More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVirion Graçi: Foto të çastit (Shënime për librin “Hijë në grila”, Eqrem...

    Virion Graçi: Foto të çastit (Shënime për librin “Hijë në grila”, Eqrem Basha)

    Veprimtaria letrare/krijuese e Eqrem Bashës, e pa ndërprerë  në Kosovë për disa dhjetëvjeçarë, nuk ka qenë e tillë në lidhje me editorinë në Shqipëri. Si për të ndrequr një padrejtësi a pakujdesi të rrethanave ai vjen këto kohë me përmbledhjen me tregime “Hije në grila” (Botimet Onufri, 2020). Libri mban një emër që nuk i përket ndonjëerit nga tregimet, sikurse ndodh rëndom, dhe kjo nuk është e rastit, besoj. Tregimet janë pagëzuar me emër të parbashkët, libri është strukturuar me arkitekturë të mirmenduar, me koncept e fizionomi përafruese si roman; si pjesë të zgjedhura të të njëjtit roman janë 12 tregimet e sistemuar në tre kuartete (kuartete i quaj këtu, për shkak se janë nga katër) të cilëve u prin tregimi prolog “Vetëm një natë”.

       Kuarteti PARKU I ZEMRËS me tregimet: “Dy pleq në një romancë”; “Balada e Kopështarit”; “Parku i zemrës” dhe “E ftohtë si të tjerat” ka pamje, fokusime të jetës qytetëse. Natyrisht, janë proza minimaliste, me pak ose aspak ngjarje/histori, eksursione psikologjike nëpër vetëdijen e një njeriu ose mes dy tipave të periferisë, heronj vogëlsish.

       Jeta si e tillë nis të shtjellohet nga stacioni i fundit, në perëndim të saj; dy të moshuar, të braktisur nga çdokush, nga të afërmit dhe nga strukturat mbështetëse sociale, duke pritur të shohin tjetër frymor veç vetjeve të tyre, duke pritur furnizimet ushqimore, larg vendbanimeve të mbipopulluara, e hedhin dorën në pasurinë e fundit që ju ka ngelur, në rininë e tyre, në kujtimet nga muaji i mjaltit, në çastet dashurore kur trupat e tyre njomëzakë ndizeshin flakë, kur shëndeti rinor i përgjigjej erosit dhe jeta shoqërore ishte ndryshe, ishte më e gjallë, me njerëz e pa mungesa materiale. Kontrasti mes preludit dhe perëndimit të jetës në çift krijon tension dramatik dhe konflikt mes heronjve; gjenden të dy të vdekur pas disa ditësh, për arsye të pa qarta. Autori, nëpërmjet mënyrës mjeshtërore të zhbirimit e zbërthimit psikologjik të tyre, nëpëmjet dialogut efikas na mundëson të hamendësojmë se dhe jeta e përbashkët intime mund të ripërjetohet e ritregohet në mënyra krejt të ndryshme prej partnerëve; e tashmja e atrofizuar e mungesore çon në kundërthënie edhe sa u përket kujtimeve të njëtja; pritshmëritë e pa përmbushura nga dobësia e moshës dhe zvetëinimi i kujdesit shoqëror, mund të vrasin secilin prej tyre, mund të shkaktojnë konflikt shkaatërrimtar. Përafrimi në një sekuencë kohore i skajeve ekstremë të jetës së  individit, duke e marrë një burrë e një grua nga lumturia e madhe deri në palumturinë e thellë, duke i vizatuar ata me penelata të shpejta, të kursyera nga rinia  në pleqërinë e thellë dhe vdekjen e sigurt, E. Basha e bën sintezën artistike të njerëzisë në përgjithësi, e zbardh spektrin jetësor të njerëzimit të sotmë.

      Tregimi vijues (“Balada…”), ndonëse tregim i kryer në vetvete, si në një sekuencë kinematografike vazhdon ‘reportazhin’ nga e njëjta hapësirë, duke ju afruar qendrës së qytetit: tani meditohet për të buurën, për bukurinë e humbur në kuptimin e dyfishtë të fjalës: si funksion bio-ekologjik dhe si zeje estetike-njerëzore, e kryer dikur nga një njeri pa emër të veçantë, mjeshtër në pemtarinë dhe bimësinë dekorative. Përshkrimi i çdo luleje dhe peme dekorative, bërë me saktësinë dhe ëndjen e një botanisti të mirëfilltë e bën rrëfimin alegorik dhe pasqyrë të trishtë, gati vajtim për një parajsë urbane të humbur, të zhdukur; një parajsë për tokësorët e cila, për të ekzistuar, nuk kërkon njerëz të virtytyshëm, në kuptimin fetar të fjalës, as larje mëkatesh, as shpagë fajesh e borxhesh në paradhomat e përjetësisë; ishte parajsë e mbritëshme për çdo banor qyteti e qyteze shqiptare, kërkon veç një njeri, një bahçevan, i cili kush e di në cilën epokë mund të rishfaqet përsëri ndër ne. ndërkohë, në mungesë të bukurisë, pemët, shkurret, barat, kafshët e egra e insektet e gllabërojnë ngadalësisht periferinë dhe zermën e qytetit.

       Teksa kthehet në parkun aktual, në tregimin e radhës E. Basha sjell në dialog, në kufijtë e teatrit absurd dy njerëz që kanë mësymur kryeqytetin si banorë rishtarë dhe kanë harruar veten, të afërmit, të shkuarën, identitetin e tye. Një kacafytje pyetje-përgjigjesh të pa shpresa dhe, mbi të gjitha, pa edukatë mes të panjohurish në park, bëhet zbuluese për personazhet, na i sjell ata si kategori tipike/shoqërore, ndonëse, në vetvete, sa më tepër japin e kërkojnë informacion të ndërsjelltë, aq më konfuzë e pa identitet ngelen.

      Afresk i përditshmërisë sonë është tregimi: “E ftohtë si gjithë të tjerat”;  me gjasë sikur jemi duke lexuar një tregim të N. Gogolit: një ekonomist i pensionuar, në ditët e ndalim-qarkullimit të pandemisë ka dalë ndër klientët e tij modestë si këpucarë, furrxhinj, druvarë të mbledhë të dhënat e tyre të biznesit, t’i ndihmojë të bëjnë bilancet vjetore për zyrat e shtetit, meqë është ‘specialist i llogarive përmbyllëse të bizneseve të vogla dhe veprimtarive shërbyese’. Përfundon i ndaluar nga forcat policore, i keqtrajtuar, i dërguar në paraburgim si element i rrezikshëm, e aty jep shpirt, në dhomën e paraburgimit, si një i ndaluar pa emër; prej ngutit, forcat policore nuk ia kanë shënuar emrin, kanë dalë nëpër qytet të gjejnë të trajtojnë ngjashëm si specialistin e llogarive përmbyllëse, edhe të tjerë si ai. Citoj: Në raportin pa pikë pa presje që kishin lënë rojat e shëndetit në stacionin e vogël policor kishte shumë të paqarta: më datën 28 janar në orën pesë të mëngjesit personi në fjalë (duket as për emrin nuk kishin arritur ta pyesnin) i zënë në flagrancë në kohën kur ishte ndaluar qarkullimi jo vetëm nuk iu bind urdhërave të ndalesës për të ofruar vërtetim për qarkullim në masa karantine por iu shmang ndalesës dhe nisi të largohej me ikje nga vendi nga vendi i flagrancës duke kundërshtuar me forcë andaj është arrestuar dhe ndaj tij duhet të ngrihet procedura e rregullt për kundërshtim të dhënies së shënimeve të nevojëshme personit zyrtar. (f.68-69)

       Ngjarjet vendosen në ditët e para të pandemisë dhe kyçjes planetare për t’u shpëtuar pasojave të gripit, por nëpërmjet titullit “E ftohtë si gjithë të tjerat” autori e bën përgjithësimin, e shndërron në shëmbëlltyrë të krejt jetës sonë, e njëjta histori që përsëritet e riciklohet në mënyrë tragjiko-komike, edhe në mungesë të epidemive globale.

       Kuarteti PËRMBARIMI me tregimet: “Brohoritjet e çastit”; “Agjencia e përmbarimit”; “Kalendari” dhe “Varri i çelësit” shquhet për realizëm psikologjik, pa rënë në psikologjizëm. I pari bën arkeologjinë e një mendjeve të përgjumur nga qëndrimi nën diell, arkeologji që në kohë paqësore tregon shtresëzimet në vetëdijen e tij; pushkët që i janë drejtuar dikur për ta vrarë kanë ngelur përjetësisht të ngulura në trurin e tij, të drejtuara nga ai më të njëjtin synim dhe efekt. Kjo tufëz tregimesh na e heq mundësinë e nevojën për t’iu qasur një fabule-bazë, për ta shqiptuar atë. Nëse vendingjarjet dhe personat tregues I njohëm gradualisht në tregimet e mëparshëm, te ky kuartet dalin në sipërfaqe motive/shqetësime të natyrës filozofike-ekzistencialiste, realizuar poetikisht, me gjetje interesante.

      Kuarteti HIJE me: “Gjarpër”; “Duel”; “Varri i Askujt” dhe “Fytyra në grilat e derës që nuk hapet” na jep një narrator të dalë nga fusha e lojës trilluese duke ia lënë radhën autorit; autori shfaqet si i tillë, heq dorë nga zëdhënësit e tij fiksionalë, me tone të drejtpërdrejta bisedore dialogon me lexuesin për temën që ka ndërmend të shkruajë e për anakronizmat dhe mit-temat e rrejshme që e formësojnë dhe deformojnë ndërgjegjen kolektive, e dekonstruktojnë bartësin sado i vetmuar a i kolektivizuar qoftë ai në turmën e madhe.

       Tregimi i fundit “Fytyra në grilat…” (f.162-172) e ka të kristalizuar strukturën fabulore: një fotograf amator përpiqet të fotografojë gjithmonë e më qartë një Plakë e cila rri mbështetur përditë në grilën e derës që nuk hapet kurrë, me shikim tretur nga rruga që nuk përdoret prej kalimtarëve. Do ta fotografojë për të lënë mbresa në rrethin e ngushtë shoqëror. Plaka paska vdekur në atë pozicion, Plaka bëhet pjesë e kureshtjes së përgjithëshme të kriminalistikës e mediave, kurse fotografi i kthehet normalitetit, sjelljes trendy, ndërron disa telefona, fshin pamjet, ndërron rrugë e mendësi, bëhet përqeshës i atyre që si ai për Plakën dikur, janë kureshtarë për njerëz të vetmuar të periferisë urbane.

     Simbolikisht ky tregim ndërlidhet me tregimin-prolog “Vetëm një natë” (f.7-19) në të cilin jepet loja e mbrapshtë e ndarjes së njerëzimit në dy lloje: të gjetur e të ardhur; ironikisht, pas një nate të kaluar në shtrojat përdhese të hanit endacaku, i ardhuri  bëhet i gjetur; i gjeturi në shtrojat e leckosura të hanit, i detyruar t’i lërë përkohësisht shtrojat për gjuetinë e rastit, në mëngjes ka humbur statusin e privilegjuar si i gjetur, dhe shndërrohet në i ardhur. Nga kjo largësi mitike me bujtësit e hanit, deri te tëhuajësimi modern ku përmbyllet qarku tregimtar i E. Bashës, shtrihen e  gërshetohen motive e mendime të fuqishme, gati të pa dukshme në pafajësinë e tyre, por esenciale, estetikisht të arrira, rrëmbyese.

     …p.s : për të saktësuar kujtesën, pas leximit të “Hije në grila” ju hodha një sy titujve të rreth 35 kumtimeve e referateve shkencore të mbajtura para ca kohësh në një institucion shtetëror të studimeve albanologjike me temë ‘Tregimi në letërsinë shqipe’; i dëshmuar si tregimtar qysh në v.1971 (“Shëtitje nëpër mjegull”) E. Basha nuk ishte objekt trajtimi në ndonjë punim, nga asnjë kumtues-referues. Nga ana tjetër, botuesi në greqisht e kryeredaktori i një antologjie voluminoze me tregime nga shkrimtarët më të dalluar të Ballkanit, më njoftonte shoqërisht nga Thesaloniki se tregimi me të cilin përfaqësohej zoti E. Basha, ishte ndër më të mirët, mes të përzgjedhurve. Edhe unë, (v.g) i shkruaj këto radhë për “Hije në grila”, me bindjen se është një kulm në historinë e tregimit shqiptar, pikë referimi në prozën e shkurtër bashkëkohore, si kundër kanë qenë të tilla në kohën e tyre, fjala vjen, “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh” e “Pasqyrat e Narçizit” të E. Koliqit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË