More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVisar Zhiti: Mosha e shkrimtarit, kur romani i një të riu është...

    Visar Zhiti: Mosha e shkrimtarit, kur romani i një të riu është vërtet i ri…

    Romani “Pragu i braktisjes” i Andreas Dushit dhe një krahasim i rastësishëm me romanin “Amerika ose i zhdukuri” i Franc Kafkës –

    Mosha e shkrimtarit të ri është e vjetër dhe mosha e shkrimtarit të vjetër është e re dhe ky paradoks ndodh vetëm në letërsi.

    Shkrimtari i ri ka moshën e veprave të vjetra të botës që lexon, kurse shkrimtari i vjetër rinohet nga e reja që paraprin…

    * * *

    Librat e të rinjve, dihet, janë tjetër gjë nga librat e rinj, por kur librat e të rinjve janë vërtet të rinj, dua të them risi, ajo letërsi është me fat.

    Dhe risitë, kur janë të qendrueshme, mbeten si të tilla, nuk dalin prej letërsisë, gjë që është më e rëndësishme, sipas meje, se sa kur futen në historinë e një letërsie, që është dhe tjetër.

    Shkak i përsiatjeve të tilla u bë leximi i romanit “Pragu i braktisjes” i shkrimtarit të ri, Andreas Dushi, që, pa i mbushur 20 vjeç, në kohën e tij studentore, ka botuar dy romane dhe është bërë emër i dashur dhe me intervistat në gazetën letrare kulturore “ExLibris”, që u merr shkrimtarëve të ndryshëm, patjetër më të vjetër se ai, studiuesve, përkthyesve, akademikëve, edhe jashtë vendit, deri dhe në kontinente të tjera dhe të bëjnë përshtypje jo vetëm korrektesa profesionale, pyetjet të barabarta me përgjigjet, informacioni qenësor, idetë, etj.

    Nëse në intervista mëtohet të zbulohet diçka më shumë nga i intervistuari, që ka një karrierë, arritje apo lavdi, në romane, duke u zbuluar realitete të tjera, më saktë duke u krijuar realitete paralele, që s’janë më të atij që i shkruan, por shtojnë estetikën e jetës te lexuesit, emocionet, përjetimet, përftohen jetë të tjera.

    Kur pashë romanin e parë të Andreas Dushit, “Marrja e gjakut”, botim i “Onufrit” 2018, trajtim i një të kaluare në kufijtë e legjendës dhe mësova se autori sapo kishte dalë nga adoleshenca, pata një adhurim, jo thjeshtë prindëror, por atë të magjepsjes që të jep letërsia dhe shkruajta diçka. Andreas Dushi s’ishte thjesht i riu që premtonte, ai ishte nisja e një shkrimtari.

    Dhe ja, nuk vonoi, romani i dytë, “Pragu i braktisjes”, botim i “Albas” 2019. Më habiti me ndërmarrjen që Andreas Dushi, fare i ri, që do të mendonim se ende nuk ka të shkuar si shkrimtar, kërkon të në tregojë se si do të mund të jetë e ardhmja… e botës.

    Nën optikën rinore, tekstet e tij plot ndjesi dhe ngjarje, me fantazi të begatë, përzierja jetësore e tyre, befasitë, japin një joshje gëzim-shqetësuese, duke krijuar një si antikronikë, madje të së ardhmes, ku ngjarjet nuk ruajnë dhe aq rendin, por pranëvënien, një urbanistikë letrare kjo, pa qetësi, larg mënjanësisë, në fund të fundit një prurje e veçantë, duke arritur më të rëndëshimen, stilin, përvijimet e tij. Që i diktohen dhe një jete: një ultra-post-modernizëm, kështu thuhet në roman. jo thjeshtë në art, por në artin e të jetuarit, të kërcënuar nga alienimi, sepse nuk gjen një vend tjetër ku të mos mbizotërojë gjithçka që është tërësisht e gabuar. Qortim general, o menjëhershëm. Duhet të dëgjohet klithma e njeriut mes zhurmave dhe rrëmujave, sirenave të alarmeve, të makinave të ndihmës se shpejtë, zjarrfikseve, metrove, që të çojnë kudo, veç jo te vetja, madje as tek tjetri… Kështu duket në roman.

    Shqetësimet për të ardhmen, besoj, se janë po aq, në mos më shumë, për të tashmen, urrejtja ishte pak a shumë njëlloj si dashuria… lexojmë dhe kjo është dëshpëruese.

    Ç’perspektivë po përgatitet, si po veprojmë, a dimë të jetojmë mirë, shendetshëm, që të meritohet një e ardhme sa më shumë njerëzore dhe jo vetëm sa më shumë teknologjike e një oligarkie sunduese?

    Realiteti është i pamëshirshëm, duket sikur s’ka kohë për asgjë, prandaj të rinjtë s’kanë ç’presin, por ta rrëmbejnë atë, kohën që u duhet dhe duhet për të bërë vetveten dhe kohën. Rinovimi që do të sjellin, të bashkohet me përvojën e brezave, sipas një porosie, që dëgjova në një meshë, we need trouble to grow – na duhen shqetësime që të rritemi.

    Përgjegjës për të ardhmen më shumë janë “të rriturit” sot se sa “të rinjtë” nesër.

    NJË NDËRPRERJE: NËSE DO TË FLISNIM PËR MOSHAT:

    Por po flasim për librat, për letërsinë, e nisëm me të rinjtë, ku mosha s’është pengesë për arritjet, por të tjerat. Pjekuria ngjan me talentin, e dinë vetë rrugën e ardhjes. Si asosacion idesh më përsillen emra dhe mosha sfiduese. Në fakt e reja ka ardhur me të rinjtë.

    Më nëpërmendet Jeronim De Rada, ishte vetëm 22 vjeç kur shkroi “Milosaon” e tij, që rilidhi poemën shqipe me atë europiane, ndërsa Naimi 40 vjeçar do të shkruante “O malet e Shqipërisë” e At’ Gjergj Fishta 66 vjeç do të botonte të plotë “Lahutën e Malcis”. Dy themeluesit e tregimit modern shqiptar, Ernest Koliqi 26 vjeç botoi librin e parë e Mitrush Kuteli e nisi nxjerrjen e poezive të tij që 13 vjeç. Migjeni jetoi vetëm 27 vjet dhe me 3-4 vjetët e fundit krijimtari, poezinë dhe tregimin i bëri më kritike duke çromantizuar letrat shqipe, ndërsa Kadare ishte 27 vjeç ku shkruajti romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që jo vetëm iu shmang realizmit socialist, por kontemporanizoi romanin shqiptar me atë botëror duke marrë dhe vetë një njohje të tillë.

    Jam i ndjeshëm ndaj moshave të ndërprera, ku kanë ndërhyrë dramat e rënda. Regjimi diktatorial dënoi shkrimtarë në kulmin e krijimtarisë, madje pushkatoi poetë të rinj si Trifon Xhagjika, 31 vjeç, Vilson Blloshmin më pas ende më të ri, 29 vjeç.

    Shkrimtarja Musine Kokalari librin e saj të parë e botoi kur ishte 24 vjeçe, në moshën 26 vjeç themeloi një parti opozitare social-demokrate dhe në moshën 29 vjeçare e arrestojnë dhe dënohet… gjithë jeta i shkoi në burg dhe internime, pa shkruar e botuar dot më.

    E njoh këtë tmerr. Thjesht po tregoj që dhe mua më arrestuan për poezitë e mia pa i mbushur 27 vjeç, ndërkohë gjimnazist kisha shkruar dhe dy drama, i ruaj ende fletoret e tyre, dua të them që u rritëm në kohë pa të ardhme, ndërsa vonë kam mësuar që arbëreshin De Rada, meqenëse e kujtuam, një shekull e gjysmë më parë, kur e kishin arrestuar në Italinë e Jugut në ato lëvizjet antiburbone, gjykatësi, me të marë vesh që ai djalosh shkruante poezi, e liroi menjëherë.

    Të mësojmë nga të kaluarat. Letërsia është liria dhe dënimi. Mund të çlirojë të tjerë dhe dënon veten, po aq dënon dhe të tjerë dhe çliron veten.

    Prandaj duhet të na ngazëllejnë të rinjtë. Jo vetëm duke u dëshiruar të ardhme, por duke punuar për të.

    Në letërsitë e tjera shembujt kësisoj janë dhe më të shumtë, shkrimtari amerikan p.sh, Ernest Heminguej ishte 18 vjeç kur erdhi në Europë gjatë Luftë I Botërore, u plagos dhe nisi të mendojë për romanin “Lamtumirë armë”, që do ta botonte kur do të ishte 30 vjeç. Ndërsa Tolstoj në pleqëri do të shkruante kryevepra e Kazanzaqis mbas moshës 65 do të bëhej i famshëm.

    Ndoshta gjenerata e Andreas nuk e di se vepra të tilla ndodhte që të botoheshin dhe në shqip, por më pas ndaloheshin, siç i duhej diktarurës, sundimtarëve që gjykonin dhe letërsinë dhe artet.

    Po kështu ishin të ndaluar, p.sh, poeti ruso-sovjetik Esenini, i dashur deri në dhëmbje nga brezi im, por që e vetëvranë të ri apo dhe Majakovskin e tyre. Kujtoj që të ndaluar kanë qenë poeti amerikan Walt Whitman, shkrimtarët si Remark, Steinbeck, Shollohov, etj, etj, patjetër të ndaluara ishin dhe Bibla e librat e religjioneve.

    Kur ndryshuan kohët dhe shkova me punë në Itali, më ka pëlqyer të shkoja sa më shpesh librarive, të merrja libra të të rinjve; italianët, më dukej, se janë dhe më afër nesh; doja të shihja se si e shihnin botën, dashurinë, seksin, ëndrrat, prindërit, të ardhmen, si ishte ekzistencializmi i tyre, duke mos iu trembur sinqeritetit, por absurdit, svetënimit, sidomos të rejat, kishte nga ato që në librat e tyre të parë mbërrinin në çmenduri, por pa çmendurinë.

    E doja revoltën e të rinjve. Ashtu siç do ta shihja dhe te im bir, Atjoni, që nisi të botojë traktate filozofike, siç po i quante, që kur ishte 18 vjeç, i dërgonte nga Italia, ku studionte dhe të pa përfunduara dot, iu botuan një vit më vonë në librin e tij “Për atë që dua(m)”.

    E gjitha bëhet për atë që dua(m). Nga e mira. Por a e njohim të mirën? – pyeste Atjoni duke më rrëqethur.

    Prurjet janë të ndryshme dhe ashtu do të duhej, frymëzuese, kanë kohën e tyre, ndërsa letërsia, si të thuash, është gjithkohësi, luan dhe me moshat, siç e pamë, teksa moshat mesatare zakonisht bëjnë dhe letërsi mesatare, ndaj, e përsëris, na ngazëllejnë veprat e të rinjve. Kanë shumë rëndësi. Kërkoj porositë që dalin prej tyre. Për kë? Për askënd. Për veten? Për artin e të jetuarit me art? Për të gjitha…

    * * *

    Rikthehemi te “Pragu i braktisjes”. Ndërkohë, rastësi natyrisht, kisha rimarë ndër duar romanin “Amerika ose i zhdukuri” të Franc Kafkës, por që ndoshta jo rastësisht bëri të krijoj disa paralele, ngjashmërira të të pangjashmave. Te i zhdukuri ka braktisje, po mendoja, te braktisja ka zhdukje.

    Dhe po them prapë që brezi im, në moshën e Andreas, e kishte të ndaluar emrin e Franc Kafkës, edhe pse nuk ishte përkthyer fare. Ia mësuam emrin nga që shahej në gazetat letrare apo në leksionet e katedrave të letërsisë.

    Pa dashur të bëj kritikë e analiza letrare, as recensione, review të librave,thjesht po flas, po tregoj një përshtypje, për freski bisede me këtë kapërcim pindarik. Dhe për hakmarrje që na lanë pa Kafkë. Mbi të gjitha për ngazëllimin estetik që më jep letërsia e te rinjve, konkretisht ajo e Andreas Dushit.

    KAFKA, KUR ISHTE MË I RI SE VETJA

    “I zhdukuri” është romani i pari ndër tre romanet e Franc Kafkës, e nisi kur ishte 28 vjeç, por u botua postume dhe i fundit, në Gjermani.

    Dhe titullin “I zhdukuri” miku i tij, shkrimtari Maks Brod, ai që nuk zbatoi porosinë e Kafkës për t’ia djegur Veprën, duke u bërë kështu përplotësuesi besnik, i madhërishëm i një testamenti shpirtëror të pashkruar, ia botoi Veprën, ndërkaq ia ndërroi titullin romanit, ia bëri “Amerika”, sepse duhej prapë një K, që Kafkën e ndillnin aq shumë, siç e kishte “Kështjella” e tij apo siç ishte personazhi tjetër, Jozef K.

    Ameri-K-a e Kafkës, (në gjermanisht shkruhet me k), s’është Amerika e vërtetë, ku ai nuk shkoi kurrë, por e fantazoi atë dhe ne gjejmë shumëçka që te Kafka i mëpastajmë do të sublimohej mynxyrshëm: ikjet me asgjëkundin, fatalen me absurdin, sinqeritetin me të pakuptueshmen, dashurinë me groteskun, dënimin pa fajin, mëkatin e lindur, mundimin e pashpresë, alienimim, etj, etj.

    Patjetër që është libri me humorin më të begatë të Kafkës para se ky humor të bëhej gjëmëtar.

    Kemi një Karl të pafajshëm, adoleshent, (a thua është një alter ego e Kafkë vetë?), që:

    1- E përzënë nga shtëpia, madje dhe nga vendi, sepse është abuzuar nga shërbëtorja e familjes, që ka mbetur shtazënë… dhe Karli mbërrin në SHBA.

    Dhe mësuesi i dikurshëm, i stërvitur me dometheniet e librave, do t’u thoshte nxënësve se “klasa punëtore”/ shërbëtorët e kapitalizmit, po u qaseshin përmbysjeve me dhunë në Europë, etj, etj.

    2- Kur Karli 16 vjeçar është në New York, ku Statuja e madhe e Lirisë nuk është siç është vërtet me pishtarin e lirisë në dorë, por me shpatën, ai zbulon dajën e tij dhe nuk kërkon as të fshehë të kaluarën e tij e as emrin, por përpiqet të nisë një jetë të re, pa të dikurshmen, pa kurrfarë identiteti. Daja do ta përzërë më pas për arsye marrëdhëniesh familjare dhe K. del në rrugë të madhe.

    3- Bota e re ishte ende më e madhe, e zhurmshme, përpirëse, me drita, por njeriu si kudo, ende mbetej i pa ndriçuar nga brenda dhe jetës sikur i mungonte shija e përditshmërisë, zelli ndjehej i verbër.

    Shokët e rrugëtimit të Karlit duken si shumë të zotë për të qenë të liq, e do të gjendej gjithmonë dikush me më shumë cmirë dhe i pabesë, Karli ndërkaq do të kompleksohet edhe më, aq sa ndihma që u jep të tjerëve, i zhbëhet në të ndërsjelltë, etj, etj.

    4- Befasitë, lëniet përgjysmë të shumë gjërave, zhurma të pakuptuara, konviktet si burgjet, fushata zgjedhore absurde, hotele si qeverira festive e shtypëse, të dashura të dhjamura, kotësira serioze, që shndërrohen në rrahje ende më serioze, etj, etj. Për të gjetur punë, në fund të romanit, K. përzgjedh emrin “Negro”.

    Mos do të thotë se të gjithë jemi robër të punëve të tjetrit më shume se sa tonave? – do të pyeste ai mësuesi nxënësit.

    5- “Amerika” e Kafkës në fund të fundit është për tjetër kontinent, atë të njeriut, në anën e natës së tij, me mbarimin e mosmbarimit, me mosmbarimin e mbarimit, (është bërë truk letrar mosmbarimi i veprave të Kafkës) dhe të një brilance të përzishme kafkiane…

    ANDREASI, MË I VJETËR SE VETJA…

    Rreth 110 vjet më vonë në Shqipëri, një student, Andreas Dushi, boton romanin e dytë, “Pragu i braktisjes”, dhe, shtoj, është 10 vjet më i ri se Kafka në romanin e parë.

    Por rendis 5 çështje dhe për këtë roman, me pakëz koment:

    1- Këtu nuk kemi përzënie, por një vetëpërzënie, ikje me dëshirë, jo në Amerikë, por për atje nga u nis Kolombi për të zbuluar Amerikën, në Spanjë dhe edhe Andreas ashtu si Kafka që e vendos romanin në një vend ku s’ka qenë kurrë, e vendos në të ardhmen, ku nuk ka shkuar ende.

    Protagonist është Noe Dajani. Nuk duket të jetë alter egoja e autorit dhe si për të na siguruar, në roman na del, të paktën dy herë, një personazh me emrin e njëjtë, Andreas Dushi, si në veprat postmoderne, por së bashku ata përbëjnë hijen e alter egos autoriale.

    Ku po shkon shoqëria? Është një kohë kur: Njëlloj si e qeshura, edhe e qara më duket një mbetje arkaike e trajtave të hershme njerëzore, që me kalimin e kohës shpresoj të zhduken deri sa të treten në harresën e të ekzistuarit.thuhet në roman. Një hop tjetërsimi ky. Shqetësues.

     2- Dhe te “Pragu i braktisjes” ka shtatzani, jo shërbëtoreje, por nevojitet një shtatzani për të siguruar azilin, sipas një ligji spanjollo-europian dhe këtu fillojnë llogaritë me jetën si të ishte një biznes. Do të duhet një martesë kot, për të patur një fëmijë kot… Që pa lindur, je i thirrur për një manipulim. Pastaj s’do të duhen më as martesa, as familja, etj. Dhe nisin organizimet duke krijuar shoqatën “Jo martesës!” dhe pse? – për të ruajtur gjysmën e pasurisë të cilën as nuk e pata të rrezikuar, – tregohet në roman. Ja, pra dhe lëvizjet, sado të mëdha qofshin, kanë interesin vetiak të dikujt, papërgjegjshmërinë vanitoze të të gjithe….

    3- Jeta (në Spanjë), me thyerjet (në Shqipëri), ku përzihen një donkishotizëm mitoman, sa argëtues edhe i trishtë, ngrihet mbi “sikur-in” si në teatër, që ajo që duam, edhe po s’qe e vërtetë, e shëndetshme moralisht, do ta trajtojmë si të tillë. Protagonisti, i famshëm (në Madrid), merr kurorën e mbretit të poezisë, teksa jeta zbrazet nga poezia.

    4- Duke përdorur flash-future (proleksin) protagonisti shkon në moshat ku autori ende nuk ka shkuar dhe ndodhitë ku bota është në prag. .

    E tashmja e ardhme të tremb. Flligështi deri në krenari agresive. Një jetë e çthurur, që për ata që e bëjnë, është një thurje tjetër. Kapërcimet janë pindarike. (prandaj bëra dhe unë krahasime kësisoj). E ardhmja e pa ardhur… protagonisti nga 18 vjeç bëhet 31, pastaj 40, 50, 60 vjeç dhe arrin përsiatjen: “që të ndieja se kisha përgjegjësi karshi botës . Pra, ka shpresa.

    5- Te “Pragu i braktisjes” si te “Amerika ose i zhdukuri” me protesta nga fundi, lëvizjet janë të qarta turbullisht, me zanafillë mashtruese, plangprishëse, etj, pra zbulohet dhe mbulohet bota përreth.

    Befasira personazhesh, historitë e tyre trillane dhe teksa del një Mrikë me gegnishten e saj, del dhe një Enxhi – presidentja e Konfederatës së Vendeve Evropiane… Bashkimi Evropian është shkatërruar në çastin që u kuptua se globalizmi ishte një dështim… i suksesshëm. Një globalizëm ku humbin identitetet kombëtare dhe vetanake, do të ishte i padëshiruar, madje i dëmshëm.

    Dhe prapë kalohet te dramat e thjeshta të personazheve, ja, prift Ernesti, i riu, me mëkatet para misionit, etj, etj, prehje s’ka, vetëm kërkime. vetmi me të tjerë, të tjerë po aq vetëm. Fermat e qumshtit njerëzor, kompjuterizimi i lajmeve, laboratizimi i jetës, sikur rikthehet 84 orweliane, ndjekja e katolikëve, tërmete, Papa në ilegalitet, Vatikani i djegur, Statuja e Lirisë në New York, jo si te Kafka, por e rrëzuar mbi oqean, të duket se po shfleton një album të gjallë të Salvador Dalísë, vdekja e dashurisë njerëzore, e moralit të jetës, e të zakonshmes, etj, shuarja e dritës botërore dhe errësim për njerëzimin tjetër, të ardhshëm, se bota tani është në pragun e braktisjes, të apokalipsit…

    Në moshën që kam, vërtet gjithçka dua është drita, jo pse mendoj se është ndonjë e mirë e madhe, por ngaqë e di se pa të nuk ka kuptim asgjë. Romani hedh dyshimin e duhur, atë çarje, nevojën e ndriçimit…

    Alarmi që ngre “Pragu i braktisjes” është i rëndësishëm, mbrojtja e vetvetes së ardhme, e gjeneratave të reja njerëzore. të njerëzimit nga një tëhuazim asgjësues.

    Ç’duhet bërë? Mua si prind më vjen prapë në mendje ajo që shkruante në një artikull të shkurtër Atjon Zhiti, po në moshën kur Andreas Dushi shkruante romanin: Të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale të vazhdimtë.

    Dhe ky roman është një kryengritje e brendshme artistike, një krijim distopik i përshtatur me eksterieret e fantazuara, ndërtimi i të cilave duhet t’u ngjante, me krerët që çngjeshen, ndërprerjet maniake, digresionet e përsëritura, karakteret- skicuar shpejt, seriali i femrave që shfaqen si në një pasarelë, dramatike gjithsesi, deri edhe macet, edhe…

    Ka një si mëdyshje në roman ku nga mosthellimet shkohet në humbella, me një si ngut, me copëzime, pa përfundime, filmik, nuk do që të mbarojë. Shtëllizja e kohës ngjan si me shtëllizjen e një trikoje a fustani të bërë me shtiza, ku i është kapur filli, që teksa tërhiqet, veshja zhbëhet dhe shfaqet lakuriqësia. Dhe e shkrimtarit dhe e lexuesve të tij. E të gjithëve.

    Mungesat sikur bëhen dhe funksionale, se të tilla janë dhe qëllimet, dhe ankthet dhe troditetjet. Protagonisti Noe duket se s’ka as veten, as arkë për ta shpëtuar në apokalips. Natyrisht nëntekstet ngërthejnë qëndrime, angazhime intelektuale, përkushtimin në mbrojtje të lotëve njerëzorë dhe të qeshurës së njeriut. Përsiatjet arrijnë deri në filozofi nihiliste, në psikoanalizë. Gjuha shpesh bëhet sentenciale, që godasin si maja thikash, por edhe poetike, aq sa pranon proza e mirë, ku mund të futen dhe poezi të mirëfillta. E tillë është poezia e zërit të fëmijës së palindur që nga parajasa. Mami,/ Babi,/ jam unë,/ Nuk më njihni?/ Jam djali që nuk e latë të lindë./ Jo pse më abortuat si shumë miq këtu në Parajsë,/ por nuk më deshët,/ pasi nuk deshët as njëri-tjetrin!..

    Në fund të fundit ky është thelbi i krijimit. Bota do dashuri, që të lindë dhe e palindura e botës dhe të jemi prindër të jetës, áma, së bashku vetë jeta.

    Pragu i braktisjes, pra, është prag, ku në anën tjetër është mosbraktisja, mosbraktisja e misionit hyjnor, e vlerave të saj tokësore, e dritës dhe e natës njerëzore.

    Mesazhi i Anreas Dushit është me anën këndej të pragut, jo nga ana andej e romanit të tij dhe ai jep alarmin. Me thjeshtësinë e së vërtetës.

    Nanës, asaj që sa herë frymon, frymëzon! – është dedikimi në frontispiece të librit. Dhe latinët e thoshin më herët: na jepni nëna të mira që të bëhemi fëmijë të mirë.

    NË VEND TË NJË MBYLLJEJE

    Andreas Dushi – profil i një krijuesi të ri, zë i veçantë dhe i bukur, përfaqësues së pari i vetes, por dhe i letrave që sjell gjenerata e tij në shekullin XXI.

    Ai lindi një dekadë pas rënies së perandorisë komuniste dhe të Realizmit Socialit, që, më shablloni, më mediokri e vrastari, sundoi në Shqipëri.

    Pasi u hap vendi dhe shqiptarët nisën të mërgojnë, afër në Greqi e në Ballkan deri në Rumani, kapërcyen detin dhe u dyndën në Itali e u përhapën kudo në Europë, Francë, Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Vendet Nordike, etj, kaluan dhe oqeanin, sërish në Amerikë, me familje, me fëmijë, lindën dhe fëmijë të tjerë, që shkollohen në metropole, në universitete të njohura të botës, etj, dhe po dallohen, ka nga ata dhe në krijimtari, duke shkruar në gjuhët e vendeve ku janë.

    Ndërsa Andreas Dushi studimet universitare sapo i mbaroi për gjuhë dhe letërsi shqipe në vendlindje, në Shkodër, tranzicionologjia në Shqipëri është plot me çështje e probleme si ato të varfërisë, korrupsionit, mosdënimit të së kaluarës diktatoriale, persektivës së pazbehur euroatlantike, etj, dhe duket sikur vendi ynë bën pak, shumë pak për letrat, (jo letrat për të ikur), sidomos për shkrimtarët, për mirëqenien e artistëve, por unë jam nga ata që besoj se letërsia shqipe tani është më e mirë se më parë, të paktën është e lirë, aq e domosdoshme për një letërsi dhe arritjet janë të begata.

    Ndërkaq emri i Andreas Dushit ndrin yllësisht, ai që tani është një prurje e së ardhmes, një sfidë dhe shpresë dhe besim, një rekord, që ja, Shqipëria e hapur po nxjerr nga brendësia e vetes zëra. Të rinjtë duhen dashur me shpirt dhe mbështetur fuqimisht. Patjetër dhe shtetërisht. Është detyrë.

    Dy romanet e Andreas Dushit, njëri që shkon në të kaluarën dhe tjetri në të ardhmen janë trualli më i mirë i një të tashmeje përbashkuese letrare. Pritet. Estetika e emocioneve, fantazia e re në fund të fundit tashmë e kanë dhënë shkrimtarin e ri.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË