More
    KreuIn memoriamXhahid Bushati: Zbulimi i Ndue Pal Shllakut (Në gjurmët e një arkive...

    Xhahid Bushati: Zbulimi i Ndue Pal Shllakut (Në gjurmët e një arkive të panjohur)

    1.

    Emrin e Ndue Pal Shllakut e “takova” për herë të parë si aktor amator në Shoqërinë Antoniane, në librin me kujtime “100 vjet teatër në Shkodër” (1879 – 1979) të autorit Andrea Skanjeti. Më vonë mësova se aktori Shllaku kishte edhe disa interpretime të tjera në skenat teatrore të kësaj shoqërie, ku kishte realizuar disa personazhe. Plotësime të mëtejshme të biografisë artistike të Ndue Pal Shllakut i gjeta, më vonë, edhe në shkrimet e studimet e aktorit Gjon Karma si dhe në arkivin e njohësit të historisë së teatrit të Shkodrës, Gjush Sheldia. 

    Nga studiuesit mësojmë se Ndue Pal Shllaku hyri në Shoqërinë Antoniane rreth viteve 1935 – 1936. Si interpretues në fushën e aktrimit lë shenjë në komedinë “Shjor Puci” (komedi në tre akte) me autor Zef Gianini, përkthyer nga Dom Lazër Shantoja. Është për t’u përmendur se në këtë shfaqje ishte i pranishëm dhe poeti Atë Gjergj Fishta. Më vonë, dhe është qershori i vitit 1941, kur Ndue Pal Shllaku mban një fjalim në përkujtim të këtij poeti të shquar. Gjithashtu, Ndueja interpretoi edhe në dramën me tre akte “Kur orët lajmojnë” të Ernest Koliqit, (të cilën  vetë e përpunoi dhe vetë luajti personazhin e Gegë Markut); në farsën “Loja e mijvet, gazmendi i dacave” (komedi, përpunuar nga Çesk Vuksani), interpretoi rolin e Sulejmanit. Jo vetëm kaq, po Ndueja, te “Sekretari esnafë” (komedi me një akt), luajti rolin e Palushit. Në muajin prill të vitit 1941 luan personazhin kryesor në tragjedinë me pesë akte “Thomas Moore” të Silvio Pelicës (dramë e përkthyer nga padër Agustin Ashiku), e cila si premierë u dha në vitin 1941. U shfaq katër herë me 1200 spektatorë. Ndërsa në tragjedinë me një akt “Një natë tragjike” (dramatizim nga Ndue Pal Shllaku) mbështetur në kapitullin “Gjak Romanjolas”, shkëputur nga libri “Zemra” i E. De Amiçis; vetë Ndueja luajti rolin e plakut (gjyshit). Po në  këtë muaj me rastin e festës së kësaj shoqërie, interpreton në komedinë me një akt “Mnistari” (përkthyer nga italishtja e përshtatur në shqip nga At Silvestër Hila). Këtu luan rolin e doktorit. Më pas interpretoi në komedinë me një akt “Gjyqi” me autor padër Frano Kiri. Premiera u dha më, 16.04.1936 me këto interpretues: Lin Gjonej, Gjon Karma, Ndoc Harapi, Pjetër Gjoka, Gaspër Bicej, Shan Zadrima, Ndue Pal Shllaku (në rolin e gjykatësit, dhe ishte 14 vjeç). Ndërsa interpretimi i fundit është në tetor të vitit 1941, në dramën me pesë akte të titulluar “Ferdinandi i Agrigjentit”, e cila u shfaq pesë herë. Ndue Pal Shllaku interpretoi rolin e Ferdinantit. Duke parë afirmimin e personalitetit të tij si aktor e si krijues, interesat e tij artistike erdhën gjithnjë në rritje. Kështu Ndueja rreth viteve 1940 – 1941 u zgjodh sekretar i Shoqërisë Antoniane. E, Shoqërinë Antoniane, Ndueja e kishte për zemër e në shpirt. Ai kërkonte që kjo Shoqëri të kishte gjithnjë ideale dhe vizione. Për këtë lexojmë një shkrim, ku gjithë entuziazëm, në emër të Djelmnisë Antoniane përshëndet ardhjen e vitit 1941. Citoj: “Aq ma teper na – Djelmnija – e kemi per detyrë me u drejtue syt ngjarjevet e veprave t’ona të vjetit të kaluem. E kur të gëzuem per frytet e vepravet t’ona, do të mundohemi qi ato vepra të gjalla e të dobishme të jenë prap dishiri i ynë i flakët, dhe mandej tuj rishikue të metat, veset e gabimet t’ona të kerkojmë qi, t’i zhdukim ato njiherë e pergjithmonë, e në vend të tyne të bajmë me shëndritë virtyti, dashtnija, ideja e bamirsija. … Pra, Antonian pri prej shejtit pajtuer t’onit, Shna Ndout, grumbullue rreth shejit të shejtë qi na udhheqë, shtye prej dishirit veç me perparue; le t’u apim hov me fuqin qi vetem na do të  dijmë me perdorue, të gjith degëvet të ndryshme të rrethit t’onë, jo vrra në vrra, por me kalojn, enthuziazem e durim pa u topitë e kem me pa se vjeti i ri qi fillojë do të jetë ugur mirë i vjetvet e qi do të pasojnë per lumnin e shoqnisë s’onë së dashtun.”[1]

    2.

    Krahas rrugës aktoreske e asaj fillestare në rrugën e dramaturgjisë (nëpërmjet dramatizimit), djali nga Shllaku fshihte thellë në shpirtin e tij tragjik dashurinë për letërsinë. E dashuroi atë si vetë ëndrrën për të ëndërruar, e dashuroi atë si vetë jetën për të jetuar. E kishte kredo të viteve që i kishin mbetur. “Me kangë të shpirtit tim këndon edhe jeta” dhe më tej Ndueja vazhdon: “… shpirtin… qi vuejti përherë në heshtje”. E ky njeri me shpirt njeriu, mori një dimension të ri e befasues në hulumtimet e studimet e mia. Shkas u bë, një ditë vjeshte, një bisedë krejt e zakonshme me ish aktoren e talentuar  të teatrit “Migjeni” Antoneta Fishta (tashmë e ndarë nga jeta), në shtëpinë e saj. Teksa unë interesohesha për jetën e saj artistike në fushën e aktrimit, ajo më përmendi emrin e Ndue Pal Shllakut, ashtu krejt rastësisht, ngaqë biseda me ish aktoren e mirënjohur, tashmë, kishte hyrë edhe në hullinë e vlerave të panjohura që ende i ruan qyteti ynë. Unë mbeta për një çast i habitur. Për momentin pranova heshtjen, dhe në heshtje gërmova në kujtesën time. I tregova se çfarë dija për personazhin që përmendi pak më parë. Ajo qeshi, me atë të qeshurën e saj karakteristike e paksa burrërore dhe njëkohësisht më befasoi, kur me bujarinë, dashamirësinë e fisnikërinë e saj më vuri në dispozicion arkivin e tij letrar. Tani “do të bisedoja” me faqe të shkruara e të panjohura (poezi, prozë, studime, etj.), ku shpaloseshin konceptet estetike dhe botëkuptimi i tij, qëndrimet dhe shtysat, motivet dhe realiteti i krijuar prej tij… “T’falëm o diell vezllimesh! / E ju rreze të shkëlxyeshme. / Që n’hare puthni mallet / N’largim për i dit’ dëfrimesh / Që agon me ngjyra t’ndryshme! / Plot zemër e gjith i botë u falet!” (Diellit…, autori: Ndue P. Shllaku, botuar: Tomori, 05.06.1942)

    Zj. Fishta më përmendi edhe një amanet: “Im shoq, Lec Fishta e ka ruajtë me kujdes e dhembshuri për 50 vjet me radhë. Me shpresën për ditë më të bukura, me besimin se një ditë do t’ia jap lexuesit të gjitha këto”. Dhe unë pas një pauze të shkurtër i thashë se do të vijë një ditë që zëri poetik i Ndue Pal Shllakut do të bëhet i njohur.

    3.

    Materiali i shfletuar  me kujdes, më ofron ndjesinë e kohës së humbur e njëkohësisht kohës së fituar. Nocioni i kohës, i raportit të saj me autorin, me sensibilitetin e fluiditetin moshor, shpirtëror, që ruan e kondenson herë një romantizëm engjëllor e herë një romantizëm shpresëvakët e shpesh pesimist, mbeten dukuri të veçanta e interesante që vijëzojnë individualitetin e tij krijues si fllad ngjashmërie kah Gaspër Pali e si revoltë ndaj padrejtësive kah Migjeni. I themi këto se si poezia ashtu edhe proza (përshirë edhe temat hartimore, esetë, etj.) janë reflekse të dalë prej shpirtit të tij, prej dhimbjes burimore të tij. Nuk e ke të vështirë të kuptosh se kemi të bëjmë me një shpirt të ndryem brenda shpirtit të vet përherë ndër vuajtje, si një shembull i durimit në heshtje, apo siç thotë vetë poeti: “Kje diçka, nji i luftës kundër valëvet të jetës”. Kësaj të vërtetë të dhimbshme janë dëshmitarë të heshtjes shumë vite të jetës së tij, që e vunë në prova e rrethana shumë të vështira, por Ndueja me kurajo, me vullnet pse jo nganjëherë edhe me nota dëshpëruese, por me guxim moshe u mundua t’i kapërcejë. Ndonëse viti 1942 nuk ishte i mbarë, i jetës (ishte caku i fundit i të jetuarit) për Nduen. Në këtë gjendje të vështirë shëndetësore, ku shpirti i tij ende ruante si margaritar dashurinë për jetën, Ndueja me forcën e sublimitetit të shpirtit shkruan pa pushim… Dhe muajin e fundit e kuptoi se lulet dhe diellin e qershorit nuk do të arrinte t’i shihte më. Jeta për të çdo ditë vakej, tashmë ishte një shpresë e kotë… Megjithatë ai vazhdonte të shkruante… ashtu i shtrirë në copa letrash e në faqe të plota. Edhe pse dora dridhej e fjalët ishin të pasigurta. “VORFNIJA asht nji grue e shkretë / Me zemër plot mjerime; / Gjithmonë udhton n’deshprime, / Shpesh t’mson me e gzue kët jetë. / PAS’NIJ’ a’j zojush’ e terbueme; / Të knaq’njat-her’ kur e ke, / Me t’ikë, at-her’ i mjer’je / Vishtir’m’e ba ma t’hatrueme.” (VORFNIJA e PASUNIJA, autori: Ndue P. Shllaku, poezi në dorëshkrim)

    E ndarja nga jeta e Ndues, në at’ vjeshtë me “qiell të vrasuemun”, lë gjurmë frymëzimi, dashurie dhe përjetësie te një autor me pseudonimin ‘Lodja’, ku i kushton Ndues, këtë poezi mortore: “Krahasoj prendveren t’ime: / Me vjeshtën që don me ardhë / Me jeten që Ty t’a mardhë, / Me naten që s’ka m’u zbardhë / Kurr ma. // E lott m’rrjedhin heshtueshem / N’per zemren e gandueme / N’per mollxat e zverdhueme / N’per vargjet e vorfnueme / O vlla. (Vjeshtë!.. -kushtue Ndue P. Shllakut-, autori: Lodja, gaz. Tomori, 24.11.1942)

    Krahas botimeve në gazetat “Tomori” e “Tomori i vogël”, në revistën “Zani i Shna Ndout” e në fletoren “Sporti shqiptar”, Ndue Pal Shllaku la mjaft dorëshkrime të botuara, si: 30 poezi, 10 novela e novelëza, një ditar, një përrallë dhe shumë përkthime, ku mund të veçojmë dramën “Mbas njimdhet vjet”sh” të autorit italian Camilo Federici. Është për t’u përmendur edhe puna që nisi me një dramë origjinale të titulluar “Omeri i ri” që arriti deri te akti i parë, pasi sëmundja nuk e la që të vazhdonte më tej.(Poezia, proza dhe dramaturgjia do të jenë shqyrtime të studimeve të mia të ardhshme.)

    Duke iu rikthyer botimeve, vërejmë se shkrimi i parë mban datën 07.01.1939 dhe titullohet: “Kujtime” (botuar në fletoren “Sporti shqiptar”), ndërsa vjersha e fundit mban titullin “Jeh i vetmuar” (botuar në gazetën “Tomori”, në vitin 1924). Në këtë gazetë ka botuar poezitë: “Muzg vjeshte”, “Ushtima”, “Mramja”, “Hanës” dhe novelën “Kulla e çekiçi”. Kurse në revistën “Zani i Shna Ndout” boton novelën “Streha dëshmuese”.

    4.

    Ndueja lindi më 25.02.1922 në Shllak. Ishte biri i Pal Vuksanit dhe i Katrinës (i thoshin dhe Kate) së Kolë Ndout, e cila ishte bijë prej Dushmanit (Shllak). Babai i vdiq shumë herët dhe nuk e njohu atë. Ndueja ishte një vjeç. Më vonë poeti i ardhshëm do të shkruante në ditarin e tij: “… që në fëmini dishroj babën. Trupi i tij përkundej në shpinën e ngarkuese të s’amës. Kjante e veç lotët e syevet tue rige mbi mollza ia lmojshin faqet Ndout ferishte. Strehë pushimi dituer për Ndoun, ishte ndo’   i hije peme nder ara të zharituna ku e ama punonte për t’ushqye vedin e të voglin e sajë. Atë nuk e lmuen kurr duer delikate; por dy duer të vrazhda pune po shum të dashura nane. Kangë gjumi ishte për të zani i natyrës”.

    Rreth viteve 1924 – 1925 së bashku me nënën i dhanë “lamtumirën” Shllakut, (ku e ëma përpiqej të siguronte kafshatën e bukës) dhe zbritën për të jetuar në Shkodër, (ku e ëma punonte aty-këtu dyerve të panjohura për të siguruar minimumin e jetesës.) Ndueja, tashmë, ishte tre vjeç.

    Strehohet për mëshirë në një dhomë përdhese të një familjeje bamirëse shkodrane. Dhe për Nduen e vogël strehë ditore bëhen Motrat Servite, ku ai merr edukatën e parë. Shkollën fillore e kryen pranë Kolegjit të Françeskanëve (1929 – 1930, 1933 – 1934). Pas mbylljes së saj, klasën e pestë e kreu në shkollën pranë Dugajve të Reja. Në vitet 1934 – 1935 regjistrohet në Liceun shtetëror (është fjala për Gjimnazin e Shkodrës), ku vazhdoi deri në klasën e katërt të kursit të lartë. Nga fundi i vitit shkollor, pra, në mars të vitit 1942 u sëmurë rëndë. Matura për të, tani, është vetëm një ëndërr e parealizuar. Vdiq më 28.05.1942.

    Kur mosha duhej t’i fliste pranverës, Ndueja përjeton tragjizmin e jetës e tragjizmin e sëmundjes së tij… (Në vetvete poeti dhe prozatori i panjohur, tashmë i njohur, është personazh tragjik. Ky lloj përkimi gjen terren edhe në shënimet e tij, ku lexojmë: “Migjeni, ah, po, te shkrimet e tij shikoj aty këtu vetvehten e jetës teme”. (Lindi 11 vjet më vonë se Migjeni dhe vdiq 4 vjet më vonë se ai. Ndueja vdiq 20 vjeç, kurse Migjeni 27 vjeç. Të gjitha këto shënime flasin se midis tyre ka pasur vite bashkëkohësie, njohjeje, leximi e studimi.)

    Pasioni dhe interesat për letërsinë kanë një fushë të gjerë. Ka lexuar me dëshirë dhe vëmendje Migjenin, Gj. Fishtën, Nd. Mjedjen, F. Nolin, N. Frashërin, D. Aligerin, V. Hygonë dhe Leopardin. Dhe ky spektër kulturor reflekton  në krijimet e tij, si: në lexime origjinale (italisht e gjermanisht që i di shumë mirë) në përjetimet e rrëfimeve të personazheve, të shkrirjes së unit lirik, apo të skenave të ndryshme: epike a lirike qofshin ato, në zbërthimin e ideve e argumentimin e tyre, ndriçime e këndvështrime të shkrimtarëve në raport me veprat dhe kohën e tyre, citime nga krijimet e autorëve, përqasja dhe elementet krahasuese, etj., etj.

    5.

    Kodi poetik i krijuesit Ndue Pal Shllaku në marrëdhënie me kohën e realitetin shoqëror në të cilin jetoi, mendoi, që duhet vendosur në këto rrafshe: 1. Realiteti dhe problemet e tij. 2. Realiteti dhe shpirti i tij. (Këto poezi e copëza të saj janë faza e fundit e krijimtarisë së poetit. Raportet me vdekjen bëhen më të ngushta. Rrëfimi gjithashtu. Jeta ka trajtën e të jashtëzakonshmes e të tragjikes. Kënga e poetit, tashmë, më shumë është për vete, ka më shumë karakter autobiografik që konturohet me një rrëfim të dëshpëruar për një çast të caktuar të jetës. E vërteta e poezisë, vrulli dhe fuqia e poetit kanë gjendje dhe ritëm të shqetësuar. Dashuria është aq e zjarrtë, vullkanike sa edhe e dëshpëruar, në kacafytje, kësaj radhe të poetit me vetveten. Ai i kërkoi jetës t’i marrë sa më shumë jetë. Për të Koha është Jetë.

    6.

    Në hapësirat e poezisë së krijuesit Ndue Pal Shllaku lëviz hija. Poeti thotë: ”Mërzija / dhe hija / me kangët e shpirtit t’im / Ushtojnë në mjerim”. (“Ushtima”, 14.07.1941.) Lëviz hana. Poeti thotë: “N’qetsin’ qiellore, o han’, shtrihesh / plot hire / n’mjerime t’njerzvet s’ngihesh e dëshire / Me t’pa, dikush sa s’ka mbarue.” (Hanës…, 11.11.1941.) Lëvizin: muzgu, mbramja, zemra, shpirti, retë që falen me diell, kujtimi, vetmia, andrra plot uzdajë, heshtja, dashuria e pafat, etj., në qerthullin e mjerimit. Në qoftë se te Migjeni trajtimi i kësaj teme lidhet edhe me qëndrimin e dukshëm të poetit, te Ndue Pal Shllaku trajtimi i kësaj teme e ka pikënisjen te shpirti i tij dhe hapësira poetike është sa vetë shpirti i tij. Këtu duhet ta kërkojmë realitetin shoqëror, i cili kornizohet dhe merr karakterin e intimitetit. Mbi bazën e kësaj metafore përcepton edhe motivin, ndërton strukturën e poezisë e sistemin figurativ të saj. Kjo vërehet: në imazhet e vendlindjes, në lirikën e peizazhit, si edhe në atë të dashurisë. Tek poezia “Mbramja”, dukuritë ‘arkaike’  nuk e cënojnë aspak poetikën a frymëmarrjen e krijimit. E mbështetur në leksikun autentik të trevës së vet me të cilin operon përmes detajeve poetike, poeti idealizon fshatin, botën e tij, natyrën dhe njerëzit…, një pamje gjithë ngjyra romantike, realitet që është pjesë e fëmijërisë së tij. Dhe poeti e përcjell këtë poezi me këto fjalë: “Asht vështirë me e përshkrue bukurinë e mbrëmjes së fshatit t’im. Duhet me i ngjye shpesh herë gishtat në shllinë; duhet me fjetë në fierë me trup nënë krye në një zdatk me vathin e berrevet; duhet me i ndie e me u deshprue nga grahmat e fuqishme të malsorëvet punëtorë; për me mbujtë me e paraqitë mbrëmjen e jetën e hareshme të fshatit tim”. (gusht, 1941).

    Ndue Pal Shllaku ishte një krijues jo shumë i përmendur, ndonëse botoi herë pas here poezi e proza në shtypin e kohës. Vdekja i shoi rininë e moshës. Arkivi me krijimtarinë letrare që la pas i ndrit rininë e moshës dhe i fal pavdekësinë e krijimit dhe të krijuesit.

    Nga arkivi që kam në dorë, dhe nga fotografitë (të cilat janë të pakta), vetiu më vjen ndërmend një bisedë e bërë shumë vite më parë me regjisorin  Lec Shllaku. Leci e kishte pasur  Nduen, shok klase. Më bën këtë portretizim: “Ndueja gjithmonë më kujton Zherar Filipin tek “E kuqja dhe e zeza”. Tip sportiv, i veshur bukur (i kërpitur), hollak, inteligjent, (inteligjenca shtrihej në të gjitha gjërat që e rrethonin e ku depërtonin sytë e tij shprehës), kishte buzë të trasha. Ndueja ishte formati i intelektualëve të asaj kohe. Paraqitja e bukur e intelektualit, që di e që mundet. Që don t’u thotë të tjerëve: “Kujdes kur të bisedoni me mua!””

    Ndue Pal Shllaku është poet i drithërimës e i zemrës së drithëruar. Shpirtin ia fali poezisë. Poezia iu bë shpirt, jetë dhe dhimbje. Kështu foli në heshtje me “re dëshiri”. Dhe m’u kujtuan ca vargje të poetit polak Adam Asnyk: “Se çdo ëndërr, gëzim, gjithçka tretet, / edhe ëndjet, pasionet në botë ‘ perëndojnë… por dhimbja veç mbetet”. (poezia: “Dëborë”) Bashkë me dhimbjen edhe magjia e një poeti të talentuar, që quhet: Ndue Pal Shllaku.  

    7.

    Autori: Ndue Pal Shllaku       KOLIQI në “Balada e mandeve” (Studim)

    Kur nxuni fillë me shkrue Koliqi, në Shqipi, shumë shkrimtarë kërkojshin horizonte të reja për nji farë drejtimi të ri të letërsis Shqiptare.

    Kërkojshin gjurmë udhzimi ndër letërsitë e huaja, shfletojshin volume me gjetë diçka të pa ndieme; ndërsa Koliqi, tue ba për vehte letrat e huaja e tue i ngjeshë ambëltar me poezin popullore, nxjer nji pelhurë të hieshme, që i rrin per bukuri shpirtit të popullit Shqiptar.

    Veshë ket pelhurë të re, pervehtëson artin e ri e formon nepër tingujt  anderrtar nji vehtje poetike të randsishme. Shkrimtarët admirojnë rrymen e re. Koliqi punon.

    E ktu, po më kande me e vrojtë Koliqin në “Baladen”, jo se jam i mendimit se asht në ma të bukuren pasqyrë të lirikave të veta, por, pse ktu disi edhe mue më ngjallë mall per nji kohë të kandshme gadi-gadi të harrueme. Po më kande me e vrojtë; poetin e luhatjeve të knaqshme, të muzikalitetit; t’erzimeve e të tymtive të luleve të dashunis ideale, të kandshme nepër fletëzat e kuqe të drandofileve, të të buzqeshjeve plot armoni rijnore, të mallit; Koliqin e kujtimeve.

    Poezija fillon me nji kujtim permallimi të shqetësuem. Poeti mallohet, fëshin syet e ri e të qetë e fillon me këndue rishtas. Me pranverë i ngjallet në shpirt edhe nji herë mendimi i rruzullit i natyrës, i asaj natyrë së pa kufi që i asht veshë në zemër e qi ende i zhvillohet buzëqesëshe para sieve, e vron e kërkon me rizbulue në te andjet e bukurin e kalueme. Kalimi i kohës e prekë randë poetin e malli i atyne buzqeshjeve e ndezë zemren e tij. Me shpirtë të flakët pyet:

    Tue shkundun mandin pse s’na kthehet gzimi

    i mbramjeve t’fmijnis qi koha shqimi?”

    Qe sa përmallëshëm e sa bukur e fillon poeti kangën e mallit. Koliqi duket zemruem, kujtimet e përmallojnë e merzitet; dobësohet e i perkulun para jetës së vazhdueshme rimundohet me ngjallë të të kaluemen.

    Fillon me përshkrue ato mesdite Maji, të freskta e të gëzueshme njatëherë kur dielli fillonte me u mekë, me lirue qytetin prej vapës e me u lëshue vend atyne hijeve të flladëshme e t’erandësishme, që shtriheshin nen degët e hapëta të mandave. E. Koliqi, ndien edhe nji herë mall, ndien me lot ndër sy, ato zaje e hapa të kandshme e të zhdervjedhët, që sjellin sofrabezat; i rishef kah i shtjellojnë nen gema e rishef ato vasha me buzë në gaz.

    “…, ftyrën përpjet’, çue mang’t te llana.

    Qe nji tjetër bukuri e gjallë që vetëm Koliqi e shprehë. Poeti asht hutue në vegim e rishikon ashtu i ngrimë në hare, deri sa…

    “…plym si breshën dikon pema / kokrrat kumbore t’rimuna ndër ana / nga mjalta e verës qi ndër pal’t e gjana / bje t’sobrabezit ku ban bark randimi.

    Knaqet n’at të raem frytesh të shieshme e t’ambla si mjalta, gëzon në kujtim per sofrabezin plot. E kur ç’do gja e shef të kryeme, burri zdrypë e, kur fëmija mbarojnë së mbledhuni mandate anash e saksijash (bash si dikuer!);

    Shtrue në bar mandej e kandshme ndeja ishte,

    vue përpara çinijat plot me manda…

    Poeti ka tretë nder kujtime, e me mish e me shpirtë jeton në kohën e kalueme, ai knaqet mbi at bar të blerë fladejsh e erënash së mrekullueshme, ndeja i asht e kandshme ndën fletët qi luhasin lehtas e freskojnë shpirtin e shqetësuem të poetit. E në sa dielli me ato rreze lëmuese në shkelqim puthë ambëltas tue u largue lulishte, lule vilet e ngjyrëshme në bukuri, atij nen at freski të madhnueshme e të pa cak, nen at’ shijim mjalte,

    “… jo vetëm në gojë i rrëshqitte anda

    po mje në shpirt na  binte ambëlcimi.

    E si i habitun poeti vron at’ kohë plot dhimbë, at kohë lumnije. Asht mbulue nga nji tis i hollë andrrash e kujtimesh e, çuditet per ndryshimin e nji kohës kaq të shkurtë. E kur lodhëshem e deshprueshem çelë syet shef se nuk asht ma nen at atmosferë të hyjnueshme, afer atyne flladejve të knaqshem, bri atyne dritave kuq-loshe, para atyne fryteve mjaltorë e deshprueshëm me dhimbë shpirti thrret: –

    Kokrrat e mjaltshme pse n’kto kohna t’reja

    Shije ma s’kanë, e, pse n’oborr si at-hera

    e  shkundjes s’mandit nuk kumbon hareja

    q’ishte ndër ma t’gjallat qi na falte vera?”

    Asht deshprue e, kah don me e ngjallë edhe nji herë lumnin e kalueme lëshon zanin e fuqishëm qi mjerisht shuhet shpejt, pse dashurija e kohëvet të rijnis asht zhdukë, ka humbë. Merzija e kohëvet të jetesës së tashme e ka lodhë, demoralizue, prishë andjen e jetës. Ato mbramje të bukura, sot shëndrrue në mbramje merzije e trishtimi. E poetit i rrahë zemra, i fryhet e i shfryhet gjoksi, me fuqi, e idhnu me vedi thrret: –

    Eni, vajza, n’oborr… eni – thotë Koliqi pse ju e vetëm ju, qi me ato duer të njoma e të bardha mbani sofrabezat, ju vetëm mundeni me sjellë andjet e rijnis, andjet e harrueme. E poeti qi e ka për dishirë me ngjallë, me përtri, me rijetue lumnin e kalueme, don t’i ndezi në ket mbramje të ksaj kohe së verbueme, don të shtrihet edhe nji herë në barin e njomë, aty bri drandofilleve qi tumtojnë në lulishtë e don qi edhe nji herë.

    … ambël biseda t’sillet

    mbi doke t’vjetra t’prirna kah prendimi…

    Doke qi Koliqin e ndezin në nji lumni të re. Doke të knaqshme per popullin Shkodran. E si Koliqi, permallue prej lumnis së kalueme ndezë prej deshirit me gëzue haren e valet e rijnis; ri-hjell zanin nder vasha, nder shokë, në Shkoder; pret nji pergjigje… përgjegje vallesh së pa shterrëshme. E tue shpresue, njatje te e vona, i primë prej deshirës së tij si në nji mjegullinë hiroshe thrret per nji jetë fat-bardhë e të knaqshme.

    E prap e lume mbramja ka m’u endun,

    shtrue rrotull përmbi bar si n’dit t’kalueme,

    fmijnin arit me t’fshame tue permendun…

    At fëmijni lumnije t’atyne ditëve të furieshme andjesh së pa fre. At rijni të rrezeve të knaqshme të diellit pranveruer, t’atyne fletëve të dridhëshme flladejsh, t’atyne erzimeve të mrekullta lulesh, t’atyne shijeve t’ambla mandash… Kan me e permendun e ajo ambëlsi qi rishtas kan me lëshue mandate e andshem të sotshmes kan me na bashkue, me na gnjitë, me na afrue edhe nji herë hijesh së  shendriteshme rrezesh vezulluese dielli në prendim; n’at prendim ku mjalta ambelsija e shoknija e kohes së  shkueme…  tash  na ep nji amë agimi. E n’at amë agimi, Koliqi, rrehet e shpreson se do t’a shofin edhe nji herë kohen e lumnis së kalueme. Por me rijni soset gjithçkafja e ket e din edhe poeti lirik Shkodran.

    Koliqi në “Baladen” na paraqitet mjaft i gjallë. Kujtimet e tij ngjallin nji mall Shkodran, që vetëm ai e ndien. Pasunija e fjalëve asht e çuditëshme. Poeti tretet shëpesh nder sfumatura e gjyserr hije  të kandshme qënë ças e bajnë me harrue realitetin e shkruem e e  tresin në fantazi me nji fuqi rithmore e me nji muzikalitet të çuditëshem, por poeti pernjiherë rikujton të kaluemen e ngjallet si nji hije andrruese, bash si – De Lamartine o Petrarca – e, atëherë  poezija merr frymë të re e Koliqi humbet nder erzimet e tymtimet e luleve. Bukuri e çuditëshme!

    Ky tekst i Ndue Pal Shllakut është shoqëruar në fillim, nga ana e redaksisë me këtë shënim: “Në ditët e fundit na ra në dorë një dorëshkrim tjetër i të ndierit letrarit të ri Ndue P. Shllaku. Nuk është një studim i përsosur që kërkon thema, por me këtë tregohet talenti i tij poliedrik që aqë shpejtë u shua, pa arritur akoma në provat e pjekurisë.

    Sa të vlerëshëm janë vërtetë të rinj të tillë për letërsinë t’onë të varfër!”

    Botuar në gazetën “Tomorri”, 20.06.1942

    SHKODËR, QERSHOR, 2022


    [1]  … e Sh. (njëri nga pseudonime e Ndue Pal Shllakut).; shkrimi: Me vjetin e ri…, rev. Zani i Shna Ndout, kallnduer 1941, Nr. 1, vjeti XXIX, f. 17 – 19.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË