Së fundmi doli nga shtypi libri me tregime i shkrimtarit Stefan Çapaliku “Tregimet e tranzicionit”. Shoqëria shqiptare ka kohë që sillet brenda një qarku të mbyllur. Fjala “tranzicion” është në gojën e çdo shqiptari. Tashmë prej vitesh jemi një shoqëri në tranzicion.Tranzicioni ynë ngjason me një agoni të gjatë, të gjatë…
Në libër pasqyrohet individi shqiptar, dëshirat, ëndrrrat, pamundësitë, bjerrjet e kota, dyshimet, dështimet, shkurt, rrugëtimi i tij përgjatë tranzicionit. Personazhet e Çapalikut janë njerëz të thjeshtë, ata bartin brenda vetes një mori ndjenjash, emocionesh. Me sjellje e vese hera – herës të pashpjegueshme, personazhet e autorit plotësojnë mozaikun shumëngjyrësh të periudhës post komuniste.
Libri në fjalë, pra “Tregimet e tranzicionit” përmban dymbëdhjetë tregime dhe është i ndarë në tri pjesë:
a) libri i ëndërrimeve
b) libri i dyshimeve
c) libri i dështimeve
Në librin e ëndërrimeve janë përmbledhur gjashtë tregime të cilat lidhen me mendësinë, frikërat e pasojat që la pas diktatura. Por gjithashtu vihet re një lloj ndjenje ëndërrimtare e cila pothuajse gjithnjë përzihet me frikën nga e reja, e panjohura. Mund të përmendim frikën që mbillej që në fëmijëri për mjekët, policët, mësuesit. Tek një nga tregimet personazhi kryesor edhe pse është burrë dridhet kur ulet në kolltukun e dentistit, frikë kjo e mbetur që prej fëmijërisë.
“U tremba, u struka, u zvogëlova, s’di ç’ndodhi me mua, por që prej atij çasti unë s’isha”.
“Shitja” e individit nëpër shoqata, organizata, është tregues i mendësisë komuniste. Nëse e shisje veten tek partia kishe privilegje. Pas rënies së diktaturës njerëzit u “shitën” si mall shumice dhe merrnin pjesë nëpër protesta në këmbim të ushqimeve apo parave. Edhe këtu shihet një dëshirë për ndryshim, përqafimi i së resë, në këtë rast i shoqatave (më parë nuk kishte të tilla, pas komunizmit mbinë si kërpudhat pas shiut).
“E thënë troç, familja jonë u punësua ndër protesta dhe demostrata. Në protesta na jepnin lekë. Ngandonjëherë edhe mall, si puna e thasëve me miell, makaronave, sheqer, vaj, shkrepse, etj por ne preferonim lekë”.
Me daljen e vendit nga sistemi komunist njerëzit u prirën drejt “ëndërrimit” të gjërave që gjatë diktaturës nuk i kishin shijuar. Mbizotëronte një etje e madhe për të përpirë gjithçka që kishte qenë e ndaluar deri më atëherë. Në tregimin “Eros dhe Thanatos” del në pah kjo etje e veçanërisht etja seksuale. PP-ja, personazhi i tregimit në fjalë, me një kamer të dhuruar nga kushërinjtë filmonte çdo gjë. I lindi idea të hapte një videotekë dhe ishte i bindur që punët do i shkonin vaj pikërisht se njerëzit kishin “uri”.
“Ajo që kishte vënë re lehtësisht PP nga periudha e shkurtë e pasizolimit ishte se njerëzit kishin uri për gjithçka, e posaçërisht thellë – thellë vetes së tyre fshihnin urinë seksuale”.
E pra pas komunizmit lulëzuan një sërë aktivitetesh që kishin qenë të ndaluara më parë, e që për fatin e mirë të “ideatorëve” babëzia e popullit ishte në përmasa të tilla që mund të gllabëronin gjithçka, pa e përtypur. Ishte e pabesueshme liria e shprehjes, mendimit, veprimit që individi “fitoi” në post komunizëm e kjo solli me vete “hapjen” e madhe.
– Libri i dyshimeve
Në librin e dyshimeve përfshihen katër tregime. Pas rënies së diktaturës njerëzit të frikur, të shuar nga ajo që kishin kaluar dyshonin edhe tek vetja. Në tregimet në fjalë lexuesi përballet me boshllëkun, dyshimin, zbrazëtinë, mungesën e guximit. Personazhet e Çapalikut janë individë të bjerrur që thellë i tremben dhe hijes së tyre. Në tregimin “Zhurmat e katit sipër” personazhi kryesor dëgjon për çdo natë zhurma nga fqinji i tij që banon lart. Mirëpo kur e pyet se çfarë zhurmash janë ato, fqinji i thotë se nuk ka asnjë lidhje me zhurmat që ai dëgjon. Krimbi i dyshimit e çon personazhin te apartamenti i fqinjit. Boshësia, qetësia e zbrazëtia që mbizotëronte atje e frikësuan burrin. E pra, dyshimi mbeti, zhurma apo jo, zbrazëtia e apartamentit përçoi te personazhi frikë dhe mbolli dyshim.
Mungesa e guximit është një element që mbështjell kryq e tërthor tregimin me titull “Vetëvrasja e mbasdites”. Gjergj Mbasditja, personazhi kyç i tregimit, në rininë e tij kish dashuruar Anën, një shoqe shkolle. Gjergji kishte një cen, i merrej pak goja dhe kjo e kish bërë të pashoqërueshëm dhe vetmitar. Anës nuk i tha kurrë se e donte. Dyshonte se shoku i tij Viktori kishte përparuar në lidhje me Anën. Ky dyshim iu rikthye vite më vonë kur nga ballkoni pa Viktorin me të shoqen e fëmijët tek parku i lojërave. Tortura që i shkaktoi dyshimi i vjetër, bëri që Gjergji të “sajonte” me mendje një film të tërë. Krimbi i dyshimit i bren personazhet deri sa i asgjëson së brendshmi
Pikën kulmore “Libri i dyshimeve” e arrin me tregimin “Po sikur të kem qenë spijun?!”. Tregimi është shkruar në vetë të parë dhe subjekti, në dukje është i thjeshtë. Personazhi po aplikon për një vend pune dhe i duhet të plotësojë një formular ku deklaron se nuk ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit gjatë diktaturës.Tema e bashkëpunimit me regjimin është një nga ato temat e nxehta që djegin në çdo kohë e veçanërisht gjatë tranzicionit. Personazhit i lind keqas dyshimi nëse ka qenë spiun (ndoshta pa e ditur fare) e mbase ka qenë i survejuar e sërish nuk e ka ditur.
Autori heq një paralelizëm mes vendit tonë dhe Çekisë, aty ish-spiunët kryenin një katarsis kolektiv gjë që tek ne nuk ka ndodhur.
“Kur isha në Pragë, si student pasuniversitar më 1993, dëgjoheshin gjithfarë lajmesh, për njerëz që thërrisnin me të madhe nëpër kishat e Çekisë se kishin qenë spiunë. Kjo ndodhte kryesisht të dielave dhe më së shumti në kishat e fshatrave dhe qytezave periferike. Aso kohe shihej qartë se po ndodhte një katarsis kolektiv. Ata gjenin vendin më të përshtatshëm për t’u rrëfyer dhe për të kërkuar falje në sy të të gjithëve. Kishte prej atyre që kërkonin dhe ndëshkim”.
Takimi i personazhit me një mik i cili i rrëfen rastin e një piktori që doli spiun pa e pasë ditur e shton ankthin dhe dyshimin. E pra siç e thotë dhe vetë personazhi: “Po jetojmë kohë të mbrapshta”.
– Libri i dështimeve
Përmban vetëm dy tregime dhe në thelb të tyre qëndron dështimi. Është fjala për dështimin si individ, si shoqëri, dështimi në të gjitha format. Të dy tregimet përveçse lidhen me dështimin lidhen në mënyrë direkte edhe me vdekjen. Tregimi “Ditëlindja e fundit” ngërthen një mori personazhesh të cilët në një farë mënyre kanë dështuar në jetët e tyre. Futja e një qenieje të abortuar, një individi të pafaj por të dështuar nënkupton dështimin madhor, atë që ne si shoqëri e ndjejmë dhe kultivojmë dita-ditës.
Ai është një fëmijë i abortuar, një dështim. Polici Marin Shkurti që merret me çështjen e Tij është një individ po aq i dështuar. I divorcuar, me një djalë të vogël, ai humbet punën, detyrohet ta dërgojë të birin tek e shoqja dhe përfundon duke ia hequr vetes me revolverin e vjedhur në depon e policisë.
Grupi i pseudo shkrimtarëve, artistëve që mblidhen te bar “Lux” dhe bjerrin ditën me “mendime filozofike” janë po aq të dështuar.
Mark Bashkia, prokuror, narcizist, bashkë me të shoqen Liza Kopin, pedagoge, kanë zgjedhur të mos sjellin fëmijë në jetë. Zbulimi i fëmijës së abortuar e çon Markun në polici për ta parë. Dhe tek tiparet e fëmijës sheh Lizën. Bindet se është fëmija që ata abortuan para disa muajsh. Të dy vendosin ta adoptojnë dhe ashtu ndodh. Njerëzit nga kurioziteti dynden të vizitojnë shtëpinë e Markut dhe Lizës. Të gjithë duan të shohin Atë, të abortuarin.
Kulmi i vizitave arrin kur grupi i pseudove shkon te shtëpia e Markut për të njohur djalin. Sipas llogaritjeve të tyre Ai e ka datëlindjen më 10 gusht. Ata ja behin më 20 gusht bashkë me urimet më të mira për datëlindjen e Tij. Bash kur kërkojnë të dinë nëse i kanë vënë emër, Ai shkëputet prej tyre dhe zhduket.
“Unë u tregova i sinqertë me ju kur ju thashë pak më parë se nuk kam as emër, as ditëlindje dhe natyrisht as vendlindje. Mos u çuditni. Ju jeni i pari që po mësoni prej meje se unë jam një njeri, ose diçka e tillë, i abortuar, domethënë i dështuar”.
E pra, individi, shoqëria jonë po jeton ende tranzicionin që duket e kemi me merak ta zgjasim sa më shumë. Dhe dihet se kjo gjendje “midis” na çon drejt një destinacioni : dështimit.