Mira Meksi, e njohur si prozatore e dëshmuar dhe përkthyese e shquar, sidomos për përzgjedhjen e veprave dhe autorëve të njohur botëror, fituese e shumë çmimeve letrare kombëtare e ndërkombëtare, e mbi të gjitha, fituese e numrit të madh lexuesish, që ia bëjnë edhe më të begatë e të pavdekshme fjalën e saj artistike dhe veprat e shumta të botuara, tashmë. E pranishme prej dekadash në jetën letrare me krijimtarinë e saj, ka lëruar prozën romanore, tregimin, novelën, etj. që të gjitha me përkushtim e pedanteri krijuese, duke skalitur kështu portrete e ngjarje nga më të veçantat nëpër periudha të ndryshme historike, etj.
Perifrazime tematike që sfidojnë
Syzheu i novelës “Pa zemër në kraharor” përcaktor tematik ka “temën delikate” të dy të rinjëve: piktores tridhjetëvjeçare, e cila simbolikisht do ta varros dashurinë e motrës së saj, duke ia marrë të dashurin, Gentin, të cilët pastaj do të shembnin “moralin hipokrit të një shoqërie që ishte lëshuar në një shthurje morale nga më të ethshmet,…” (po aty, fq.22). Kryesisht mbi bazën e këtij qëndrimi ndërtohet gjithë fabula e novelës. Një fragment nga dialogimi i dy personazheve do të perifrazonte plotësisht tematikën që trajtohet në novelë, duke stigmatizuar bindshëm dukuritë e shoqërisë prej kohësh, që nganjëherë dijnë të shfaqen edhe në kohën që po jetojmë, pa mos u treguar të mëshirshme për pasojat dhe çthurjen e lirisë së njeriut dhe përpjekjet e parreshtura të prekjes së synimeve vetanake, qoftë edhe përtej tradhtisë (marrja e dashnorit, motrës së vet).
“- Me sa gjykoj, – tha Genti, – ka rënë ora e një epoke të re morali: thyerjes së moralit të gënjeshtërt të dogmave, dhe legjitimitetit të moralit të individit të lirë.
Qesha me atë ligjëratë filozofike dhe ia ktheva:
-Nëse ka rënë ora e epokës së re siç thua ti, atëherë ne duhet të jemi martirët e saj.
Dhe nuk kishte ditë më të volitshme për t’u ndier martirë të dashurisë së lirë se sa atë 2 nëntor, dita e të vdekurve, kur shpirtrat e lirë mirëpriteshin në Meksikën e traditës qindravjeçare, me sofrën shtruar plot e përplot, me gëzim e hare…” (po aty, fq. 22)
Kjo prozë është realizuar mirë, me narracion që ndërlidh ngjarjet reale me gërshetimin e botës imagjinare, duke vepruar të pandara në realizimin subjektiv të veprimeve. Meksika e largët bëhet vendi i preferuar i Gentit dhe piktores tridhjetëvjeçare, ku do të sprovojnë jetën në kërkim të dashurisë së përbotshme.
Erosi, si faktor i rëndësisë së veçantë në fushëveprimin e dy protagonistëve josh zemrën e saj, për të arritur qëllimet që ia cakton vetes, (përsëri në rrugën e tradhtisë, tashmë edhe të Gentit) duke u përballur me rrugën e sprovave të vazhdueshme në vendet e ndryshme të Meksikës. Braktisja edhe e Gentit, do ta shpie në një rrugë tjetër, për t’i ikur realitetet që kishte prekur, duke e përqafuar botën imagjinare, si shkëputje e botës fiktive, dhe për t’u përballur me sakrificat në tempullin aztek, ku priftërinjtë kanë rolin kryesor në lojën e mëtejme, që protagonistja pastaj do ta ketë kuptuar se “nuk kisha zemër në krahëror”. Kush do ta ketë marrë zemrën e saj, ashtu të vetmuar, në rrugëtimin imagjinar e kuptojmë kur takojmë Gjarpërin me pendë, që kujton figurën mitologjike, jo vetëm tek ne. Simbolika e gjarpërit, si Perëndi e vdekjes dhe ringjalljes, karakterizon ritin jetë-vdekje, edhe këtu në novelën “Pa zemër në kraharor”.
“Nevojtari i pasionit dashuror, dhe alkimistja, zjarrndezësja e pasionit” (fq. 18), kishin marrë rrugë tjetër, nga ajo që kishin krijuar që kur “sytë e mi të blertë u ndeshën me sytë e zinj, të thellë dhe të trishtuar të Gentit, të fejuarit të motrës sime të vetme, që rrinte në krah të saj.” (po aty, fq.16), do të rrëfehej kryeperonazhi, për të vazhduar pastaj të krijojë një rrjedhë krejtësisht ndryshe të jetës, apo bashkëjetesës së tyre, duke braktisur gjithçka që kishin ndërtuar më parë, në kërkim të një jete plot iluzione, sprova e pasiguri. Kështu, nga këtu “dy moralshkelësit e arratisur” marrin guximin të flasin hapur “për temën delikate të lidhjes sonë nën shenjën e Erosit të verbër, për moralin hipokrit të një shoqërie që ishte lëshuar në një shthuarje morale nga më të ethshmet, në emër të demokracisë, por që mundohej, me çdo kusht dhe mjet, të ruante paraqitjen e saj të moralshme” (po aty, fq.22). Mbi parimin e këtyre veprimeve tashmë të njohura, ata, si dy shpirtëra po kalonin nëpër një botë plot procesione, ku njerëzimi me ceremoni rituale prisnin vdekjen, një ngjashmëri me pritjen e perëndive që i justifikojnë, “Sepse, më shumë se kurrë, atë ditë vdekja ishte lidhja e tyre me Zotat e qiellit” (po aty, fq.23), duke përjetuar kështu një fenomen të veçantë nga mijëra zbukurime me buqeta lulesh, kurora e mozaikë që mbulonin varre e altare, ku kambanat e kishave nuk pushonin, derisa vendin përreth e përshkojnë skelete të shumtë me veshje të ndryshme franceze, ku “zonjat e rënda të vdekjes, zbukuronin sheshet” (po aty, fq. 24). Një pasqyrim i hollësishëm i ambienteve të festës e bën më madhështore pamjen ku gjithçka ndodhte “brenda esencës ngazëllyese të festës”, prej nga po tundeshin valë njerëzish, që në pafundësi shijonin ushqimet dhe pijet e përgatitura sipas traditave të vendit, të përcjellura “me muzikë kitarash dhe këngë mariachi nën një diell të bukur” (po aty, fq.25), e përzier me shpirtrat e të vdekurve dhe njerëzve të dashur, që gëzonin s’bashku çaste të veçanta. Në frymën e këtillë piktorja po provonte gjithçka nga ushqimet duke lëvizur nga një vend në tjetrin, për të përjetuar sa më shumë ngjarje nga kjo ceremoni, “për të përmbushur fatin tonë fluturak prej martirësh dashurie të lirë” (po aty, fq. 26). Ngjarje e situata të shumta e përshkojnë qëndrimin e tyre në një vend ku gjithçka është e befasishme, duke kaluar kështu nëpër shumë ambiente të mbushura përplot eksopnate, piktura, dhoma muzesh e dëshmi personalitetesh nga kultura, muzika, etj. Në një përhumbje të tillë mes ndodhive të panumërta do të përmenden:
“- Si është e mundur që jemi vetëm ne të gjalllë në këtë univers…-, i thash me pëshpërimë Gentit për të mos thyer heshtjen tempullore,- kur legjione admiruesish vijnë këtu çdo ditë nga e gjithë bota.
Genti ngriti supet.
– Festa e të vdekurve, – gjeti të thoshte si përgjigje.” (po aty, fq. 34).
Dashuria, si fenomen, këtu martirizohet në kërkim të rrugëve dhe formave nga më të ndryshmet për të arritur në pikëqëllimin e saj, edhe përtej hijeve të vdekjes. Mira Meksi nxjerr në sipërfaqe këmbëngultësinë e personazheve të saj në fiksimin e temës që trajton, të bashkërenditur me emra të të vdekurish, fryma e të cilëve ka dimensionin e një rrugëtimi të përbashkët, siç shprehet përmes gjuhës së vet personazhit: “A e morëm bekimin e Frida-s ne bijtë e Erosit verban?Kërkova mos gjeja ndonjë shenjë të atij bekimi. Nuk gjeta. Përkundrazi, kuptova se ishte Frida ajo që kish marrë bekimin prej meje për t’u bashkuar me Chavela Vargas-in, kish përdorur shpirtin tim prej martireje të dashurisë së lirë si bekim dhe altar të këtij bashkimi” (po aty, fq. 36).
Universi magjik i reales dhe fantastikes
“Kritika kërkon shumë më tepër kulturë sesa krijimtaria”, shpërfaq mendimin e tij, Oskar Uajld. Një paralele me këtë që thotë Uajldi e takojmë edhe këtu, derisa po prek disa elementë sensitiv të temës, për t’i zbërthyer në shumë dimensione, që t’ia krijojmë mundësinë recepientit të kap më lehtë tematikën që trajton vepra letrare e Mira Meksit.
Rrëfimi në vetën e parë i personazhit vjen si përmbyllje e kuptimësisë tematike, meqë, si do të shprehet në vazhdim: “Ditët dhe netët e mia nuk ishin ato të mëparshmet, ishin si një rrugëtim përmes dritave dhe dehjes së një feste të përhershme. Si një fillimdashurie që përsëritet pafundësisht”, (po aty, fq.46). Ai, tashmë po rikthehej nga kujtimet e një feste të gjatë e të mundimshme, ku gjithçka kishte një kuptim, me njerëz e ngjarje, por në mbyllje të saj nga shijimi i “zjarrit të pasionit” gjithçka kishte pushuar, për t’i lënë vend kujtimeve. Ky “Shijim i ndjenjës së përhershme të fillimdashurisë“ po ndryshonte gjithçka në jetën e Gentit dhe asaj (piktores tridhjetëvjeçare), në universe të ndara, pavarësisht se ende vazhdonin të shijonin “mrekullitë e vendit të meshikëve” (po aty, fq.47). Vazhdimi i shijimit të veprave të artit, ndër të cilat shquheshin veprat nga Picasso, Rembrandt, Van Gogh, Matisse, etj. ku përshkoheshin nga pasionet, dëshirat, brengat, etj. me plot ndjeshmëri nga këto vepra arti, duke vrarë mendjen për shkathtësitë e autorëve që këto vepra nga “një bllok mermeri ta kthente në figurën e një qenje njerëzore aq reale, aq të gjallë, sa dukej sikur merrte frymë” (po aty, fq.48), për t’u mrekulluar pastaj nga gjithë ato iluzione të skulptorit francez. Në përftim kohe me vepra e autorë arti të shumtë në numër, po mbaronte koha e qëndrimit në Meksikë, për t’iu kujtuar tërësisht rrugëtimi nga “vizita në qytetin e Zotave kishte diçka që lidhej me vazhdimin e takimit tim me shpirtrat natën e festës së tyre, diçka prej qëllimi final apo misioni të përmbushur, dhe se duhej të isha e përgatitur njëfarësoj, sepse isha e bindur që atje më prisnin” (po aty, fq. 50). E humbur në këtë arenë ngjarjesh mes personazhesh artistik, kulturor e historik po rikthente kujtesën në ngjarjet që e përshkojnë gjithë aureolën e zhvillimit të situatave, ku gërshetohen realja me fantastikën, për të ndërtuar një vepër kaq të vlerësuar.
Gjithë lëndën prozaike e përshkon një strukturë e mirë gjuhësore, figuracioni i bollshëm, stili dhe leksiku i pasur, që si tërësi e ndërtimit lëndor e bëjnë edhe më të këndshëm leximin e saj.
“Pa zemër në kraharor” mund të konsiderohet novela më e realizuar e Mira Meksit, ku takojmë martirizimin e dashurisë, duke i vënë në veprim edhe shpirtërat e të vdekurve, ku gërshetohen veprimet e qenieve fantastike dhe realitetet e ndodhura brenda ngjarjes, që shpërfaqin universin magjik të veprës.
Përfundimisht, Mira Meksi sjell një vepër që rilexohet në vazhdimësi, falë aftësive të saj në ndërlidhjen e elementeve të sakrificës në ndërtimin tematiko-motivor mes dashurisë dhe tradhtisë, si dy bashkëveprime që ndërtojnë këtë prozë.