More
    KreuIntervistaVirion Graçi: Librat që do të doja të kisha shkruar? “Kronikë në...

    Virion Graçi: Librat që do të doja të kisha shkruar? “Kronikë në gur”, “Don Kishoti” dhe “Hamleti”

    Libri që po lexoj ndërkohë: “The Tyranny of Guilt- An Essay on Western Masochism” i Pascal Brucner. Libër me reflektime e interpretime historiko-krahasuese. Merret me dasitë aktuale botëkuptimore mes Europës, rendit të saj të vjetër dhe bijës së saj matanë Atlantikut, SHBA. Më tërheq shumë dija historike e autorit dhe aftësia e tij për qasje sociologjike e filozofike ndaj traumave dhe dështimeve të mëdha që kanë kaluar shtetet e regjimet e ndryshme në Europë, trauma e dështime që kanë shkaktuar dikur luftëra të përgjakshme, ndërsa sot, peng i vetëdijes për krimet dhe gabimet e të shkruarës – ka mjaft tema tabu; tema tabu për hir të oportunizmit social e pragmatizmit ditor – grupe të caktuara etniko-fetare, në gjirin e shoqërive perëndimore mund të inkurajohen ose të keqkuptohen. Kam dhe disa libra artistikë në lexim e sipër dhe të tjerë  në plan për t’i lexuar sa më parë.

    Libri që më ndryshoi jetën: “E kuqja dhe e zeza”, i Stendhal. Kur isha adoleshent e gjeta në mes të librave të tim eti dhe e lexova, në moshë të parakohshme, pa u penduar kurrë. Nuk mund të them se më ndryshoi jetën në mënyrë fizike, por shpirtërisht më dehu, më bëri të besoj se letërsia, romani, janë gjëra që e madhërojnë lexuesin, e madhërojnë dhe e përfaqësojë, e përfshijnë me gjithë rrethanat e tij, të brendshme e të jashtme; më bindi se duhen shume jetë e shumë njerëz që të popullojnë një roman e ta krijojnë një personazh romani, dhe kjo pafundësi metafizike dhe humane e romanit si zhanër, më bëri të ëndërroj të kem dhe unë një jetë, një zë e një talent të përshtatshëm për të qenë dhe vetë pjesë e kësaj loje serioze.

    Libri që do të doja të kisha shkruar: nga letërsia shqipe do të doja të kisha shkruar “Kronikë në gur”, “Breznitë e Hankonatëve,” disa prej poezive të Lasgushit, disa prej tregimeve të Ernest Koliqit. Nga letërsia e huaj lista e lakmisë bëhet më e madhe. “Don Kishoti”, “Hamleti” në krye të çdo ëndrre të pa realizueshme. Dy librat e sipërpërmendur të I. Kadaresë nuk i dua për shkak të lëndës, pra, jo për shkak se bëjnë fjalë për  vende e pamje të afërta edhe për mua, por për shkak të perfeksionit artistik. Forma dhe përmbajtja njësohen, si rrallë herë, krijojnë njëra-tjetrën në mënyrë të ndërsjelltë.

    Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia: Nuk jam i vetëdijshëm për cilin libër dhe për masën e ndikimit. Për fat, nuk janë marrë me romanet e mi as kritikët e historianët letrarë që ta shikoja veten, pjesën e ndikimeve përmes investigimeve të tyre. “Katër kuartetet” e Eliotit i kam lexuar të përkthyer nga një shok, në dorëshkrim, kur isha student; po ashtu kam lexuar Quazimondon, poetin Italian, etj. Në këtë periudhë moshore tepër të ndjeshme, kam lexuar dhe Kortazarin dhe romanet e shkurtër të Markezit. E përsëris, pas leximeve të mësipërme, krahas të mëhershmëve, jam përmbytur nga arti i madh dhe i kam thënë vetes: rri qetë, janë shkruar librat e bukur, në prozë e në poezi, roli yt në këtë botë mjeshtërish letrarë është ai i spektatorit, domethënë roli i lexuesit.

    Libri që ma ka ndryshuar mendjen… janë disa stade në jetën e njeriut, vështirë të veçosh një libër të vetëm. Leximi i Balzakut, pjesës më të madhe të romaneve të tij, besoj se më ka dhënë një perspektivë të qartë e të zymtë të qytetërimit e shoqërive perëndimore; leximi i Solzhenicinit më ka ndërgjegjësuar edhe më tepër për përmasat dhe mekanizmat e totalitarizmit komunist; veprën e plotë të A. Kamus e kam lexuar me ëndje dhe kisha përshtypjen gjatë leximit se po ritakoja dikë që e mund të kem njohur në një ekzistencë të mëparshme. Leximi i Saramagos, Hrabalit, F.Rothit, Coetzit-it e pak të tjerëve si këta, ma ka përtërirë dashurinë për romanin dhe guximin krijues në këtë fushë. Por më e larta nga këto piramida pavdekësie është ajo e Servantesit, romani I tij nuk mbron kurrë së lexuari e së ndikuari. 

    Libri i fundit që më ka bërë të qaj: kur jam përlotur? Fundi i pjesës së tretë, besoj, i romanit “Doni i Qetë” i Shollohovit. Kafka e një njeriu të vrarë jo shumë kohë më parë është në sipërfaqe të tokës, mbushur me ujë, dhe më tutje, në një varrezë të improvizuar, në një kryq druri të shtrembëruar, dikush ka shkruar epitafin: “Në këtë botë të zisë e të vajit,/ Vëllezër, faljani vëllait/”. Jap përlotur dhe me fundin e një romani të shkurtër të Dostoevskit: “E drojtura.” Pasi ka përcjellë për në banesën e fundit gruan e tij tepër të re, e vetëvrarë, protagonisti kthehet në dhomën e tyre të gjumit dhe pyet: A ka njerëz të gjallë mbi dhe, pyet kreshniku rus. Pyes edhe unë që nuk jam kreshnik…  Si të duroj kur të shikoj pantoflat e saj në dysheme, pranë shtratit tonë.

    Libri i fundit që më ka bërë të qesh: Rileximi i komedisë “Tartufi” i Molier.

    Libri që më vjen turp që nuk e kam lexuar ende. Janë shumë, së pari jetëshkrimet e autorëve të rëndësishëm të letërsisë botërore. Do të doja të kisha lexuar çdo libër historik për shqiptarët, për të kaluarën tonë dhe etapat e hershme historike. Me siguri, do të ishin qindra çaste me përjetime tragjike.

    Librat që kam dhuruar: një listë shumë e gjatë. Pothuajse çdo libër që kam blerë në fëmijëri, pasi e lexonte dhe vëllai im, e jepja dhe nuk e kërkoja më. Dhe ishin shumë. Jepja dhe nga 10 libra për një herë, te një njeri. Më dukej se në mendjen e tyre librat e mi do të ishin në kushte më të mira se në shtëpinë tonë. Në shkollën e mesme dhashë dhe një libër biblioteke, “Shkëndija e jetës”, të cilin e pagova më vonë të biblioteka e Korçës shumë shtrenjtë. Kam dhënë vetëm librat që më kanë pëlqyer më shumë. Dhe jam detyruar tani vonë të riblej libra që dikur i kam pasur. Dhe një ditë dëgjova shprehjen: është budalla ai që jep libra, por më budalla bëhet nëse i kërkon t’ia kthejnë. U skuqa nga zori, nga turpi. Përse të qortohet kështu një “budalla” si unë, fjala vjen?

    Libri me të cilin dua të mbahem mend: romani “Dead End”. Është libër që më përfaqëson personalisht me protagonistin; sikurse përfaqëson autentikisht familjen time dhe skena të vërteta të asaj jete, asaj kohe. Në pikëpamje stilistikore-konceptuale besoj se kam pajtua mes tyre në një ind të vetëm rrëfimin lirirk, epizmin dhe satirën, elementin grotesk. Besoj se do të ketë interes të qëndrueshëm për gjërat që janë treguar në atë roman dhe për mënyrën artistike të shprehjes.

    Leximet më të rehatshme:  pak i mbështetur në bërryl, gjysmë shtrirë në divan ose në shtrat, kur është fjala për leximet në shtëpi, që janë pjesa kryesore. Mbase nga koha e shkollimeve të mia, që i kam kryer larg shtëpisë dhe tavolinat nëpër dhomat me 5-6 nxënës nuk ishin vend i përshtatshëm për të qëndruar më orë të tëra i përqendruar, na mësuan të lexojmë nëpër shtretërit tanë.

    Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar: Drejtshkrimi i gjuhës së sotme shqipe.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË