More
    KreuLetërsiBibliotekë"Trembëdhjetë ditë me John C", tregim nga Jojo Moyes

    “Trembëdhjetë ditë me John C”, tregim nga Jojo Moyes

    Përktheu Qerim Raqi

    Ajo gati e kishte shkelur me këmbë. Njëqind hapat e fundit, Miranda i kishte bërë me një lloj vendosmërie të shpërqendruar, duke menduar se çfarë do të gatuante për darkë. I kishin mbaruar patatet.

    Asgjë tjetër s’mund të tërhiqte vëmendjen e saj gjatë rrugës. Çdo mbrëmje pasi kthehej në shtëpi nga puna, derisa Franku rrinte ngjitur pranë televizorit duke shikuar edhe një ndeshje futbolli “të cilën thjesht nuk mund ta humbasësh” (këtë mbrëmje luante Kroacia kundër një vendi afrikan), ajo zakonisht vishte atletet dhe ecte tre kilometra përgjatë pyllit. Kjo e largonte nga grindja me Frankun, dhe në të njëjtën kohë donte t’ i tregonte se ajo kishte një jetë edhe pa të; është fjala kur ai merrte mundimin dhe i largonte sytë nga televizori.

    Ajo pothuajse e kishte injoruar tingullin e zbehtë të ziles së atij telefoni, mbase pavetëdijshëm  e kishte ngatërruar me tingujt e makinave, sirenave ose me ndonjë tingull tjetër nga sfondi i qytetit. Por kur tingulli u bë më i qartë, u dëgjua shumë afër, ajo shikoi përreth, ngadalësoi hapin dhe ndoqi atë tingull deri në një shkurre. Dhe ja ku ishte,  gjysmë i fshehur në barin e madh – një celular.

    Miranda Lewis shikoi shtegun e zbrazët dhe mori telefonin në dorë. Ishte i njëjti model me celularin që kishte vetë. Në sekondën që e mori, telefoni pushoi së cingëruari. Derisa po vriste mendjen nëse duhej ta linte në një vend më të dukshëm, erdhi sinjali i një mesazhi. Ishte nga “John C”. Ajo shikoi përreth, duke u ndjerë çuditërisht sikur po mbante fshehtësira. Por pastaj mendja i shkoi te pronari që me siguri kërkon t’ i kthehet telefoni dhe pas një hezitimi të shkurtër klikoi te mesazhi dhe lexoi:

    Ku je zemër?? Kanë kaluar 2 ditë!!!

    Miranda ia nguli sytë mesazhit, rrudhi ballin, pastaj e futi telefonin në xhep dhe filloi të ecte. Do të ishte marrëzi ta linte aty në bar. Do ta mendonte se çfarë të bënte me të kur të kthehej në shtëpi.

    Shoqja më e mirë e Mirandës, Sherry, shpesh ia kujtonte se dikur ajo kishte qenë bukuroshe e vërtetë. Nëse dikush tjetër do ta kishte vënë kaq shumë theksin tek  “dikur”, Miranda do të ishte ofenduar, por, siç theksonte Sherry, njëzet vjet më parë djemtë thjeshtë gjunjëzoheshin para këmbëve të saj. Vajzës së Mirandës, Andreas, i shkonte buza në gaz kur Sherry e thoshte këtë, sikur mendimi se nëna e saj edhe nga distanca mund të dukej tërheqëse ishte tejet interesant. Por Sherry e kishte përsëritur këtë shpesh sepse ishte e acaruar me Frankun që nuk i kushtonte vëmendje të shoqes.

    Sa herë që Sherry dilte me të në shëtitjen e mbrëmjes, ajo  i numëronte të gjitha gabimet e Frankut dhe e krahasonte me Richardin. Richardi  mërzitej kur Sherry largohej nga dhoma. Richardi organizonte ‘kohë për ne të dy”  çdo të premte. Richardi  linte letra dashurie në jastëkun e saj. Kjo ndodh sepse ju nuk patët kurrë fëmijë, ti fiton më shumë se ai, dhe Richardi ka bërë madje një transplant të dështuar të flokëve, mendonte Miranda, megjithëse këtë nuk e thoshte kurrë me zë të lartë.

    Por këta tetëmbëdhjetë muajt e fundit , ajo kishte filluar t’ i merrte ndryshe  gjykimet e Sherryt. Sepse nëse donte të ishte e sinqertë me veten, Franku kishte filluar ta mërziste. Gërhitja e tij. Kur i kujtonte gjithmonë të hidhte mbeturinat, edhe kur koshi i plehrave ishte i stërmbushur. Zëri i tij ankues kur i thoshte: “S’ka qumësht!”, sikur vajza e qumështit të mos i kishte vizituar, ndonëse ajo punonte po aq orë sa ai. Dora e tij që përkëdhelte trupin e saj të shtunave në mbrëmje me aq rutinë sikur të lante makinën, pa ndonjë pasion të veçantë.

    Miranda e dinte se ishte me fat që jetonte në një bashkëshortësi që kishte zgjatur njëzet e dy vjet. Ajo besonte se shumica e gjërave në jetë mund të zgjidheshin me një shëtitje të shpejtë dhe në ajër të pastër. Ajo kishte ecur tre kilometra çdo ditë këta nëntë muajt e fundit.

    Në kuzhinë, duke pirë një çaj, pas një hezitimi të shkurtër ajo e kishte hapur përsëri mesazhin.

    Ku je zemër?? Kanë kaluar 2 ditë!!!

    Toni disi i dëshpëruar i mesazhit e bëri Mirandën të anashkalonte shenjat e tmerrshme të pikësimit. Po mendonte nëse duhej telefonuar John C dhe t’i shpjegonte se çfarë kishte ndodhur, që e kishte gjetur telefonin e tij, por kishte diç në këtë mesazh, diç intime, që e joshte dhe e bënte të ndërhynte në një sferë të tillë. Numri i telefonit të pronarit, mendoi ajo. Do të shfletoj në librin e adresave dhe do ta gjej. Por aty nuk kishte asgjë. Vetëm John C. Ishte e çuditshme. Nuk dua ta thërras, mendoi papritmas. Emocionet e zhveshura e hodhën jashtë ekuilibrit, sikur dikush të kishte pushtuar shtëpinë e saj të vogël e të sigurt, strehën e saj. Vendosi ta dorëzonte telefonin në komisariat. Pikërisht atëherë ajo pa një tjetër ikonë: Kalendarin. Dhe aty, për të nesërmen, shkruante: “Të telefonojë agjencinë e udhëtimit”, dhe më poshtë: “Prerja e flokëve, Alistair Devonshire, ora 14:00”.

    Flokëtaren ishte e lehtë për ta gjetur. Emri i kishte tingëlluar i njohur dhe kur e shikoi,   kuptoi se ajo duhet të ketë kaluar shumë herë andej pa e vënë re mirë atë sallon në qendër të qytetit.  Do t ‘ i kërkonte recepsionistit  ta pyeste personin që kishte bërë rezervimin në orën dy nëse kishte humbur celularin. Dy gjëra ndodhën që e shtynë Mirandën ta mendonte edhe një herë tërë këtë. E para ishte se nuk kishte shumë për të bërë kur u ul në autobus, veçse të shikonte fotot e ruajtura. Dhe ja ku ishte ai, një burrë i qeshur me flokë të zeza me një vështrim të fshehtë: John C. Ajo lexoi edhe mesazhe të tjera. Vetëm për të parë nëse kishte të dhëna të tjera, sigurisht. Pothuajse të gjitha mesazhet ishin prej tij. 

    Më fal. Nuk munda të të telefonoja dje. W ishte në humor të keq, më duket se po përpiqet nuhasë diçka.

    Të kam menduar gjithë mbrëmjen.

    Të shoh në atë fustanin tënd, flokëkuqja ime sensuale, duke prekur lëkurën tënde.

    Je e lirë të enjten? W mendon se do të shkoj në një konferencë. Ëndërroj buzët e mia lëkurës sate..

    Dhe më pas disa mesazhe tjera që e bënë Miranda Lewis-in, një grua që mendonte se s’ kishte shumë gjëra që mund ta befasonin, të fuste telefonin në çantën e saj dhe të shpresonte se askush nuk do t’ia shihte faqet e skuqura. Gumëzhima monotone nga një duzinë tharësesh të flokëve ia mbushi veshët teksa po  qëndronte në recepcion. Ishte  penduar tashmë që erdhi këtu kur iu afrua një grua.

    “Keni caktuar kohën?” e pyeti. Flokët e saj patëllxhanë e shkëlqyes i ishin ngritur në tufa të çuditshme dhe vështrimi i saj shprehte një mosinteresim total për përgjigjen e Mirandës.

     “Jo,” tha Miranda. “A vjen ndokush në orën dy?»

     “Je me fat. Ajo e ka anuluar. Kevini mund të të rregullojë. Eja me mua.”

    Miranda u ul, shikoi veten në pasqyrë – pa një mjekër të dyfishtë dhe flokët gri të mykur që nuk kishte pasur kohë t’i rregullonte pasi doli nga autobusi.

     “Përshëndetje.”

    Miranda u tremb kur pas saj u shfaq një burrë i ri.

     “Çfarë mund të bëj për ju? Thjesht të t’i shkurtoj pak?” , “Oh. Si të them, ka ndodhur një gabim. Unë vetëm desha të …”

     Në atë moment ra zilja e telefonit, dhe me një kërkimfalje të butë, ajo filloi të kërkonte në çantën e saj. E shtypi butonin tek mesazhi i ri dhe u përkul. Telefoni që nxori nga çanta nuk ishte i saj.

    Mendoj për takimin tonë të fundit. Ti ma bën gjakun të këndojë.

    “Je gati? Duhet të jem i sinqertë me ju mike. Ky nuk është modeli më i mirë i flokëve për ty.” Ai kapi një tufë nga floku i saj.

     “Vërtetë.” Miranda ia nguli sytë mesazhit që i dërgohej personit që do të qëndronte ulur tani në këtë karrige. Ti ma bën gjakun të këndojë “Dëshiron të ndryshosh diçka? Të gjejmë diçka të re për ty? Çfarë mendon?”

    Miranda hezitoi. “Po,” tha ajo duke ngritur kokën drejt gruas në pasqyrë.

    Me sa dinte, Franku kurrë nuk e kishte bërë atë që t’i këndonte gjaku. Ndonjëherë ai i thoshte se dukej mirë, por gjithmonë sikur e thoshte si me detyrim, dhe jo nga ndjenja e vërtetë. Ajo që vërtetë e bënte Frankun t’ i  këndonte gjaku ishte loja e Arsenalit. Ishte në gjendje t’ i binte me këmbë dyshemesë nga ngazëllimi kur skuadra ishte sulm.

    “Të bëjmë diç të çmendur paksa?” tha Kevini duke mbajtur krehrin lartë. Mirandës i shkoi mendja tek vajza e saj, të cilës gjithmonë i hapej goja kur fliste Sherry  për vitet e adoleshencës. Mendja i shkoi te Franku, i cili as që mundohej të hiqte sytë nga televizori kur kthehej në shtëpi nga puna. Përshëndetje e dashur, thoshte ai me një të ngritur dore. Me dorë. Sikur ajo të ishte një qen.

     “E dini çfarë,” tha Miranda. “Dua të bëj të njëjtën gjë që ju kishit planifikuar të bënit për klientin që ka caktuar orarin për orën dy.”

    Kevini ngriti vetullat. “Oh…zgjedhje e mirë,” tha ai duke e shikuar tani me një sy tjetër. “Kjo do të jetë argëtuese”.

    Ajo nuk kishte bërë shëtitjen e saj të zakonshme atë mbrëmje. Kishte ndenjur në kuzhinë dhe kishte lexuar edhe një herë të gjitha mesazhet, pastaj ishte futur në dhomën e pritjes, duke hedhur me turp vështrim tek celulari derisa erdhi një mesazh i ri. Zemra i rrahu fort kur pa emrin. Hezitoi pak para se ta hapte.

    Jam i shqetësuar. Ka kaluar shumë kohë. Nuk mund ta shtyj më; nëse ti nuk do që ta vazhdojmë më… por dua ta dijë a je mirë.

    Ia nguli sytë mesazhit, ndjeu atë shqetësimin plot dashuri, përpjekjen për të qenë argëtues. Pastaj ia hodhi sytë pasqyrës dhe pa frizurën e saj të re, flokët më të shkurtra me nuancën e së kuqes, që Kevini kishte thënë se ishte veprimi më e mirë që kishte bërë ajo gjatë gjithë javës.

    Ndoshta pse ajo nuk e njihte veten. Ndoshta pse  urrente të shihte njerëzit që vuanin dhe ishte e qartë se John C po vuante. Ndoshta pse kishte pirë disa gota verë. Me gishta që i dridheshin lehtësisht, ajo shkroi një përgjigje.

    Jam mirë. Vetëm e kam vështirë të flasë tani. Pastaj  shtoi: Përqafime. E dërgoi masazhin duke ndjerë fort të rrahurat e zemrës dhe duke iu zënë fryma në pritje të përgjigjes.

    Zot faleminderit. Duhet të të shoh së shpejti, flokëkuqja ime seksi. S’më rrihet pa ty.

    E turpshme paksa, por kjo e bëri të qeshë.

    Pas mbrëmjes së parë e kishte më të lehtë t’i përgjigjej.

    John C i dërgonte  mesazhe disa herë në ditë dhe ajo i përgjigjej. Ndonjëherë, kur ishte në punë, ajo e gjente veten duke menduar se çfarë të shkruante dhe kolegët herë pas here thoshin diçka për faqet e saj të kuqe ose për mospërqëndrimin e saj, në përpjekje për të nuhatur diç. Ajo u buzëqeshte, por nuk thoshte asgjë për të hequr dyshimet. Pse do ta bënte këtë kur nuk kalonte as gjysmë ore dhe merrte mesazhe nga John C, nga ai që shfaqte pasion për të, duke shkruar se sa me padurim dëshironte ta takonte.

    Një herë ajo e kishte lënë qëllimisht telefonin mbi tavolinë, që të dukej mesazhi. Ajo e dinte se Clare Trevelyani nuk do të mund të rezistonte pa e lexuar atë mesazh – ose ta përcillte përmbajtjen e tij në dhomën e duhanit. Mirë, mendonte ajo. Le të jenë kureshtarë. Nganjëherë asaj i pëlqente kur i befasonte njerëzit. Le të besojnë se ajo është objekt atraksioni për dikë, se ishte e dashura e dikujt. Sytë i shkëlqenin, filloi të ecte me hapa të gëzuar dhe mund të betohej se djali që sillte postën tani sillej më shpesh rreth tavolinës së saj.

    Nëse ndonjëherë i shkonte në mendje se ajo që bënte ishte e gabuar, e largonte shpejt këtë mendim. Ishte thjesht një fantazi e vogël. John C ishte i lumtur. Franku ishte i lumtur. Gruaja tjetër me siguri do të mund ta kontaktonte atë në një mënyrë tjetër dhe me kaq do të mbaronte. Ajo u përpoq të mos mendonte se sa shumë donte të fantazonte se ishte mu ajo që po i bënte të gjitha ato gjëra të cilat ai kujtonte se po i bënte me atë grua. Kishin kaluar pothuajse dy javë kur e kuptoi se nuk mund të fshihej më shumë. Ajo i kishte thënë John C -së se kishte një problem me telefonin e saj, se po priste një celular të ri dhe se tani për tani mund të dërgonte vetëm mesazhe. Por mesazhet e tij u bënë gjithnjë e më këmbëngulëse:

    Pse jo të martën? A nuk më jep një shans tjetër para javës tjetër.

    Në English Gentleman. Një pije në kohën e drekës? Të lutem! Pse më mundon kështu?

    Nuk ishte vetëm kaq. John C kishte filluar të dominonte jetën e saj. Sherry e vështronte me dyshim, dhe ia thoshte se sa mirë dukej, se si Franku më në fund po bënte diçka të mirë, në një mënyrë që tregonte se ajo ishte e mrekullueshme. Por mesazhet e John C -së krijuan një lloj intimiteti që Miranda nuk e kishte përjetuar kurrë me asnjë mashkull. Ata kishin të njëjtin sens humori, mund të shprehnin emocionet më komplekse dhe më të sinqerta, madje edhe me shkurtesa. Meqenëse nuk mund të thoshte të vërtetën, ajo i tregonte atij për gjërat që i dëshironte në fshehtësi, gjërat në të cilat shpresonte, ëndrrën për të udhëtuar në Amerikën e Jugut.

    Unë do t’ju çoj atje. Më mungon zëri yt, flokëkuqja ime seksi,  shkruan ai.

    Zëri yt më vjen në ëndërr,  përgjigjet ajo dhe skuqet në fytyrë nga paturpësia e vet.

    Më në fund, ajo e kishte dërguar mesazhin vendimtar:

    Në English Gentlemen. Të enjten. Ora 20.00.

    Në fakt nuk e dinte pse e bëri këtë. Një pjesë e saj, Miranda e vjetër, e dinte se kjo duhej të merrte fund. Se ishte një çmenduri e përkohshme. Por ishte edhe Miranda e re, e cila, megjithëse nuk mund t’ia pranonte vetes kurrë, që kishte filluar ta mendonte për atë John C si një John të saj. Miranda mund të mos ishte pronarja e vërtetë e telefonit, por John C  duhej ta pranonte se mes tyre kishte një atraksion. Se gruaja me të cilën shkruante prej trembëdhjetë ditësh e kishte ndezur, e kishte bërë të qeshte, ia kishte trazuar mendimet. Nëse asgjë tjetër nuk ndodhte, këtë së paku duhej ta pranonte. Se mesazhet e tij e kishin ndryshuar atë grua – e kishin bërë të ndihej e gjallë sërish. Të enjten mbrëma, ajo ishte rregulluar si një adoleshente në takimin e saj të parë. “Ku po shkon?” – e pyeti Franku duke i hequr sytë nga televizori. Ai dukej pak i habitur, ndonëse ajo kishte veshur një pallto të gjatë. “Dukesh bukur.” Ai u zvarrit nga divani. “Desha ta thoja më herët. Më pëlqen frizura jote.”

    “Ashtu ë,” tha ajo, duke u skuqur pak. “Do të dalim e ta pimë nga një gotë me Sherry-n.”

    Vish fustanin blu, i kishte thënë John C. Ajo kishte blerë një të ri, enkas për këtë rast, të qëndisur në fund me ca lulekëmbore.

    “Kalofsh bukur,” tha Franku. Ai u kthye kah televizori dhe shtypi telekomandën.

    Gjatë rrugës për në pijetore Mirandës përkohësisht  i humbi vetëbesimi. Dy herë gati u kthye dhe akoma nuk e kishte idenë se çfarë të thoshte nëse do të takohej me ndonjë të njohur. Përveç kësaj, pijetorja nuk ishte vendi për t’ u veshur bukur, por këtë e kishte kuptuar tepër vonë, kështu që e mbajti pallton. Por më pas, pas një gjysmë gote, ajo ndryshoi mendje dhe e hoqi. E dashura e John C -së me fustanin blu nuk duhej të brengosej nëse rrinte vetëm duke pirë. Në një moment një burrë iu afrua për ta qerasur me një pije. Ajo u tremb, por e kuptoi se nuk ishte ai që po e priste dhe nuk pranoi. “Po pres dikë”, tha ajo, dhe u kënaq nga pamja e atij burri të dëshpëruar teksa po largohej. Burri të cilin po e priste ishte vonuar gati një çerek ore dhe ajo nxori telefonin. Donte t’ i dërgonte një mesazh. Sapo filloi të shkruante vuri re se përballë saj, në tryezën e saj,  ishte ulur një grua. “Përshëndetje Flokëkuqe”, i tha ajo.

    Miranda ia nguli sytë. Një grua e re,  bionde me një pallto leshi. Dukej e lodhur, por sytë i kishte flakë.

     “Më falni?” tha ajo.

    “Sigurisht që je ti? Flokëkuqja seksi ? Më duhet të them se kam menduar që je më e re,» tha ajo me një ton përçmues. Miranda e la telefonin mënjanë.

    “Oh, më falni. Ndoshta duhej të prezentohesha.” Quhem Wendy Wendy Christiana, bashkëshortja e John-it” Mirandës iu ndal zemra. “Me siguri ju e dinit që ai kishte grua, apo jo?” Gruaja mbante në dorë një celular të ngjashëm. “E kam parë se ai më ka përmendur në disa raste. Oh, jo,» tha ajo në mënyrë teatrale. “Sigurisht e kuptove tani se ti nuk po flisje me John-in këto dy ditët e fundit. Ia mora telefonin. Kështu që isha unë.”

     “O zot,” tha Miranda me zë të ulët. “Ky është një…”

    “Një gabim. Mund të pretendosh kështu. Kjo grua ka fjetur me burrin tim,” tha ajo para të gjithëve që ishin në pijetore me një të dridhur të lehtë të zërit. “Tani e paska kuptuar se ndoshta kjo ishte një gabim.” Ajo u përkul mbi tavolinë. “Në fakt, unë kam bërë një gabim, duke u martuar me një burrë që mendon se është në rregull të mashtrojë kur ka gruan dhe dy fëmijë.”

    Qetësi varri në pijetore. Miranda ndjeu vështrimet vrastate të të pranishmëve.  Wendy Christiana shikoi fytyrën e saj të shtangur. “Ti budallaçkë e gjorë.

    Mendoje se ishe e para? Në fakt ti je e katërta. Nga ato që njoh unë të paktën”.

    Miranda pa gjithçka si në mjegull. Po priste që zhurma  e zakonshëm e pijetores të rifillonte, por heshtja, shtypëse, nuk po mbaronte. Më në fund, rrëmbeu pallton dhe çantën e saj dhe vrapoi te dera. Faqet po i digjeshin, kokën e mbante ulur për të shmangur vështrimet akuzuese.

    Gjëja e fundit që dëgjoi teksa mbyllej dera pas saj ishte zhurma e një zileje telefoni. “A je ti zemër?” Franku ngriti dorën kur dëgjoi se ajo shkoi drejt në dhomën e ndenjës. Papritur Miranda ishte mirënjohëse ndaj forcës tërheqëse e të parezistueshme të televizorit. Veshët i kumbonin nga akuzat e hidhura të asaj gruaje. Akoma i dridheshin duart.

    “Sa herët u ktheve.”

    Ajo mori frymë thellë, ia pa kokën prapa kur ai u ngrit nga divani.

    “Nuk kisha dëshirë për të festuar.” tha ajo ngadalë.

    Ai ktheu kokën. “Do të gëzohet Richardi atëherë. Atij nuk i pëlqen kur Sherry del jashtë pët të festuar, apo jo. Ai gjithmonë  mendon se dikush do t’ia vjedhë të dashurën.”

    Miranda nuk lëvizi fare “ Po ti?”

    “Çfarë ?”

     “A shqetësohesh se dikush mund të më vjedh mua?” Ajo po qëndronte në gatishmëri të plotë, sikur çdo përgjigje e tij do të kishte pasoja shumë më të mëdha se sa kujtonte ai.

    Ai ktheu kokën kah ajo dhe buzëqeshi. “Sigurisht. Ti ke qenë mbretëreshë festash.” “Ku?”

    “Eja”, tha ai. “Eja më përqafo, janë pesë minutat e fundit të Uruguait kundër Kamerunit”. Ia zgjati dorën dhe pas një hezitimi të shkurtër edhe ajo i zgjati atij dorën.

    “Dy minuta,” tha ajo. “Do të bëj një gjë së pari.» Ajo hyri në kuzhinë dhe nxori celularin. Kësaj radhe nuk i dridhej dora.

    I dashur John C, shkroi ajo. Më mirë një unazë në gisht se dy në telefon. Këtë duhet ta mësosh.

    E dërgoi në çast, fiku telefonin dhe e shtypi thellë në koshin e plehrave. Psherëtiu, hoqi këpucët, dhe hyri në dhomën e ndenjes me dy filxhanë çaji në dorë; Uruguai sapo kishte nxjerrë një penallti që do ta bënte Frankun të fluturonte nga divani dhe t’ i binte dyshemesë me këmbë nga gëzimi. Miranda u ul për të shikuar televizorin, i buzëqeshi të shoqit, duke u përpjekur të shpërfillte tingullin e largët, por kryeneç, që e kishte  thellë në kokë, zilen e një telefoni.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË