Nuk e kam njoftë gjatë, por bacën Adem, Adem Gashin, e kam njoftë aq sa duhet me e njoftë dikë për me e pasë dëshirën dhe kënaqësinë e takimit me të. Aq sa mos me ia kthye cigaren, edhe pse ti nuk tymos. Aq sa mos me u kujtue se t’zuni e vona në biseda me të. Aq sa, nëse ke lanë takim në ora 12.00 me të, ti, edhe po qe se ke shkue 10 minuta para kohe, prap atë para teje aty e ke gjetë. Dhe mandej edhe aq sa me e ditë që, po pagove, duhesh me u idhnue fort me të.
Veç n’dy raste ia kam “kthye fjalën”. As tash që s’asht ma, nuk jam pishman. Prap i them që nuk e ka mirë. Dhe nëse s’ka me e ndryshue mendjen ai, nuk kam me ndryshue qëndrim as unë.
E kam njoftë, bacën Adem, aq sa, me bisedat e gjata që i banim, herë te EDI 2 e herë te Kafe Z, m’dukej se ishim shokë. Shokë fort t’mirë, madje edhe motës. Ma mirë se kushdo, këtë e di, Emini. Emin Z Emini.
Sot, kur n’mjes e kuptova se e kishim humbë, u mërzita. Nuk qava. Nuk më rrodhi asnji pikë lot. Nuk ishte baca Adem n’rend të dekës. U takuem fiks para nji mueji, në festën e ditëlindjes të mikut të tij, Primos, dhe me gjithë atë vullnet e gaz që e bani, nuk mundesh mos me e përjetue si krejt të papritun largimin e tij.
*
Para tre vjetve, mbas mbarimit Festivalit REPUBLIKA, të nesërmen, bashkë me pjesëmarrësit poetë të tjerë, shkuem në Bjeshkët të Opojës. U nisëm veç për nji drekë e na zuni mesnata atje.
N’festën e ditëlindjes, pra para nji mueji, m’tha: Kur bre po na çon prap te ai vendi!? Belivalla knaqë jena. Auuu, çfarë shyhreti â ko. E paharrueshme ajo ditë.
U përudh baca Adem në nji ditë të bardhë janari, bash sikur ajo e Bjeshkës së Opojës, tue e lanë veten t’strehuem mirë nëpër poezitë e tij.
*
Cilën e lexoj unë, cilën aktori?
Të dyja shumë t’mira, por e dyta m’përloti. – Të dytën e lexoj unë pra.
Ishte poezia “Dita e parë dhe e fundit”. Trupi morrnica krejt m’u ba kur e lexova. U përlota sikur shum shpesh me vargun e tij.
…
Dhe Dita e parë, që domethënë, E fundit
Kur në fund të fjalisë dëftore vihet një Pikë (.) Dhe ti s’flet më, po flasin të tjerët për ty.
Ndoshta prandaj sot nuk qava.
*
“Atje ka dhe një vend për varr. E kupton çdo të thotë një varr krejt i lirë në vendin tënd, midis tokës e
qiellit, ku të vizitojnë me radhë stinët dhe derdhin sipër lule bjeshke të erëndshme dhe era e vendit tënd të pëshpërit në gjumin e përjetësisë: fli i qetë, im bir!”
Ky asht publikimi i tij, me 5 janar, njimbëdhetë ditë para ikjes, fragment nga romani i tij “DITA TJETËR E JETËS”.
Thonë se poetët parandjejnë. Sikurse ia kishte dallue n’ftyrë ikjen e tij, miku tij, Primoja. E kishte pa me shum vërejte, n’festë dhe mbas feste m’tha: Ia kam pa nji vijë të verdhë Ademit sonte, si asnjiherë ma parë. U tuta për te, Aulo.
Si duket edhe baca Adem e paska ndie ardhjen e moskthimit.
Jeta dhe veprimtaria e tij letrare kanë me mbetë kronikë e kohës, ashtu sikurse ai ka ditë me i krijue ato për veten.
Asnjiherë nuk e fshehu shpirtin e tij prej liriku. Mbase as ai vetë nuk e di se sa poezi ka krijue deri tash. Madje nji prej albumeve muzikore ma t’bukura “Lugina e dashurisë” e këngëtarit Ilir Shaqiri, e ka aurën e teksteve të Adem Gashit. Të përpjetave rë poezisë lirike ai u ngjitej me hap prej ujku.
“Shprehjen artistike të Gashit e shquante lirizmi, i cili rrjedh nga paradokset e jetës individuale e shoqërore, duke vijuar me veprat e mëvonshme, ku dominon sinkretizimi i formave të shprehjes artistike”, shkruhet në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës
*
Me 2018-tën mbahet konkursi letrar KultStrofa në Prishtinë. Konkurent e kishte edhe mikun e tij të afërt, mbase ndër më të afërtit, Eminin. Në atë konkurs, baca Adem u vlerësue me vendin e dytë, por mbasi e kupton se vlerësimi me çmimin e parë i takon dikujt tjetër dhe jo Eminit, ai çohet e reagon publikisht – Qysh asht e mundun unë vendin e dytë e Emini i pavlerësuem!?
Ky ishte baca Adem. Nuk ka përtue me i dalë zot vlerave, të bukurës, të drejtës.
Në vitin 2022, ai nderohet me Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” i cili ndahet nga Ministria e Kulturës në Kosovë. I fundit në të gjallë të tij.
*
Asnjiherë nuk i deshti urimet. Madje as fjalën falemnderit.
Në 58 vjetorin e lindjes së tij miq të shumtë e kishin urue. I zanë ngushtë, mbas disa ditëve, ai shkruen:
“Të çmuar e të dashur miq. S’ka shumë Kohë që më keni uruar ditëlindjen. I kam Lexuar një për një. Kam pasur kënaqësi të Rrallë, po nuk u bëra i gjallë. E dini pse? Nuk Më pëlqen fare shprehja “Faleminderit”. E Çuditshme! Ngaqë nuk gjeta formulën që Dua, vendosa t’ju them: jam i lumtur që ju Kam borxh!”
Kësisoj largohen njerëzit si baca. Kësisoj largohen poetët si Adem Gashi.
Edhe unë jam e lumtun, që nuk i kam thanë të gjitha për të dhe, në njifar mënyre, po i mbetem borxh.
16 janar 2024, Prishtinë