DEBATI
Kisha kohë pa e takuar atë njeri. E njihja si një ndër studiuesit më të mirë të historisë, sidomos të ndriçimit të fakteve të panjohura të saj, të cilat, për një arsye apo tjetër, kishin mbetur në hije. Pak a shumë isha dakord me mendimet e tij dhe shkrimet ia lexoja me interes kur i botonte në gazeta. Veçanërisht, kur e takoja, kisha dëshirë ta dëgjoja, sepse ai rrinte gjatë në bibliotekë, hulumtonte, madje edhe jashtë shtetit shkonte jo rrallë, për të rrëmuar në arkivat e huaja. Librin e fundit mbi disa vështrime për perandorinë osmane nuk ma kishte dhënë.
Ne u ulëm në një lokal buzë Lanës, i cili mbulohej nga shelgjet që kishin çelur në pranverë. Profesori pinte kafe me ujë të ftohtë, ndërsa unë porosita një birrë.
-Studimet e tua më pëlqejnë, -i thashë-, megjithëse të jem i sinqertë, kam lexuar vetëm shkrimet nëpër gazeta.
Ai rufiti kafen dhe heshti një hop. Flokët e bardhë iu tallazitën pakëz nga një erë e freskët që filloi. Vuri syzet më mirë në kurrizin e hundës së tij prej shqiponje dhe nxori nga çanta një bllok, pastaj e rifuti atë prapë në çantë dhe nxori pllakën e celularit, e pastroi xhamin e tij pakëz dhe e hapi. Ekrani u ndez.
-Kam menduar gjatë të bisedoj me një mik. Kam një sëkëlldi të madhe!
Në fjalët e tij vura re një dridhje ose më mirë kjo dridhje mund të kapej përmes një ndjesie të pakuptueshme. Sidoqoftë se ku do dilte tymi i këtij shqetësimi më duhej të prisja. Ai hapi krahët sikur donte ta përmblidhte shqetësimin e tij, të mos i largohej.
-Ti e njeh FK, -më tha.
-Po. Burrë i mirë, jo vetëm por edhe mjek i zoti.
-Në është mjek të rrijë mjek, -foli ai. Pse duhet të merret me studime historike?Unë jam njohësi më i mirë i studimeve për mesjetën.
-Këtë nuk e di, -thashë, -mundet. Unë jam një amator i histories vetëm se ajo më pëlqen…
-Ta them unë, dhe kjo është më se e vërtetë. FK më komenton në fb mbroçkulla. Ja për shembull, ai thotë se Skënderbeu është nga Sina e Dibrës. Kundërshton tezat e mia pa argumente. Dhe, do të thuash ti, merr pëlqimet më të shumta, dhe tërheq pas një ushtri të tërë mediokrësh. Duke i tërhequr ata, ai bëhet i besueshëm. Si të thuash, merr vlerat e një historiani. Këta që janë amatorë të studimeve kanë një këmbëngulje të madhe, ata bindin veten se janë shkencëtarët më të mëdhenj dhe harrojnë ne të vërtetit, që na ka rënë qafa mbi gjoks duke mbajtur me orë të tëra kryet ulur nëpër biblioteka, duke rrëmuar nëpër arkiva e duke gjetur dokumenta që të tjerët nuk i kanë parë as në ëndërr…
Historiani fliste me një dhimbje të lehtë, me një ndjenjë keqardhje të konsiderueshme, por ai po thoshte ato fakte që dihen dhe që nuk u shpëton dot.
-Megjithatë, -thashë unë, -janë disa gjëra të cilat duken si të padukshme, si të papërfillshme, por, në të vërtetë, për shkak të cilësisë, tharmit, mbeten të rezistueshme. Dhe këto janë veprat e mira, vlerat e vërteta.
-Ke të drejtë!-murmuriti ai…
-Bota e sotme është imazh. Jo gjithnjë imazhi e pasqyron thelbin. Njerëzit, jo të gjithë, janë si delet. Hyn një dele në lumë dhe të tjerat turren pas saj…
-Sërish ke të drejtë, -përforcoi ai.
Në tavolinë erdhi kamarieri dhe solli dy uiski.
-Po këto?-pyeti profesori.
-I keni nga Arjani…
-Ktheji mbrapsht, nuk pi!Ti do?
-Jo, -thashë.
Atë që quhej Arjan, profesori e sqaroi më vonë. Ishte një nga kalemxhinjtë, siç e quante ai, që donte të merrte doktoraturën. Ai kishte vjedhur pasazhe të tëra nga librat, i kishte montuar dhe kishte zhgarravitur një biçim teme, që ai nuk do t`ia miratonte kurrë. Dhe ky Arjani, si për kast, i qepej mbrapa, pa i rënë në sy dhe provonte ta qeraste, për ta marrë me të mirë.
-Harruam thelbin e bisedës, -foli profesori, -e kishim fjalën te FK. Edhe unë e kam mik, por …
Ai heshti një hop. Mos vallë shumë po hapej me mua?Mos nuk duhej ta niste atë bisedë?Nuk mund ta kuptoje mirë në atë rast. Ku e kishte prekur FK, për çfarë debatonin dhe a ishte i zoti FK, mjek, të futej në terrenin e tij?Doja t`i thosha këtë profesorit, por në përgjithësi nuk më pëlqejnë rrëmimet, ato gjithësesi tregojnë mungesë edukate dhe mbeten të pahijshme. Këto mëdyshje të mijat, të vogla, nuk do të ndërkëmbeheshin shumë, sepse profesori vijoi:
-Po më mirë të flasim me fakte. Ja çfarë i shkruaj. Ai e rindezi telefonin dhe filloi të tregojë mesazhet:
FK:I dashur profesor!Ju në një shkrim tuajin ngrini lart figurën e diktatorit, i cili ka qenë një kriminel. Ju nuk bëni mirë, i nderuar, sepse me këtë rast, e ulni reputacionin dhe atë emër të mirë që gëzoni.
Profesori:Unë nuk e prisja këtë gjuhë nga ty. Jam historian dhe si i tillë mbështetem në fakte, dokumenta, që për mua kanë rëndësi të dorës së parë. Nëse do të dalin dokumente të reja, unë do pajtohesha me ty.
FK:Çfarë dokumentash doni profesor?Një Shqipëri e varfër si trashëgim, e izoluar, njerëz të futur nëpër burgje, të internuar, të pushkatuar…
Profesori:Unë nuk bëj analizë sistemesh. Çdo sistem ka elementët e zhvillimit dhe të frenimit. Po e përsëris:Jam historian dhe mbështetem mbi fakte, të cilat zbulohen nga dokumentat. Por, meqë ra fjala, te sistemi, dua të bëj një pyetje:Cili sistem të bëri mjek ty, të çoi për specializim në Francë?
FK:Pse pashë botë me sy, që atëherë fillova të ndryshoj.
Profesori:Gjepura!…Të ndryshosh tani është shumë lehtë, por kjo mbetet e pabesueshme.
Kjo fjalë(gjepura), FK nuk i kishte tingëlluar mirë. Ai më poshtë e kishte ulur nivelin e komunikimit të fjalëve duke u dhënë atyre një përdorim paksa banal, me një regjistër ku shpesh ligjërimi ndërpritej dhe fjalët kërcisnin në thyerje sintaksore.
I lexova shkarazi. Nuk doja të lexoja më. Ç`vlerë kishte?Debat i njohur që, sa herë ndodhte, e shmangja duke imponuar një temë tjetër.
-Nuk ke qejf të lexosh më?-tha profesori. -Ndihesh i lodhur?
-Paksa, -thashë. -Profesor, ai është miku im, miku yt…
-Parimisht po!Veçse, nëse unë do të hiqja dorë nga e vërteta, nuk do të isha ky që jam.
-Profesor, -ndërhyra, -e vërteta, thotë një proverb, rri gjithnjë në fund të pusit…
-Edhe nëse nuk e kam arritur, i jam afruar asaj me ndershmëri…. -vijoi ai.
“Pra, ky po shkoka drejt fundit të pusit, për t`u mbytur në marrëzinë e tij”, ndërmenda, por nuk ia thashë me zë. Nuk doja ta fyeja. Ç`nevojë kisha?
Sesi m`u ringjall një dëshirë e beftë për t`i lexuar ato çfarë ishin shkruar. Ndoshta ai do të kënaqej ose do shkonte drejt bindjes se unë do ta shfajësoja në lidhje me këtë debat pa bereqet. Dhe lexova:”FK, megjithëse ju jeni një mjek i talentuar, i keni shpëtuar jetën gruas sime, në fushën e historisë mbeteni një nxënësi im dhe në provim do t`u kisha vënë katër”.
E lëshova me kujdes celularin mbi tavolinë, me kujdesin se mos thyhej. Duart më dridheshin lehtë dhe ndjeva një pezmatim, të cilin ma shkaktuan ato fjalë, sikur të me qenë drejtuar mua.
-Profesor, -i thashë, -është e vërtetë që ai u ka shpëtuar gruan?
-Po, po, por kjo nuk ka rëndësi para së vërtetës shkencore.
-Po e vërteta shkencore nuk është absolute. Nga se vuante gruaja jua?
-Nga zemra. Shumë mjekë nuk i dhanë shpresë. Është e vërtetë, ai e shpëtoi…
-Profesor, këtu mbaron debati, -thashë. -Ti nuk ke asnjë të drejtë.
Ai më pa i habitur…
AUTOIRONI
Dola në qendër të qytetit të takoj Fredin. Atij i kisha redaktuar një libër me një parathënie shoqëruese. Libri i tij, një monografi për një krahinë të largët, më pëlqeu. U ulëm në lokal dhe vura re se Fredi mbante të mbështjellë me një letër të bardhë librin e ri. E vuri mbi tavolinë, pastaj hodhi vështrimin nga lokali, kamarieri nuk po vinte. Atëherë u ngrit vetë dhe erdhi pas pak duke murmuritur:
-Ta hajë dreqi!Kamarieri merrej me celularin, ulur diku, na shihte ne, shihte celularin dhe nuk vendoste të vinte. I fola.
-Ikim, -thashë.
-Tani presim!
Erdhi kamarieri, një djalë i zeshkët me një mjekër të mprehtë mbuluar me qime të zeza.
-Çfarë do merrni!-tha i zemëruar. Kjo u ndie në tonin e zërit të tij.
-Çaj!-thashë. Dy çaj…
Ndërsa po pinim çajin, erdhi pranë nesh studiesi ST;e njihja prej kohësh, shkruante monografi, studime dhe artikuj. Dy libra ia kisha lexuar dhe më kishin pëlqyer. Ishte pasionant dhe me sa e kuptoja unë nga leximi i librave të tij, ngulmues. Ai bëri të ulej në tavolinën anash, por e ftova. U ul duke psherëtirë.
-Mirëdita sot, pranverë e vërtetë, -tha.
-Që në mëngjes vapë, -plotësova.
Ishin fjalë sa për të nisur bisedën. Studiuesi ST, vuri në një karrige bosh çantën e tij të zezë dhe psherëtiu sërish, nuk ishte kjo psherëtime një efekt pranveror, s`dihej se çfarë e mundonte. Si zakonisht me njerëz të tillë biseda nis për fushën e tyre, për punimet shkencore, literaturën, të rejat nga botimet dhe, siç e kam zakon, nuk flas kurrë për gjëra që nuk i di ose i di përgjysmë. Sa po bëhesha gati të flisja për një studim të ST, që e kisha lexuar kohët e fundit, studiuesi ST e mori fjalën:
-Ju nuk jeni ftuar?
-Ku?
-Te Muzeu Kombëtar. M`u vardis DGJ, i cili ka ardhë nga Italia. Ka shkruar një libër rreth pesëqind faqe. M`u lut të diskutoja, po çfarë të diskutosh?Përralla!Ky njeri ka shkruar për të gjithë fiset e fshatit, krahinës, çfarë mban mend ai, nuk ka lënë njeri pa përmendur…
-Mirë ka bërë!-thashë, -në fund të fundit kjo është memorje.
Atij nuk i erdhi mirë që unë i thashë kështu. E pashë sesi i lëvizi një muskul i vogël në faqe, por nuk e dha veten, u vetëpërmbajt. Aty për aty u ndërmenda se ai kishte të drejtë. Këto botime dihet se çfarë brumi kanë. Sot, epidemia e fjalës së harxhuar pa kriter është e madhe. Shkruajnë për fiset, për njerëzit, për gjysh- stërgjyshërit, monografi, kujtime, autobiografi, dhe libra të tillë paraqiten para një publiku të madh. Dhe natyrisht me një kokteil të bollshëm. Dikur kisha menduar se libra të tillë duhen, se janë një dëshmi, por sot ky mendim më ka ikur. E përse duhen?Çdo njeri në këtë tokë e ka një histori, por a ia vlen ajo të bëhet e tjerit, a krijon një ngjashmëri, a ka një thelb filozofik dhe, nëse ka, sa rrezaton ky thelb në të ardhmen?
Studiuesi ST, si t`i kishte kuptuar mendimet e mia, foli:
-Mbrëmë gjithë natën e lexova, kuptohet, nëpër të. Është një kronologji bajate, pa strukturë, një shkrim i thatë, pa asgjë interesante. Nuk desha të shkoj, por bashkë kemi punuar në një gazetë lokale dikur, është, si të thuash, një miqësi e vjetër…Nganjëherë shkohet për kortezi.
-Por ti mund të mos flasësh, -thashë.
-Më ka zënë rrasa bishtin. -Po nuk fola unë, kush do flasë?E ke vënë re, miku im, besoj edhe në raste të tjera, të gjithë flasin pa lexuar librin. Është bërë modë kjo. Ka njerëz frazistë sa të duash, ata kanë një aftësi të çuditshme për të mbushur sallën me fjalë, lavdërime e kujtime, sa të ngjan se të hedhin fije kashte te këmbët. Madje e fillojnë diskutimin kështu:”Megjithëse s`e kam lexuar librin, po them nja dy fjalë”. Besoj jam i vetmi që e kam lexuar atë libër….
Fredi, që deri atëherë kishte heshtur, nxori stilolapsin nga xhepi dhe i shkroi një dedikim, duke ia dhuruar librin studiuesit. Fredi ishte studiues i ri, por mjaft i zoti.
-Ti shkruan mirë, -tha ST, -nuk dua të bëj elozhe, unë s`di të të bëj qejfin kot…
Fredi u skuq pakëz dhe nuk tha gjë. Pas një heshtjeje të natyrshme, ST vijoi:
-Kurse ai DGj e ka katranosur fare.
Pas pak, ai u ngrit. Mori çantën dhe tha:
-Erdhi ora, më duhet të shkoj, ju do të vini?
-Jo, -thashë unë, -ne nuk kemi ftesë.
Pasi pagova, i thashë Fredit se duhej të shkonim atje. Fundja, promovim ishte. Nuk ishte keq të dëgjonim ndonjë një orë. Një veprimtari, sido që të jetë, shpërfaq diçka, një vlerë, sado e vogël. Fredi nuk deshi, por unë ngulmova. Ai pranoi.
Salla ishte mbushur plot. Në tribunë, panel siç i thonë, rrinte autori, një përfqësues i pushtetit lokal, ST, moderatori. Të gjitha diskutimet ishin njësoj. Fillonin me jetën e autorit, me atë çfarë kishte shkruar(asgjë për strukturën e librit, idetë, gjuhën, stilin)dhe përfundonin me lavdërime dhe madje me propozime të tilla:I propozojmë bashkisë që autorit t`i jepet certifikata e qytetarit të nderit.
ST kishte pasur të drejtë. Gjithë kjo autoironi që zdërhallet brenda një vetkuptimi të sinqertë, që nuk është e tillë. Me siguri ai do të përmbysë diçka ose do ta shuajë pak atë zjarr pasioni të lig. Njerëzit duhet të jenë më në këmbë në tokë, më të arsyeshëm. Dhe nuk vonoi, ST u ngri, shkoi në katedrën e foltores dhe ia nisi:
-Libri që po promovojmë sot, është një nga librat e rrallë që kam lexuar. Të them të vërtetën, për DGJ, të cilin e njoh, kemi punuar bashkë, nuk e kisha këtë pritshmëri, por njeriu evoluon. Që kur ka shkuar në emigracion, s`jemi takuar. Ky libër pasyron një pjesë të rëndësishme të historisë kombëtare. Krahina e tij ka qenë një bastion i fuqishëm kundër hordhive të huaja. Libri ka informacion të bollshëm, portete njerëzish të gdhendur me mjeshtëri, gjuhë të pasur dhe ide të thellë. Pa frikë mund të them se DGJ është njeriu-institucion.
ST e ndërprenë disa herë me duartrokitje, ndërsa unë i thashë Fredit se duhej të dilnim dhe ashtu bëmë. Seç kisha një ndjesi të zënies së frymëmarrjes dhe një therje të lehtë në gjoks.
KEQKUPTIMI
E shoh vazhdimisht në lokalin e lagjes dhe më përshëndet, po ashtu edhe unë. Nga pamja, me trupin dërdëng, kokën e madhe dhe hapin e shtrirë, duket se i ka punët mirë, këtë ta jep edhe ngeja që e pushton teksa rri me orë të tëra dhe thërret në tavolinë njerëz që nuk i njoh, disa po, me të cilët bisedon dhe flet me zë të lartë.
Sa herë e takoj apo shkëmbehem me të, më thotë;mirëmbrëma apo mirëmëngjes profesor. Në të vërtetë s`dua të më thërrasin me këtë titull i cili është konsumuar, aq sa po e humbet rëndësinë e tij, sipas përshtypjesjelljes që më sjell ky përdorim i shpeshtë vend e pa vend. Dhe unë ia kthej përshtëndetjen:mirëmbrëma Mark, si po ia kalon?Ai ma kthen me zërin e tij buçitës:Ekstra fare. Këtë fjalë e kam kuptuar në këtë kontekst, si jashtë problemeve të zakonshme që kanë njerëzit, anash tyre, duke i vëzhguar me sigurinë e njeriut që i ka punët në rregull. Përshëndetemi po kurrë nuk jam ulur me Markun, as më ka ftuar ndonjëherë, as dua të më ftojë. Dhe ai e kupton këtë, unë po ashtu. Megjithatë seç kam një dëshirë t`i flas, sepse e kuptoj se ai ka një nderim për mua, një nderim që s`di si ta shpjegj, po kjo më jep një engledisje të mikluar, një farë përkëdhelje të fshehtë në sedër. Janë gjithnjë ca njerëz që duam t`i afrojmë duke i mbajtur larg dhe kjo mbetet e pakuptueshme dhe as nuk dimë ta shpjegojmë pse. Atyre u është fiksuar se ne jemi ata çfarë mendojnë ata dhe ne i kuptojmë të tjerët çfarë mendojmë për ta. Dhe ja një mbrëmje maji, kur blirët vërshonin një aromë në trotuar, Marku më thirri:
-Profesor a ke kohë të pish diçka?
-Jo Mark, unë kurrë nuk pi në mbrëmje..
Po Marku u ngrit nga tavolina, duke tërhequr hapat rëndë-rëndë, dhe më futi krahun.
-Ti, -tha ai, -pi çfarë të duash?
Ishte herë e parë që më ftonte në tavolinë. Njerëz nuk kishte përreth dhe, siç dukej, i ndodhur vetëm, ai e donte një njeri si shoqërues. Nga kjo më erdhi pakëz inat, por nuk mund të tregohesha i pasjellshëm. Zakonisht mbrëmjeve dal dhe shëtis në rrugët e lagjes, vetëm, krejt vetëm. Nuk më pëlqen të ulem me njerëz që pinë dhe rrinë pranë gotës së rakisë si të kapur në pëshpëritjen e një rituali. Kjo është natyra ime prej profesori, siç do të mendonte Marku. Por jo, nuk është kjo. I tillë jam, të ndenjurin me njerëz e kam dëshirë, por nuk mund të rri me këdo, dhe kjo, më tepër se nga mendimi, vjen nga një dëshirë instiktive.
-Profesor, -tha Marku, -çkemi? Çthotë universiteti?…
-Mirë, -thashë, -çfarë mund të kemi, të zakonshme Mark…
-Ju profesorët keni punë të vështirë, por fisnike…
Shumë njerëz kanë një mendim tepër pozitiv për punëtorët e arsimit, ose neglizhues. Nuk më pëlqen asnjë nga këto dy qëndrime. Sidomos ata të mendimit nënvlerësues, të cilët thonë se arsimtarët nuk janë shumë mendjekthjellët. Dhe kush e thotë, ata që kurrë nuk kanë lexuar një libër. Në përgjithësi, për njerëzit e librit të dijes, ekziston koncepti i hutaqit, harresëtarit dhe kjo është kuptueshme, sepse ai që provon të dijë, të zhytet në të, nuk mund të sëkëlldiset me gjëra aq të thjeshta praktike, që merret një që nuk di.
Marku foli:
-E di pse të thirra profesor?
-Nga ta di?-thashë.
-Unë kam një hall.
-Fol!
-Një nipi im është në universitet. Ai ka mbetur në dy lëndë. A mund ta ndihmosh të kalojë…
-Mark, -thashë, -në cilin universitet është?
-Në Universitetin Bujqësor…
-Por unë nuk punoj në universitet. Unë jam mësues gjimnazi, -i sqarova.
Pashë se Marku uli kokën. Ai mbase nuk e kishte pritur këtë…
-Po kë mund të gjejmë ndonjë profesor nga universiteti, që mund të na ndihmojë?…
-Nuk njoh asnjë, -thashë.
-Asnjë, asnjë?…
Ai sërish ishte këmbëngulës. Çuditërisht!Por, edhe unë, i mësuar të them atë që është, nuk dua të përfitoj nga momenti, përveç ndonjë gotë rakie sa për mirësjellje, për të mos e fyer ftuesin. Erdhi kamarieri:
-Më falni, -tha, -u vonova, çfarë do të merrni?
Unë heshta, fjalën e kishte Marku.
-Asgjë, -tha, -jo, jo nuk duam gjë!…