More
    KreuLetërsiBibliotekëViktor Eftimiu: Kafenetë e dikurshme

    Viktor Eftimiu: Kafenetë e dikurshme

    Përktheu nga gjuha rumune Pandi Bello

    Adoleshencën e kam kaluar në lokale modeste duke nisur me çajtoret e rrugës Vacaresti… Atëhere debutonin Gala Galaction, T. Arghezi, V. Demetrius, N. D. Cocea dhe i gjori Radu Baltag, i cili vdiq në Paris pasi botoi, me pseudonimin Adrien le Corbeau, disa roamne shumë të vlerësuara.

     Isha i lidhur kryesisht me Radu Baltag dhe me V. Demetrius, të cilët banonin në ato lagje të largëta. Pastaj kam kaluar në qëndër, në çajtore “Macedonia” tek rrugica Doamnei, me N. Georgescu-Cocos, me I. Chiru-Nanov, Aurel Savela dhe sivëllezërit nga Duminica me në krye me të mirin dhe shumë të talentuarin B’Arg.

     Më vonë pasoi“Kublerul”, ”Imeprialul”, ”Hig-life” taraca “Otetelesanu” dhe kafenea “Habermann”(sot “Bulevard”) në Sibiu, “Jagerhorn” në Budapest, “Arkaden – Kafe” në Vjenë, ”Vachette”, ”Cluny”, “Soufflet” dhe “Napolitain” në Paris… Në të gjitha këto lokale ndjehesha si në një mjedis familjar.

     Që prej lokalit “Tokatlian” në Stamboll deri tek holli i një hoteli në Edinburg apo Glasgow, duke kaluar përmes shumë metropoleve europeane, jeta ime ka kaluar nëpër një varg tryezash kafeneje, me pllaka mermeri apo prej druri, të mbuluara me lëkurë të gjelbra ose mbulesë mëndafshi ngjyrë vishnjë, vazo të pikturuara të të gjitha përmasave, pena të të gjitha formave, bojë për të shkruar nga të gjitha ngjyrat e ylberit me reflekset e të zesës apo të vjollcës së tyre të athët. Kamarierët e heshtur më vrojtonin ëndërrimin, kamarierët fjalamanë më kanë çlodhur, duke më ndërprerë punën në kafe “Florian”, në Venecia, në Galeritë Milaneze, në “Kafenenë e Teatrit” në Lausanne, në “Kafenenë e tregëtisë” në Chartres, ku kam përkthyer në frëngjisht Renditu margaritë dhe Këndezi i zi. Ishte në vitin 1917. Bombardimet ajrore na largonin nga Parisi në hijen e katedrales së madhe e kryer solemnisht nga Huysmans. Një dritare dhe një tryezë, kur evokoja në “Tokatlian” pamjen e mrekullueshme gjatë një ekskursioni në ishullin Prinkipo, peisazhin mitologjik që vijëzonte në detin e kaltër pëlhura e një anijeje me formë si të atyre të para tre mijë viteve : një tryezë nën një dritare, në sallën e korespondencës të hotelit të stacionit në Glasgow, kur lavdëroja Njeriu me mburojë të Rembrandit nga muzeu i qytetit, apo në Edinburg, pamjen prej përralle mesjetare të kështjellave skociene : monumentin e madh të Walter Scott, një banket në lokalet e Holyrood, të mrekulluara nga spektri i Maria Stuart-it.

     Si në një film haluçinant, kur trenat kalërohen dhe vrapojnë në drejtime të ndryshme, në ura të mbivendosura, në kate të shumta, kështu kryqëzohen, largohen dhe kalojnë njëra-tjetrën tryezat e kafeneve të jetës time, ku kam shkruar qindra dhe mijëra artikuj, të shpërndara në formë letrash në shumë botime, kryesisht transilvaniene : që nga Lupta e Biraut, në Budapest, tek Tara noastra, që botohej nga Goga në Sibiu, tek Tribuna e Sever Bocu në Arad apo America, gazeta e rumunëve në Cleveland…Midis tyre ; Letra nga Budapesti… një volum i plotë…Pamja e Danubit, nata, me mijëra llamba të ndezura në bregun e Budas – të parat përshtypje të dërguara në Bukuresht rreth vitit 1909… Takimi i parë me Vasile Lucaci dhe Iuliu Maniu në kafenenë “Jagerhorn”. Pastaj në Vjenë një tjetër vëllim, ose ndoshta dy …

    “Arkaden – Kafe” … dhe dhomëzat e shoqatës “Romania june”, ku flija pranë violonçelit të Ciprian Porumbescu-t.

     Në “Arkaden – Kafe” përshtata sipas gazetave franceze letrat e para të Parisit drejt të cilit isha nisur dhe ku nuk dija nëse do të mund të arrija ndonjëherë… Ku do jenë faqet për Hamletin dhe Faustin e Keinz, në Burgtheatër dhe kronikat për Elektran e Shtrausit në Opera e Madhe, apo për një spektakël të Schidkraut dhe Aleksandër Moisiu në një cirk në Prater me Djalin shumëshpenzues ?

     Në romanin Një dashuri në Vjenë kam shkruar kujtimet e mia, përshtypje personale të depërtuara në personazhet e imagjinuar dhe po ashtu mjaft familjarë për mua, përmes të gjitha evokimeve me të cilat i kam ngarkuar.

     Dhe ja Parisi… Një vëllim, dy apo ndoshta dhjetë vëllime me përshtypje, gjatë tridhjetë viteve kur e kam parë aq shpesh, nga 1909 deri në 1939 me letra dërguar gazetave në Rumani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

     Ja tryeza në kafenenë “Vachette” ku kam hedhur vargjet e para të Renditu margaritë dhe pak më larg, gjithë në Bulevard Saint-Michel, kafeneja “Cluny” ku pihet kafeja më aromatike e botës. Në tryezën e fundit në fletë me letra katrore, të vendosura në një fletore të madhe, të trashë të zezë e të butë që lokalet parisiene iu ofrojnë falas klientëve – as zarfi as fleta, sado të konsumohej, dikur nuk paguheshin. Në tryezën e fundit të kafenesë “Cluny”, teksa në xham shkëlqenin rrezet e shiut dhe ndriçonin me të kuq llambat e përkulura në asfaltin e lagur, kam redaktuar kaq korespondenca të aktualizuara të metropolit nga vizita e carit Ferdinant të Bullgarisë që u prit me entusiazëm nga francezët, si një aleat i luftës së ardhshme deri tek vizita e mbretit Albert të Belgjikës, i pritur ftohtë, si një armik i ardhshëm në konfliktin që paralajmërohej.

     Dhe ja Komedia franceze me Mounet-Sully në Edipi dhe në Hamleti, me Le Bargy në Markizi i Priola-s. Ja dhe i vërteti Lucien Guitry në Këngëtari, Leo Slezak në opera Otello e Verdit dhe trioja e pakrahësueshme Carusso – Shaljapin – Tita Ruffo si dhe baletet e pakrahësueshme ruse…

     Pastaj lufta, pastaj paqja e paqetësuara paqe, pregatitëse e katastrofave, ekspozita koloniale e Vincennes, ekspozita universale e Trocadero…

     Në “Vachette”, , ”Cluny” dhe “Napolitain” i njihja administratorët, kamarierët dhe klientët, zakonet dhe duart e secilit, konstatoja largimin dhe pranimet e reja, ndrimin e mobilierit, të pronarëve, të ndjekësve, konstatoja me melankoli ajrin suedo-amerikan, modernizmin që po i vishej lokaleve të dikurshme, tonin parisien që po binte, sakrifikimin e quoi ecrire (çfarë të shkruaj), e cila rrallohej, kamarierin e ri i cili nuk e kuptonte pse vonohej kaq në tryezën e shkrimit ky klient i vjetër dhe shkrepset që zhdukeshin nga tryeza, simbol i kërnacërisë të shekullit dhe gjithë fantazmat e të kaluarës të dëbuara nga rrjetet e merimangave me pluhur prej bredhi të lëngshëm.

     Gjithë çfarë kam shkruar në këto tryeza kafeneje është spontane, me krahë, e freskët, e sinqertë…Përshtypje akoma të ngrohta shndrroheshin në gërma dhe bashkoheshin në fjalë. Asgjë nga ftohtësia e zyrës së shtëpisë sforcimet e vështira për një roman, të një pjese në vargje, të rinisur çdo ditë, duke transformuar frymëzimin ëngjëllor në një punë laboratori dhe mjetet e punës në instrumente torture. Artikulli i shtrirë në një tryezë kafeneje fillonte dhe përfundonte në një orë : ishte një çlirim përfundimtar, një energji, një akumulim i së djelës, një detyrim i plotësuar, si një aventurë e ëmbël.

     Do gjendet ndonjëherë ndonjë botues i cili ti mbledhë dhe ti botojë këto letra nga Budapesti, Vjena, Parisi, dhe Londra, ku pulson diçka nga ajri i epokës, pejsazhe, modele, preokupimet e tre dekadave europeane, të regjistruara nga një udhëtar i ri lindor, i habitur dhe i mbrekulluar, i cili duke u kënaqur nga shija e lartë e tryezës së kafenesë, ka ditur të mbetet gjithmonë i ri pikërisht sepse ishte i mbrekulluar dhe i habitur vazhdimisht dhe përshkruante me gëzim përshtypjet e një dite, ngjarjen politike, artistike, sociale, murmërimën e rrugës dhe përgjigjet e perëndive…

     Mes këtyre kafeneve budapestiane, vjeneze, italiane apo parisiene ja dhe salla e korespondencës e hotelit “Adlon” ku ndërmjet Letrave nga Berlini kam rishkruar në vitin 1915 pjesën Ave Maria. Ja dhe hoteli “Elita” gjithashtu në Berlin ku në vitin 1922 kam shkruar Don Zhuan dhe Fantazma e atij që do vijë, me transformimin dhe shpejtësinë e një korespondence për gazetë.

     Ja dhe “Café du theatre” në Lausanne ku më 1918 kam transkriptuar në vargje në rumanisht tragjedinë Prometheu, të cilën e kisha shkruar frëngjisht, në Paris dhe në një kafene në Lyon gjatë luftës tjetër të madhe. Por më e shtrenjtë se të gjitha për mua ishte kafeneja “Habermann” në Sibiu ku më  1908 redaktoja me njëmijë e një pseudonime Tara noastra të shkrimtarit Octavian Goga. Por le të kthehemi në Bukuresht…

     Vitrinat e lokalit “Capsa” gjithmonë më kanë trembur që në fëmijëri. Më dukej sikur ajo kafene me çmimet e mëdha, me klientelë të zgjedhur, me emër të nderuar do më ishte e ndaluar… Shkrimtarët, aktorët, këngëtaret e huaja, sidomos francezë, kur kalonin në Bukuresht priteshin si miq në sallonet e rezervuara për tryezat intime në “Capsa”… Në Paris, në Berlin, në Budapest dhe në Vjenë më kanë pyetur më se një here nëse ekziston akoma “Capsa” dhe nëse e ka çokollatën po aq të shijshme. Reputacioni prej “shtëpie elegante”, prej cilësie të rrallë, plot delikatesë e hotelit të vjetër, kafeneja dhe restautanti i qoshes ku rruga Viktoria takohet me rrugën Edgar Quinet reziston prej shumë dekadash dhe nuk ka zhgënjyer asnjëherë. Pas luftës së kaluar dhe në kohën e kësaj lufte”Capsa” u hap edhe për të tjerët, jo vetëm për bojerët dhe ministrat e ardhshëm. Nga ana tjetër edhe lloji i tyre është rralluar. Tani kemi kurajo të hyjmë edhe ne të cilët perënditë nuk na kanë favorizaur…Miqtë janë larguar prej kohësh, ashtu si nuk kanë mbetur edhe “Kublerul”, ”Imperialul” dhe “Terasa”. Vetëm në “Capsa” mund të takosh, herë pas here, tek vitrinat më pak të pasura, shokët e vjetër.

     Evokojmë të trishtuar në këtë pranverë të vonuar ata që shkëlqenin në “Capsa” apo gjetkë para tridhjetë vitesh, shpirtëra të Bukureshtit shumë të ndryshuar dhe legjendar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË