More
    KreuLetërsiBibliotekë"Vrasja e një Elefanti" tregim nga Xhorxh Oruell

    “Vrasja e një Elefanti” tregim nga Xhorxh Oruell

    1. Në Moulmein në Birmaninë e Poshtme, unë urrehesha nga një pjesë e madhe e njerëzve- e vetmja kohë në jetën time që isha mjaft i rëndësishëm që kjo të ndodhte tek unë. Isha kryeinspektor policie në qytet dhe në një farë mënyre të paqëllimshme dhe meskine, ndjesia antievropiane ishte shumë e hidhur. Askush s’kishte guxim për t’u ngritur në përleshje por nëse një grua evropiane shkonte përmes pazarit vetëm, dikush mbase do t’i hidhte lëng bitelli në fustan. Si oficer policie, unë isha një objektiv i kuptueshëm dhe më ngucnin sa herë ndiheshin të sigurtë për ta bërë këtë.  Kur një birmanez i shkathët më rrëzoi në një fushë futbolli dhe arbitri (edhe ai vendës) shikoi në krahun tjetër, turma ulëriti me një buzëqeshje të neveritshme. Kjo ndodhi më tepër se njëherë. Në fund, fytyrat e verdha përqeshëse të të rinjve që më hasnin kudo, ofendimet që më fishkëllenin nga pas kur ishin në një distancë të sigurtë, m’i ngritën keq nervat. Priftërintë e rinj budistë ishin më të këqinjtë nga të gjithë. Ata ishin disa mijëra në qytet dhe dukej se asnjë prej tyre s’kishte punë tjetër veçse të qëndronte në qoshe të rrugës dhe të hidhte kunja me evropianët.   

    2. E gjitha kjo ishte çorientuese dhe shqetësuese. Për këtë, në atë kohë, më ishte mbushur mendja se imperializmi ishte një gjë e ligë dhe sa më shpejt që ta mbaja nën kontroll atë punë dhe të dilja prej saj, aq më mirë. Teorikisht- dhe fshehurazi natyrisht, unë isha i gjithi me birmanezët dhe kundër të gjithë shtypësve të tyre, britanikëve. Ndërsa, punën që bëja, unë e urreja më shumë se çdo gjë tjetër që mund ta përshkruaj me fjalë. Në një pozicion të tillë, mund të shihnit punët e pista të Perandorisë në qarqe të ngushta. Të burgosurit e mjerë që vërviteshin në kafazet e qelbura dhe të kyçura, fytyrat e zbehta dhe të frikësuara të të dënuarve afatgjatë, vithet e trembura të njerëzve që ishin rrahur me bambu – të gjitha këto më shtypnin me një ndjesi të patolerueshme faji. Por s’mund të bëja asgjë në perspektivë. Isha i ri dhe i arsimuar keq dhe duhej të mendohesha shumë për një rrugëdalje në vetminë e thellë që i imponohet çdo anglezi në Lindje. Unë madje nuk e dija që Perandoria Britanike ishte drejt fundit, akoma më pak e kuptoja që ajo ishte ku e ku më e mirë sesa perandoritë e reja që do ta zëvendësonin. E gjitha çfarë dija ishte se kisha ngecur ndërmjet urrejtjes time për perandorinë që i shërbeja dhe tërbimit tim kundër bishave të vogla shpirtkeqe që përpiqeshin të ma bënin punën të pamundur. Me një mendje e shihja sundimin britanik në Indi si një tirani të pathyeshme, si diçka të mbërthyer në saecula saeculorum me vullnetin e njerëzve kryeulur, ndërsa në anën tjetër mendoja se gëzimi më i madh në botë do të ishte të gjuaja me bajonetë në barkun e një prifti budist. Ndjesi si këto janë nënprodukte normale të imperializmit, mund të pyesësh çdo zyrtar anglo-indian, nëse e gjen jashtë kohës së punës. 

    3. Një ditë ndodhi diçka e cila në mënyrë të tërthortë më ndriçoi mendjen. Ishte një incident i vockël në vetvete por që më dha një njohje më të mirë nga ajo që kisha pasur më përpara të natyrës së vërtetë të imperializmit-motivet e vërteta mbi të cilat veprojnë qeveritë despotike. Herët në mëngjes, nëninspektori në një stacion policie në skajin tjetër të qytetit më mori në telefon dhe më tregoi që një elefant ishte duke shkatërruar pazarin. A mund të vish ju lutem dhe të bësh diçka? Unë nuk e dija çfarë mund të bëja por dëshiroja të shihja çfarë po ndodhte dhe hipa në një kalush dhe u nisa. Mora pushkën time, një Uniçester të vjetër dhe shumë të vogël në fakt për të vrarë një elefant por mendova se zhurma mund të ishte e vlefshme si mënyrë frikësimi të paktën. Shumë birmanezë më ndaluan në rrugë dhe më treguan për bëmat e elefantit. Nuk ishte, sigurisht, një elefant i egër, por një i zbutur i cili ishte tërbuar.  Kishte qenë i lidhur siç janë elefantët e zbutur kur iu vjen koha e ‘tërbimit” por natën e kaluar, kishte thyer zinxhirët dhe ishte arratisur. Kujdestari i tij, i vetmi person që mund ta mbante kur elefanti ishte në atë gjendje, ishte vënë në ndjekje të tij por kishte marrë drejtimin e gabuar dhe ishte tani 12 orë larg dhe në mëngjes elefanti papritur ishte rishfaqur përsëri në qytet. Popullata birmaneze nuk kishte armë dhe ata ishin krejt pa mbrojtje prej tij. Ai kishte shkatërruar tashmë një barakë bambuje të dikujt, kishte mbytur një lopë dhe kishte sulmuar disa tezga frutash dhe i kishte përlarë ato. Gjithashtu kishte hasur në kamionçinën e plehrave të bashkisë dhe kur shoferi kishte kërcyer jashtë dhe ia kishte mbathur, elefanti kishte përmbysur kamionçinën dhe e kishte dëmtuar seriozisht atë.

    4. Nëninspektori birmanez dhe disa policë indianë po më prisnin në një lagje ku ishte parë elefanti. Ishte një lagje shumë e varfër, një labirinth i barakave të ndyra prej bambuje, të mbuluara me gjethe palme që iu hynte era ngado, në një shpat të pjerrët. Kujtoj që ishte një mëngjes i vrenjtur, mbytës në fillim të shirave. Filluam të pyesnim njerëzit se ku kishte shkuar elefanti dhe si zakonisht, dështuam të merrnin ndonjë informacion të saktë. Kjo është padyshim gjendja në Lindje, një histori gjithnjë ngjan mjaft e qartë nga larg por sa më afër të shkosh drejt skenës së ngjarjes, aq më e mjegullt bëhet. Disa nga banorët thanë se elefanti kishte shkuar në një drejtim, ndërsa disa të tjerë në një drejtim tjetër, disa shpreheshin që madje as nuk kishin dëgjuar për ndonjë elefant. Më ishte mbushur mendja që e gjithë historia ishte një varg gënjeshtrash kur dëgjuam ulërima në një distancë të vogël më tutje. Ishte një britmë e fortë, skandalizuese e ‘Ikni fëmijë, Ikni menjëherë!” dhe një grua e moshuar me një elektrik në dorë shkonte rrotull qoshes së një barake, duke larguar me dorë një grumbull fëmijësh të zhveshur. Disa gra të tjera e ndoqën, duke kërcëlluar dhëmbët dhe duke britur, dukej qartë se kishte diçka që fëmijët nuk duhej ta shihnin. I shkova rreth e përqark barakës dhe pashë një trup të vdekur burri të plandosur në baltë. Ishte një indian, një hamall i zi Dravidian, pothuaj i zhveshur, dhe dukej se nuk kishte shumë minuta që kishte vdekur. Njerëzit thanë se elefanti i kishte ardhur atij papandehur nga qoshja e barakës, e kishte kapur me feçkën e tij, ia kishte vënë këmbët në shpinë dhe e kishte lëshuar përdhe. Ishte stina e shirave dhe toka ishte e butë, fytyra e tij kishte hapur një vazhdë një fut të thellë dhe disa jardë të gjatë. Ai ishte shtrirë në bark me krahët e kryqëzuar dhe kokën të përdredhur fort në një anë. Fytyra i ishte mbështjellë me baltë, sytë i ishin hapur dhe dhëmbët të çaraveshura dhe të ndotura me një shprehje agonie të padurueshme. (mos më thoni kurrë, meqë ra fjala, që i vdekuri duket paqësor. Shumica e kufomave që kam parë dukeshin djallëzore). Fërkimi i këmbës së madhe të bishës ia kishte shpërvjelur lëkurën nga shpina aq fort si kur rrjep një lepur. Sapo pashë të vdekurin, dërgova një korrier në shtëpinë e një miku aty afër të merrte hua një pushkë për elefant. E kisha kthyer më parë mbrapsht kalushin me të cilin erdha, duke mos dashur të tërbohet nga frika dhe të më hidhte në tokë nëse nuhaste elefantin.

    5. Korrieri u kthye brenda disa minutash me një pushkë dhe pesë krehëra fishekësh dhe ndërkohë disa birmanezë kishin mbërritur dhe më thanë që elefanti ishte në fushat e orizoreve më poshtë, vetëm disa qindra jardë më tutje. Ndërsa fillova të ecja përpara, praktikisht e gjithë popullata e lagjes doli nga shtëpitë dhe më ndoqi. Ata kishin parë pushkën dhe po bërtisnin të gjithë të eksituar që unë po shkoja të vrisja elefantin. Ata nuk kishin treguar shumë interes për elefantin kur ai po rrënonte shtëpitë e tyre por ishte ndryshe tani që ai do të vritej. Ishte pak argëtim për ta siç mund të ishte edhe për një turmë angleze dhe përveç kësaj ata donin edhe mishin. Kjo më vuri paksa në siklet. Unë nuk kisha qëllim të vrisja elefantin- thjesht kisha dërguar dikë të merrte pushkën për vetëmbrojtje nëse do të ishte e nevojshme- është gjithnjë nervozuese të kesh një turmë që të ndjek pas. Marshova poshtë kodrës, duke u dukur me siguri dhe ndjerë si budalla, me pushkën mbi supe dhe një ushtri të paparë të njerëzve që më ngatërroheshin nëpër këmbë. Në fund të rrugës, kur dilje nga barakat, ishte një urë metalike dhe përtej saj një djerrinë me baltë e fushave të orizoreve një mijë jardë matanë, e papluguar ende por e njomur nga shirat e para ku kishte mbirë vende-vende një bar i ashpër. Elefanti po qëndronte 8 jardë larg nga rruga, me anën e majtë drejt nesh. Atij nuk i bëri as përshtypjen më të vogël afrimi i turmës. Ai po shkulte tufa bari, duke i shkundur në gjunjët e tij për t’i pastruar dhe rrasur në gojë.

    6. Unë ndalova në rrugë. Menjëherë sapo pashë elefantin, e dija me siguri të plotë që nuk duhej ta vrisja. Është një çështje serioze të vrasësh një elefant, kafshë pune- është e krahasueshme me shkatërrimin e një pjese të stërmadhe dhe të kushtueshme të makinerisë – dhe e kuptueshme që s’duhej të bëhej nëse mund të gjendej një zgjidhje tjetër. Dhe në atë distancë, ku ai hante paqësisht, elefanti nuk dukej më i rrezikshëm sesa një lopë. Mendova atëhere dhe mendoj edhe tani që sulmi i tij nga “tërbimi” tashmë po kalonte, në atë gjendje ai thjesht do të bridhte i padëmshëm rreth e rrotull derisa kujdestari i tij të kthehej dhe ta kapte. Për më tepër, unë nuk dëshiroja në rastin më të fundit ta vrisja atë. Vendosa që ta vëzhgoja për pak kohë për t’u siguruar që nuk do të egërsohej përsëri dhe pastaj të shkoja në shtëpi.

    7. Por në atë moment, i hodha një vështrim përreth turmës që më kishte ndjekur. Ishte një turmë shumë e madhe, dymijë veta të paktën dhe duke u rritur çdo minutë. Ajo e bllokoi rrugën në një distancë të gjatë në të dyja anët. Shikova në detin e fytyrave të verdha mbi rrobat me ngjyra të ndezura- fytyra të gjitha të lumtura dhe të eksituara për pakëz argëtim, të gjithë të sigurtë që ky elefant do të vritej. Ata po më vështronin si një prestigjiator gati për të kryer një rreng. Ata nuk më donin mua, por me pushkën magjike në duart e mia, momentalisht ia vleja kureshtjes së tyre. Dhe papritur e kuptova që duhet ta vrisja elefantin në fund të fundit. Njerëzit e prisnin këtë gjë prej meje dhe unë duhej ta bëja atë. Mund t’i ndieja ata dy mijë vullnete që më shtynin përpara, në mënyrë të parezistueshme. Dhe ishte në këtë moment, ndërsa qëndroja aty me pushkën në duar që për herë të parë kuptova zbrazëtinë dhe kotësinë e dominimit të njeriut të bardhë në Lindje. Ja aty isha unë, njeriu i bardhë me pushkën e tij, duke qëndruar përballë turmës vendëse të paarmatosur- në dukje aktori udhëheqës i pjesës por në realitet unë isha vetëm një kukullë absurde që shtyhej para e mbrapa nga vullneti i atyre fytyrave të verdha mbrapa. Perceptova në këtë moment që kur njeriu i bardhë bëhet tiran, ai humbet në radhë të parë lirinë e tij. Ai bëhet një lloj manekini i veshur, bosh, figura tipike e një sahibi.  Sepse në rrethanat e sundimit të tij, ai duhej të kalonte gjithë jetën duke u përpjekur të impresiononte “vendësit”  dhe kështu në çdo situatë krize, ai duhej të bënte çfarë “vendësit” prisnin prej tij. Ai mban një maskë dhe fytyra i rritet duke iu përshtatur maskës. Unë duhej ta vrisja elefantin. Unë e kisha marrë këtë angazhim vetë kur dërgova për të marrë armën. Një sahib duhet të veprojë si një sahib, ai duhet të duket i vendosur, të ketë siguri në vetvete dhe të bëjë gjëra të përcaktuara. Për të ardhur deri aty, me pushkën në duar, me dymijë vetë duke marshuar pas meje dhe pastaj t’i ktheja mbrapsht i pafuqishëm tutje, duke mos bërë asgjë – jo, ajo ishte e pamundur. Turma do të më përqeshte. Dhe e gjithë jeta ime, çdo njeriu të bardhë në Lindje, do t’i duhej një luftë e gjatë që të mos përqeshej më.

    8. Por unë nuk doja ta vrisja elefantin. E vështrova atë duke shkundur tufën e barit në gjunjët e tij me atë pamje të preokupuar gjyshi që kanë elefantët. M’u duk se do të ishte vrasëse ta qëlloja atë. Në atë moshë, unë nuk kisha ndonjë dobësi të vrisja kafshë por kurrë nuk kisha qëlluar ndonjë elefant dhe as nuk dëshiroja ta bëja. (Nganjëherë duket edhe më keq të vrasësh një kafshë të madhe). Përveç kësaj, duhej të merrej në konsideratë edhe pronari i kafshës. I gjallë, elefanti ia vlente të paktën njëqind paund, i vdekur, ai do të vlente vetëm sa vlera e brirëve të tij, pesë paund, mundësisht. Por unë duhej të veproja shpejt. U ktheva në drejtim të ca birmanezëve që dukeshin me eksperiencë që kishin qenë atje kur mbërrita dhe i pyeta si kishte qenë duke u sjellë elefanti. Ata të gjithë thanë të njëjtën gjë, ai nuk iu vë re fare ju nëse e lini rehat por ai mund të ndryshojë nëse i shkoni shumë afër.

    9. Ishte krejtësisht e qartë për mua çfarë duhej të bëja. Duhej të afrohesha në këmbë brenda një rrezeje njëzet e pesë jardë nga elefanti dhe të testoja sjelljen e tij. Nëse ai sulmonte, unë do të qëlloja, nëse ai nuk më vërente, do të ishte e sigurtë ta lija atë derisa të vinte kujdestari i tij. Por unë gjithashtu e dija që nuk mund të bëja as këtë gjë. Unë isha një gjujtës i dobët me një pushkë dhe terreni ishte baltë e butë në të cilin do të fundoseshe në çdo hap. Nëse elefanti mësynte dhe unë e humbja objektivin, do të kisha aq shans për të jetuar sa një thithëlopë nën një ruler me avull. Por edhe në ato kushte, nuk po mendoja vetëm për lëkurën time, por për fytyrat e verdha vigjëluese nga mbrapa. Sepse në atë moment, me turmën që do të më vështronte, unë nuk e kisha frikën në kuptimin e përgjithshëm që do të kisha nëse do të isha vetëm. Një njeri i bardhë nuk duhet të tregonte frikë përballë ‘vendësve” dhe kështu në përgjithësi, ai nuk do të bëhej i frikësueshëm. Mendimi i vetëm që më shkonte në mendje ishte se nëse ndonjë gjë shkonte gabim, ata dymijë birmanezë do të më shihnin duke u ndjekur, kapur, shtypur me këmbë dhe reduktuar në një kufomë të zvargur si të atij indianit lart në kodër. Dhe nëse ajo gjë ndodhte, ishte krejt e mundshme që disa prej tyre do të qeshnin. Kjo kurrë nuk duhet të ndodhte. Kishte vetëm një alternativë, Unë e futa krehërin e fishekëve në karikator dhe u shtriva në rrugë për të marrë shenjë sa më mirë.

    10. Turma u bë menjëherë e heshtur, dhe një psherëtimë e thellë, e ulët, e lumtur si e njerëzve që shohin perden e skenës të ngrihet më në fund, mori frymë nga grykë të panumërta.  Ata do të kishin pak dëfrim në fund të fundit. Pushka ishte e mirë, gjermane me fokus të kryqëzuar. Unë nuk e dija atëhere që të vrasësh një elefant duhej të qëlloje që të hapje një shufër imagjinare nga njëra zgavër e veshit në tjetrën. Unë duhej, prandaj, siç ishte elefanti në krah, të merrja shenjë drejt e në zgavrën e tij të veshit, në të vërtetë mora shenjë disa inç më lart duke menduar se truri do të ishte pak më lart.

    11. Kur e tërhoqa këmbëzën, nuk e dëgjova krismën apo ndjeva goditjen- askush nuk e dëgjon kur një gjuajtje shkon në objektiv- por dëgjova ulërimën djallëzore të haresë që u ngrit nga turma. Në atë moment, brenda një kohe shumë të shkurtër, dikush do të mendonte se po të kishte goditur plumbi drejt, një reagim i tmerrshëm i papritur do të vinte nga elefanti. Ai nuk u trazua, as nuk ra por çdo qelizë e trupit të tij u duk se ndryshoi. Ai u duk papritur i goditur, i tronditur, jashtëzakonisht i vjetër sikur efekti i frikshëm i plumbit e kishte paralizuar pa e rrëzuar. Më në fund, pas asaj që u duk si kohë e gjatë- mund të ketë qenë pesë sekonda, guxoj të them- ai u përkul pak në gjunjë. Goja e tij lëshonte jargë. Një lloj vjetërimi i jashtëzakonshëm duket se e kaploi. Dikush mund ta kishte përfytyruar atë mijëra vjet të vjetër. Unë gjuajta përsëri në të njëjtin vend. Në gjuajtjen e dytë, ai nuk ra por u kacavar me një ngadalësi dëshpëruese në këmbët e tij dhe qëndroi i dobësuar drejt me këmbët që i përkuleshin dhe kokën që i varej. Qëllova për të tretën herë. Ajo ishte goditja vendimtare për të. Mund të dallonit agoninë e tij, shkundjen e të gjithë trupit të tij dhe goditjen e fuqisë së fundit të mbetur nga këmbët e tij. Por në rënie, ai u duk për një moment se do të ngrihej sepse ndërsa këmbët e pasme të tij ranë, ai u duk sikur po ngrihej lart si një shkëmbi i madh në shkërmoqje, me feçkën që shkonte drejt qiellit si një pemë.Ai gjëmoi për herë të parë dhe të fundit. Dhe pastaj ra, me barkun drejt meje me një shembje që u duk se tronditi dheun deri te këmbët e mia.

    12. U ngrita. Birmanzët tashmë po më parakalonin me vrap nëpër rrugë. Ishte e kuptueshme që elefanti nuk do të ngrihej më kurrë por ai nuk ishte i vdekur. Ai po merrte frymë shumë ritmikisht me ca gulçime të gjata rrapëlluese, pirgu i tij i madh në një anë po ngrihej dhe binte me dhimbje. Gojën e kishte hapur sa gjerë gjatë dhe mund të shihja që nga larg shpellën e grykës së tij të zbehtë, të skuqur. Prita një kohë të gjatë që ai të vdiste por frymëmarrja e tij nuk u dobësua. Në fund, e qëllova me dy plumbat e fundit që më kishin mbetur në vendin ku mendova se do të ishte zemra e tij. Gjaku i trashë vërshoi prej tij si një kadife e kuqërremtë por ai akoma nuk vdiq. Trupi i tij as nuk u drodh kur e goditën plumbat, frymëmarrja e mundimshme vazhdoi pa ndaluar. Ai po vdiste, shumë ngadalë dhe në një agoni të thellë por në një botë tjetër larg meje ku as edhe një plumb tjetër s’mund ta dëmtonte më shumë. E ndjeva se duhej t’i jepja fund asaj zhurme të frikshme. Dukej e tmerrshme të shihje kafshën e madhe të shtrirë atje, pa fuqi për të lëvizur  dhe pafuqi për të vdekur dhe madje as pa qenë në gjendje për t’i dhënë fund. Kërkova të më sillnin pushkën time të vogël dhe derdha plumb pas plumbi në zemrën e tij dhe poshtë në fyt. Duket se nuk bënë punë. Gulçimet torturuese vazhduan me aq qëndrueshmëri sa tik taket e një ore.

    13. Në fund, s’munda të duroja më gjatë dhe u largova. Dëgjova më vonë se iu deshën elefantit edhe një gjysëm ore tjetër për të vdekur. Birmanezët kishin filluar të sillnin thika dhe shporta edhe përpara se të largohesha dhe më treguan se e kishin zhveshur trupin e tij deri në kocka atë mbasdite.

    14. Më pas, natyrisht, kishte diskutime pafund rreth vrasjes së elefantit. Pronari ishte xhindosur por ai ishte thjesht një indian dhe s’mund të bënte asgjë. Përveç kësaj, ligjërisht unë kisha bërë gjënë e duhur, sepse një elefant i tërbuar duhej të vritej, si një qen i tërbuar nëse i zoti dështon për ta mbajtur nën kontroll. Në mes të evropianëve, opinionet ishin të ndara. Të vjetrit thoshin se unë kisha vepruar drejt, të rinjtë thoshin se ishte një turp i madh të vrisje një elefant pse kishte mbytur një hamall sepse një elefant ia vlente më tepër sesa çdo hamall i mallkuar nga Coringhee. Dhe më në fund, unë isha shumë i gëzuar që hamalli ishte vrarë, kjo më jepte ligjërisht të drejtë dhe kisha një pretekst të mjaftueshëm për vrasjen e elefantit. Shpesh vrisja mendjen nëse ndonjë nga të tjerët e kishte kapur që unë e kisha bërë këtë vetëm që të mos dukesha si budalla.  

    Përkthyer nga Kujtim Morina

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË