Ç’mbetet nga një libër? Siç nuk janë të njëjtë librat dhe ajo që marrim prej tyre, nuk është e njëjtë. Dhe libri është në jetë gjatë kohës që e lexojmë, pastaj dhe ai bëhet kujtim, emocion i dikurshëm, flasim për të… dhe sipas Borgesit leximet më të mira janë rileximet.
Duke riparë romanin “Zorba” të shkrimtarit fqinjë grek Nikos Kazantzakis, ajo që m’u përshfaq fuqishëm këtë radhë ishte e qeshura me zë, e ndjeva më shumë se çdo here, madje e dëgjoja. e tij.
Dhe po flisja me një mik, po i thosha se librat e bukur, se si duket ky epitet për librat, një mik jetër imi, nuk e duronte dot, pra kur librat na duhen dhe i çmojmë, le të jenë të një gjuhe a vendi tjetë a tjet;er kohe, marrin një pakohësi, s’janë vetëm njohje e histori të letrave, por, po e them menjëherë, librat kanë shpirt, kanë një mister dhe të kumtojnë më tepër se ç’lexon nëpër fletë, ngjarjet shpërthejnë më përtej se ç’përmblidhet midis dy kopertinave si dy dyer të rrëzuara…
Më ka goditur e qeshura e Zorbas, shtova. Ajo s’është thjeshtë e qeshur.
• • •
…i isha rikthyer romanin “Zorba”, një botim i para nja 20 vjetëve, nuk qe shtypur dhe aq mirë, vende vende zbehtë, por ndjeja në asht atë miqësi të atyre dy burrave, sa mitike, po aq dhe reale, ballkanas kokëkrisur, të paktën njëri prej tyre patjetër, që edhe pse humbin e u shëmbet gjithçka që kanë sendërtuar në një ishull, që edhe pse quhet Kreta, është metaforë e ishullit të jetës, pra edhe kur dështojnë, e kuptojnë mirë se ka diçka më të madhe, më përtej kësaj, më thelbësore a vetë thelbi: të jetuarit fuqishëm edhe në humbje, është liria e vetes, ngjan me atë të erës, me të qenit i natyrshëm si vetë natyra, shpirtmadh e gazplotë dhe në dëshpërime njëlloj si në gëzime, se humbjet s’janë vërtet humbje dhe fitoret s’janë vërtet fitore, se rëndësi e vlerë ka që je njeri dhe duhet të jesh besnik i gjithçkaje njerëzore, në fund të fundit të duash pa cak jetën në plotshmërinë e shfaqjeve të saj, të qeshësh, furishëm, me zë, por dhe të dish të vdesësh, jo më vonë se ç’duhet…
• • •
Po copëza “Zorbe” gjenden midis nesh, në marrëdhënie me veten e me të tjerë. Unë jam lexuesi i urtë, po përsiatja, dhe përkthyesi në shqip i romanit duket me plot shpirt Zorbe.
Po më mrekullonte shqipërimi, Profesor Stavri Dajo dukej sikur e kishte rishkruar duke sjellë frymën e veprës, madje deri edhe dufin e dallgëve, dhe gulçet e çmendura të gjakut, rënien e yjeve dhe heshtjet, etj, etj. E si të mos trembesha nga qeshja e beftë e Zorbës? Edhe përkthyesi ka venë foljet që përdorim për kujat apo qetë, thotë për Zorbën që herë hingëlliu, bulëroi, lëndueshëm.
Dhe vazhdonin të më nëpërmendeshin miq dy e nga dy, copra “Zorba-sh” me copra shkrimtarësh të tjerë, me qeshjet e tyre në mes…
• • •
Në fillim fare të viteve ’90, pas rënies së sharlantantë të diktaturës, kur mijëra e mijëra shqiptarë u dyndën për të ikur, sidomos për në Greqi e Itali, tutje nëpër Europë, kalonin kufirin dhe rreziqe pafund, po edhe Zorba kështu kishte ikur, plot me aventura, në Serbi e Rumani, etj, e deri në Rusi, binte dhe çbinte në dashuri, për atë s’kishte rëndesi dashuria, por jeta me dashuri, qeshte avdallshëm, përbindshëm, nejse, desha të them se në atë kohë vjen tek unë në Tiranë një nga fantazmat e tij, e kam fjalën që më dhuruan librin “Zorba, por italisht. Në shqip s’ishte ende.
– Doja t’ja jepja një tjetri, – më tha dhuruesi, – s’e gjeta, më duhet të iki dhe po ta jap ty, – qeshi paksa, djallëzisht si me pak Zorbë.
• • •
Ndoshta jam unë ai tjetri dhe më takonte, po mendoja, pa qeshur, por tani them se më shumë i takonte mikut tim, shkrimtarit Lazër Stani, se ai më duket se e ka libër kyç, në disa intervista ka thënë se është libri “që të shtang”, që “e do më shumë nga të gjithë”, “në atë libër gjendet shpirti i stërgjyshërve të mi të lashtë”…
Vendosa ta rishoh me sytë e Lazër Stanit. S’ishte e lehtë, por gjithsxesi tërheqëse. Dhe po më pëshfaqej Lazri I përzier me Zorbë dhe po tëgjoja të qeshurën e tyre të njënjëshme.
Nënvizoja fletëve siç e kam zakon. Vizat si kavot e teleferikut të minierës që donte të ndërtonte Zorba me paratë e shkrimtarit, por që të dy duket se s’ja kishin dhe aq idenë, aq realë, por jo realist, s’parashikon se ç’i priste, humbja e sigurtë, atyre u interesonte e tanishmja, veprimi, pasioni për të bërë, nuk e njihnin humbjet, ishte e jashtme, ndërkaq ata i besonin një miniere tjetër, që s’ishte asgjëkundi dhe kudo, asaj të jetës, por dhe të ëndrrës, vetëm ajo të bën të pasur me gëzimet e saj, të bën të qeshësh edhe me tragjeditë…
• • •
Miniera në roman del pak, e paqartë, ndoshta autori s’donte të merrej me të a nuk e njihte. Dhe doja të flisja me mikun tim, Ilir Malindin, kemi qenë bashkë në burgun e Spaçit, në minierë si skllevër, ishte dhe “Zorba” me ne, por me emër tjetër, i thasshë, unë nuk njoh lexues më të pamëshirshëm se ai, trillan, nihilist, i thellë, ngacës, lexon greqisht, se mërgoi shumë vite atje, vdes për librat, por dhe autorët i vdes, qesh çiltërsisht, befas, “Zorbë” dhe ai, megjithëse kundër “Zorbës”, jo të gjithit, e di ai ku dhe pse.
– Duhet ta kesh lexuar deri në moshën 20 vjeçare, thotë një kritik grek, – më thotë sikur unë të kisha bërë faj që e kisha kaluar atë moshë dyfish e më shumë.
Pres të më thotë ndonjë thagmë. Është gati të flakë borsalinën tutje, po inatin e ka me kokat, së pari me të vetën. Qesh me zë, ai, dhe vazhdon duke më thënë se sa pa kuptim i ishte dukur vargu: Qeshu, rini, qeshu, se bota është e jotja! Madje dhe propagandistik.
Çudi si na ka pëlqyer.
Po ishim te rinj.
Po kur qesh Zorba plaku?
• • •
Vërtet ç’është e qeshura e Zorbas? Ai më kollaj qesh, se sa flet. Ai tregon me vallet e tij më bukur, më qartë, më gjatë. Po ç’janë të qeshurat në përgjithësi? Fjalori, dihet, që të zhgënjen.
Gjeta se një Profesor nga Universiteti i Pensilvanisë, kishte qenë dhe drejtor i Shoqatës Amerikane të Psikologjisë, Martin Seligman, në një studim për origjinën e lumturisë zbulon se janë sensi i humorit dhe i të qeshurës si një reagim ekskluziv i qenies njerëzore duke u bërë kështu një mekanizëm i karakterit tonë për të përballuar vështirësitë me një qëndrim më të shëndetshëm.
Shkencërtët na zbulojnë përfitimet e të qeshurit:
1. Redukton praninë e kolesterolit në gjak, pasi është e barabartë me ushtrimet aerobike.
2. Nxit tretjen duke rritur kontraktimet e muskujve të barkut.
3. Ndihmon për të qetësuar zemërimin.
4. Bën të mundur një qëndrim mendor që zvogëlon mundësinë e sëmundjes, sepse rrit rrahjet e zemrës dhe pulsin dhe sepse kur qeshim lëshojmë endorfinë (hormonet e lumturisë).
5. Redukton glukozën në gjak.
6. Na çliron nga emocionet negative si frika dhe ankthi.
7. Rritin marrëdhëniet shoqërore.
Zorba duket sikur i di të gjitha këto, madje nuk ka nevoje t’i dijë, mjafton t’i kryejë, të veprojë.
Dhe i porsalinduri buzëqesh. Dhe ka që kanë një buzëqeshje hyjnore dhe të vdekur
• • •
Po i afrohesha fundit… të romanit. Përkthimi kumbonte si poemë, ndjeheshin aromat e barit, dukeshin retë, hëna si gji gruaje, vejusheje, do të ndërhynte Zorba duke mos vazhduar dot, do t’i mjaftonte një valle e çakërdisur, me plot hijeshi. por edhe lotët duket se janë shqipëruar.
Nuk e kisha takuar ndonjëherë përkthyesin Stavri Dajo, e dija si emër, ishte nga pakicat greke në Jug, s’e dija ku ishte tani, do të doja ta përgëzoja me zemër për punën, por si, ku? Dhe ngjau e papritura për mua, më vjen një mesazh prej tij në messenger, e pabesueshme, po a ishte ai? Po, po. Më kërkonte një shërbim fare të lehtë, t’i tregoja diçka, që i duhej për punët, për ato që shkruante. Ia kreva me dëshirë. Dhe si Zorba dhe unë, i rashë ziles së tij në messenger, sokëllita si ai, po ke bërë një mrekulli, i thashë, më shumë jam me ty se me Autorin, qeshi fort, fjalët pikojnë si hoje mjalti, gumëzhijnë si bletët, Zorba flet shqip…
Kam patur mësues Mitrush Kutelin dhe Petro Zhejin, më ktheu. Të dy janë “Zorbë”, e ndërpreva, kanë pathosin e tij, çakërdisjen magjepse në gjuhë. Stavri Dajo tani jeton në Selanik, nga andej përreth ishte dhe Zorba, maqedonas, dhe është Profesor i letërsisë në universitetin “Aristotle”, është dhe botues, ka nxjerrë prapë romanin “Zorba”, shqip dhe ku, në Selanik, bukur, kur, në 2016. Do ta dërgoj? – më pyeti.
Është si një poemë kryeneçe, i thashë sërisht, që i ka dhënë romanit nga epika e vet, por dhe shpella mungesash.
A t’ja lexoja ç’kisha shkruar nxitimthi në fund të librin, në faqen e mbetur gjysmë e bardhë? Më duket se ndokund ndërpritet, ku s’duhet dhe zgjatet te të thënat, por dhe të pathënat. Skenat e dashurisë në vetën e parë i ka shmangur, gabim, dhe ka cekur ato të Zorbës që nuk di të dashurojë, veçse si kalë.
Përkthyesi qesh me zë. Edhe papagallin e ke përkthyer, shtova, i cili del here pas here nga kafazi i tij dhe shkon në kafaze romanesh të tjerë.
Ku, ku?
Do të të nis botimin e ri, më premton Profesori-përkthyes.
• • •
Më duhej filmi. Eda ime pagoi online që ta shikonim në shtëpi në ekranin e televisorit. Prodhim i vitit 1964, por Anthony Quinn mbetet një Zorbë i shkëlqyer. Sa bukur qesh me zë. Gurgullon së brendshmi. Shpirt. Dhe Alan Bates që bën shkrimtarin, alteregon, edhe ai qesh bashkë me Zorban. Lila Kedrova theksonte anën komike, ajo qesh dhe mes lotëve, ndërsa Irene Papas atë shalos dhe tragjiken, e bukur si një lule e egër, buzëqeshëse pranë himnerave, arvanitase, ndërsa regjisori Michael Cacoyannis m’u duk se plotësinte mirë mangësi të romanit, teksa ku më ishte dukur si një komedi franceze, në film ishin shndërruar në grotesk greko-ballkanik. Muzika e Teodoraqisit me vallen në fund, më shumë ajo e qeshur e begatë, poshtë reve, me dallgë pas shkumëbardha si dhëmbët që qeshin, etj, janë një porosi e madhe gjithë art të pavdekshëm…
• • •
Renditet në 100 librat më të mirë në botë të të gjitha kohërave, sipas Qendrës Norvegjeze të Librit, 2002, shkruan përkthyesi dhe botuesi Stavri Dajo në botimin e Selanikut. Po kanë kaluar 20 vjet? Romani është botuar në 1946 në Greqi, ishin ende gërmadhat e Luftës II Botërore dhe diktaturat komuniste po forcoheshin egërsisht, Greqia i kishte shpëtuar atyre dhe Zorba s’rrezikonte të hynte në ndonjë burg.
Ne, unë me miqtë e mi, me të cilët u përfshiva në bisedat për Zorbën, nuk kishim lindur ende. Dhe shkrimtati francez Albert Camus mori çmimin “Nobel” në vitin 1957, vetëm me një votë më shumë se Kazantzakis, kështu se ku lexova. Pse, sa janë ata që votojnë në Akademinë Suedeze? Komiteti përzgjedhës, me sa di, përbëhet vetëm nga 5 akademikë. Dhe Camus paskësh thënë se “Kazantzakis është 100 herë më i mirë se mua”, dmth se Camus. Po për akademikët e Nobelit? Dhe “Murtaja” është “Zorba” dhe “Zorba” është “Murtaja”…
Çmimet prishin punë, Zorba do e flakte, jo, do ia dhuronte ndoca vejushave, do të kishte krijuar ndonjë shoqatë bamirëse me to, sa pa rënë murtaja, pandemia, duke shpërthyer në të qeshura zëlartë, që degjohen dhe në vende te tjera e kohë të tjera. Ajo është kryevepra e tij, bamirësia më e madhe.
• • •
Më nxiti Zorba të flasim kështu për atë, botimi tjetër i ri në “Literatus” në Selanik, dhe shqip, interesante kjo, e them prapë, po pse, normale në fund të fundit, me përkthimin e përmirësuar të Dr. Stavri Dajos, që do të thotë se kreshta e dallgëve që rreh ishullin e jetës, të jetë dhe ca më e lartë, vërshim hëne më shumë, tualet dhe buzëqeshje të re vejushave, po dhe shkrimtarit të Zorbas, ndërsa Zorbas vetë britmë më të fuqishme jete.
Po edhe mua më shtoi temën “Zorba” në bisedat me miqtë, me Ilir Malindin në Tiranê, kërkim të Lazër Stanit, ku është ai, në New York? Të dy bëjnë një Zorbë. Dhe zbulova Dr. Stavri Dajon në Selanik.
Po Kreta, edhe atje ka shqiptarë të ikur. Ishulli që ka nxjerrë shkrimtarin gjenisl Nikos Kazantzakis, po pse ka dhe ca zakone që ngjajnë me ato të Veriut tonë si gjakmarrja? Dhe po ajo hije zymtane dhe krenari si e maleve? Nga Kreta ishte dhe poeti Odisea Elitis dhe nënën ai e kishte arvanitase. E kemi, pra, një nënë që ka një bir me çmimin “Nobel” në letërsi. Po poeti shkodran, që e dua shumë, Zef Zorba, pse ky mbiemër i njëjtë?
Sidoqofte rëndësi ka e qeshura e Zorbës, të shton pasionin për jetën, të një jete bio, në harmoni me veten dhe natyrën, miqësore, kur sot është aq e vështirë, dhe ai, edhe pse ndjehet besimtar pa Zot, po aq shumë dhe i djallit, të mëson të qeshurën, jo atë sarkastiken, të mllefosurën, kur s’ke se ç’bën tjetër, as atë zyrtaren, lajkataren, nga zori, apo ironiken, të ftohtën, të gënjeshtertën, mos o Zot, të qeshurën tallje, shpërdorimin e saj banal, por të qeshurën e vërtetë, të madhe dhe të begatë, që del nga brenda, nga thellësitë e gjoksit, po edhe të tokës, ku vemë këmbët, se edhe toka qesh, po edhe të qiellit, se fytyra ka qiellin afër dhe vetëm njeriu e ka këtë veti, që e bëri të qeshurën të gjallë gjallë dhe art. Nuk ka më sublime se e qeshura e sinqertë. Më thuaj si qesh të të them se cili je. Prandaj dhe duhet ta japësh.
Është jeta që qesh nga që është, edhe kur nuk e di, edhe nga përtej. Kuptoji të qeshurat e saj parajsore…