More
    KreuLetërsiShënime mbi libraXheni Shehaj: “Dita e Opriçnjikut” marrosje shkrimtari apo një e ardhme e...

    Xheni Shehaj: “Dita e Opriçnjikut” marrosje shkrimtari apo një e ardhme e afërt?

    Shkrimtarëve hera-herës u vishet një dhunti profetike.Të shkruash për situata a eksperienca të jetuara, njerëz që njeh, është diçka e kuptueshme. Por ta lejosh mendjen të endet e lirë në fluturimin drejt imagjinatës rezulton jo vetëm e vështirë, e lodhshme por edhe e rrezikshme. Nuk janë të pakta rastet kur shkrimtarët kanë shkruar gjithë ç’kanë imagjinuar e për këtë kanë paguar një haraç jo të vogël. Disave iu është ndaluar e drejta e botimit, disave iu janë bllokuar veprat, disave iu janë djegur, grisur, të tjerë janë anatemuar e është ndaluar t’u përmendet emri. E megjithatë lexuesit kanë ditur të vlerësojnë vepra të tilla si: 1984, 451 Fahrenhajt, etj. Vepra që gati-gati mund t’i quash profetike.

    Një roman që afron në frymë me dy veprat e sipërpërmendura është edhe “Dita e opriçnjikut”. Ky roman distopik i shkrimtarit Vladimir Sorokin shpërfaq panoramën e Rusisë së vitit 2027 ku regjimi i vendosur është përqëndruar i gjithi në duart e Sundimtarit. Sipas Sorokinit, Rusia e vitit 2027 ka ndërtuar një shtet të atillë që e izolon nga pjesa tjetër e botës. Përmes alegorisë së Murit të Madh Kinez autori krijon Murin Rus, i cili e mbyll vendin e njëkohësisht e mbron nga armiqtë e jashtëm.

    Romani hapet me një ëndërr që përsëritet. Personazhi kryesor, Andrej Danjilloviç Komjaga, pjesë e vëllazërisë së Opriçnjikut, sheh shpesh në ëndërr një kalë të bardhë, i cili vrapon, ikën dhe ai e ndjen që nuk e arrin dot. I njëjti kalë, i bardhë, që vrapon e ikën larg nëpër stepën ruse, shfaqet edhe në fund të romanit. Komjaga, në gjendje të dehur flet përçart për kalin e bardhë. Por kësaj here kali është prej sheqeri, dhe sheqeri shkrihet. Autori aludon kështu për shkrirjen e Vëllazërisë së Opriçnjikut. Dhe fundi vjen në veprën “Kremlini prej sheqeri” në rrëfimin e fundit të titulluar “Rrënimi”.

    Por përpara se të arrijmë tek fundi duhet të bëjmë një ndalesë për të analizuar strukturën e organizuar të pushtetit totalitar si dhe atë të opriçnjikasve. Ashtu si çdo diktaturë, Sundimtari i Sorokinit mban në kontroll gjithçka. Ku përmes forcës, ku përmes propagandës, ai arrin me ndihmën e besnikëve të pushtetit të mbajë një Rusi të tërë nën vete.

    – Sundimtari kontrollon gjithçka

    Individi është në shenjestër dhe mbahet nën vëzhgim vazhdimisht. Sundimtari di gjithçka për këdo. Komjaga teksa niset në një udhëtim pune kalon në kontrollin e aeroportit. Mjafton vendosja e dorës së tij të djathtë në një aparaturë dhe aty shfaqet çdo gjë që ka lidhje me të.

    “Vë dorën e djathtë te drejtkëndëshi prej qelqi. Në ajrin me aromën e rrëshirës së pishës varet e gjithë jeta ime: viti i lindjes, grada, vendi i banimit, gjendja civile, përshkrimi, zakonet, veçoritë trupore dhe shpirtërore – nishanet, sëmundjet, gjendja psikike, thelbi i karakterit, parapëlqimet, paragjykimet, përmasat e gjymtyrëve dhe organeve. “Transparencë në gjithçka”, sikurse thotë sundimtari ynë.”

    Kultura, dhe jo vetëm, gjithashtu kontrollohet imtësisht. E në këtë pikë ndërlidhet edhe propaganda që pushteti bën përmes nacionalizmit e fesë. Në një koncert që do të mbahet Komjaga ka shkuar në prova për të inspektuar programin. Programi përmban këngë për Rusinë, për Sundimtarin, pjesë historike si dhe pjesë të tjera të cilat shihen e rishihen për elemente të jashtme, dekadente. Pushteti propagandon përmes nacionalizmit. Në Rusinë e 2027 gjen prodhime ruse, emërtime ruse, të tilla si: paketë “Atdheu”; duhan “Rusia”; lëng mështekne “Esenin”; hotel “Moskva”; hotel “Nacional”; vëllazëria ndërtuese “Sipërmarrësi moskovit”; ndërmarrja “Tulla moskovite”; gazeta “Rusia”, etj.

    Opriçnjikasit kanë pësuar shpëlarje truri në të tillë gradë sa që edhe kur drogohen (për shkak të punës së rëndë që kanë) ata shohin ëndrra kolektive. Shtatë persona të droguar, e njëjta ëndërr a haluçinacion. Propagandimi për Rusinë e pamposhtur dhe fitoren e padiskutueshme mbi armiqtë e saj ka lëshuar rrënjë edhe në ëndrrat e opriçnjikasve. Edhe pse nën efektin e drogës, Komjaga dhe miqtë e tij shohin në ëndërr, në të njëjtën ëndërr, sikur shkatërrojnë kontinentet, sikur mposhtin Perëndimin, Amerikën e gjithë armiqtë e hamendësuar. Propaganda ruse rezulton aq e fuqishme sa ka arritur të modifikojë mendjet e njerëzve në pikën që arrijnë të mendojnë se janë më të denjët, më të fuqishmit.

    Një regjim absolut si ai i Rusisë së 2027 i ka veshur me pushtet besnikët e saj. E për t’ia lehtësuar punën i ka shenjuar ata me disa shenja karakteristike të cilat luajnë rol identifikues.

    – Elementet identifikues të opriçnjikasve

    Vëllazëria e Opriçnjikut paraqitet si një strukturë e mirëorganizuar. Në krye është kryetari, Batja, i fuqishmi, i cili mbante një anëtar në të djathtë, një në të majtë. Më pas vinin të tjerët të rreshtuar djathtas e majtas sipas rëndësisë. Opriçnjikasit dalloheshin pasi mbanin:

    – një vath floriri, këmbanëz pa gjuhë: këmbana nënkupton sinjalizimin, rënien e alarmit, të qenit gati dhe opriçnjikasit duhet të ishin përherë gati. Mungesa e gjuhëzës ka kuptimin e heshtjes, urdhri që jepet nuk diskutohet.

    – në parakolpin e makinave të anëtarëve të vëllazërisë vihej një kokë qeni. Simbolika e qenit lidhet me besnikërinë por edhe me ruajtjen: qeni si ruajtësi i shtëpisë, i stanit, njësoj si Cerberi në portat e ferrit. Po qeni i Komjagës çfarë ruan në pjesën e përparme të makinës? Në këtë rast qeni ka dy detyra: identifikon (tregon) praninë dhe përkatësinë e të zotit përpara njerëzve si dhe tregon besnikëri ndaj regjimit.

    – vula; në dorën e majtë, në pëllëmbë, nën lëkurë gjendet Vula. Atë e mbajnë vetëm 12 opriçnjikas dhe do të thotë se ata në mungesë të të Parit kanë fuqi të plotë. Mënyra se si përshkruhet vendndodhja e vulës të krijon idenë se kemi të bëjmë me një çip nën lëkurë.

    – korsia e opriçnjikasve; Në rrugët e vendit, Sorokini ka lënë korsinë e majtë, të kuqe për Opriçnjkun. Vihet re aludimi për një Rusi komuniste (të majtë, të kuqe) përmes simbolit të rrugës.

    Nuk mungojnë çomangat që ngulen në dyert e çifligjeve apo fshesat që fshijnë gjurmët e armiqve kur këta të fundit bëjnë rrugën deri tek litari. Përdoruesit e fshesave janë të bindur se po fshijnë gjurmët e fundit të pranisë së armiqve në territorin e vendit.

    Përveç shenjave që bëjnë të mundur identifikimin e pranisë së Opriçnjikut, Sundimtari kishte zhvilluar teknologjinë në një dimension të tillë që jo vetëm t’u lehtësohej puna shërbyesve të tij por dhe të kontrollohej gjithçka. Mobilloja që përdornin anëtarët e Opriçnjikës kishte si zile regjistrimin e torturimit të një të burgosuri.

    Një goditje kamzhiku – një britmë.

    Përsëri një goditje – rënkim.

    Goditja tjetër – një grahmë.

    Edhe rendi i përdorur i ziles – torturë përkon kronologjikisht me fillimin e torturës, vijimin dhe fundin, vdekjen e të burgosurit. Autori përmend flluska informative, njerëz, që teksa je duke i dhënë makinës e kërkon të të këndojnë a të recitojnë që shfaqen befas në ekran dhe zbatojnë urdhërin. Flluska informative me lajme e njoftime të kujton “451 Fahrenhajt”. Për kërkimin e armiqve, ushtarët përdorin langoin zbulues, ndërsa për hajdutët shkopin elektrik.

    – Goditjet ndaj armiqve

    Çdo diktaturë në një nga fazat e fillimit të saj ka si pikë më vete goditjen e të ashtuquajturve “armiq të klasës”. Tek kjo kategori armiqsh futen familjet e mëdha, fisnikët, të pasurit, intelektualët që në fakt janë dhe grupimi më i rrezikshëm për një diktaturë. Është bashkimi i fuqisë ekonomike me fuqinë mendore. Historikisht ky grupim është shpronësuar, përndjekur, shkatërruar deri në asgjësim. Komjaga, që përveçse opriçnjikas është edhe rrëfyesi i ngjarjeve, sjell te lexuesi klimën e egër të goditjes së armiqve:

    “Ka vetëm pesë muaj që jetoj në të, por ndiej sikur kam lindur e jam rritur këtu. Më parë prona i përkiste ndihmëskambistit të Urdhrit të Financës. Kur, në kohën e Spastrimit të Madh të Financave, ai ra në fatkeqësi dhe u zhvesh, ra në duart tona. Asaj vere të nxehtë fluturuan shumë koka financierësh. Bobrovin me pesë bashkëpunëtorë të tij i shëtitën nëpër Moskë në kafaz hekuri, pastaj i rrahën me purteka dhe u prenë kokën në Llobnoje. Gjysmën e financierëve e dëbuan nga Moska përtej Uralit. Atëherë, Porohovin, sipas urdhrit, në fillim ia rrasën turirin në plehra, pastaj ia mbushën gojën me kartëmonedha, ia qepën, i ngulën një qiri të ndezur në prapanicë dhe e varën në portat e çifligut.”

    Fisnikët torturoheshin e më pas vriteshin. Gratë e armiqve përdhunoheshin në grup ndërsa fëmijët i merrte në kujdestari shteti. Me këtë mënyrë veprimi pushteti përmes besnikëve të tij siguronte eleminimin e armikut, ngjizjen e qytetarëve të rinj (gjatë përdhunimit të grave) përmes farës ariane, të pastër e të denjë si dhe brumosjen e fëmijëve ekzistues me ligjet e propagandën ruse.

    “Fisnikut i lidhim duart menjëherë, në gojë një shuk, kurse gruan… me gruan duhet sjellë në mënyrë më gazmore. Është e ëmbël të lesh farën tënde në barkun e gruas së armikut të shtetit. Fëmijët ne nuk i ngasim. Jo, jo, përveç kur urdhri është të shtypet me gjithsej. I kapin tanët fëmijët që këlthasin, si thëllëza, i marrin nën sqetull, i largojnë. Atje, jashtë, ka ardhur ndërkohë prej strehës së jetimëve me autobusin e tij të verdhë tagrambledhësi çalaman Averjan Trofimoviç. I rregullon ai të vegjëlit, si lë të shkojnë dëm, do t’i rrisë qytetarë të ndershëm të vendit të tyre.”

    Komjaga dhe miqtë e tij opriçnjikas marrin pjesë në vrasjen e çifligarit Ivan Ivaniç, djegien e shtëpisë, përdhunimin e gruas së tij dhe në largimin e fëmijëve. Në një vend normal, për mendje normale këto veprime do të konsideroheshin krime. Mirëpo në Rusisë totalitare, këto sjellje janë brenda normës madje është e udhës që zbatuesit e urdhrave të Sundimtarit të heqin stresin me mënyra të ndryshme por dhe të frekuentojnë kishat pasi vetë Zoti i ka bekuar duke i vënë mëkëmbës të tij në tokë.

    – Lidhja e pushtetit me fenë

    Feja kurdoherë është përdorur dhe ka përdorur njerëz, situata, regjime. Ka ekzistuar përherë një lidhje e ngushtë mes palëve e cila jo pak herë ka sjellë gjak, trazira, shkatërrime. “Në emër të Zotit” është përdorur sa herë u ka volitur dy palëve për të nënshtruar e përçarë. E natyrisht që nuk mund ti shpëtonte vëmendjes së Sorokinit ky binom shkatërrues.

    Shkrimtari ka ndërthurur në roman pushtetin dhe fenë. Përmes satirës, ironisë së hollë e paradoksalizmit ai tregon se si njerëz që vrasin, përdhunojnë, grabisin njëkohësisht shkojnë në kishë e i luten Zotit. Këtë bëjnë dhe opriçnjikasit. Ata besojnë, luten, shkojnë në kishë. Këtë bën dhe Sundimtari, i cili nuk ngurron të japë urdhëra për të shuar familje fisnikësh, bojarësh a njerëzish që mendojnë ndryshe. Por cilit Zot i lutet Sundimtari dhe garda e tij? Pas krimeve të kryera, Komjaga dhe shokët e tij shkojnë të luten.

    “Në Katedralen Unspenskij, si gjithmonë, është errët, ngrohtë dhe një atmosferë solemne. Ne, e gjithë Opriçnjina moskovite, rrimë në këmbë me rradhë të ngjeshura. Bëjmë kryq dhe përkulemi. Lutem tek ikona ime e parapëlqyer – Syri i Egër i Shpëtimtarit, – dridhem përpara syve të egërsuar të Shpëtimtarit tonë. Nga sytë e tij marr një forcë të rreptë për luftë, forcoj shpirtin tim, edukoj karakterin. Grumbulloj urrejtje për armiqtë. Mpreh arsyen dhe logjikën.”

    Sorokin ka bërë një gërshetim mes besimit të palëkundur, ritualeve dhe supersticioneve. Komjaga dhe shokët e tij besojnë verbërisht tek Sundimtari, tek pushteti i tij dhe mënyra se si e qeveris vendin dhe zbatojnë çdo urdhër që u jepet. Nga ana tjetër, ata besojnë edhe në Zot, e njëkohësisht kryejnë rituale që bien ndesh me urdhëresat e Zotit. Satira e autorit shoqëron gjatë gjithë kohës personazhet e librit, zakonet dhe sjelljet e tyre. Si mundet që një njeri të sillet e të veprojë në të atillë mënyrë që një veprim përjashton tjetrin. Pra, si mundet që një njeri të jetë supersticioz, të besojë në Zot dhe të zbatojë urdhëra vrasjesh, grabitjesh e përdhunimesh???

    Komjaga ishte supersticioz dhe pranon se nuk dilte për punë pa lutjen e qëndisur me ar në një shirit të zi “Kush jeton nën mbrojtjen e të Plotfuqishmit”. Komjaga teksa mbante shiritin me lutjen e qëndisur, vriste, bastiste, digjte, përdhunonte. Pastaj shkonte në Kishë e lutej. Më pas drogohej me peshq të artë të ardhur nga Kina (aludohet për një lloj droge, e cila gjendej me vështirësi) e në fund merrte pjesë në një ritual të quajtur zinxhir. Të gjithë anëtarët e Opriçnjikut konsiderosheshin hallka të cilat përbënin zinxhirin. Ata mblidheshin dhe bashkoheshin me njëri-tjetrin duke formuar zinxhirin.

    “Pleksemi në përqafime vëllazërore. Duar të fuqishme rrokin trupa të fuqishëm. Puthim njëri-tjetrin në buzë. Me puthje ndezim dhe përshëndesim njëri-tjetrin. Sipas ligjit të Vëllazërisë krahu i majtë dhe ai i djathtë alternohen e më tej radhitet rinia. Montohet, lidhet zinxhiri opriçnjikas. Rënkojnë dhe hungërojnë pas meje. U tendosën krahët muskulozë, u zgjeruan flegrat djaloshare, hungëritën opriçnjikët. Ka ardhur koha e punës së ëmbël. Dhe ja vjen ajo e shumëpritura: një dridhje kalon nëpër gjithë zinxhirin. E papërshkrueshme. Prandaj është kaq hyjnore.”

    Komjaga dhe anëtarët e vëllazërisë bashkohen me njëri-tjetrin. Dikur, thotë ai, punonim në çifte gjë që mund të shkaktonte edhe çrregullime e pakënaqësi. Rregulli është ndryshuar dhe nga puna në çifte, bashkimi seksual është kthyer në punë grupi ose siç thotë Komjaga: “Bashkë punojmë, bashkë edhe kënaqemi”.

    Romani “Dita e Opriçnjikut” mbyllet me Komjagën në gjendje të dehur të cilit i kujtohet kali i bardhë që vrapon. Autori e rimerr personazhin e opriçnjikasit Komjagë në librin “Kremlini prej sheqeri”. Ka kaluar një vit nga Rusia e 2027-ës. Sundimtari, si dhuratë Krishtlindjesh ka përgatitur lëpirëse prej sheqeri në formën e Kremlinit. Kjo lëpirëse kremlinase bie në duart e shumë personazheve që Sorokini i ravijëzon përgjatë veprës. Komjaga shfaqet në tregimin e fundit të titulluar “Rrënimi”. Titulli si dhe hapja e tregimit rrëfejnë për rrënimin, përmbysjen e pushtetin, më saktë rrënimin e vëllazërisë.

    “Errësira e verbër gri e agut vjeshtor kish përfshirë skajin e autostradës së Jarosllavskut.”

    Errësira, verbëria, grija, atmosfera vjeshtore paralajmërojnë një ndryshim klime. Komjaga shfaqet i shqetësuar teksa shkon në shtëpinë e Kubasovit, për të biseduar. Batjan e kanë arrestuar dhe Vëllazëria duket në rrezik. Besnikët e dikurshëm të Sundimtarit nuk janë më në pozita të mira. Re të zeza sillen mbi kokat e ushtarëve të dikurshëm. Duke nuhatur rrezikun, Komjaga nxiton të mësojë më shumë për hapat e radhës së Sundimtarit. Tashmë, i besuari i tij është Kubasovi. Ndaj ai ngutet të flasë me të.

    Komjaga e ka kuptuar se Sundimtari po përgatit një terren të ri, se shpejt do të heqë nga qarkullimi kastën e vjetër e të përdorur për ti dhënë zë e shkop një grupimi tjetër. Kubasovi fillimisht duket i pashqetësuar. Por prania e Komjagës e bën agresiv. Ai e mbërthen për fyti dhe as tringëllima e vathit të artë opriçnjikas (dikur shenjë e fuqisë, tashmë tringëllimë e parëndësishme çka tregon rënie e zhvlerësim të vëllazërisë) nuk e bën që ta lëshojë. 

    Komjaga kërkon të dijë medoemos se çfarë i tha Sundimtari Kubasovit. Ky i fundit ende pa nisur punën në radhët e besnikëve të pushtetit ka filluar të drogohet. Ashtu i droguar e nervoz shan Sundimtarin dhe minjtë e tjerë. Por Komjaga duhet të dijë fjalët e të Madhit, kërkon të kuptojë si do zhvillohen ngjarjet pasi ai e di se:

    “Nesër do të jetojmë në një vend tjetër. Nesër do të jetë vonë. Një fshesë të re po përgatit Sundimtari. Dhe fijet e saj janë ku e ku më të dendura.”

    Kubasovi, qetësisht, pa fjalë, merr mauzerin dhe ia numëron në ballë Komjagës. E fill pas tij, shkërmoq mbi qilim Kremlinin prej sheqeri, dhuratë Krishtlindjesh prej Sundimtarit. Kali i bardhë i Komjagës, kali i bardhë prej sheqeri shënjon edhe rënien, përmbysjen, vdekjen. Vdekja e Komjagës përkon me divizën e tij: “Iu fute një pune, mos thuaj s’kam fuqi. Dhe, po shtrive krahun, pri!”

    Ashtu si Komjaga dikur çonte punët deri në fund, ashtu dhe Kubasovi duke përdorur diviziën e tij “Mos i prek kufijtë e përjetshëm!” mbylli rrethin. Sepse tashmë kishte ardhur koha e Kubasovit dhe njerëzve të tij. Çdo diktaturë, ndjek një linjë të caktuar dhe kufijtë e vendosur (në këtë rast, zëvendësimi i një grupi pasi është përdorur me një tjetër) duhen respektuar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË