More
    KreuIn memoriamUran Butka: Sabiha Kasimati, intelektualja e shquar martire

    Uran Butka: Sabiha Kasimati, intelektualja e shquar martire

    “Unë jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci; shkohet drejt shkatërrimit.

    Sabiha Kasimati

    Sabiha Kasimati, një nga gratë e shquara të Shqipërisë, vjen  nga një familje e njohur intelektuale  libohovite. I ati i saj, Abdurrahman Kasimati, i kishte kryer studimet universitare për mjekësi në Turqi, ku punoi si mjek dhe jetoi me gjithë familje deri në vitin 1927. Në këtë vit u kthye në Shqipëri, ku fillimisht u vendos në Korçë, mandej në Elbasan, ku shërbeu si mjek dhe gëzoi respektin dhe mirënjohjen e qytetarëve, por edhe vlerësimin e miqësinë e  personaliteteve të këtij qyteti: Aqif pashë Elbasanit, Lef Nosit, Visarion Xhuvanit, Ethem Haxhiademit, Sotir Paparistos e të tjerë.

    Sabiha Kasimati lindi në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë, më 15.09.1912. Atje kaloi fëmijërinë, e ushqyer nga prindët me dashuri për Shqipërinë, por edhe për kulturën evropiane. Ndaj, kur u kthye familja në atdhe, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korçës, ku  filloi studimet në Liceun Francez të këtij qyteti. Ajo qe e para femër që e mbaroi këtë shkollë perëndimore, në vitin 1930. Qysh nxënëse, ajo zotëronte disa gjuhë të Perëndimit dhe të Lindjes, në mënyrë të shkëlqyer frëngjishten, aq sa habiste edhe profesorët francezë të Liceut.

    Vajzat korçare, por edhe qytetarët e Korçës e kujtojnë edhe sot Sabihanë si dallëndyshen e parë të Liceut, si çupën e emancipuar, të kulturuar dhe me temperament burrëror, që mbeti si një shëmbëlltyrë e pashlyer për vajzërinë dhe djelmërinë shqiptare.

     Mbas mbarimit të Liceut të Korçës, ajo punoi disa kohë si mësuese në shkollën normale femërore të Korçës, duke dhënë lëndët «Edukatë morale» dhe «Frëngjisht». Më vonë u transferua si pedagoge në shkollën  shqiptaro-amerikane në Kavajë, ku jepte biologji.

    Në vitin 1936 mundi të plotësonte dëshirën e zjarrtë për studime të larta. Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30’/30’, me lavdërim (trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoraturën. Katedra i ofroi vendin e asistentes në ihtiologjinë fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe.

    Në Shqipëri punoi me entuziazmin e një vajze të re e të kulturuar, por edhe me vullnetin e një shkencëtareje të re që kërkonte t’i shërbente vendit të saj në nevojë. U emërua pedagoge në Institutin Femëror “Nëna Mbretneshë” në Tiranë. Mbas disa vitesh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kura shëndetsore në një sanatorium të Torinos. Pas shërimit, aty nga viti 1945, u kthye në atdhe. Tek kthehej nga Italia, në aeroport takoi Ali Koprenckën që vinte nga Shqipëria. Ai i tha:

    “Si vete në Shqipëri? Nuk e di se ç’po bëhet atje, hataja po bëhet! Ne, andaj po ikim. Po vendoset diktatura e kuqe.”

    Sabihaja iu përgjigj: “Atje janë gjithë shokët e shoqet dhe bashkërisht do të përpiqemi që ajo gjë të mos bëhet dhe Shqipëria të përparojë.”

     Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto.

    Sabihaja punoi me zell dhe përkushtim në specialitetin e ihtiologjisë ( disiplinë shkencore që studion peshqit). Për rezultatet e saj për  studimin e peshqve në ujrat e vendit tone, si edhe për vlerën ushqimore dhe ekonomike  të tyre, ajo punoi 10 vjet me radhë dhe e përfundoi ne vitin 1948.

     “Jam e gëzuar që mbarova një studim mbi peshqit që do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe shteteve të tjerë që janë në kufi me Shqipërinë.” 

    Pra, Sabihaja ishte edhe një autore libri, i monografisë voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”, që nuk u botua sa qe gjallë. Në vitin 1955, botohet  vepra e saj, por jo me emrin e Sabihasë, me emra të tjerë,  duke i vjedhur edhe punën e saj intelektuale.

    Sabihaja ishte një intelektuale e kompletuar, që kishte studiuar në Perëndim, një filozofe dhe biologe që e njihte mirë thelbin dhe shfaqjen e panatyrshme e çnjerëzore të sistemit totalitar komunist, i cili po vendosej në Shqipëri. Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin  intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj. Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare.  Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi,  Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj., veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Kështu Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës.

    Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.

    Dr.Namik Kasimati, rrëfen: “Duke qenë se Sabihaja kishte mbaruar Liceun Francez bashkë me Enver Hoxhën dhe e njihte mirë, i kërkoi një takim.

    Sabihaja: Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?

    Enveri: Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin.

    Pas dy ditësh, Nako Spiru, të cilin Sabihaja e kishte shok, e thirri Sabihanë për një kafe dhe në bisedë e sipër i tha: “Sabiha, duhet ta qepësh gojën, jo me karficë, por me babushkë”.

      Sabihaja ishte e çiltër, e shkujdesur dhe nuk mendonte se i ishte qepur pas vdekja.

    Ing.Viktor Kasimati, i biri i Refiut, kujton: “Një ditë, aty nga fund i vitit 1948, Sabihaja ndodhej në shtëpinë tonë. Im atë u vonua pak atë ditë se kishin pasur një mbledhje me rëndësi në shkollën Politeknike, ku punonte si pedagog. Ishte koha kur PKSH kishte dënuar Koçi Xoxen dhe grupin e tij, duke ia ngarkuar atij të gjitha krimet që kishte bërë pushteti komunist mbi shqiptarët, sidomos mbi elitën intelektuale. Im atë i tregoi Sabihasë kur po hanim drekën: “Na foli një personalitet komunist, Tuk Jakova, i cili na tha që janë kryer shumë shkelje të ligjeve dhe janë dënuar shumë njerëz pa faj. Por në të ardhmen  nuk do të ndodhin më gjëra të tilla”

    Sabihaja e dëgjoi me vëmendje dhe ia kthey aty për aty:

    “Refi, mos i beso këto! Kjo është taktika e tyre, shtrëngo, liro pak dhe prap shtrëngo më fort se më parë për të mbajtur pushtetin. Mbaje mend që pas pak kohe, do të rifillojnë përsëri terrorin.”

    Në fakt, rifillimi i terrorit masiv në vitin 1951 mori edhe kokën e Sabihasë.

    Sabihaja u arrestua më 20.02.1951. Ajo bënte pjesë na listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej.

    Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të arrestoheshin 100 ose 150 vetë, prej të cilëve të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe  byroja ia miratoi

    Pra, vendimi për të realizuar këtë masakër, u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike të PPSH, në mbledhjen e datës 20.02.1951, me pretekstin e hedhjes të një sasie të vogël dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike, që theu vetëm disa xhama në mbrëmjen e datës 19.02.1951.  Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet dhe me propozim té ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi.” (Të gjithë anëtarët e Byrosë, me në krye E.Hoxhën: Jemi dakord me këto masa represive.)

     Enver Hoxha ia miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave, që kishte përzgjedhur.  Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht, por edhe ata e njihnin mirë atë. Ai nuk mund t’i harronte fjalët e Sabihasë bie fjala, emri i Sabiha Kasimatit,   thënë ish-shokut të klasës: «Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?»

    Sabihaja u akuzua se bënte pjesë në një organizatë terroriste. Ajo nuk e pranoi akuzën për akte terroriste të paqena, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja etj.

    Sabihaja ishte një njeri i kulturës dhe i paqes.

    Zonja Didi Biçaku, nga familja e Aqif pashë Elbasanit, e cila u arrestua në një kohë me Sabihanë dhe qëndroi në një birucë me të në burg, ka dëshmuar: “Më kujtohet çasti kur Sabihaja u kthye nga hetuesia. Ishte e qetë. Hë? – e pyeta shkurt. – Më akuzuan si terroriste, m’u përgjigj. U thashë: Unë kam studiuar për biologji dhe jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci; shkohet drejt shkatërrimit.»

    E vranë pa gjyq intelektualen, pedagogen, shkencëtaren, autoren e një libri, demokraten e shquar, martiren Sabiha Kasimati! Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, deri sa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në varrezat e dëshmorëve të kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme.

    Xha Kadriu nga Mëniku, rrëfen: “Më vonë, kur ai vend, ku u pushkatuan, filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që po punonte aty, i ra  të fikët tek pa që traktori tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuluan përsëri. Ishte trupi i patretur ende i Sabiha Kasimatit!”

    Po shpirti i saj, vepra e saj, fryma e saj jeton, sepse është brenda nesh, brenda shpirtit të kombit, ndaj është e pavdekshme.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË