More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVirion Graçi: “Plaken zogjtë… ” (Shënime për librin “Vargmale nën dhé”, Nurie...

    Virion Graçi: “Plaken zogjtë… ” (Shënime për librin “Vargmale nën dhé”, Nurie Emrullai)

    Jetojmë mes letrarësh e lajmëtarësh letrarë, por deri para ca ditësh, po të pyeste dikush për emrat e dalluar në poezinë bashkëkohore shqipe, emrin Nurie Emrullai nuk do ta kisha shqiptuar; nuk do ta kisha përmendur sepse nuk e njihja poezinë e saj. Libri i saj “Vargmale nën dhé”, (282 f.., botimet Onufri, 2020) ka përmasat dhe rëndësinë e një antologjie; antologji e një autori kariere që nga fundi i jetës së gjatë krijuese bën një bilanc  të gjërave të çmuara, farkëtuar ndër vite; antologji e një grupi autorësh, të një breznie a nga një mjedis tjetër gjuhësor/krijues. Për habinë tonë fatlume, libri “Vargmale..” ka vetëm një autor/e dhe autor/ja është e re, në fillimet e saj. Dhe lexohet me ëndje, deri në poezinë e mbrame.

       Zakonisht, sa e ke kthyer faqen e fundit të çdo libri poetik, është tepër herët të arsyetosh për të: Përse të pëlqeu, çfarë është lëndë e re poetike, çfarë i shton perceptimit tonë të mëparshëm për botën, sendet, marrdhniet ndërnjerëzore?! Por libri në fajlë t’i jep vetë disa përgjigje të qarta; ai dallon për shumëçka, dallon për formë shprehjeje e për materie poetike. Duke rrëfyer virtuozisht në disa rregjistra, si në planin lirik, si në poezinë e peizazhit, si në poezinë sentenciale, në planin e mirëfilltë epik, në mistikë dhe në figura   të simbolikës natyrore a të jetës qytetëse, poetja nuk bëhet kultivuese e disiplinuar e asnjërës tipologji më vete; përkundrazi, sintetizon me shkathtësi çdo mjet e liri shprehimore të zhanrit për të mos e ngurtësuar mendimin dhe për ta bërë të dukëshme thellësinë e errët e komplekse të vetvetes. Natyra me pyjet, lëndinat, yjet, hënën, qiellin, retë, shiun, hapësira urbane me rrugët, dyqanet, veshjet, artikujt e konsumit, me bashkësitë shoqërore e familjare, me misteret kaherëshme të ekzistencës si jetë, vdekje, përkohësi, mungesë, mall, zot, harresë, mplakje, krijojnë një trekëndësh Bermundesh ku prozaizmi i përditshmërisë mbytet, përfytyrimet/imazhet poetike shndërrohen në mendim, në ndjesi të fuqishme nëpërmjet bashkëpërjetimit: uni i poetit bëhet dritare e lexuesit, bota autentike e poetit bëhet hapësirë e përbashkët takimi, përjetimi, jeta e rëndomtë kthehet në amëshim poetik.

      Poezia “Kohë e lëngëzuar” nga e cila e zgjodhëm titullin e këtyre mbresave, paraqet në embrion një parim krijues të Nurie Emrullait: Paralelizmin figurativ. Paralelizmi figurativ diku ndërton antitezën, diku simetrinë e gjendjeve e botëve kufitare, diku përpiqet ta sfumojë botën e madhe për të bërë qëndrore botën intime, e anasjelltas, si në poezinë e sapopërmendur: Plaket dyqanxhiu nëpër artikujt e tij…/… plaken zogjtë që rrinë nëpër lisa.. (f.46) Në këtë shtrirje të madhe hapësinore, plakja e dyqanxhiut që jetën e mat me moshën e fëmijëve që (nuk) blejnë çokollata, shkon krahas me kohën astronomike, me kornosin e universit dhe moshën e pafajshme të gjallesave natyrore, zogjtë në këtë rast. Për nga procedimi, janë ndoshta vargje tipike ku N. Emrullai përvijon fatin njerëzor duke e lënë enkas në sfond njeriun, sekondar, pasojë e rrethanave, përtej sendeve të konsumit dhe natyrës.

       Ambiguitetiështë tjetërtipar i ligjërimit poetik te “Vargmale..” Në poezinë    “Dëshmi për breza”: …dhe ja ku po fillon numërimi mbrapsht/ Dhe bien tre pika shiu/ Dy/ Një/ Dhe gjethi më i vogël mbetet mbi degë/ Për të shkruar historinë. (f.63) E kemi të pamundur të përcaktohemi për çfarë është fjala: Për një idil natyror? Për alegori sociale? Apo ironi me epilogët e proceseve të bujëshme historiko-shoqërorë? Ambiguiteti nuk manipulon imagjinatën e perceptuesit, ambiguiteti vjen lehtë për shkak të materialit me të cilën mishërohet figura artistike, bëhet mendim i shumëfishtë, provokon gjendje të reja.

      N. Emrullai mprehtësisht kap e ‘qartëson’ një zonë delikate, metafizike, marrdhëniet nokturne njerëzore, nëmurin e pavetëdijës te dy njerëz të bashkuar në një trup, ‘pronë’ e njëri-tjetrit në dashuri fizike, në marrdhënie intime, në shprehjet verbale. Në një kryevepër hipokrizie e mefshtësie të marrdhënieve në çift, poetja dallon orbitat e padukshme midis  botëve njerëzore: “Sa herë që më prekte”  Sa herë që më prekte/ Ndjenja gishtat e tij të preknin një trup tjetër/ Sa herë që më shikonte/ sytë e tij kërkonin shpirt tjetër/ dhe heshtja që rrinte mbi ne/ Më vriste mua, atë dhe një të tretë. (138) Ky rrëfim poetik, në dukje i thjeshtë, i mbart deri në sipërfqen e botës materiale sekretet dramatike të zemrave në lëngim. Poezia tjetër “Pendesë” Ëndërrova/ Gjërat më të rëndomta që ka thellësia e zemrës/ Po kur erdhën një ditë/ Hija e tyre qe më e madhe/ E mbuloi tokën time. (f.58) është e së njëjtës lartësi për nga realizimi, për nga finesa e shprehjes. Këtu, si dhe në çdo pjesë të repertorit poetik të “Vargamale…” heroi lirik nuk fajëson e nuk shfajësohet, ai vetëm shfaqet në marrdhënie që krijojnë tension, kundërshti, palumturi, nganjëherë edhe dëshpërim.

      Origjinale në çdo ind të krijimtarisë, N. Emrullai tregohet moderne, e kultivuar, racionalisht e mprehur në trashëgiminë intelektuale të njerëzimit; sakaq, nuk i ndahet bastit të kahmoçëm, përkufizimit e ripërkufizmit të Poetit, Krijuesit, Prijësit:  Çfarë e ndan të rëndomtën nga sublimja, vulgaren nga hyjnorja?! Misioni, detyra, qëllimësia e jetës, sikurse shprehet bukur në poezinë “Korrik” Edhe xixëllonja e fundit/ Fiku dritën dhe u kthye në insekt të zakonshëm. (f.116)

      Në pak sipërfaqe poetikëmund të shkruhet romani i tjetrit, personaliteti i tjetrit, mund të jepet historia e një qyteti; me një duzinë vargjesh si më poshtë, mund të ndriçohet fizionomia e një shoqërie nëpërmjet njësisë më të vogël të saj, nëpërmjet një njeriu të vetëm e më vete. Poezia “Ai” nuk është rastësi në këtë tipologji, por ndër më të arrirat: Pluhuri kishte mbuluar qytetin/ Pluhur, muzg, vapë, qershor./ Njeri./ I futur brenda vetes mbrenda vetes veten,/ I mbështjellë në cipa pa fund/ kërkonte dikund fundin./ Çfarë fundi nuk e dinte/ Por kishte një fund/ Që ai mbrenda vetes e priste. (f.37)

      Pamjet urbane, pamjet njerëzore dhe pamjet natyrore, N. Emrullai i përbashkon harmonishëm kur rrëfen dashurinë, fëmijërinë e dikurshme, zhgënjimet në miqësi, thyerjet kalimtare shpirtërore, duke maskimalizuar mundësinë shprehëse të çdo fjale e shenje të përdorur:  “Kujtime” Një cep i fustanit/ Mban ngjitur hijen e faqes tënde/ Përpara se të harroheshim. (f.237)

      Poezitë “Kapërcimi i jetës” (f.238) dhe “Njohje” (f.240), në perceptimin tim prej lexuesi janë të ndërlidhura si fjalë-kyç për të hyrë në anën e padukshme, në origjinën e mishërimeve poetike. “Kapërcimi” Është një vend/ Mes shtëpisë sime dhe shtëpisë së fqinjit/ Që i pret midis rruga e të vdekurve.  Poezia e përcakton të tashmen dhe të shkuarën e heroit lirik; ndoshta në këto vargje ka vend profecia profane: heroi jeton në një shoqëri shtetërore ku vdekja është ura lidhëse mes anëtarëve të të njëjtës bashkësi urbane: Duhet të na varsin për të ardhur drejt nesh ose duhet të vrasim për të shkuar te ata? Dilemë specifike, përkthim në poezi i historisë sonë tragjike/dramatike/groteske. Nga ana tjetër, me artin letrar si strehë për unin dhe frymë e shenjtë për vijimësinë njerëzore, heroi lirik është në një tokë të huaj, të panjohur, kujtesa e tij nuk ka si ta ndihmojë; fati e ka paracaktuar mes kryqëzimesh armiqësore, në burg shtëpiak, pa rrugëdalje në jetën e përbashkët. Vetëdija për vendndodhjen e sjell poeten në moshën miturake të pafajësisë, fatalitetit dhe lotëve:

    “Njohje” Ata më thanë mua shkruaj për gjëra të lumtura/ Unë heshta dhe  në vete qava/ Se ato ishin të vetmet gjëra që nuk njihja.

    Jo vetëm në shembujt e sjellë këtu, por në tërësi, poetja Nurie Emrullai ka dimensionuar drama individuale në skenën e dramës së përbashkët; gjuha poetike i shpërfaq ndjenjat e imtësishme pa rënë në patetizëm; gjykimi i deshifron iluzionet mashtruese, por poezia nuk bëhet deklarative, moralizuese.

    Libri “Vargmale nën dhé”  është prurje e jashtëzakonëshme cilësore në poezinë bashkëkohore shqipe; është ansambël poezish ku eksperimenti shndërrohet në risi, prozaizmi i përditësisë – në poezi, liria krijuese shndërrohet në vlerë sipërore estetike, në art të përvetshëm letrar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË