I.
POEMË E GJALLË
I dashur
Ndjesi fluturake më sjellin tek ti
Dhe udhës çelin trëndafila
në janar
Nisa t’ia nxë fillin një poeme
Pasi ia lava këmbët
në lotët e drenushës brenda vetes
Ajo ka një veshkë
Një këmbë e hedh shtrembër
Me tjetrën mban drejtpeshimin
Dekoldeja pak e rrudhur
Stithami i dhemb nga
Spondiliatroza
Dhe shpesh i shqipton keq fjalët
Është a s›është
një poemë e gjallë
me krahë dallëndysheje
Zemërimi i thinjet bukur
Në harkhënat përmbi
Kraterin e Avernos që të shpie
Në zgavrat e fundbotës tënde të etur
Për të mbramën plandosje qiellore
Mbaji erë
E ndien
E kam parfumosur
Me esencën e trëndafiltë të kurmit tim
Kulluar pas ngjizjes së yjve
Me ngrohtësinë e gjinjve i treta fjalët
Që t‘i bëja të prekshme
Ah fjalët e magjisë dehëse
Gji lulesh për dimrin tënd
Mos më qorto për të pathënat
Mos m‘i numëro gabimet
Kam nisur një poemë për ty
Një poemë kaq të papërsosur
Si ti
Si unë
Si NE
Kur jetojmë si një mollë e ndarë
përgjysmë
Në të njëjtën shportë.
II.
BALSAMI I GALAADIT[1]
Përjetë shituar në një varg
ngujuar në nurin
e një poeme të gjallë.
Mos e pandeh ndarjen
më të lehtë se vdekja,
dhemb qielli i syve rënë ndër liqe.
Të gjitha rrugët më shpien tek ti
po asnjë Hyj s’më udhëheq
në vallen krahëthyer të frymës.
Kript’ i zymtë m’i zhbën valët e prushta
se u krijua për t’u dashur në tjetërbotë
kush u lind për të vdekur dy herë.
Nëse qiejt thërrasin, mëkojnë brenda nesh
Balsamin e Galaadit mbi plagë
Kujt vuan nga dashuria, o Zot, jepi uratë!
III.
FRISSON NEUF*
Ah…me ata sy
që më ke ti!
Më harpohet në terr
një ndjesi e zorshkrueshme
siç shkrifen qiellit
retë në stuhi
një “frisson neuf”[2]
një zjarrmi
më fryn ndër vete
si vdekje e ndershme[3].
O hisja ime e diellit!
Ndriçoma pistën!
Drejtomë!
S‘di ta vallëzoj këtë vals…
(2022)
[1] Balsami i Galaadit- bimë e çmuar me veti shëruese që përmendet në Bibël. Përbërës i parfumit të parapëlqyer të Kleopatrës, mbretëreshës legjendare të Egjiptit.
[2] frisson neuf- frengj. drithërimë e re
[3] vdekje e ndershme- asosacion tekstor për „ Vdekjen e Nositit“ të L. Poradecit.