More
    KreuLetërsiBibliotekëTre skica nga Doruntinë Ramadani

    Tre skica nga Doruntinë Ramadani

    Monolog me pasqyrën që e theva vetë

    Epo, po, ja tek jemi..unë, një pasqyrë e thyer, pika gjaku gjithandej, duart të thata e të vrara.

    Nuk jam hiq më pak se ç’meritoj, madje meritoj më keq se kaq. Nuk meritoj të ushqehem këtu ku jam me taksat e një shoqerie të ndershme e të dashur, as atyre që protestojnë atje jashtë kundër meje.

    Jam mëkatar po aq sa jeta, jam kaq i padrejtë me të gjithë, fillimisht me veten, me një vogëlush që u mësua akoma pa i bërë një vjet të ec, jam i padrejtë me atë nxënësin që mësonte përsmendësh në shkollë poezitë e Fishtës e Asdrenit, me atë djalin e ri që krenohej me sakrificën e familjes Jashari. Po, jam ai fëmija i mbarë që u bë përbindësh për pak kohë. PSE?

    Jam rritur pa dashuri, mes dhunës dhe frikës, dhe sot jam më i dhunshëm se vetë dhuna, jam më frikësues se djalli, kam dy duar që nuk kanë takat, shkatërroj gjithçka para meje; vras, rrah, çfarë nuk bëj unë me tërë agresivitetin që kam brenda…

    Jam kështu si jam, zot shtëpie kudo që hedh hap, sepse nuk kam pasur kurrë një shtëpi timen; sepse askush nuk doli të më ndaloj vërtet. Madje, edhe këtu ku jam, ndihem i tillë, nuk është që po vi për herë të parë, prandaj me të ardh e theva pasqyrën dhe qava dorën, dhe aspak aroma e gjakut nuk po më pengon, as këta gjymtyrë të mitë të mavijosur…. a e di pse?

    Sepse, e kam rrahur dhe torturuar një njeri të njomë deri në vdekje dhe pa pikë dhimbje e kam çuar 24 orë pasi ka dhënë shpirt në spital. 

    Kaq i keq jam.

    Kam thyer, kaq e kaq zemra, për shumë nëna jam ankth, jam terri i natës në një kohë dhjetori të ftohtë…

    Si nuk doli bre dikush të më ndalojë me kohë?

    Nuk e di kur do të dal, apo si do të dal, por sido që të vejë puna kam disa falenderime:

    Faleminderit familjes sime që nuk panë kurrë të mirë diçka te une, dhe mora tepozjën, faleminderit shokëve të mi që qeshnin teksa rrihja të vegjlit e lagjes, vetëm të tregoja të fortin para të dobëve. Këta shokë sot janë mësues, ekonomistë, madje njëri i lagjes posht është i biri i prokurorit në njërën nga veprat penale të miat.

    Faleminderit policëve që jo rrallëherë kanë mbyllur sytë karshi sjelljeve të mia, faleminderit edhe drejtorëve të burgjeve që më lironin para kohe, nuk kanë qenë pak, për dy e kam fjalën.

    …dhe po, kam edhe kërkimfalje, por duke qenë se më mungon njerëzia askush nuk do të më besojë, andaj mos më falni më, sepse duke me falur arrita të vras dhe të ikë pa kthyer kokën mbas.

    Faleminderit që më dhatë jetë, faleminderit që po ma merrni.

    Me shumë respekt, djali juaj i llastuar, adoleshenti arrogant, problematik, burri dhe babai i dhunshëm me dorë krimineli.

    Shënim: Gjatë vitit 2021 një vrasje e një vajze 18 vjeçare në Ferizaj tronditi Kosovën, e cila dyshohet se u vra barbarisht nga i dashuri i saj.

    Nga frika jote u bëra njeri

    Nanë…

    Me netë s‘kam fjetur nga frika se do t‘i harroj sytë e ty, e zërin tënd. Megjithatë, një natë më zuri gjumi e më nuk më tingëllon zëri yt.

    Nanë…

    Më ka djegur lëkura nga dhimbja, më janë larë e më janë tharë sytë, s‘kam dashur t‘i ndalojë lotët se kisha frikë se venitej dhimbja për ty, por ata u ndalen një ditë, e unë sot më shumë ndjej krenari se mall.

    Nanë…

    Jeta s’na ka dashur as mua as ty! Megjthatë unë i falenderohem asaj nganjëherë, jo për gjë tjetër por ngaqë jam mësuar të jetoj pa ty, e harroj t’i hakmerrem ndonjë ditë si kjo, kur më bie lapsi në dorë dhe e modernizoj dhimbjen duke e hedhur në fletë.

    Nanë…

    Ka kaluar kaq kohë e gjatë, kanë ndodhur kaq e kaq gjëra pa ty. Shpesh, dua të mendoj si do të ishin me ty, por ta hajë dreqi nanë, s’ia dal dot. A munden vallë gjithë këto vite të përbihen brenda natës?

    Nanë…

    Ahh nanë, sa bukur duket kur të drejtohem kështu, imagjino si do të përgjigjeshe ti, do kërceja nga gëzimi unë, e shfrenuar dhe e lumtur deri në asht. S’e di, kam frikë edhe ta mendoj.

    Nanë…

    Akoma më dridhen gjunjt kur e mendoj si ike, se ajo ikje më ka bërë njeri. Nga frika se do të rritem pa ty, i jam kapur vuajtjes pas dhe asnjë ditë s’e kam lëshuar. Druhesha se po u shkëputa nga ajo të harroj ty.

    Nanë…

    E sheh sa vështirë është një jetë pa ty, një jetë kur shkëputesh nga trupi, e bredh venave pa gjak, pa ajër, e përplasesh mes dallgësh pa ditur not. Ah nanë, mjerë ti e mjerë unë; mjerë ti që braktise ëndrrat e tua, e mjerë unë që po jetoj ato pa bekimin tënd.

    Unë dhe valixhja ime e rëndë!

    Ne po ikim dalëngadalë, po i mbledhim plaçkat dhe po nisemi me zemrën bosh e sytë lotë!

    Po iki edhe unë, ashtu siç kishte ikur edhe babai im, me zemrën copë-copë, dhe pa pikë krenarie kishte marrë plot herë një rrugë që secilën herë që ai udhëtonte unë e mallkoja! Sot, unë po nisem rrugës së tij, por mua vallë kush do të më mallkojë?

    Po iki edhe unë, ashtu siç kishte ikur edhe i dashuri im, rrugëve të zymëta pa jetë, i lodhur, e i shkatërruar! Kur kishte ikur ai, një copë zemre ma kishte marrë, një ma kishte lënë, prandaj unë sorokatesha lartë e poshtë deri sa paketova valigjen, dhe u nisa drejt tij.

    Po iki edhe unë, me një diplomë në valixhe, me dy-tri kurse gjuhësh, me një CV të pasur, dhe po i shkrijë të gjitha në një fjalë të vetme „emigrante“.  

    Po iki me një fotografi të nënës sime, miratimin e së cilës nuk besoj që do ta kisha për ta braktisur, megjithatë unë kam vendosur dhe po largohem! 

    Po iki, me kokën poshtë që po lë këtu pjesë të shpirtit, për të cilët çdo ditë do të më marr malli! Po largohem për t‘u rritur, e them kështu sepse njeriu del nga shtëpia vetëm kur e ndjen se mund t‘ia del mbanë vetë, dhe unë për ta ngushëlluar qenien time nuk po e them se po iki për një jetë më të mirë!

    Dreqi ta hajë, po iki pak për hatër e pak për qejf! Më falni për të dyja, por kam udhëtuar mjaft rrugëve pa jetë, dhe egoja ime po kërkon diçka tjetër, dhe unë po i dorëzohem prapë erës.!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË