More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVisar Zhiti: Romani i një balade, balada e një romani që na...

    Visar Zhiti: Romani i një balade, balada e një romani që na erdhi nga Rumania

    Tani së voni doli në shqip romani “Balada”, – një titull që kumbon sërish madhërishëm dhe në këtë vepër, – botim i “Onufrit”, i shkrimtarit rumun Adrian Lesenciuc, i cili erdhi dhe në Tiranë në përurimin e veprës në shtëpinë muzde “Kadare”, që u zgjodh me q;ellim.

    Që në kopertinë të botimit lexojet “Një roman biografik për kompozitorin e madh rumun Ciprian Porumbescu – Kompozitori i himnit tonë kombëtar”.

    Gjithsesi nga që romani “Balada” është për një kompozitor, ka muzikë të brendshme, një rendje ritmike drej saj, duke e kuptuar se muzikën e ka në trupin e vet si pema limfën.

    Dhe fjalët e mia do të doja t’i ngjanin muzikës, akordeve të saj, të përcillnin emocion, jo analize…

    Akordi 1

    Pikërisht ky shënim i shkurtër: …Kompozitori i himnit tonë kombëtar… do të shërbente si një thirrje për lexuesin shqiptar, që edhe pse nuk bën pjesë në intrigën romanore himni ynë, kërshëria për të ditur për këtë kompozitur, për jetën dhe vendin e tij në kohën e tij, mbeten joshëse, ndërkaq vepra e përplotëson prishmërinë, bukur dhe me informacion letrar,

    Nuk është një monografi, është një roman, monografi shpirtërore, mund të themi, që shpalos histori dhe një hapësirë kulturore, që janë të një të kaluare, që jehojnë si e tashme, ku rrëfimi në vetë të parë i jep një sinqeritet admirues.

    Aq më tepër kur kemi të bëjmë me një shkrimtar serioz dhe me dije si Lesenciuc, poet dhe eseist dhe profesor universitar, me shumë çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërkaq dhe njohës i letrave shqipe në rumanisht, ku herë pas here i ka shoqëruar me artikuj kritikë të ndjeshëm.

    Akordi 2

    Koha e ngjarjeve është dhe nuk është e kufizuar nga historia e vet, aq sa duket sikur kufijtë midis kohës reale dhe asaj mitike janë të zbehtë. Historia zhytet në një Rumani rurale, ku traditat, këngët dhe legjendat përcillen brez pas brezi, një përzierje antropologjike, ku elementët folklorikë ndërthuren me sfidat për të afruar të tashmen moderne, duke ngulmuar në vevojën e rikthimit ndryshe.

    Kjo qasje bën që romani të qëndrojë si një urë mes traditës si një ëndërr dhe botës bashkëkohore si një vizion.

    Akordi 3

    “…Baladë për Piano dhe Violinë, op.29, kompozim të cilin e ndjeja në vena. Ka diçka që duket të jetë gjenetikisht e trashëguar. Teksa mblidhja të dhëna, – i thotë shkrimtari Adrian Lesenciuc si një kolegu Andreas Dushit n;e intervistën e tij, – zbulova se çfarë personaliteti i madh kishte qenë i ati i Çipirian Porumbesc-ut dhe vendosa të shkruaja rreth tij [,,,], që kontribuoi në ringritjen e shpirtit rumun gjatë revolucionit të 1848. Kam mbledhur informacione për diku dhjetë vjet […] e përfundova. Për mua, ishte si një çlirim.

    …Muzika e Çipirian Porumbescut është një mjet i tillë transmetimi kulturor dhe jam i lumtur që, nëpërmjet Asdrenit, një nga kompozimet e periudhës kur Porumbescu ishte student në Vienë, është bërë himni kombëtar i Shqipërisë.”      

    Romani “Balada” rrëfen një histori shumëdimensionale, ku ngjarjet ngjajnë me mitet dhe baladat popullore të Rumanisë. Në qendër mbetet kërkimi për kuptimin e jetës dhe identitetin, që formëzohen nëpër rrugë të përshkuara nga figura simbolike dhe situata jo pa enigma. Përmes narrativës, shkrimtari eksploron fuqinë e artit dhe traditës si mekanizma të ruajtjes së shpirtit kombëtar dhe njerëzor.

    Akordi 4

    Romani i ngjan një udhëtim në kohë dhe hapësirë dhe të një dimesioni tjetër, atë shpirtëror, për gjetur të tashmen nëpërmjet së kaluarës. Gjatë këtij udhëtimi ndeshesh me vetvete të tjera.

    Figura e gruas është dhe mbartëse e baladave, që ruajnë sekretet e trashëgimisë së lashtë, ndërsa i moshuari-persoanzh ka urtësinë popullore dhe lidhjen e ngushtë me natyrën dhe traditat.

    Dilemat morale, mëdyshjet e brendshme, tërheqja nga një zë mistik – kënga e një balade të harruar, që ngjan se mban të gjitha përgjigjet që kërkohen, të paktën te ky roman.

    Akordi 5

    Personazhet e romanit aq sa janë vetvete, përfaqësojnë koncepte të thella dhe arketipe universale. Protagonisti, i cili shpesh duket si alterego e autorit dhe e lexuesit, kalon një proces zhndërrimesh të brendshme, nga përjetime reale me dimensione fërgëlluese metafizike.

    Figura të tjera përforcojnë karakterin alegorik të romanit.

    Adrian Lesenciuc përqendrohet te rëndësia e trashëgimisë kulturore dhe forca e saj që na ngrihet vetvetiu në përballjen me krizat e kohës modern apo zhvillimet normale apo të bujshme.

    Romani duket se është vepër e kujtesës, që mbetet dhe në ajër si muzika e baladat, e identitetit dhe lidhjes shpirtërore me rrënjët. Kërkimi për kuptimet ekzistencial duket se ka si çelës përgjigjen e pyetja thelbësore: A mundet tradita të ndihmojë njeriun të kuptojë vetveten dhe botën?

    Ashtu siç thoshte poeti i madh europian Mario Luzi, ne jemi ajo që kujtojmë.

    Akordi 6

    Vlerat dhe Stili. “Balada” ka një rrjedhë si poetike dhe muzikore me natyrshëri që e bëjnë leximin një përvojë estetike dhe mendore të veçantë.

    Titujet e krerëve janë si vargje baladeske. Adrian Lesenciuc ndërthur një gjuhë të kultivuar, që falë përkthimit nga rumanishtja nga Spriu Fuchi dhe Altin Vasillaq Kaso me thjeshtësi përcjellin një figuracion dhe simbole që pasqyrojnë një botë të thellë shpirtërore, me jetën e lidhur pandashëm me themelet, me atë trashëgimi kulturore që kulmohet te vlerat universale të njerëzores dhe artit.

    “Balada” do të thosha se është një himn për traditat dhe një thirrje për të ruajtur kujtesën kulturore, e theksoj: kujtesën kulturore, kohëra të trazirave shpirtërore. Kënga, ajo që është brenda nesh, edhe e papërfunduar apo e pakënduar, mbetet shtyllë e qëndrueshmërisë njerëzore.

    Akordi i fundit:

    Në veprën e shkrimtarit rumun Adrian Lesenciuc ka besim, Zot, kishat si institucione shpirtërore, më shumë si konstrukte shpirtërore, ndërkaq dhe romani i tij më i fundit, i botuat këtë vit në Rumani është “Gjuha e Jezusit” pjesën e parë të të cilit na e solli në shqip në “ExLibris” përkthyesi, studiuesi dhe kritiku i artit Dr. Luan Topçiu

    “- Paqja është për të dobëtit!   

    Bëra kryq, sepse zavalli njeri, në padijen e tij, nuk mund të kuptonte që nga të gjitha viset nga vijmë, ne përshëndetemi duke i uruar paqe njëri-tjetrit, jo sepse jemi të dobët, por sepse dëshirojmë për njëri-tjetrin forcën e vërtetë.”         

    Ja, matrikulla e veprës Lesenciuc – paqja. Përmes konflikteve që sjellin paqe. Jo luftës. Çuditërisht në veprën e tij sikur parandillet ajo që ndodhi tani në Siri:       

    “Sapo kisha filluar të pija kafenë kur pashë ushtarët sirianë tek hyrja të cilët, papritur, u ngritën në qëndrim gatitu. Pas disa çastesh, një makinë e njohur u afrua… Mund të isha gabuar, sepse të gjitha makinat e zyrtarëve të zonës ishin Toyote të zeza, ose makina 4X4 nga General Motors. Nuk dija kurrë se kush ishte brenda tyre – klanet e fuqishme qarkullonin pa targa, shpesh me një kolonë të tërë Toyotash ose GMC, dhe çdo herë që një Toyota e zezë hynte në zonën e kontrolluar nga patrulla siriane, mornica rrëqethjeje më përshkonin gjithë shtyllën kurrizore […]        

    – Paqja qoftë me ty, – më përshëndeti dhe u ul pranë meje. – U trembe?

    – Jo, – i thashë, ndonëse e dija mirë se ai e kishte kuptuar që po gënjeja dhe që dridhja ime ishte e dukshme”.

    Letërsia, ajo e njerëzve dhe e lirisë së tyre, jo ajo e sundimtarve, i paralajmëron ata dhe diktaturat e tyre, madje i përmbys diktaturat më parë si dëshirë, si ëndërr, si thirrje, ndërkaq jep kurajo, na bën të guxojmë.

    Në fund të fundit dëshmon me emocionin si muzikë në ajër, është kujtesë e së ardhmes ose le ta themi me fjalinë e fundit të romanit “Balada”: “nuk është ajo që më përcakton. Unë nuk jam gjë tjetër veçse kohë.”

    Letërsia e madhe nuk na merr, por na jep kohë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË