More
    KreuLetërsiShënime mbi libraValbona Bërdica: Këndvështrim përmes mesazheve, personazheve fiction apo real në veprat e...

    Valbona Bërdica: Këndvështrim përmes mesazheve, personazheve fiction apo real në veprat e Ridvan Dibrës

    3587

    Natyrisht që një shkrimtar

    Funksionon si çdo individ tjetër.

    Me të njëjtin mekanizëm.

    Veçse ka do ingranazhe tepër

    (here-herë të panevojshëm)

    që ia ndërlikojnë jo pak ekzistencën.

                                                                  Rd.

    Duke lexuar veprat e Dibrës dhe duke pare se së shumti është vetë ai personazh, Ridi, Rd.apo Ridvan Dibra, vëndet ku zhvillohen ngjarjet janë në ‘’Egobokë’’dhe ‘’Vegimland’’, dhe siç thekson ai tek ‘’Plagët e Moisiut’’‘’Dituria jone nuk eshte gje tjeter veçse korigjim i gabimeve të bëra dikur’’ , na kredhë në idenë se ndoshta gjithçka këtu është një përmbledhje e sukseseve, dështimeve, përjetimeve të jetës së tij , dhe gjithë këtë material jetik ai e kthen në një gjuhë të bukur arti. Pikërisht ndaj kësaj gjuhe tek romani ‘’Gjumi mbi borë’’ autori i kërkon lexuesit t’i kushtojë pak vëmendje, pasi siç thotë ai aty ka derdhur shumë mund e energji. Gjithashtu jo pak vënd në këto vepra zë edhe loja imagjinare e shfaqur nëpërmjet personazheve apo karaktereve që nuk janë të shumtë në numër, por siç vetë autori thekson në një intervistë: nëpërmjet tyre është rrekur të bëj një prozë : drejt thellësive e mistereve të qënies.

     Nëpërmjet personazhit të Alfredit tek romani ‘’Nudo’’  kuptojmë se  ai kërkon admirimin e të tjerëve ngaqë shumica nuk e don, dhe nuk e don sepse nuk e kuptojnë as atë dhe as artin e tij. Por ai nuk mundet e as nuk dëshiron të jetë tjetër dhe aq më pak që Artin e tij ta bëjë ndryshe.

    ‘’Ai ishte i admiruar prej të gjithëve: e prekte adhurimin e tyre. Me qindar autografë lëshoi gjatë këtyre ditëve: ai po kthehej në mit, në perëndi, dhe për një perëndi nuk ka asgjë të pamundur…Ai, tashmë e ndjente se nuk i përkiste vetvetes, ose i përkiste fare pak. Ai ishte bërë idhulli i asaj turme…Kishte qenë një fjalim i mrekullueshëm: disi eterik, i patrajtë, një shpërthim i beftë i pavetëdijes’’.

     Gjithashtu Dibra nëpërmjet rrëfimit të tij lë të kuptojë se njeriu dhe marrëdhënia e tij me botën që e rrethon është gjithmonë në kufirin e një krisje, ndoshta edhe në kapërcim të vetes.  ‘’Tha me vete thelbi i çdo njeriu ruhet në pavetëdije, i pëlqeu ky mendim…E vazhdoi arsyetimin, duke shtuar se vetëdija ishte guaska që lëmohet, ndryshon, përpunohet, përshtatet e, pse jo, edhe thyhet në vartësi të kushteve dhe rrethanave në të cilat ndodhet njeriu. Një guackë e fortë e ruan thelbin. Në të kundërtën…’’

    Edhe në veprat e më vonëshme të autorit do të gjejmë përsëri në qëndër të tyre përvojën jetësore, dhe telat e tendosur mbi të cilët siç ai vetë shprehet duhet të ecë një shkrimtar. Rrugëtimi është një ekuilibër delikat mes kulturës dhe ndjeshmërisë, ‘’egos’’ për emër të madh dhe ndershmërisë krijuese; kërkesave të kohës dhe ‘’artit të pakohë’’; mes shkëlqimit dhe ‘’territ të urithit’’; mes ‘’idhujve’’ që duhen ndjekur dhe atyre që duhen shuar; mes heshtjes dashakeqëse e të qëllimtë dhe duartrokitjeve naive; mes miqve të vërtetë e të rremë dhe armiqve të bekuar; mes ankthit të pritjes së gjatë dhe durimit që sheh larg në kohë; mes dyshimeve për kotësinë e punës tënde dhe të kundërtën; mes shpërblimeve të merituara dhe atyre aspak të merituara.

    ‘’Edhe pse tashmë, falë dhe njëfarë emri që gëzoj, e kam thuajse të sigurt botimin. Siç është më se normale që në të gjitha këto raste, pritjesh e botimesh, të më bien ndërmend tri vjershat e para dhe gjithçka tjetër që ndodhi pas botimit të tyre’’. Kështu do të shprehet Dibra në librin ‘’Në kërkim të fëmijës së humbur’’ duke na lërë të kuptojmë se ndjesia dhe emocioni i artistit nuk ndryshon me kalimin e viteve, biles nganjëherë ka nevojë për emocionin e pastër e të ‘’panjollosur’’ të fëmijërisë.

    ‘’Nganjëherë, mendjet më brilante dhe inteligjente nuk shkëlqejnë në testet e standartizuara sepse ato nuk kanë mendje të standartizuara’’. – Diane Ravitch-

    Në fakt kështu ka vepruar edhe Dibra me stilin e tij të narratives, duke mos ndjekur korrnizat standarte të cilat duket se ishin një kurth për të. Duke vendosur  realitetin si bazë të veprave, maskimin e këtij realiteti me mjeshtri me qëllim ndoshta për ta bërë lexuesin më kureshtar apo hamendësues, pastaj zbehjen e reales për t’u kthyer sinqerisht tek vetvetja, nihilizmin për ata që e ‘’shpërfillën’’, nuk e kuptuan apo e luftuan, kalimin tek hiper-realja në bashkjetesë me kafshën, me atë kafshë që është brënda njeriut, Dibra e dinte që arti të cilin ai po ndërtonte ishte në një distance kilometrash larg me mendësinë e shoqërisë shqiptare. E megjithatë ai ishte i bindur dhe i qetë, edhe pse për hirë të së vërtetës shumë herë i ‘’luftuar’’ apo i ‘’mënjanuar’’ me qëllim, se arti i tij është i bukur e do të kishte vendin e tij të merituar dhe pse jo edhe si model për të tjerët.

    Pyetjes ‘’hamendësimit’’ nëse ky art do të jetë apo jo i përhershëm, Dibra i përgjigjet në mënyrë të tërthortë në  ‘’mendimin’’ e tij me nr.3583:

    Përcaktimi ‘’shkrimtar i sukseshëm’’ ose jo, i vë autorët në korsitë e një gare atletike.

    Ndërkohë që Letërsia është një ‘’maratonë’’, e cila zgjat edhe pas vdekjes së shkrimtarit.

    Duke na lënë kështu të kuptojmë se arti i një kohe të caktuar nuk është i përjetshëm, e rëndësishme është që ai të kuptohet dhe të pëlqehet nga njerëzit e kohës. Njerëzit që do vinë më pas do krijojnë artin e tyre dhe historinë e atij arti. E kjo do vazhdojë pa fund…

    ‘’Sexonic ose Sesilja’’,tek Parafjalë e Autorit,  Dibra na lë të kuptojmë se ai beson dhe shpreh se në  gjithçka ndodh vetëm një herë është frymëzimi i ashtuquajtur ‘’hyjnor’’,  dhe gjithçka tjetër si letërsia, dashuria, zemra apo forma është një lojë. Një lojë që vetë ai njeriu i Egobokës luan, luan pse e dëshiron ta luaj apo edhe pse ndoshta është i detyruar. Dhe e gjitha kjo ndërtohet në formën e një fjalë kryqi:

    1.NJË HERË,vetëm një herë i dorëzohesh frymëzimit të ashtuquajtur ‘’hyjnor’’. Mandej Lëtërsia kthehet në ‘’lojë’’, ‘’lojë’’ me veten dhe me të tjerët. Kështu ndodh edhe me dashurinë.

    2.GJITHÇKA në Universin tonë ekziston falë një simetrie të përkryer. Simetri që da ta kishte edhe trupi i njeriut, nëse diku në anën e majtë do t’i mungonte diçka e vogël. Fjala është për zemrën.

    3.NDODH të rrëzohen e të bastardohen gjithë kultet e mitet, ashtu siç mund të ndodhë të vihet në dyshim gjithçka. Në raste të tilla është fort e rëndësishme t’i besosh dikujt. E pse jo, Formës?

    Një herë gjithçka mundet me ndodh, e zemrën mund t’ia besosh dikujt.

    Atëherë, Dashuria ashtu si edhe Letërsia merr Formë e kthehet në një Lojë.

    Në fakt kjo lojë e njeriut, njeriut pa arsye, pa ndnjenjë, njeriut dashakeqës, kishte qenë aty e pranishme edhe tek ‘’Triumfi i Gjergj Elez Alisë’’:

    …Mjerë ai fëmijë që do të joshet nga kthjethtësia e pazakontë e Përroit të Thatë dhe do të guxojë të zhytet në ujrat e tij. Përroi i thatë nuk është ai që është. Ai sot bën sikur. Rrallëherë sillet kështu Përroi i Thatë. Kurse njerëzit shpesh. Thuajse përherë. Vështirë ta dish se kur janë ata që janë. Përherë luajnë. Kujtojnë se me të tjerët, por më shumë me veten e tyre. I kthjellti luan të turbulltin. I turbullti të kthjelltin. Vetëm budallejtë nuk luajnë. Sepse nuk dine.

    Dibra tek ‘’Plagët e Moisiut,  duket se veten e vendos tek njeriu, tek ai njeri që është i ndërgjegjshëm, i vetkorigjueshëm,  si dhe dhe tek njeriu që është në gjendje të bëjë paqe me veten për gjithë atë kohë që nuk u kuptua dhe ndoshta edhe u keq interpretua për stilin e tij: 

    ‘’Dituria jone nuk eshte gje tjeter veçse korigjim i gabimeve te bera dikur’’. 

    Ishte jeta ne fillim

    Vdekja erdhi fill pas.      

    Kur zotat bejne lufte mes tyre

    Njeriu duhet te beje paqe me veten,

    Për ta vazhduar këtë ide tek ‘’Triumfi i Gjergj Elez Alisë’’,

    …Një Egobokas i vërtetë kurrë s’kërkon të falur’’, thoshte Babai im, ndjesë pastë.

    …Unë e urreja luftën!

    Heshturazi, Brenda vetes, pa guxuar t’ia pohoja ndokujt tjetër. Edhe fëmijë, u shmangesha lojrave që imitonin luftërat e të rriturve, të vetmet lodra me të cilat argëtoheshin bashkëmoshatarët e mi në Egobokë.

    …Unë thjesht kam dëshirë, kam nevojë të shkruaj. Dhe do të shkruaj deri në çastin e mbramë.

    ‘’Pse shkruan?’’

    ‘’Shkruaj jetën time’’

    ‘’Atë që këndojnë edhe rapsodët?’’

    ‘’Jo, Tjetrën. Atë të vërtetën’’.

    Në dorëshkrimin, 2009-2015,  Dibra ‘’thuri’’ 33 mendime:

    MBI NDJESHMËRINË

    Në numrin 1. [ i drejtohet Zotit  me një lutje për të falur ato që s’dinë çfarë bëjnë prandaj edhe nuk përgjigjen për çka bëjnë. E shprehur me ironi deri në sarkazëm] :

    Fali, Zoti im,

    Se janë të ndjeshëm

    dhe s’përgjigjen për çka bëjnë.         

    Duke vazhduar me porosinë nr. 6, [për ato që janë të pandjeshëm]:

    Një jetë me porosinë:

    Ujitni gjithë lulet,

    por jo atë të ndjeshmërisë.

    Numri 15. [Dilema ndërmjet lidhjes inteligjencë dhe ndjeshmëri]:

    Dilemë e përjetshme:

    Ndjeshmdjeshmëri inteligjente

    a inteligjencë e ndjeshme?

    Mbyllja me numrin 33. [Apokalipsi, që do të pushtojë botën do të jetë nga papërgjegjshmëria, apo pa ndjeshmëria]:

    Apokalipsi s’është gjë tjetër

    veçse bjerrja e plotë e ndjeshmërisë.

    E në fakt k’të mosndjeshmëri të qënies njerzore apo atë çfarë e shkakton k’të ndjeshmëri autori e ka kuptuar dhe trajtuar që nga romani ‘’Stina e Ujkut’’, ku që në pjesën e parë jo më kot të titulluar PRANIMI ai jep një këshillë në dukje kontraverse, por në fakt s’është gjë tjetër veçse një dualizim apo ndoshta edhe asimetri e ndjeshmërisë, egos, gjendjes shpirtërore të bashkjetesës:

     ‘’ Dëgjoni, miku im! Mos kërkoni ta vrisni bishën. As ta llastoni. Thjesht duhet ta pranoni atë…’’,

    për të vazhduar:

    …’’A s’është egoizëm dëshira e paprajshme për t’u ndier i ngopur?’’

     ‘’Për njeriun po, por jo për bishën.

     ‘’Pse jo për ty?’’

    ‘’Sepse bisha kurrë nuk është e nginjur. Edhe kur bën si e tillë’’.

    ‘’Domethënë kur shtiret?’’

    ‘’Thashë  ‘’bën sikur’’  dhe jo ‘’shtiret’’.

    ‘’Janë e njëjta gjë’’.

    ‘’Jo: bisha nuk shtiret kurrë’’, tha Ujku.

    ’Po atëherë kush bën sikur?’’, tha Njeriu.

    ‘’Njeriu brenda bishës’’

    ‘’Budallallëqe: një bishë është vetëm bishë’’

    ‘’Aq sa njeri është vetëm njeri’’.

    ’Jo, njeriu është diçka më shumë se vetja’’.

    ‘’Domethënë ka edhe bishën Brenda vetes?’’

    ’Pikërisht’’.

    ‘’Dashurite e virgjëreshës Madalenë’’ [ e këtu ai personazhi dëshiron të jetë ai dhe vetëm ai ]

    Madalena flokëkuqja mos ndoshta nuk është askush tjetër veçse vetë ai  i cili shpreh të gjithë revolten ndaj rregullave strikte të kohës, që e banën me dashtë, me vepru i diktuar nga vetë ato rregullat dhe jo sipas asaj që ai ka ndi vetë. I kthyer në një cinik urren veten pse nuk diti të vlerësojë studenten kur ajo ishte në auditor, që nuk e kishte kuptu me kohë se ajo po i jepte mundësinë ’’m’u kthy në jetë’’,  se opininonet e të tjerëve mbeteshin njësoj të liga edhe pse ti mundohesh me ndjek rregullat e shoqërisë. Në fund, në promovimin e librit ‘’është ndoshta vetë’’ autori që kërkon në sallë studenten e tij për ti dhënë opinionin për librin e tij dhe jo e kundërta. Të duket se Dibra arrin të bashkojë në një, veten e tij me personazhin që nuk mundet me e pasë në realitet por vetëm artistikisht. 

    ‘’Dekalogu i Turpit eSe’’. Epilogu

    Kam marrë Rrugën e Kthimit. Druhem ta pohoj ( pohime të tilla nuk janë në nderin e shkrimtarit bashkëkohor). porse një vel i hollë malli më ka mbështjellë të tërin. Mall për Shkodrën time dhe provincializmin e saj. Ose për diçka tjetër. Mall të cilin, për turpin tone!, kemi turp t’ia pohojmë vetes. Sidomos të tjerëve. Mall për të thjeshtën. Të vërtetën. Të pabujën. Thelbin. Qe, ndoshta, ruhet ndokund i pacënuar. ( ‘’Më lini në strehëzen time të qetë/ të qesh me botën budallaqe’’. Varg i një poeti Frankofon, në përkthimin e kolegut tim NO. Shënim i imi. Rd.).

    Diku nga fundi i Rrugës, tamam aty ku ’’zhduket Buena nen nji kodër, zhduket Drini nen nji mal’’, kujtohem për trastën me librat e mi: i kam harruar në Metropol, te kazani i hedhurinave. Trishtohem. Por vetëm për pak çaste. Sepse (ashtu si përherë) e ngushëlloj veten: ndoshta, falë një rastësie fatlume, atë trastë e gjen ndonjëri prej lexuesve të mi.

    Ndihem i drobitur. Mbyll sytë dhe dremis.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË