More
    KreuLetërsiBibliotekë"Variant për ditë të verbër" poezi nga Arben Velo

    “Variant për ditë të verbër” poezi nga Arben Velo

    Alfabet i bletëve

    Ngatërruar Prilli në pjalmin e luleve
    është bërë lot bletësh..
    Unë lotin e bëj orë të mas trishtimin
    e të bukurës paemër.

    Një çurgë bletësh po gumëzhijnë
    në kosheren e syve të mi.
    Poshtë barkut të tyre, si Odisea dikur
    pres të bukurën dhe rri…

    Dhe nis të shkruaj me thumbin e bletëve
    ca gërma të pashpikura i gdhënd
    çdo thumb bëhet shkrepse, të ndez qirinjtë
    e gërmave të emrit tënd!


    Variant për ditë të verbër

    Tërë ankth ngjan qyteti, s’di si ta qetësoj
    Nga një grusht zogjsh, është një zog më pak,
    qaj moj dita ime me zërin e ngjirur
    dalë nga fyti i kësaj çafke të vrarë.

    Më ngeci dhimbja brenda fytit
    si manaferrë e papjekur ende
    Cili shënues gjeti terrin për të të vrarë
    në botën e vrarë prej njerëzve?

    Në sytë e të verbërve të krijuar prej nesh
    Cafka e vrarë mbi bar
    vesh nallane prej resh…


    Gjyshja prej Hëne!

    Kërcasin shirat e Prillit
    si menteshat e baules së gjyshes.
    Pafka e sheqerit është bërë një hënë
    racioni që gjyshja prej kohësh s’më ka dhënë.

    E mira ime e kthyer në Hënë …
    dritë e kursyer,
    brerore më rri mbi kokë…
    kërcasin menteshat e baules së qiejve
    derdh gjyshja prej hëne, sheqer mbi tokë!


    Simboli

    Me një kokërr gruri në sqep
    dhe kujtime brenda gushës futur
    Një harabel krahëhapur kërkon
    një harabele të bukur

    Deri dje gruri ishte qeshje stine
    tek hidhej nga sqepi në sqep
    Sot u blua lot,nën një gomë makine
    e ardhur si një i zi ortek

    Dhe befas kokrra e grurit, u kthye
    nga ushqim, një dhimbje e tejmbushur
    loti i zogut, në dy pjesë e ndau
    një vijë fati, përmes e këputur

    Njerëz,nëse shihni harabela rrugës,
    kërkojnë një tempull, si pelegrinë
    falen para kokrrës së grurit
    me cijatje që përkthehen “Amin”!


    Ikja jote

    Ike, Unë ngela bosh si gropat prej dheu
    të braktisura anës Përroit të gjakut,
    Dy- tre lëkura më ranë, u bënë baltë vapem
    për të mbështjellë plagët …

    Na zunë puthjet nën vete këtë dimër
    si zënë dherat nën vete gropat në mjegull
    Njëzetë gishtat tanë fluturojnë kah njëri tjetrit
    e kthehen në tufa me gerguj te egër…


    Vdekja e Lamit (ruajtesit te buajve ne Divjakë)

    U kyçe në syrin e Buajve
    Lam..
    Për të zotin
    në varr e kthyen syrin që qan…!


    Etyd

    Po ndez llullën e zjarrtë trëndafili
    në syrin e një vajze të qeshur
    Në mangallin e kuq të tij
    nëntë rrathët Ferri ka ndezur?


    Elegji për një rrap.

    Ky dimër i pa ardhur,
    do të jetoj,
    sa një qiri,që e ndez lamtumira
    e një rrapi.
    Njëqind vjet më pare,
    Pemës,
    mbështjellë me dhera,
    si foshnjë kërthinj,
    qerrtarët i këndonin ninullë
    legjendën e Ali Pashës.
    Trupin ia sollën në Fier
    rrënjët ia lanë në Janinë.
    Njëqind vjet toreadoret e erërave
    fshehur pas dimrave
    e goditën deri në dhimbje.
    Një ditë,
    në breg të Nëntorit, i tretur
    Ai ra dhe u këput mbi supin tim
    nën një qiell
    si mizanskenë e Traviatës.
    … çdo dimër kur më lutet të vdes
    trupin ka në Fier
    këmbët në Janinën e Ali Pashës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË