Kreu Letërsi Bibliotekë "Vrasja e T. Ivan Ivanoviçit", tregim nga Andrin Kabashi

“Vrasja e T. Ivan Ivanoviçit”, tregim nga Andrin Kabashi

Albert Smithi ishte një djalë i ri i cili studionte për pikturë dhe trajtën artistike të saj në Akademinë e Arteve të Bukura. Jetonte në një bujtinë aty pranë Akademisë, duke qenë se vinte nga një qytet tjetër, qytet në të cilin nuk gjeje ndonjë perspektivë të lartë zhvillimore artistike.

Ajo çka binte në sy tek ai, ishte fiziku i tij. Flokët i kishte bojëkafe me kaçurrela. Zakonisht i mbante të lidhur pas koke, duke nxjerrë në pah sytë të cilët kishin një nuancë të veçantë blu, që shndrisnin në fytyrën e bardhë me pika poshtë syve. Shtati i tij nuk ishte ende i zhvilluar plotësisht. Ishte i dobët e i lig nga shëndeti. Ishte i dobët e i gjatë nga trupi. Gjithmonë ishte i bardhë, e kishte nga anemia.

Albert Smithi kishte zakon të kafshonte buzën e sipërme, madje shpesh ta lagte atë me gjuhë. E kishte zakon paksa të çuditshëm, por, mbi të gjitha, kjo e “çuditshmja” e tij e qetësonte kur ishte puna te ndonjë situatë stresuese me peshë të madhe, siç ishte ballafaqimi me profesorin e tij, Paul Casperin.

Atë ditë Alberti po qëndronte i ulur në zyrën e profesor Casperit, gjersa ky i fundit vështronte me kujdes punimin e fundit të Albertit. Tymoste një cigare e cila kundërmonte një erë tmerrësisht të keqe. Doemos që duhet ta ketë blerë tek tregu i gjërave të lira, aty shitet duhani më i keq në qytet. Sakaq, me të mbushur gojën plot tym cigareje, ai shtoi duke shfryrë plot tym:

– Ngjyra e gjakut të Ivan Ivanoviçit është e tmerrshme, Albert! – duke hedhur tutje punimin e studentit të tij.

– Por, profesor, – shtoi Alberti me zë të trishtë, – kjo është hera e tretë që po ma refuzoni pikturën time.

– Po, hera e tretë dhe nuk do të ketë herë tjetër për të të refuzuar! – u shpreh i mllefosur profesor Pauli, gjersa fiku cigaren e tij në pikturën e Albertit.

– Por…

– Nuk ka “por”, Albert!

Unë jam Andrin Kabashi, jam një shtatëmbëdhjetë vjeçar nga Prishtina që deri më sot, kam të botuara katër drama. Jam anëtar në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës (LShK), ku dallohem për moshën dhe shkrimet që kam.
(Nga letra për redaksinë e ExLibris)

Alberti ndërkohë iu gjunjëzua duke e mbërthyer nga dora teksa i lutej që të mos e ngelte. T’i jepte edhe një mundësi tjetër, të ndreqte gabimin e tij në kopjen e pikturës së famshme “Ivani i tmerrshëm dhe i biri Ivan”.

Ai ishte një djall i vërtetë në formulimin e gënjeshtrave dhe fjalëve që të preknin në zemër. Artikulonte aq mirë fjalët, saqë bindte personin tjetër të bënte çka t’i kishte ëndja e tij djallëzore.

Edhe këtë herë, pa dalë huq, Alberti arriti të bindte profesor Paulin që t’i jepte edhe një mundësi të fundit. Ai i premtoi se do të punonte me sa forcë të kishte, madje, po qe nevoja, edhe më shumë se aq.

Në fund të bisedës, profesor Pauli ktheu kokën mënjanë dhe lëkundi dorën për t’i thënë Albertit se tashmë ishte i lirë të largohej. Sakaq, ai doli nga Akademia dhe mori rrugën për në bujtinë.

Bujtina ku banonte Alberti ishte e vogël dhe e ngushtë. Në të hyrë të saj qëndronin disa shkallë të cilat përthyheshin për të të dërguar në katin e dytë dhe pranë tyre ishte një korridor i vogël që të jepte rrugë për te një derë, për të cilën Alberti nuk kishte dijeni se ç’kishte pas saj. Pranë derës ishin disa shkallë të tjera, të cilat të shpinin për në qilar. Hyrja për në qilar ishte paksa e çuditshme. Kishte dy lloje formash për të hyrë. E para ishte rruga nga shkallët e cila përdorej gjithmonë, ndërsa e dyta ishte vetëm për depozitimin e drurëve të dimrit, të cilët hynin në qilar nga një derë e veçantë, paksa e pjerrët dhe me dy kapakë që zëvendësonin derën.

Në qendër të këtij korridori të ngushtë gjendej një llambë e vetme që ndriçonte korridorin dhe shkallët gjer në kat të dytë. Dukej se llamba ishte vjetërsuar dhe duhej ndërruar nga dita në ditë, por askush nuk merrej me të. Kjo gjë Albertit i kishte rënë në sy, por, fundja, ai vetëm se banonte me qira në atë bujtinë dhe nuk i interesonte ajo llambë aspak.

Me të hyrë, Albert Smithi ngjiti shkallët për në kat të dytë, drejt apartamentit të tij jo fort të madh. Hapi derën, hodhi rrobat mënjanë dhe vuri përparësen e tij të pikturimit, duke iu futur punës pa humbur kohë.

*

Atë ditë ishte e enjte dhe Albert Smithi kishte kohë deri të hënën të mbaronte pikturën e tij e ta dërgonte atë në Akademinë e Arteve, si punimin kryesor të vitit. Nuk dinte nga t’ia mbante. Tashmë kishte provuar të gjitha ngjyrat e mundshme që gjente në treg për të perfeksionuar pikturën në fjalë, por përsëri nuk arrinte dot të krijonte një ngjyrë të vërtetë gjaku.

Kishin kaluar dy ditë e gjysmë dhe Albert Smithi tashmë kishte përfunduar thuajse të gjithë pikturën, me përjashtim të vendit se ku ai do të vendoste ngjyrën e kuqe. Asnjë ngjyrë nuk përputhej! E vetmja gjë që ai bënte, ishte të kapte kokën e tij dhe të endej nëpër dhomë duke menduar se si vallë do të arrinte të kalonte vitin me këtë dreq pikture që nuk po mundte ta mbaronte kurrë. Netët e vona e përcillnin atë nën ethe e djersë të ftohta që i kaplonin ballin, nganjëherë edhe duart, nga ku, furça i rrëshqiste e binte në tokë.

Në apartamentin e tij nuk kishte tjetër dritë të ndezur pos dritës e cila qëndronte pingul mbi pëlhurë, madje edhe dritaret ishin të mbuluara me perde, pasi Albert Smithi pretendonte se drita e përqendruar vetëm në pëlhurë do ta ndihmonte të shihte më qartë çdo pjesë të saj dhe të mos lejonte as një gabim t’i ikte nga sytë të cilët tashmë kishin zënë rrathë të zinj poshtë tyre.

Në një çast ai la furçën dhe ngjyrat. U ul në dysheme në një pjesë të errët të dhomës dhe mbështeti kokën mbi pëllëmbë. Tundej sa para-mbrapa, thua se po tundte veten që ky makth t’i kalonte sa më parë. Dhëmbët e tij kërcisnin nga presioni që ai ushtronte ndaj tyre. Ishte një zhurmë që të irritonte veshët. Pos të tjerash, filloi të shkulte flokët e tij, me qëllim që të ndiente një dhimbje tjetër, në vend të kësaj që e kishte kapluar, duke menduar se do të dilte faqebardhë nga kjo katrahurë ku kishte hyrë. Në këtë situatë ai dukej i shkatërruar. Flokët e tij ishin të shthurur dhe kaotikë, duke prezantuar më së miri gjendjen e tij. Frymëmarrja e tij gjithmonë e më tepër vinte duke u shpejtuar e duke u rënduar. Vrimat e hundës hapeshin e mbylleshin me të shpejtë për të thithur e për të nxjerrë sa më shpejt ajër nga mushkëritë e tij, të cilat kohën e fundit nuk kishin qenë edhe aq mirë.

Edhe pse duart i dridheshin, ai vazhdonte të grimconte thonjtë e tij gjithmonë e më tepër, duke i copëtuar ata me dhëmbë, të cilët, si për çudi, ishin krejtësisht të drejtë, pos dy prej tyre, pranë cepave të buzëve, të cilët ishin të gjatë e me majë. Ndonëse i shkujdesur e nën mendime, vazhdonte të copëtonte thonjtë, derisa dhimbja u dha kah tjetër mendimeve.

Pa se nga gishti po i dilte gjak!

“Kjo është ngjyra e duhur!” – mendoi me vete Albert Smithi me plot entuziazëm, pasi tashmë kishte gjetur një ngjyrë për përfundimin e pikturës së vdekjes së Ivan Ivanoviçit. Duart i dridheshin nga emocioni, ndërsa goja i kishte mbetur e hapur dhe i pikonte jargë jashtë dijenisë së tij, i cili qe i mahnitur me ngjyrën e ndezur të gjakut që qe shfaqur para syve të tij. U ngrit në këmbë dhe me dorë të dridhur, vendosi gishtin e gjakosur në pëlhurë, duke ngjyrosur fytyrën e Ivan Ivanoviçit me gjak të vërtetë. Ngjante hyjnore! Ishte kaq e vërtetë! Dukej tamam sikur para syve të tu të kishe tablonë e vdekjes së Ivanoviçit në krahët e të atit. Por ajo ngjyrë nuk mjaftonte! Pëlhura ishte shumë e madhe dhe vetëm një vrimë e vogël nga e cila rridhte pak gjak nuk mund ta mbushte me ngjyrë të tërë tablonë e pikturës ruse.

Pasi Albert Smithi pa se vetëm gjaku i vërtetë mund ta nxirrte nga situata ku qe katandisur, ai bëri zap të marrë thikën më të mprehtë që kishte e të priste damarët, që të posedonte mjaftueshëm ngjyrë për tablonë e tij. Kishte vendosur dorën e tij mbi një pjatë dhe mbi dorë thikën.

Zemra i rrihte fort! Duart vetëm i dridheshin nga frika dhe thika i lëvizte nga dora për shkak të djersëve që kishte, ndërsa ai mundohej ta mbante e ta kishte nën kontroll. Nuk kishte zgjidhje tjetër, duhet ta bënte me doemos! Provoi të rëndonte thikën, por ishte e dhimbshme. Filloi ta tërhiqte atë, por ishte edhe më e dhimbshme. Sakaq, një zë nga jashtë thërriti: “Posta!” dhe ai u ndal! Ngriti kokën dhe u afrua te dritarja. Largoi perden dhe u shtang kur pa se qe bërë mëngjes. Kishin kaluar sa e sa orë në errësirën që kishte krijuar, pa i vënë re tiktaket e orës. Në heshtjen vetjake të dhomës ku ai qëndronte shtrëngoi thikën në dorë dhe u nis drejt derës e cila gjithnjë e më shumë trokiste. Albert Smithi hapi derën dhe me sy të zgurdulluar i nguli thikën në qafë postierit, duke e lënë të vdekur. Nxitoi të merrte pjatën e ta vendoste sa më parë poshtë qafës së postierit, që të merrte gjak të pastër e të nxehtë për pikturën e tij. Zemra sa s’i dilte nga vendi nga ajo se ç’kishte bërë! Fytyrën e kishte të dërrmuar, hundët vetëm i hapeshin e i mbylleshin me shpejtësi të madhe dhe nuk dinte çka të bënte tjetër, pos marrjes së gjakut që i nevojitej, gjersa gjoksi i tij dukej se do t’i dilte nga vendi nga frika dhe tronditja që e kishte kapluar.

Nga kufoma që gjendej para derës së tij mbushi plot dy pjata me gjak të pastër. Gjithmonë e më shumë dridhej në vete duke kafshuar thonjtë dhe duke menduar se ç’të bënte me kufomën e postierit. Për fatin e tij të mirë, ato ditë qe i vetëm në tërë bujtinën dhe asnjë nga pronarët apo banorët e tjerë nuk gjendeshin aty. Nuk kishte ide tjetër veçse ta linte në qilarin e druve, por do të duhej ta dërgonte deri poshtë. Megjithatë, nuk kishte zgjidhje tjetër. Albert Smithi e kapi kufomën dhe filloi ta tërhiqte zvarrë nëpër shkallët e korridorit të ngushtë të asaj bujtine të vjetër. Qafa e postierit gjithmonë e më tepër lëshonte gjak. Të gjitha shkallët ishin lyer me gjak të pastër e të nxehtë të një të pafajshmi. Me të arritur te dyert e pjerrëta të qilarit, poshtë, në fund të shkallëve kryesore, Albert Smithi i hapi ato, por problemi ishte se si ta ngjiste kufomën deri aty lart sa ta fuste në qilarin e druve. Në mendje i vajti që ta shpinte nga dera e qilarit, por më pas u kujtua se vetëm e zonja e bujtinës i kishte çelësat dhe askush nga klientët nuk mund të futej nga ajo derë. Ishte e kotë! Çdo tentativë e tij ishte e kotë. Ai mundohej me mish e shpirt ta merrte në krah të pafajshmin postier, por nuk ia dilte mbanë. Albert Smithi ishte një djalë i dobët nga shëndeti e nga shtati; nuk mund ta ngjiste lart një kufomë e ta hidhte në qilarin e druve thua se s’ka ndodhur asgjë. Pranë dyerve të pjerrëta të qilarit të druve gjithmonë qëndronte një sëpatë drush. E vetmja mënyrë që ai ta vendoste kufomën e postierit në qilar, ishte ta copëtonte atë e t’i hidhte brenda copat e trupit. Albert Smithi mori sëpatën dhe filloi të gjymtonte trupin e postierit të pafat. E gjymtoi dhe e hodhi në qilar, për t’iu kthyer punës sa më parë. Ishte e diel dhe piktura duhej të ishte gati për nesër.

*

Profesor Paul Casperi ishte i kënaqur tashmë me pikturën dhe vijën artistike që Albert Smithi kishte përdorur në ngjyrimin e gjakut të Ivan Ivanoviçit. Piktura e tij u vendos në hollin e Galerisë së Arteve nën titullin e ekspozitës “Punime studentore”.

Tri ditë më vonë, kur profesor Casperi po ndiqte lajmet e mbrëmjes në apartamentin e tij, në to u dha një lajm tronditës: “Një djalë i ri u gjend i vdekur në një bujtinë të qytetit. Hetuesia policore jep të dhëna se kemi të bëjmë me një vetëvrasje të dyshimtë, së cilës nuk i dihet shkaku. Policia dhe i gjithë ekipi i hetuesisë u shprehin ngushëllime familjarëve të viktimës!”

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Letra e parë e Kurt Vonnegut-it për familjen pas daljes nga burgu

29 maj, 1945 Të dashurit e mi, Më treguan se ndoshta s’ju kanë informuar kurrë se...

Mira Meksi: Gurëthemelet historike të një romani

Përherë kam dëshiruar të shkruaj një roman për Teutën e Ilirisë. Fillesat kanë qenë prej një pasioni të hershëm të fëmijërisë për...

“Kisha e Shën Sofisë”, tregim nga Ismail Kadare

I Vezirët po zgjoheshin njëri pas tjetrit. Meqenëse asnjë­herë nuk ishin gdhirë aq pranë (shatorrja e ministrit të Luftës...

Njëzet e një mjeshtra për procesin krijues

1. Cilat janë kërkesat e zejtarisë së romanit? Bernard Clavel “Të jesh romancier, nuk do...

KATEGORITË