Shënime mbi romanin “Gjumi mbi dëborë” të shkrimtarit Ridvan Dibra
“Dua të fle!
Kam nevojë të fle!
Jam lodhur nga rruga e gjatë dhe jap gjithë botën për një sy gjumë. Veç një sy thashë….(shkurt-v.g) Mendimet e mia, si do thnegla përreth objektit të dëshirueshëm, nisin e tubohen të gjithë te një fjalë: GJUMË.” (f.7-8)
Teksti i mësipërm është sekuenca e parë e “Gjumë mbi borë”. Në fakt teksti i nxjerrë nga romani është prozë poetike, dy faqe poezi e këtillë; në epilog të rrëfimit mund të kuptojmë se teksti i sipërcituar ka qenë kuintesenca e historisë së treguar; ka qenë dhe kuintesenca e shkrimit artistik si ndërmarrje e dyzuar mes shenjtërisë dhe kotësisë, mes autorit dhe lexuesit.
Ndërsa teksti i parë i romanit është apostrofë fataliteti, sinjal dorëzimi, dëshirë ikjeje nga përditshëmria, nga drita e diellit, nga gjallëria e sendeve vepruese, teksti pasues është kontrapunkt, është përgjigjia e “korit” ndaj thirrjes për gjumë të “korifeut”: “Kurrë mos të flesh mbi borë. A more vesh? Kurrë! Për asnjë shkak…(shkurt-v.g) Zanat e Malit?/Sirenat?/kangët e tyne?/ Asgja nuk janë në krahasim me joshjen e borës së bardhë.” (f.8-9) Për vendasit, që nuk kanë zanat shkrimin e as meditimin/filozofimin, për banorët vendas të fshatit gjumi mbi borë është vdekja, deka e bardhë, sikurse thuhet bukur në të folmen e zonës. Heronjtë janë të zakonshëm, por tragjedia nuk është larg, përkundrazi: “Njëri prej rasteve që rrëfehej më shpesh, ishte ai me mësuesin e letërsisë, të cilin unë e kisha zvendësuar: e kishin gjetur të ngrirë dhe në një pozicion të pazakontë: të ulur në gjunjë e me duart e kryqëzuara mbi prehër.” (f.9)
Përvojën, antikën, bestytninë për Gjumin/Dekën e bardhë autori e shndërron një herë në të tashme, në kohë rrëfimi e përjetimi, e mandej – në perspektivë vetjake dhe shoqërore: “Kështu më kishin porositur. Jo një, por disa. Kolegët e mi mësues. Por dhe të tjerë, të njohur e të panjohur. Thuajse të gjithë burrat e Fshatit…(shkurt-v.g).” Perifrazoj: burra viganë e si lisa të fortë, u kishin rezistuar kushedi sa rrebesheve të mbijetesës, por jo joshjes së gjumit mbi borë dhe kishin përfunduar të ngrirë, mbledhur kruspull si fëmijët në prehërin e nënës. Palët në konfliktin romanor është njeriu përballë natyrës dimërore; shkrimtari përballë botës indiferente e sipërfaqësore.
E kam përcjellë krijimtarinë e R. Dibrës nga “Prostituta e virgjër” e këndej; kam pritur librat e tij të rij; dialektika materialiste me ligjet e saj nuk është në terrenin e vet në shpegimin e arritjeve letrare, por në rastin e Gjumit, themi se libri më i fundit është pika më e lartë në krijimtarinë e autorit .
Me një qasje miqësore në fillimet e tij ndaj poetikave ekzistuese të prozes së shkurtër (te “Prostituta e virgjër”) dhe prozës të gjatë (te romani “Nudo”), në romanet e tjerë shkrimi i R. Dibrës bëhet kërkues, eksperimentues, eksplorues, del nga shtrati për të synuar poetika të reja; nga ana formale/konceptuale janë teknikat moderne e post-moderne të romanit ato që gjejmë në një sërë krijimesh; nga ana përmbajtësore shquan lënda polemizuese (kryeshembull romani “@ mail”), kritika pa kompromis ndaj jetës e inteligjencies bashkëkohore, sarkazma, dialogu me kujtimet dhe të afërmit e tij të gjakut, parantezat për probleme të shkrimit artistik e të statusit të autorit në letrat shqipe, rishikimi aktualizues/racionalizues e fiksional i kodeve të herëshme zakonore, i epikës legjendare etj. Duke evoluuar shkrimin, narrativën, R. Dibra ka ashpërsuar qëndrimin e tij ndaj gjendjeve shoqërore, qofshim ato të jetës ditore, apo në formën e trashëgimisë të afërt historike
Deri para Gjumit, R. Dibra e krijon sipas rastit një strehëz për veten-personazh, për protagonistin autobiografik: Ridi, Ridvani, R. D.; e krijon atdheun/qytetin alegorik, hapësirën e kryerjes së ndodhive, skenën ku luhet drama e tij mendore, diku e quajtur Egoboka, diku Vegimland. Dikur revolucionar, në kuptimin estetik e narratologjik të fjalës, te Gjumi R. Dibra ka gjetur të mesmen e artë mes eskperimentit dhe qashtërsisë, midis lëndës, dëshmisë dhe kodeve fiksionale të komunikimit. Saktë e ka vrejtur prof. Ardian Marashi kur shkruan për Gjumë.. : “Në letërsinë e sotme postmodernizmi po shfaq shenja urtësimi; simethënë po standardizohet, po priret kah format funksionizuese, në të mirë të vet e të lexuesit.”
Te ky roman, nuk kemi vise imagjinare/alegorike; autori jep toponimet e vërteta, kohën e vendin e ngjarjes: është fshati i quajtur Fshat; protagonist është ai vetë, mësuesi i ri i letërsisë, Ridvani që, përkundër dëshirave e mundësive të tij familjare, është i detyruar për 5 vite të pranojnë si detyrë shtetërore punën si mësues në zonat malore, të varfëra e të thella të veriut të Shqipërisë. Jemi pra, në fashën autobiografisë së mirëfilltë; mund të themi kemi të bëjmë me foto-roman, pasi rrëfimi pëforcohet me fotot përkatëse. E shkuara nuk trillohet, risillet nëpërmjet riprodhmit psikologjik, ashtu si funksionon kujtesa njerëzore, me asosacione, ashtu si funskionin kujtesa e krijuesit vetëdija e lartë letrare: me përzgjedhje, me qëllimësi, në funksion të figurës e të shprehejs. Autori arrin ta shkruajnë një histori, pa hequr dorë nga historia e procesit shkrimor; kjo e dyta dëshmohet në pauzat rrëfimtare, autori/narrator i bëhet palë lexuesit duke e quajtur: “i dashur lexues”, ‘nëse nuk je mërzitur”, “një detyrë të tillë, domethënë fundin e romanit, ia kam lënë në dorë Lexuesit. Sa lexues aq edhe funde,”Unë i kam quajtur roman gjithë këta gurë mozaiku të çrregullt të një pasqyre të madhe, të thyer me ose pa dashjen time. Kurse ti, Lexues i Dashur, ke të drejtë t’i quash si ta thotë rradakja këto kombinime kinse kaotike”. Teksti hapës i Gjumit, lexuesin shqiptar e çon te Migjeni, shkrimtari tjetër i qytetit të veriut; perifrazoj: “Pak dritë, pak dritë, o mik, o shok, o vëlla, pak dritë o hero, kudo ku të jesh”. Është e njëjta thirrje, në kahje në kundërt. Në konktekst të letërsisë botërore, të çon në mendje Mbretin Rikard të Shekspirit, jepte gjithë botën për një kalë, një kalë që do ta ndihmonte të ikte në arrati, i thyer, i rrëzuar nga çdo lloj froni e nderimi. Ngjashëm, në miniaturë i kemi gjendjet përgjegjëse në roman: forca shtetërore nuk e dëgjon arsyen prindërore për djalin e vetëm: e nis atë pa afat në një zonë ku humbja e jetës nga ftoma, nga orteku/rreshka, nga ujqërit, nga egërsirat nuk është çudi, është pjesë e axhendës ditore; e pritëshme që mësuesi/personazh ta kërkojë shpëtimin te gjumi i madh, te deka në dëborë; rehatuar për fjetje, studime e haje në Magazinat e Duhanit, mbi thasët e duhanit, me kandil e qirij të racionuar, mbretërimi i tij lë shumë për të dëshiruar, është mjerim, në fakt, dështim, katastrofë.
Simbolizmi është kriteri kryesor i R. Dibrës kur zgjedh faktet dhe përdor detajet; realizmi piktural është prirja e tij organike kur e zgjeron fokusin e rrëfimit, kur del nga vetja/personazh dhe kap planet përqark. Nuk kemi idilikë të natyrës, as të formacioneve shoqërore-shtetërore. Shteti, organizimi shoqëror përfsqësohet nga objektet e poshtëshënuara, si në roman: Zyra e Partisë,/ Zyra e Kuadrit,/ Zyra e Këshillit, Zyra e Kryesisë, Zyra e Propagandës, Zyra e Higjenës, Zyra Denoncimeve, Zyra e Mbrojtjes, Zyra e Punës, Zyra e Rinisë, Zyra e Gruas, Zyra e Kulturës, Zyra e Lejeve. Ndërtesa shtesë në këtë ambient banimi, konceptuar si burg kolektiv janë Dyqanet e Kooperativës, Posta, Mensa, Magazinat e Duhanit.
Secili përfaqëson diçka në romanin Gjumi, por askush veten, askush individualen. Jo vetëm objektet e sipërshënuara, edhe personazhet janë shenja konvencionale. Ridvani përfaqëson Shkodrën, shoqërinë e Kafes së Madhe, librat, bibliotekën e pasur; personazhe të tjerë janë Gjergji nga Gjirokastra, Berti nga Berati, Luti nga Lushnja, Demiri nga Dibra, Karafili nga Korça dhe Pushkini nga Përmeti; secili është idiomë dialektore, pasthirrmë, nofkë dhe mishërues i një ceni të veçantë; asgjë më tepër se kaq.
Metaforë qëndrore e romanit është ngjyra e bardhë, bardhësia. Është figurë e ambientit, marrë nga zona, e karakterizuar nga rreshje të mëdha dëbore që e zbardhin sipërfaqen e tokës, drurët, çatitë, çdo shtrojë e mbulojë; bardhësia si ngjyrë, është edhe metaforë e faqes së bardhë në tryezën e punës së shkrimtarit; terrori i faqes së bardhë, e ka quajtur një shkrimtar i huaj përballjen me historitë që ende nuk i ke shkruar. Vetëdijshëm, R. Dibra, lë shumë faqe të bardha në roman: disa episode të atij pesëvjeçari nuk kam dashur t’i shkruaj, thotë ai, sepse mund të gjakoseshin njerëz; disa episode e histori jua lë juve (lexuesëve) t’i marrin me mend; disa ngjarje kyçe në jetën e tij të njimendtë si msues fshati në Fshat i anashkalon, i minimalizon për të respektuar pavëmendjen e përfytyruar të lexuesit modern; disa sytha nga përkatësia në letërsi e për letërsinë i bën kryefjalë, kryetekste, kur, teksti më i gjatë i mëvetshëm në roman, ai prej 8 faqesh (f.131-138) përmban rreth 250 pyetje retorike për poezinë, për të vërtetën artistike, për kohën kur shkruhen vjerrshat më të mira, për vendndodhjen e artit: a është cilësi e brendëshme e qenies apo vjen nga jashtë; a është mendore apo është shpirtërore veprimtaria krijuese…
Nga ky monolog retorik 8 faqësh, poemth dashure për artin, doracak vetjak përherë në zgrip, përherë në gjykim përshpritës, përzierje e sublimes me autoironinë, përzierje e dashurisë me mëshirën, e krenarisë me keqardhjen, detyrohemi ta rishkruajmë me mendje romanin Gjumë mbi borë: fundja, autori na e ka lënë të plotë hapësirën; në hapësirë nga i ka lënë toponimet (Te Qafa e Ujkut, Te Grykat e Çajës, Te Pusi i Shterrun, Te Kodrat e Kusarëve, Te Kepi i Shpresës, Te Konakët e Lugatit, etj, etj, rreth 65-70 toponime të tillë; në toponimet na i ka lënë simbolet, alegoritë, domethëniet; në letrën e bardhë të librit, në dhjetëra faqe të munguara e qindra episode që nuk ka dashur t’i shkruajë, i ka lënë dihatjet e tij njerëzore, gjestet, piketat dhe kumtet prej artisti të sprovuar.