli parashikim është. Ç’do të bëhet, se ç’është bërë e dimë. Si premtimet e mia, po të mos i kisha thënë, do të qenë ndryshe parashikime, e shtrenjta ime! Pas realizimit të atyre që të kam premtuar ti më fal një buzëqeshje.

    – Mjafton gruaja e parë, këshilltare, që do t’i bësh autopsinë e parashikimit, Toni!

    – Ia kam frikën këtij përqendrimi, se mos e përpij, – u përgjigj ai duke qeshur.

    – E kemi fjalën sa ujë do të pijë parashikimi…

    – Epo këtu do të ketë vend edhe plani im dhe kështu bëhet politike.

    – Pak fjalë, siç bëjnë arixheshkat…

    – Të njoftoi këshilltarja, apo ende jo? E kërkoi vetë, këtu në fshat?

    – Siç e lamë, këtu në fshat! Ka të bëjë edhe mjedisi frymëzues. Se parashikimi do frymëzim. Unë të kuptoj mirëfilli. Pooo, cili qenka plani yt? Ai, politiku, de!

    – Nuk thuhet, përndryshe filmi digjet. Mirë?

    – Bukuri. Ashtu të bëhet. Unë aty do të jem pas gardhit. Se mos e bën si me vjehrrin e Dakut, Breshko beun nga Ferrasi, që, me të qeshur, me të ngjeshur, ia nxore lakrat sheshit…

    – Jo, pa merak, Jana. Dhe mos harro këshilltare dhe jo këshilltar. Më tepër se kaq: këshilltare ministri… Numri i tyre është gjigant…

    Kur Toni i përmendte emrin, do të ishte sinjal, paralajmërim. Boll. Lëre me kaq. Dhe përsëri u krodh në të thella. Ishte hera e parë që vepronte ashtu. Vret më shumë, thjesht me pambuk. Mirëpo një burrë i fortë që e nxjerr arin prej gurit, që nuk e vë në kandar moralin, s’ka pse merret me të tilla plane. Troç. Saktë. Prerë. Tri fjali. E ardhmja me një sy që nuk i dridhet qerpiku. Zbërthim në faktorë. «Se dashuria s’ka moral po vetëm pasion të verbër…» shkruan poeti. Fjalia e parë një ngatërresë e paqartë. Fjalia e dytë synimi i fshehtë i asaj që do parashikohet, fati i saj i madh, miliona euro në dorën e saj. Fjalia e tretë: mbulesa. Letër karameleje… Unë e di se ç’them e ç’bëj. I di të gjitha ato që kanë planifikuar fondet e Bashkimit Evropian për fshatin dhe bujqësinë, prandaj dhe parashikimi, falli, hidhet në fshat. Tri fjali, tri shtylla mbështetëse që mbajnë në këmbë historinë e bukur të së ardhmes…

    E nesërmja erdhi shpejt dhe pa u ndjerë. E zonja e bujtinës ku po kalonin ato ditë, ishte marrë vesh që më parë se çfarë u pëlqente të hanin në mëngjes. Toni pëlqente një kupë verë mjalti dhe një shkurtë. Bujtina e saj rriste shkurta dhe thëllëza. Vezët pikaloshe ishin një mahni gatimi. E zonja e bujtinës i ngjyente shkurtat me mjaltë dhe ato krijonin pamje spektakulare. Aty sikur gatuhej zemërgjerësia e mëshirës. Është pikërisht kjo ndjesi që s’të lë të turpërohesh…

    Matanë kasolles u dëgjua zilja e celularit të Janës. Dhe biseda e saj me përgjigje të shkurtra. Po mbërrinte këshilltarja. E di që kjo këshilltare i ka sytë disi të turbullt? Sigurisht që e di. Sy më sy bëhet analiza dhe sinteza bashkë. Aty vritet gjahu. Pastaj korr e mos lidh. Jo! Korr edhe lidh. Fjalët e tepërta janë fukarallëk. Ndjesi e fortë. Mendimi i shkurtër godet në shenjë…

    Takimi ndodhi siç qe parashikuar. E pa fort. Ajo u rrëqeth dhe ai e ndjeu.

    Ai: Mirë se erdhe!

    Ajo: Përshëndetje!

    Ai: S’dua ta vras mendjen si ndodh kjo që do të them, por ajo që do të shoh në sytë e tu. Sy të kthjellët fare. Sy që shohin dhe e kapin mendimin që rreh larg. Unë do të them ç’shoh. Do përcaktojmë, me marrëveshje fjale: ana sentimentale, e pasurisë apo e profesionit, e begraundit?

    Ajo: E pasurisë. Më pëlqen.

    Në të vërtetë ai e kishte menduar të thurur me kujdes se do të thoshte të njëjtat gjëra për të projektuar atë që do të ndodhte, veshur me rrobat e interesit të saj.

    Ai: Të gjitha janë rregulluar sipas mekanizmit të sahatit…

    Ajo: Ç’po sheh?

    Ai: Sytë e tu e shprehin hapur atë që do të ndodhë. Zot!… Çfarë pasurie shoh! Një hapësirë e pamasë! Para e madhe që vjen nga larg. Të huton. Siguri e madhe. Shtëpi fshati, stalla lopësh e viçash. Serra pa fund. Sy të mbuluar me parà. Fshatarët shohim ne padurim dhe janë krejt të hutuar. Ata që të duhen i krijon vetë. Dhe ujët kalon nën dyshek pa u ndjerë…

    Ajo: Si t’i kuptoj këto?

    Ai: Ashtu siç janë, një mrekulli.

    Ajo: Varen nga unë?

    Ai: Vetëm nga ti. Këtë e shprehin qartë sytë e tu. Nuk është dëshirë, por siguri. Ka për të ndodhur se s’bën! E shoh përqendrimin tënd të jashtëzakonshëm…

    «E kuptova», mendoi ajo dhe këmbët iu drodhën sikur ta kishte kapur sëmundja e tokës. Në të vërtetë ajo ishte në ethe, por jo nga e papritura. «Ato janë fondet e BE, por ky qyqari, nuk e di. S’ka si ta dijë…» Këshilltarja u ngrit. Mori të dhënat që duheshin, numrin e llogarisë së OJF-së së tyre dhe donte të hynte brenda në makinë, të cilën e mbante hapur një djalë i gjatë, shoqëruesi.

    – Jo, – i tha Jana, – ne nuk punojmë me numër llogarie. Nuk ua kemi kujt as nge dhe as borxh. Vetëm me parà në dorë…

    Si duket ata i kishin marrë masat. Shoqëruesi i la zarfin në dorë Janës.

    Sytë e këshilltares ishin zmadhuar aq sa s’mbanin më dhe drita e fshehur e ndriçonte të tërën, me një tymnajë të kaltër si një harresë fenomenale. Ashtu ndodhi, siç e kishin parashikuar, ndërsa Toni mezi e përmbante veten nën efektin e një zhgënjimi trullosës.

    Më në fund u ulën në tryezë dhe hëngrën ato që u bujti e zonja e bujtinës. Qeshnin, llafosnin për hallet e fshatit me të, më the e të thashë, si njerëz që e ndjeni dhe e kuptonin njëri-tjetrin…

    Zonja e bujtinës i tha Tonit një falemnderit (dhe jo faleminderit) po sytë nuk iu zmadhuan me atë dritën e këshilltares. Mos duhet t’i parashtronte edhe asaj të ardhmen. Gratë vdesin për një çikë paraparje fati, që ua zgjon zemrën nga dremka. Ai nuk mund të harronte që gratë duan gjithnjë e më shumë vëmendje të ëmbël, se ende duan të shtyhen pafund gjer në infinit…

    Ra celulari i Janës.

    – Kush ishte?

    – Një deputet i shumicës, – pëshpëriti ajo.

    – Po, më ngjan se funksionoi…

    Kështu kaloi dimri. Një nga një këshilltarët e panumërt, pararendësit e ministrave dhe deputetëve ranë në rrjetën e Tonit. Ai nuk i shtyu, nuk i trazoi për ndjenjat rreth liderit, por u mor me parashikimet e fatit. Asgjë. Një parashikim shtatëqind mijë lekë të reja. Në dorë. Në pranverë pritej edhe shpërthim i lëngjeve të pemëve, por edhe shpërthim social…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË