More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVladimir Muça: Madhështia e të thjeshtës dhe social janë poezinë e Niko...

    Vladimir Muça: Madhështia e të thjeshtës dhe social janë poezinë e Niko Kacalidhës

    Ishte një grup-target poetësh të cilët që në auditorët e universitetit të Tiranës, sollën në letrat shqipe një drejtim të ri poetik, kontemporan. Mes tyre në shtypin e kohës si një rreze e një ylli udhëtar regëtinte me botën e tij, fshehur në imtësinë e trupit, minoritari grek nga Leshnica, Niko Kacalidha.

    Me formimin e tij, për njohjen e risive në botën letrare perëndimore, të marrëdhënieve me artin shkrimor, ai i kishte paraprirë konceptit të George Steiner i cili definon se: “Format estetike dhe logjike na ndajnë ne nga vulgarizimi zanafillor i poetikës”, (Revista Aleph, Nr. 15, 2004, fq.50)

    Ciklet me poezi të Kacalidhës botuar në “Zëri i rinisë”, “Drita” dhe “Nëntori” vinin si ato frytet e hershme, përmes një moderniteti bio shqiptar. Metaforat shumë funksionale, simbolet, nënteksti i fshehur nën palimpsestin e tyre, u bënë koraca mburojë ndaj tematikave të diktuara nga soc-surrealia e totalitarizmit në letërsi dhe arte. Në një përballje të tillë me drejtimin totalitar “të folmes” së drujtë dhe slogane, në shkencën humane letrare, Niko Kacalidha si në luftë me vetveten, duke u mbyllur si eremit në botën e vet poetike e pangjashme jashtë tij, atje në Leshnicën e dashur, si mesazher i dritës së diturisë, krijoi botën e tij poetike.

    Për Kacalidhën, si shumë krijues të rinj të atij grup-targeti poetësh, kondicioni krijues ishte siç e perifrazoi edhe Harold Bloom: “Në fund të shtegut të ironisë së humbur është caku i mbramë përtej të cilit vlera e letërsisë  do të jetë e papërsëritshme. Ironia është thjeshtë një metaforë dhe rrallë ndodh që ironia e një epoke letrare, të jetë si ajo e një epoke tjetër.” (Harold Bloom , “Përse lexojmë”, revista Mehr Licht, Nr. 36, 2009, fq. 11)

    Autori diti me mençuri të përballojë ekspansionin denigrues totalitar dhe të përcjellë tek lexuesi një drejtim të ri metaforizues, duke kultivuar në kopshtin e tij erbare të reja poetike. Ai tërheq lexuesin në hapësira rrëfyese përmes përjetimeve, ku konvergohen tek njëra-tjetra personalia me kolektiven, e veçanta me të përgjithshmen, drejt një supstancionaleje shumë të dëshiruar.

    Me vëllimet pas viteve ’90 “Profecitë e drurëve”, “Pagëzimi i zogjve”, dhe “Herldikët e borës”, Kacalidha gëzon statusin e dy jetëve krijuese ose dy aspekte të krijimtarisë së tij kohore: para dhe pas viteve ’90, dhe vendore, në vendlindjen e tij Leshnica e Shqipërisë dhe Athina e Greqisë. Poet i dy popujve aq shumë të integruar me lashtësinë, mitet, legjendat e tyre si një e përbashkët pellazgjike.

    Heraldikët e borës”, qoftë nga botimi luksoz, me profesionalizëm të shtampës nga enti botues Onufri, qoftë nga përmbajtja vjen në letrat shqipe si një monument poetik.

    Të marrësh në analizë një botë të tillë poetike do shumë këllqe, se për krijimtarinë inovative në poezinë shqipe dhe atë greke të Kacalidhës, kanë dhënë mendimet e tyre figura nga më të shquarat të botës letrare shqiptare dhe greke. Me të drejtën time, si një lexues i epshëm i Kacalidhës, do të përqas për lexuesin disa vëzhgime, disa veçori të monumentit poetik pasi ajo vjen si një përmbledhje antologjike e gjithë brumit krijues të autorit.

    Rezultati i një pune voluminoze, trajtuar bukur artistikisht përmes shumësisë së metaforave imputeve artistikikë të natyrës me madhështinë e të thjeshtës së saj është ky vëllim poetik.Të vjelësh nga natyra madhështinë e thjeshtësisë sipërore, që shumëkujt nuk  i hyjnë në sy, do të thotë se ke vjelë vlerat artistike të natyrës, natyrën e ke kthyer në art poetik.

    Ky vëllim vjen në letrat shqipe në koherencë kur  arti poetik po vuan pasojat e një pluralizmi krijues, ku çdo njeri që di të lidh dy fjalë dhe ka para, boton dhe e quan veten shkrimtar, e kur inteligjenca artificiale me sa vëzhgojmë në internet është futur në botën e artit krijues, ku gjithçka ngjan e shkëputur nga realiteti.

    Përmbledhja “Heraldikët e borës” spikat si një dritësirë origjinale, plot nerv e kumte njerëzore. Në vëzhgimet e mia, do të prezantoj disa veçori të cilat e mëvetësojnë  poezinë e Niko Kacalidhës. Të futesh në analizën shumëdimensionale të shkencës letrare të këtij vëllimi kërkohet një angazhim i thellë i dukurive që autori solli në drejtimin e ri poetik, në poezinë shqipe dhe më gjerë.

    Që në botimet e para në fillim të viteve ’70 ai u shfaq në shtypin letrar si një lirik i veçantë, me elementë të një ekspresionizmi ekzistencial, metaforik dhe simbolik. Një poezi sintetike, fjalëkursyer pa ujëra, me shumë nënkuptime, ku metaforat dhe simboli ishin zëdhënëset e natyralitetit, poetik e jo siç thuhej në ato kohë të egra për poezinë e re “hermetizmi i huazuar”.

    Në krijimin e mirëfilltë poetik autori rrugëton me konceptet e Wallace Stevensit i cili perifrazon se: “Kushdo që shkruan poezi, shkruan gjithmonë rreth dy gjërave në të njëjtën kohë, dhe është kjo pikërisht që shkakton tensionin karakteristik të poezisë. Njëri është subjekti i vërtetë. (Përjetimi V.M) dhe tjetri është poezia e subjektit.” (Rev. Aleph, Nr.15, 2004, Fq. 108)

    Gjithashtu që në fillimet shkrimore në konceptin estetik mbi artin e krijimit ai e kishte të qartë çka sugjeronte estetikisht Ernest Heminguej se: “Një shkrimtar i kohës sonë duhet të shkruaj ç’nuk është shkruar më parë, ose të mund të vdekurit.” (Ernest Heminguej, “Shënime për letërisë”, fq. 549).

    Në poezinë e Kacalidhës ekspresionizmi vjen përmes natyralitetit, të shfaqjes së ndjesive dhe imazhinizmit poetik, duke pasqyruar një botë të brendshme, dashuri dhe dhembje, ku simbolet e Akrokeraunëve, imazhi flokëkaçurrel i Petro Markos, Zjarri i Zeusit në vetëtimë, shprehin amalgamën e një trysnie shpirtërore, një boshllëk në shpirtin e poetit ku në poezinë “Pakti i  Akrokeraunëve”, definon: “Kam lidhur pakt mossulmimi me Akrokerauset/ Të kundroj Himarën dhe të shtrihem në Jaliksar,/ Të fus thellë në shpirtin tim rezonancën e detit,/ transparencën e zogjve të marr një sy gjumë atje,/ sipër midis kopshteve parajsore të Spilesë”.

    Në këtë lirikë plot aroma ndjesish, si dhe shumë të tjera, vjen një veçori thelbësore e cila tregon majanë me të cilën është gatuar personaliteti poetik i Kacalidhës: “Tryeza e shtëpisë”, “Vendlindja në magnetofon”, “Duke dalë në malet e mia me borë”, “Prerje gjeometrike”, “Vaj për djaloshin e vrarë”, “Këpucët”, “Mëmat” , “Fije bari”, “Të vdekurit nuk flenë”, “Lumi i Leshnicës”, etj ku: “O, guri pragut duhet shkelur,/ O, duart e gjyshes duam puthje,/ O, delja në pllajë duhet të të shohë që të blegërijë,/ O, jargavani në avlli i duhet marrë erë, që të të kerresh mallë.

    Sidomos poezia “E drejta njerëzore për të dashur babanë” vjen si një preambul e gjithë koncepteve për të dashur babanë e cila promovon dashurinë dhe dhimbjen në këtë botë apokaliptike që po ndodh sot në familjet shqiptare, prishja e ekuilibrit social, braktisjet e prindërve, ç’përbërjen e jetës në komunitet, ku përmes vargjeve autori thirrmon: “Të ngulësh sytë e tu në kokën mbështetur/ në nënkresën e dëborës të dhimbjes, e sytë. Të kërkojnë lidhjen direkte me shpirtin” E jo prindërit t’i harrojmë që të gjallë, dhe veç kur vdesin t’i qajmë me oi, oi, oi, çfarë vlere ka ai lot që hiqet faqeve zvarrë, kur ne i lamë të ikin nga kjo botë në vetmi se: “Fija e barit nuk mbin/ O, fija e barit nuk mbin vetëm mbi varrin e nënës të mërgimtarit.

    Këto janë ato efektet moderniste të natyralizuara, ku natyra me madhështinë e saj dhe emocionet aranzhohen me njëra-tjetrën në një solfezh poetik. Nëpërmjet rrëfimeve poetike, inputëve artistik të natyrës, autori krijon universalitetin e kujtesës të dhimbjeve dhe dashurive, për ato (Kërko ato zhurmë buzë Jonit,/ ku ai vriste gjunjët / dhe treste shikimin ku u ngurtësua vjaza e valëve.)

    Një poezi e tillë në protonizmin e saj gjeneron një estetikë paksa të ndërlikuar, ku aftësitë e poetit qëndron në vjeljen  e shumë kuptimshmërive duke i dhënë përparësi ndjesive poetike ndaj narrativës. Në përfitimin e një kulture të re poetike, përmes inovacioneve, të maturuara në arealin shqiptar dhe atij grek e mirë-përfaqësuar nga Ricosi, Seferis, Elitis, me racionalitetin e tij poetik, autori udhëhiqet nga vizioni estetik i Jorgo Seferis i cili perifrazon: “poeti nuk mund të ndahet hermetikisht nga personaliteti i tij dhe funksionimin e poetit e ushqen një ecejake e pandërprerë midis unit të brendshëm dhe atij sipërfaqësor.” (Jorgo Seferis, Monolog mbi poezinë dhe ese të tjera).

    Poezi a e Kacalidhës e kapërcen hapësirën e personalitetit krijues duke kaluar në përbashkësinë e shumë karaktereve poetikë. Në këtë kontekst ajo ofron për lexuesin një bashkësi portretesh të sinqerta njerëzorë. Kjo është ndjesia e parë teksa lexon produktin voluminoz poetik “Heraldikët e borës”, një kontribut madhor në artin e fjalës së bukur poetike jo vetëm të asaj shqiptare dhe greke si dy siamezë kulturorë, por edhe më gjerë në rang botëror.

    Me bindje prej esteti Fatmir Minguli në gazetën “Dita” 7 qershor 2023 shkruante: “… duke lexuar me vëmendje poezitë e Nikos ngazëllehem për nga sinqeriteti i çuditshëm, një sinqeritet i një shpirti delikat, një shpirti që emeton dritë.

    Niko Kacalidha një poet me dy jetë krijuese, në dy areale përjetuese, në këtë përmbledhje poetike përfshin poezi të shtratifikuara në dy kohë dhe në dy areale. Përmes një kaleidoskopi ai na jep ndriçimtarinë shumëdimensionale të pesë dekadave gjatë të cilave vendi ku lindi dhe u formua si artist i fjalës, dhe atdhenë tjetër Greqinë, ku u maturuan, trioruan në triorin modern të Ricosit, Seferisit, Elitisit. Një ndërthurje e artit poetik të arealit shqiptar dhe atij grek, në një gjuhë të përbashkët poetike.

    Në nëntekstin e tyre poezitë ofrojnë një subkoshiencë të binjakëzuar kulturash poetike pa dallime autoktonie që është gjuha poetike. Me të drejtë Gëzim Basha në parathënien e librit qartësisht  definon: “… konstatohet lehtësisht se Kacalidha ka një trajektore të qartë suksesi dhe se ai hyn ndër poetët më kompleks në të dyja kulturat, përveç të tjerash dhe nga hapja dhe ekspozimi i tij ndaj dy traditash të ndryshme letrare”.

    Në këto kontekste ajo që e bën të veçantë poezinë e Kacalidhës është shmangia nga mendimet e zakonshme, antrakset politiko-shoqërore, që i kanë ndjekur dhe i ndjekin dy popujt në këto supstanca 50 vjeçare kohore. Autori distancohet nga moralizimet pezhorative apo pedantizmi shoqëror. Poezitë e kanë buranën tek bota personale e pa agravuar nga këto dukuri, ata ushqehen nga ndjesitë më të çiltra të personalitetit në autentikën autoriale, duke na dhënë përjetime të fragmentuara dhe imazhe të gjalla të cilat krijojnl lidhjen autor-lexues. Është kjo lidhje që këto mendime poetike i ç‘prangos nga personaliteti krijues dhe i bën që të rezonojnë universalitetin. Kjo tregon forcën e një poezie të tillë e cila me emocionet që përcjell përbashkon popujt.

    Ndryshe nga artet e tjera pamore, të cilat në kultura të ndryshme manifestohen ndryshe, poezia është art universal, ka një gjuhë ndjesore të përbashkët. Me poezitë e shkruara dhe në një botë tjetërlloj, Kacalidha na shpalos me universalitetin poetik duke ndërthurur më së miri elementët simbolik me ato tradicional duke bërë lidhjen koherente të dy kulturave në një progresion poetik.

    Është jo e lehtë të zbulosh veçoritë e paperceptuara nga studiuesit e shumtë të Kacalidhës, ku profili i tij si poet shpaloset në një zhanër sa enigmatik aq dhe jetësor.

    Në këtë botë shpirtërore të mëtosh dukuritë e një sinqeriteti poetik i cili lundron me vlerat e poezisë dhe emeton dritë në dy areale, të Leshnicës të dashur të Jonit, Syrit të Kaltër, Himarës me shpatullat e Vetëtimës dhe Greqisë me mitologjinë e saj, është si të gjurmërosh në një pafundësi vlerash. Herë-herë amalgama krijuese dhe përkthyese e Kacalidhës të shfaqet si një mitologji endacake nga një truall në tjetrin, duke zgjuar nga gjumi shekullor të parët e këtyre trojeve përmes shtjellave të erërave historike, dijeve, ujërave që qetojnë e zjarrmojnë dy popujt.

    Tjetër lloj vjen autori dhe në trajtimin e miteve dhe të legjendave. Simbolikisht duke i sjellë mitet dhe legjendat në kontekstet e sotme kohore, autori, nga qenie amorfe, të akullt me mermerin e tyre, apo gurin ciklopik, i shpirtëzon u jep frymë, ndjesi nga bota e vet, duke promovuar vazhdimësinë jo vetëm të brezave, por edhe të kulturave. Gjithçka hyjnore me zëdhënësinë poetike bëhet njerëzore, e prekshme, me gjakun e limfës së jetës.

    Në këtë përfshirje të mitologjisë e legjendave si tek poezitë “Lira Ofreut”, “Luani i Butrintit”, “Manteli i Harrimit”, “Pusi i humnerës”, “Barka e Noes”, “Lutje Poseidonit”, “Muret e Trojës”,  elementet surreale aranzhohen bukur me një ekzistencializëm tradishent, ku bota e përjetuar shtrihet në përmasa mes qiellit dhe tokës, si një botë e ndërmjetme ku lidhjet shpirtërore janë paradigmat e një pavdekësie letrare. Një dukuri e tillë psiko-analitike e jetës vjen dukshëm dhe përmes poezive në prozë ku shtjellimi i lidhjeve të dy botëve vjen si një vazhdimësi integrimi në kontekste kohore të ndryshme, duke emërtuar personazhe, ngjarje e fenomene. Në këtë vështrim vjen edhe e veçanta poetike ku mitet e legjendat autori na sjell tjetërlloj nga ç’jemi mësuar ti shohim të ngurtësuar , elementë të akullt.

    Përmes poezive “Shtrëngoja shtyllat e Panteonit”, “Perënditë e Olimpit”, “Lumi i Heraklidit”, “Brenga e argonauteve”, mitet dhe legjendat vinë te lexuesi të tjetërsuara, të gjalla, si partnerë të jetë sonë duke na dhënë një lidhje shpirtërore të të kaluarës me të sotmen sepse: “Po na jemi këtu vetëm për të gjallët/ Më përshpëritën në vesh mermerët/ para nesh të vdekur janë shtrirë vetëm barbarët”.

    Përmes një lirike të bukur mjatëzuar nga maja mitike si “Muret e Trojës”, autori i thellon këto lidhje përmes një diskursi mitik, ku premisa e vazhdimësisë përmes një kontroversi ku: “Këto mure po ti bëja unë/ medoemos që s’do të qenë kaq të larta/ duhej patjetër që të shihej prej të gjithëve Helena/ dhe e kishit për të parë s’do vdiste bukuria”.

    Në të tilla poezi, gjithçka vjen plot aroma ndjesish, jetësuar në burimet e tyre natyrore, në ato vende ku ato lindën si produkte të një ndodhie, dramaticiteti, tragjedie, përplasje shoqërore. Mitet, legjendat vinë me konceptin e veçantive fondamentale duke pasur në themel të tyre dashurinë dhe dhimbjen e shkrirë në përjetësi me toponimitetin e truallit ku ajo lindi.

    Destina poetike e Niko Kacalidhës dallohet nga poezia e detajeve, por përkundrazi nga substanca e tyre artistike autori nuk poetizon detajet, por nga substanca e tyre artistike ai nxjerr frymën poetike në formatin e alegorisë, të simbolit, anaforës. Nga një estetikë e tillë tharmet poetike dhe ato filozofike ndërveprojnë bukur, brenda një stili autentik ku realiteti dhe subjektiviteti shkrihen si një përbashkësi poetike.

    Në tërësinë e marzhit krijues autori e mbështet krijimin poetik tek alkimia e fjalës, duke i dhënë asaj ndjesitë e një alkimie shpirtërore e cila i shndërron fjalët në bukuri dhe manifestimet  më të vlera e më të goditura, ashtu siç thotë fjalë-urta: “goditja me pambukun e fjalëve është goditja më e qëlluar”. Në këtë mënyrë vetëdija dhe ndërgjegjja del më në pah. Fjala në këto kontekste vjen me morfologjinë e antropologjinë e saj, metafizikisht e simbolikisht e qenësuar si frymorë.

    Nga ky konceptim artistik i fjalës vjen dhe veçoria tjetër e Kacalidhës i cili në polifoninë e saj dallohet jo vetëm nga përbashkësia e tingëllimave të zanorëve me bashkëtingëlloret por dhe nga pasuria e fjalëve të përzgjedhura poetike, fjalëformimeve, neologjizmave, krahinizmave të cilat vinë jo vetëm si një detyrë e realizuar e shkrimtarit në pasurimin e fjalorit por edhe si një vlerë e shtuar e krijimtarisë.

    Social poezia paksa diskrete në inovacionin e saj modern vjen si më delikate nga shpirti i sinqertë i poetit, duke përballur me njëra-tjetrën dy botë deri diku të njehsuara shpirtërisht, një botë mistike e cila e bënte të besonte në një status social tjetër lloj nga sot mes dy botëve.

    Poezia “Heraldiket e erës” e cila personalizon dukshëm një drejtim të ri poetik, paksa rebel ku natyra dhe njeriu kapërthehen me njëri-tjetrin në dhënien dhe marrjen e diskurseve jetësore, një lidhje permanente e Oshënarit dhe arealit ku: “E shkreta shtëpi, zjarrfikur./ mohimi nga bekimi i hirit/ Borsi i ngrirë nën dritare. / pjergullës në oborr i krisnin eshtrat./ Gjyshes pranë vatrës i thernin kokallat.”

    Një poezi e tillë e trazimeve dhe dyzimeve ekzistenciale, përmes përjetimeve, përndez një kuntrapunt ndjenjësor dhe emocione, vjen si një protonizëm poetik i autorit.

    Përshkrimi i natyrës përmes metaforave dhe simboleve me nocione pikturale sjell përmes imazheve e përjetimeve përmes një surealizmi të sofistikuar mjeshtërisht në një botë të përjetuar, përmban në eliksirin e tij shumë aroma ndjesish.

    Ky është edhe një nga trajtimet moderne në poezi nga autori. Poeti e kthen natyrën nga një qenie amorfe: shkëmbin, drurët, lumin, detin, retë, barin, në një qenësi fantaziste, duke bisedua me to, duke u vendosur si lundërtarë në qendrën e këtij dialogun si bocman, ku natyra dhe njeriu vinë si një lidhje e domosdoshmërish ekzogjente.

    Këtë ngulmim në vjeljen e imputëve artistike në madhështinë e natyrës, autori e sintetizon poetikisht tek poema “Pagëzimi i zogjve ”. Kjo poemë përmes madhështisë së thjeshtësisë natyrore, atyre dromckave të pa vlerësuara nga shumë poetë vjen në këtë përmbledhje si një kurorë dafinash ku:

    Malet bronxorë kruanin kurrizin në dëllinjat/ ereve dhe asparaguset e mjegullave”, ku “Zogjtë panë në kumin e detit brunësinë e vajzave/ që putheshin në brigje, pulitën sytë e virgjërisë/ dhe nga rreqethja çeli jasemini gjirit”.

    Në lidhje unitare e njeriut me natyrën siç shprehet poetikisht te poezitë: “Desh më çmalli mjegulla” dhe “Të dashurit që na ikën” autori jep apologjinë poetike të kësaj lidhje ku: “Gjithë ullinjtë e krahinës në mëngjes kishin ulur kryet/ Gjithë ullinjtë në  vigun e vjelësve e mbajtën mbi supe”.

    Kjo rrjedhë dialogu mes natyrës dhe njeriut vjen përmes kapërcimeve të kohëve dhe përjetimeve. Dëbora dhe Borsi, bishtlëkundësi që na shfaqen hera-herës në poezitë e Kacalidhës nuk vinë si dukuri natyrore, por si simbole të fuqishme të cilat ndryshojnë, alternohen me subkoshiencën njerëzore dhe gjendjen sociale duke marrë hera-herës dimensione alegorike.

    Në këtë anamnezë, sa lirike aq edhe sociale, autori i servir lexuesit psiko-terapinë, e cila domosdoshmërish lind nga marrëdhëniet natyrë-njeri. Në mos dakordancë si natyra, si njeriu dëmtojnë egërsisht njëri-tjetrin. Një vështrim ambientalist i sjell bukur nga autori përmes një arti të rafinuar poetik.

    Me plot finesë, përmes një ekstrakti me ciklin trevargësh: “Hiret e hidhërimit” një stilistikë e haikut rebel bio-shqiptar, autori vjen tjetër lloj, origjinal në impresionet poetike duke thyer normat klasike të haikut.  Në këtë cikël autori paraqet tablo të pandryshueshme të përjetimeve të kumteve njerëzore, botën në lakuriqësinë e saj, të cilat ai i sheh me syrin e vargut të përzgjedhur ekstrakt. Kjo formë poetike e ka buranën tek namatisjet, tek psalmet që i kushtoheshin hyjnive, natyrës, kumteve njerëzore, duke marrë impute artistike nga stinët dhe elementët e natyrës të lidhur me kulte animaliste, në kondicion me botën shpirtërore njerëzore, në konceptim të ideve, mesazheve që bulojnë prej tyre.

    Në konceptin e përbashkësisë së tyre ata përbëjnë poemën “ Hiri i Hidhërimit”. Kjo lloj poezie pa reminishenca artistike nga haiku japonez u zhvillua për herë të parë përmes tercinave të Aligerit dhe Leopardit.

    Haiku i rebeluar i Kacalidhës në veçanti i këndon kultit të stinëve, botës që e rrethon. Autori i përjeton drejtpërdrejt: faktet, fenomenet, aromat e ndjesive. i përpunon në rifinitura poetike dhe ia servir lexuesit të cilit i duken sikur i ka përjetuar e prekur me duar, e fotografuar me irisin e syrit të tij. Sonda perceptuese e autorit eksploron misteret e ekzistencës njerëzore ku: “Si mund ta ribëjnë barkën e Noes/ ata që nuk njohin ullirin, pëllumbin/ Si mund ta ribëjmë botën nga e para.” Ku: “Vetëtimës ndizja cigaren/ e hidhërimit dhe ulërija,/ të fshija dhimbjet e mia ” sepse: “Gjithë kryqet mbi varre për të gjallët”.

    Në këtë cikël (poemë V.M) spikat vëmendja ndaj të vërtetave jetësore, dhembshuria ndaj botës, krijesave të gjalla, marrëdhënieve të njeriut me to, të cilat janë  një parim budist. Gjithçka vjen si një shqetësim i brendshëm i autorit, ndaj si një kinematikë, me një larushi mbresëlënëse, na del përpara një botë me ekzigjencë në substanca të ndryshme kohore si një perceptim jetësimi.

    Bashkë me Moikom Zeqon si primëtarë të një dukurie të re në poezinë shqiptare. Me “Blatimet e borës” Kacalidha solli një risi të stilit alla Xhon Persi në poezi pa asnjë reminishencë, ku poezia dhe proza janë aranzhuar aq bukur në një amalgamë artistike. Stilistka e re e Kacalidhës mbarështohet në hapësira të gjera të interpretimit poetik.

    Cikli “Blatimet e borës” natyralizon pa asnjë dukuri plagjiature  në konceptimin poetik si “Anabaza” Persit duke sjellë lirshmërinë poetike përmes polifonisë së fjalëve ku: “Tani si statuja vështrojnë qiellin, ndjellin fluturat, shtëllunga bore në flokët e tyre. Tani numërojnë gjurmët e borsit në parmakun e ballkonit, ledhatojnë yjet heraldike të fjollave kristalore të borës me gishtat e ngrirë nëpër hullitë e kadifenjta të suferinës dhe ngrenë flamurin e bardhë”.

    Ashtu sikundër shak-shaket me ardhjen dimërore, në ullishta, rrëmijnë për stafidhe, autori në logun e një proze poetike vjel ekstrakte stafidhesh të shpirtit poetik përmes një rebelimi stilistik. Me tingëllimat e fjalëve të përzgjedhura me kujdes, si ato stafidhet e tejpjekura që bien nga dega e ullirit, me inteligjencë artistike autori aranzhon bukur prozën me poezinë në një produkt të vetëm artistik.

    Dy jetët krijuese të Niko Kacalidhës me Leshnicën e dashur, bregdetin jonian dhe Greqinë homerike janë një sintezë e kulturës poetike, idealit të dy popujve, përftuar nëpërmjet një kulture poetike e cila e ka gjet shtratifikimin në humanizmin poetik për tu zhvilluar në sensin modern sa shqiptar aq edhe grek.

    Në intervistën e tij në gazetën letrare “Exlibris”, Kacalidha shprehet: “Unë kam lindur në Leshnicë në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Gjithë bota ime që e kish lidhje me tokën, me drurët, me gurët, me yjet, me gurrat, me zogjtë dhe gjethet përreth ishte pagane.” Një botë që i përbashkonte dy popujt në mijëra vjet, një botë ku autori voli nga ky akses ekstraktet e artit të tij, të pakrahasueshëm me askënd, duke vrojtuar me syrin e shpirtit krijues atë që se kish parë askush, tradishenten e përbashkët të dy popujve.

    Kjo botë e përveçme në fakt e çfaq dukurinë e saj që në auditorët e Universitetit të Tiranës në vitet ’70, ku imcaku Niko u kthye në një proton poetik  i veçantë në stil dhe estetikë një rreze drite në drejtimin e ri letrar në letrat shqipe.

    Në dritësinë e një estetike të re një poet i vërtetë sa shqiptar aq dhe grek, larg tematikave dhe sloganeve të pushtetit autokratik, po lulëzonte në letrat shqipe. Në subkoshiencën e vet krijuese  ai vuri barriera ndaj dukurive strikte të tematikave të diktuara nga konformizmi, autokratik, duke u marrë në një marrëdhënie specifike të brendshme me gjuhën filozofike dhe estetikën e fjalës poetike, përmes karakterit të tij të çiltër.

    Ai, si pak krijues, gëzon statusin e shkrimtarit dy gjuhësh, shqip dhe atë greqisht përmes një perfeksioni morfologjik duke krijuar në poezi një përbashkësi të tillë ndjesish poetike, e cila përmes tingëllimave të tyre japin e marrin ndaj njëra-tjetrës duke u njehsuar ashtu siç duhet të jetë poezia, një komunikim i përbrendshëm. Në këtë vëllim gjithë-përfaqësues poetik, të Niko Kacalidha unë shoh të përbashkët në një amalgamë të vetme kodet e artit shkrimor me kodet e jetës. Ky është edhe qëllimi dhe misioni i një arti të vërtetë.

    Ndaj poezitë e grekut Kacalidha vijnë në shpirtin e dy popujve me frymën e paqtimit, sepse sip e thotë edhe Azem Shkreli për krijuesit:

    Mësojeni kohën të mos hajë të vetët

    Çu shemb shëmtie, do ta ngrenë poetët”.

    Të tillë misioni ka edhe poezia e Kacalidhës në “Herldiket e borës”, të shkrijë këto heraldika e mes popujve të gjallërojë pranvera e harmonisë e bashkëpunimit. Dakordësohem me Gëzim Bashën i cili në parathënien e librit “Heraldikët e borës” definon: “Niko Kacalidha mbetet një zë i shquar që e siluetoi zhdërvjelltas profilin e tij prej liriku impresiv qysh në poezitë e tij të para duke refuzuar estetikisht të folurin e drunjtë të sloganeve.”

    20 Dhjetor – 5 Janar 2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË