KreuLetërsiShënime mbi libraVisar Zhiti: Dy ëndrra që bashkohen nga Damiano Rondelli

Visar Zhiti: Dy ëndrra që bashkohen nga Damiano Rondelli

Është duke tërhequr vëmendjen  poezia e italianit Damiano Rondelli, doktor në shkencat në Universitetin e Illinois-it në Chicago, SHBA, kur ai sapo ka nxjerrë librin e tij më të ri, ku botuesi i tij “puntoacapo”, poeti dhe kritiku Mauro Ferrari shkruan në kapak:

Dimë nga Tommaso Ceva se poezia është “një ëndërr e parë në praninë e arsyes”: Damiano Rondelli, mjek me prestigj të jashtëzakonshëm (për këtë flet biografia e tij profesionale), di të ndërthurë racionalitetin e profesionit të vet, – por edhe atë të domosdoshëm për ndërtimin e vargjeve, – me një frymëzim njerëzor që këtu përmblidhet mrekullisht në dialogun poetik hyrës, i cili krijohet me shkrimtarin shqiptar Visar Zhiti, edhe ai banues në Çikago.

Vepra letrare e Zhitit është e shenjuar nga vuajtja, por edhe nga domosdoshmëria e ëndrrës. Kjo ëndërr, e ngritur në fuqinë e dytë përmes një dialogu ideal me Zhitin (por mund të themi edhe me lexuesin), këtu bëhet Bi-sogno, një fjalë që ndjek një vijë tangjenciale gjuhësore për të përcjellë një aspiratë ideale, e cila në këtë përmbledhje shfaqet në çdo faqe.

Rondelli jo vetëm që punon mbi gjuhën e vet poetike, por edhe e zgjeron hapësirën tematike të saj… ai përcakton një poetikë personale, e cila, duke u nisur nga kontakti i përditshëm me të sëmurin dhe nga nevoja për ta mjekuar (aq sa është njerëzisht e mundur), përballet me ëndrrën e lumturisë e madje edhe të gëzimit, në kërkim të «një shkëndije shpirti» (f. 29) në dramën e botës.           

Damiano Rondelli poezinë e shkruan në gjuhën amë, kurse veprat shkencore, ligjëratat në katedrën universitare, ku është dhe shef,  në konferenca ndërkombëtare etj, i ka në gjuhën angleze. Është diplomuar në Mjekësi dhe Kirurgji. Pasi e filloi karrierën e tij universitare në Universitetin e Bolonjës, që nga viti 2002 punon në SHBA, drejtues i Divizionit të Hematologjisë-Onkologjisë dhe drejtor i Programit të Transplantimit të Qelizave Staminale dhe Terapive Qelizore. Ka marrë vlerësime të ndryshme, ndër të cilat, “Doktoratë Nderi” (Honoris Causa) nga Universidad Mayor de San Andrés e La Pazit, Bolivi; titullin “Komandant i Urdhrit të Yllit Italian” dhe “Public Service Award” nga Shoqata Amerikane për Transplantimin dhe Terapitë Qelizore. Është autor i më shumë se dyqind publikimeve shkencore në revista të specializuara dhe i veprës “Storia delle Discipline Mediche” (Historia e Disiplinave Mjekësore), i botuar disa herë nga Hippocrates Editore, Milano.    

Dhe vonë, vitin e kaluar, 2025, botoi librin e parë me poezi në Itali, por dhe këtë vit, librin tjetër, prapë poezi,  ëndrra e tij e hershme. Përmbledhja e re paraprihet nga fjala e Autorit:

“Nën hirin e vargjeve, zemra gjen një ‘ti’ tjetër nga mua dhe Tjetër nga unë. Ai ‘ti’ që shpesh mungon në ditët tona është bukuria, plotësi e shpirtit. Nuk kërkon asgjë në këmbim. Prania e tij në përjetimin e dritave dhe hijeve të përditshme ka forcën e erës që i hap mushkëritë. Secili është bërë për një ‘ti’, për të jetuar, për të dashur dhe për të zbuluar guximin e lirinë për të ëndërruar së bashku.

Titulli i librit, ‘Bi-Sogno’, lindi pothuajse rastësisht. Siç ndodh shpesh sot, dialogu me një tjetër kalon edhe përmes mesazheve të shkurtra në celular.

Kur miku Visar Zhiti, një poet që i ka shndërruar gurët e rëndë të jetës në një dritare të hapur drejt diellit, më shkruante, fjalët mbeten pezull dhe lidhen me shirita të lehtë emocionesh duke folur për Bi-Sogno ose dy ëndrra. Dhe bëhen poezi me dy duar, si te ‘Text messages’’.

P.S.: Në titullin e librit kemi një lojë fjalësh, një gjetje. Italisht bisogno do të thotë, nevojë,/ domosdoshmëri,/ kërkesë, por duke e ndarë me një vizë fjalën: bi-sogno, krijohet një kuptim i ri si me dy fjalë të tjera: dy-ëndrra, prandaj në përkthimin shqip të poesisë hyrëse, kjo fjalë, për t’u shijuar më mirë, është zëvendësuar me një tjetër, që edhe duke mos qenë të përafërta, tregojnë më mirë lojën: Bigëzim, ndarje në dy degë,/dyzim, dhe pastaj: Bi-gëzim: dy-gëzime.  

Poetit i pëlqen t’i kthejë në poezi takimet, bisedat, të përditëshmet, duke besuar që kanë dhe universalen e tyre. Dhe me Damiano Rondelli-n kuptojmë se duhet poezia edhe në shkenca, në mjekësi, etj, se ka zhvillim, korp, por edhe shpirt. 


AMIANO RONDELLI: Poezi nga libri i ri

TEXT MESSAGES

Të dashurit tanë,
jemi dhe do të jemi me emocionet
e bukura të asaj mbrëmje
plot zemër dhe poezi.

Miqësia që arrin në zemër,
i bën mirë shpirtit
dhe dhuron buzëqeshjen.

Si një ëndërr
kthimi në shtëpi
me makinën tënde të natës
[…]

E gjithë ç’thua, është e bukur
si një bigëzim, bi-Gëzim.

Dy gëzime, një dëshirë e përbashkët,
që më bën të besoj te mirësia
dhe poezia e saj.

…ende ndiej frikë
t’i quaj fjalët e mia të varfra
poezi…

Kjo frikë duhet përjetë,
dhe është poezia!

Më thuaj,
si mund të kujdesesh
për këtë frikë…

…një arsye doja
për të të shkruar,
por nuk e gjeta.
Nuk kishte ndodhur asgjë.
Atëherë – thashë, – shkruaj pa arsye,
pyet: si jeni ti dhe poezia?

…nuk ka nevojë
të ndodhë ndonjë gjë.
të jemi bashkë pa arsye.
“Kur mbrëmja
hyn nëpër sy
e varur
nga lotët tashmë të derdhur…”

Kjo rrjedhje plot dhimbje
dhe dritë zemre.

(Visar Zhiti – Damiano Rondelli)


FLUTURIMI

Papritur vargjet
bien si shi i dëndur
që ngashërejnë zemrën
e lënë lundrimeve
pamjeve me ty

dhe zbardhëllima e një mëngjesi
që na ndjek
përfundon në këngën
e një kukuvajke
mes një zhurmëtire të panjohur

dhe rrëmben pluhurin
mbi parvaz
tani në liri,
tani në fluturim.


PA GRAVITET

Në pragun e kopshtit të lirë
Sytë e lidhur enden
të çmendur pa drejtim,
ulërima ere, gjeometri lirie,
karusel fluturash, ngjyra të vjedhura,
të mbledhësh të shkuarën
mes fijeve të barit me aromë
dashurish të heshtura,
enden të çmendur,
shpërthejnë nga e vërteta,
duke më parë mua
që i shoh
të fluturojnë lart pa gravitet,
me ëndrrat në gojë kthehen besnike –
mbledhin dorën time –
duhet të shkojmë.


SKENA

Teksti çrrotullon tundime,
zvarritje atipike, zgjatje tingujsh,
kakofoni aluzionesh të heshtura,
akrobaci të befasishme qendresash
të kapërcyera, përkohëshmëri
gjethesh me peshën e shiut, gjurmë
të fshira për t’u gjendur vetëm
mbi skenë, pa kujtesë. Mjafton kështu.
Lë teatrin. Ndjek dritën e derës anash,
të mbetur gjysmë e hapur, kaq vonë,
në një kishë një zë reciton vargun tim
kur je i dashur.


BUKA

Hej, poet,
dëgjo –

në shtëpitë tona
buka quhet bukë –

aroma e saj mua më ngre,
plot poezi.


VARGJE NË XHEP

Si tufa trungjesh me psherëtima djerse
goditjesh të thata, të radhitura në ahur,
pas perëndimit të diellit,
me erën e dimrit, gjumi të qetëson
me ngrohtësinë që do ta doje të përjetshme,
vargjet e varfra duke i fshehur
në ndrojtjen e një xhepi,
i aftë të përkëdhelësh mëngjeset e ngucura
në të përpjetën, pa u shqetësuar
për frymën e rënduar, ende mbërthyer
pas errësirës, për të kafshuar ditën,
me buzëqeshje të vjedhura dëllinjave,
i palodhur kurrë duke cikur lehtë duar
të vogla, të zgjatura në kërkim të sekreteve,
pret me vëmendje çastin e saktë
kur zemra i hapet dritës,
për të të zbuluar shkallën deri në qiell,
pikërisht pranë margaritarëve, që gjithmonë
të presin ty, në atë xhep ku prehet dora,
një shami ende mbështjell lutje të bekuara
nga një kohë e largët, dorëzuar
shpirtit tënd të vetëm, që udhëtimi
të ishte i sigurt, që në faqen e fundit vdekja
të mos shkruante fjalën e fundit.


MADONA E NATËS

Flet
pa fjalë,
pa më fiksuar
vështron humnerën time
gjithmonë
një ndriçim i ndrojtur
nën mbulesa
të strehës sime
ngroh pritjen
e mëngjesit
me dëlirësinë tënde
me dhimbjen tënde
të kryqëzuar
heshtje-pllakosur
në duart e tua të bashkuara
më zë gjumi.


NËNËS SIME

Të pashë për një çast
duke më përgjuar fshehurazi
nga një e çarë errësire,
të prisja një mëngjes,
të kërkoja pranë meje zëulët
në divanin tim të ri,
me shkas për të pasur ende
buzëqeshjen tënde,
ende po-në tënde me dorë.


LUFTË

Është luftë.
E pistë, e helmuar, rrjedh
e hidhur nga buzë mosbesuese
të mizorisë së akullt.
Sprapsja e së keqes
na ka burgosur dhe ne,
refugjatë pa diell.
Dua të qëlloj
me plumba të dinjiteti njerëzor,
kudo të hedh
bomba mëshire
dhe pastaj,
nëse duhet,
pa frikë do të vdes.


KAFENEJA E PROVINCËS

Kafeneja e provincës flet një gjuhë
të lindur bashkë me botën.
Flet për botën me diturinë e saj,
i ndan të mirët nga të këqijtë, shumë,
të paaftë për të parë zgjidhjet e qarta
të krizës globale.
Kamarierja kërkon falje që nuk më njeh.
Më rrëfen se respekton të gjithë,
por vetëm deri në njëfarë pike.
Thotë me zë të lartë vendimin e dënimit
për të pandehurit që mungojnë,
fajtorë për çdo padrejtësi
politike, historike madje dhe gjenetike.
Vuan nga fumus persecutionis*
që e detyron të mos e shijojë jetën,
ajo që paguan taksat.
Nuk e di çfarë sheh kur më shikon;
unë shoh perden e syve,
dhe pas saj dhimbjen e nënës,
të bijës, të shoqes,
ose ndoshta thjesht të qenurit vetëm.


*) lat. Hija e persekutimit, dyshim.


BAGAZHET

Në aeroport lejojnë
vetëm pesëdhjetë paund
në bagazhin e mbushur me kotësi
dhe shtresa grimasash të ngjyrosura
për t’i ndërruar natën përpara pasqyrave
të puthjeve të ndjekura
dhe injorojnë të heshtur peshën e zemrës
dhe mëshirën e vështrimeve të ngulitura
të plakura në bagazhin e fshehur
pa dritë nën rrobat e qepura mirë
të atij që braktis dhembshuritë
dhe nuk do të donte të nisej.


SI ATA

Fëmijë të shqetësuar
enden të lodhur
në sallën e pritjes,
nuk e dëgjojnë më botën
dhe zërin e rreptë
të detyrave të caktuara,
vetëm kërkojnë supin e atyre
që i lindën një ditë,
të shplodhin dhe sytë.
Si ata jam dhe unë i lodhur,
i shurdhër ndaj zërit tim,
s’shoh përtej parmakëve,
e si mund të braktisem
te supi yt, o Zot?

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË