More
    KreuLetërsiBibliotekëTone Pavček: Takimi me Brodskin në Leningrad

    Tone Pavček: Takimi me Brodskin në Leningrad

    Përktheu: Bujar Hudhri

    Takimi ynë në dimrin rus të vitit të largët 1963 edhe sot më duket i pabesueshëm si atëherë. Megjithëse nuk ishte aspak i rastësishëm. I pabesueshëm po ashtu edhe çmimi që ia akorduan akademikët suedezë, por që nuk ishte i rastësishëm. Ky takim me Brodskin apo, si i thërrisnin atëherë, Josif Aleksandroviç Brodski, më kujton një rast absurd me një fund të lumtur, kurse ai vetë – si vjershëtor që ia doli t’i mbetej besnik zgjedhjes së tij poetike.

    Atë kohë nuk dija asgjë për të. Vitet e shkrirjes dhe periudha e shkurtër hrushoviane e demaskimit të kultit të individit nxori në orbitën e poezisë ruse Vosnjesenskin, Jevtushenkon, Rozhdestvenskin; ata mbushën plotësisht revistat, librat, mbrëmjet letrare, takimet poetike,  ata u pranuan me bujë, me ngazëllim dhe entuziazëm shpërblyes, por jo më pak i sigurt ishte edhe marshimi i tyre meridianëve të gjerë të vendit dhe botës. Nën hijen e tyre mbeti poezia shumë më e thellë dhe serioze e brezit të vjetër, qofshin këta Martinov, Sllucki, Samojllov; madje zërat kryesorë të poezisë ruse të atij shekulli dëgjoheshin më shumë në korridoret sesa në polifoninë publike. Aq më tepër, vitet e para të gjashtëdhjeta, ishte koha kur Moska (sipas fjalëve të Ahmatovës) ishte e mbushur me kopje të vjershave të Osip Mandelshtamit, kur Ahmatova kishte mbaruar “Poemën pa hero”, kur “u erdhi radha” vjershave të Marina Cvetajevës dhe e pranishme ishte ende ndjesia e humbjes së madhe, e shkaktuar nga vdekja e Nikollaj Zaballockit dhe Boris Pasternakut (vitet 1958 dhe 1960, përkatësisht). Të gjithë këta poetë, sipas një rregulli ende në fuqi të shoqërisë sovjetike, nuk mund t’i kërkoje në librari, kurse disa edhe nëpër biblioteka. Mandelshtami doli vetëm në vitin 1973, përmbledhja jo e plotë pas vdekjes e Cvetajevës më 1961, lirikat e Pasternakut, Cvetajevës dhe Ahmatovës edhe sot lexuesi rus nuk i gjen plotësisht. (Në dyvëllimëshin e fundit të Ahmatovës, të shtypur nga “Inostrannaja literatura”, mungojnë vargje nga cikli “Requiem”, kurse nga Pasternaku nuk janë botuar të gjitha poezitë që janë përfshirë te romani “Doktor Zhivago”.) Kujtoj atë kohë bisedash shpirtërore, pritshmërive të mëdha të inteligjencies dhe njerëzve të artit, kohën e fenomeneve shënjuese shumëpremtuese, si për shembull, Teatrin në Taganka të Ljubimovit, teatri “Bashkëkohësi” në Moskë në sheshin “Majakovski”, i famshmi “Një ditë e Ivan Denisoviçit” të Sollzhenjicinit në revistën “Novij Mir”, skulptori Ernst Josifoviç Njeizvestnij dhe ekspozita e bujshme në Manezh, të cilën e shpërndau Hrushovi, duke i mbyllur dyert perestrojkës në kulturë atëbotë, duke sakrifikuar kulturën për hir të mbështetjes dhe forcimit të pozitave të tij në sferat e larta të politikës. Në këmbim erdhi amullia e periudhës brezhnjeviane dhe një pritje e re e kohëve më të mira.

    Atëherë, në agim të viteve gjashtëdhjetë, dukej që këto perspektiva ishin reale dhe po përgatitej një e ardhme e mrekullueshme. Hovi i ri i kulturës zyrtare, po ashtu dashuria e pakufishme për çdo gjë që kishte qenë fshehur, ndaluar, e pamundur, e cila prej ligësisë apo verbërisë ideologjike ishte shkëputur nga lirika ruse, arti rus, duke krijuar një atmosferë freskie, frymëmarrjeje të lehtë, i pajisën krijuesit me një forcë jetëdhënëse. Për fat të keq, sikur e përmenda, shumë iluzione qenë të destinuara të treteshin sa hap e mbyll sytë. Veçse që atëherë ndiheshin në ajër paralajmërues të njëlloj shqetësimi, por cilët ishin ata, nëse je i huaj, nuk e kupton dot.

    Përmes këtyre peripecive, shpresave, jetës së përditshme, u zhvillua edhe takimi im me Josif Brodskin. Miqtë e mi në Moskë ma sollën në vëmendje. Atëbotë po përgatisja antologjinë e poezisë ruse të shekullit XX dhe fillimisht dëshiroja të përfshija në të sa më shumë poetë, kryesisht bashkëkohorët. Në përfundim, ky libër doli krejt tjetër: në antologjinë “Zërat e kohës” janë gjithsej dhjetë emra të shquar të poezisë ruse të kohës sonë, nga Anneski deri te Zabollocki, një përmbledhje më  përfaqësuese të lirikës ruse shpresoj ta botoj, mbase, në fund të këtij dhjetëvjeçari (Tone Pavcek vdiq më 2011). Në Moskë miqtë më organizuan një takim me Ana Ahmatovën. Nga ajo mbrëmje që kaluam tek ajo më kujtohen shumë emra shkrimtarësh e shumë fate tragjike dhe natyrisht, më kujtohen të rinjtë, të cilët mundën të bëheshin pasues të traditës së lavdishme poetike leningradase. Midis tyre, Aleksandër Kushner dhe Josif Brodski, më rekomanduan gjithashtu Gleba Gorboskin dhe Viktor Sosjurin. Që në atë kohë të gjithë kishin botuar përmbledhje… të gjithë, përveç Brodskit, i cili ishte më i riu ndër ta (ai kishte lindur më 1940).

    Kështu, në fund të shkurtit 1963 u nisa nga Moska për në Leningrad. Udhëtimin dhe qëndrimin atje, si bursist i Republikës Sllovene, e organizonte Bashkimi i Shkrimtarëve Sovjetikë, kurse në Leningrad isha mysafir i Organizatës së Shkrimtarëve. Më pritën përzemërsisht, të flas të vërtetën – me disa nga anëtarët e udhëheqjes isha njohur më parë – dhe gjithë gëzim më dolën përpara, më këshilluan se çfarë të shikoja, të vizitoja, u interesuan se ç’dëshira kisha. Isha i ri, moskokëçarës, ndaj pa e vrarë mendjen ia plasa:

    -Dua të takohem me poetin Josif Brodski!

    Veç kur filloi rrëmuja, shtangia nga habia, hatërmbetja, zunë të shikonin njëri-tjetrin dhe u kapa disa shikime therëse drejt meje; e ku është parë kjo, ne të pritëm me zemër,  mirë e bukur, si një mysafir, kurse ti neve me këpucë kokës. Afërsisht kështu doli, derisa një nga pesëmbëdhjetë bashkëbiseduesit deklaroi se Brodski nuk është anëtar Lidhjes së Shkrimtarëve të degës së Leningradit. E çë pastaj, i them, kam dëgjuar që ai është një poet i mirë dhe do të doja të njihesha me të dhe ta përfshija në antologjinë e poezisë ruse që po përgatis. Veç kur ia nisën! Ngado dëgjoheshin pyetje dhe vërejtje: nga e njeh atë? Po kush ta ka rekomanduar? Pse do të takohesh pikërisht me të? Përveç kësaj, ai nuk është poet, deklaroi dikush prerazi, s’është veçse një përkthyes, dhe të gjithë sapo thoshin në kor, se as që e njihnin. E kuptova se duhej të shpëtoja prej lakut të tyre, ku rashë krejt padashur, sepse për të tilla gjëra nuk mund të flitej në pritjet zyrtare me nëpunës të plotfuqishëm dhe fillova të përshëndetesha, duke premtuar se do të vija përsëri të nesërmen. Por nuk mbaroi me kaq. Ata digjeshin nga kureshtja se nga e njihja, prandaj më duhej që të veçoja fraza të përgjithshme për miqtë e mi, njëkohësisht duke demonstruar interes për poetët e rinj leningradas. Ia dola pak a shumë të tërhiqesha mbrapsht dhe të kthehesha pas pak kohe në hotel.

    Këtu më priste edhe një surprizë tjetër. Ime shoqe më tha se  kishte telefonuar Brodski dhe do të më merrte sërish. Mrekulli! Domethënë, dikush ia kishte bërë me dije që e kisha kërkuar dhe që kisha bujtur në këtë hotel. Bukur! Të presim se kur do të telefonojë përsëri. Dhe vërtet, pas njëfarë kohe ra përsëri telefoni.

     Zëri në skajin e kundërt të linjës u vetëparaqit si Aleksandër Brodski, babai i Josif Brodskit dhe si kritik letrar që ishte, e dinte fare mirë se çfarë nuk është dhe çfarë është e përshtatshme për një libër dhe antologji. Me një fjalë, telefonuesi po më mbushte mendjen se, si njohës i mirë i lirikës ruse, ai e shihte më qartë që vargjet e birit të tij nuk i shkojnë asnjë përmbledhjeje të lirikës ruse, cilado qoftë, dhe m’u përgjërua që ta lija të qetë. Tingëlloi aq besueshëm dhe njëkohësisht, disi e çuditshme: për çfarë arsyeje specialisti, babai, duhet të vendosë shkopinj në rrota kur bëhet fjalë për botimin e vjershave të të birit?

     Më vonë m’u qartësua gjithçka: fliste frika e tij, ai përbindësh që i dinte që më parë pasojat e botimit jashtë shtetit të qytetarit sovjetik.

    Sidoqoftë, pa marrë parasysh asgjë, u njohëm me Josifin. Ashtu sikundër më kishte premtuar, më telefonoi përsëri dhe u takuam te Muzeu Rus, jo larg hotelit tim dhe Nevskit.

    Nga ky takim më kanë mbetur në mendje dy momente. Habia e tij kur i fola për ndërhyrjen e të atit. Babai nuk është kritik letrar, më shpjegoi i përmbajtur dhe ftohtë, thjesht ka frikë për mua. Dhe e dyta: Brodski më dha një dosje të rëndë me letra, të mbështjellë me letër dhe gazetë.

    -Janë poezitë e tua?” – e pyeta.

    -Jo vetëm, edhe të dy miqve të mi.

     Pastaj nisi të fliste për vargjet e dy miqve të tij, për poezinë e Dmitri Bobishev dhe Evgenij Rejn. Të dy ishin më të rritur se ai, të dy kishin lindur në vitin 1936. Mbaj mend që Brodski tha se ishte turp që ata nuk i botonin.

    Për vete pothuaj nuk foli fare.

    I solla të pacenuara poezitë përmes kufirit dhe po atë vit Brodski kumboi në radion e Ljubljanës. Për më tepër, ishin përkthimet e para të poezisë së tij në Slloveni apo kudo tjetërkund në botë. Po atë vit Brodskin e inkriminuan si parazit, kurse poezitë e tij si “përzierje e dekadentizmit, pesimizmit, modernizmit dhe nxirosjes së realitetit”. Në shkurt 1964 ai u dënua me dëbim dhe pesë vjet punë korrektonjëse. Ndërkohë poezitë e tij filluan të qarkullonin kudo të përkthyera nëpër botë dhe në vitin 1965 doli në Nju-Jork përmbledhja e tij “Vjersha dhe poema”. Pastaj, si ia zbutën dënimin, në vitet 1966 dhe 1967 ai botoi vjersha në almanakun leningradas “Dita e poezisë”, kurse përmbledhja “Qëndrimi në shkretëtirë” u botua jashtë shtetit në vitin 1970. Pas dy vjetësh Brodski u detyrua të lërë Bashkimin Sovjetik.

    Në ato fletë të zverdhura prej kohës, që më dha Brodski në dimrin e vitit 1963 në Leningrad, janë mbi njëzet poezi. Të daktilografuara, me korrigjime, të nënshkruara “Josif Brodski”. Më vonë u botuan të gjitha në libra. Sa u përket vjershave të dy miqve të tij të asaj periudhe, në një almanak letrar samizdat “Metropol”, i cili dilte në Moskë, unë zbulova Evgenij Rejnin. Kurse më vonë në librat e Brodskit gjeta edhe vjershat “e mia” të Brodskit. E pabesueshme, por ata fletë i kam ende unë. Megjithatë, nuk i përktheva krejt rastësisht ato vjersha.

    Pas kaq vjetësh kam në duar përsëri fletë të vjetra letre dhe kujtoj poetin i cili, me magjinë e imagjinatës poetike dhe forcës gjithëpërshkuese të metaforës poetike, doli nga kufijtë e vlerësimit zero të qenies së tij në Bashkimin Sovjetik në vitet gjashtëdhjetë; kujtoj poetin i cili, si i marrë, i dehur nga rimat, ndoqi fatin e tij dhe sipas ligjeve të pashkruara të rregullit të përjashtimit u bë më i  famshëm  se gjigantët që ai adhuronte dhe që i imitonte – Mandelshtam, Cvetajeva, Ahmatova.

    Po flas këtu kryesisht për periudhën e parë, më saktë, për pesë vitet e para të krijimtarisë së tij. Ai filloi të shkruajë vjersha në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, kurse më të fundit prej atyre që më dha në Leningrad datonin vitin 1963. Në krahasim me librin e tij të parë, i cili doli nga shtëpia botuese “Çehov” në Nju-Jork në vitin 1970, “Qëndrimi në shkretëtirë”, ose me të dytin “Skaji i shekullit të mrekullueshëm” (1977, Miçigan), këto vjersha të hershme ende e kanë një lidhje më të ngushtë me botën reale, kurse do të shtoja që në një kuptim më përcaktues këto poezi janë të angazhuara. Këtu, para së gjithash, kam parasysh qëndrimin kritik ndaj shoqërisë, situatës, pafuqisë së individit, veçanërisht hebrenjve, në hapësirë dhe kohë, vjershat për anët e shëmtuara të jetës sovjetike dhe përsiatjet fyese për këtë vend të socializmit. Më vonë kanë shkruar, në veçanti, që Brodski është një poet të cilit nuk i interesojnë temat e përjetshme të qenies, kërkimet filozofiko-fetare, por edhe në atë periudhë të hershme ne shohim që për poetin nuk janë të huaja vuajtjet dhe dhimbjet dhe jo vetëm për të afërmit e tij në këtë tokë të vdekshme. Megjithatë, ai nuk e keqpërdor të angazhuarit në kuptimin e qërimit të llogarive, nuk gjen strehë te retorika apo antiretorika, sikundër e ka bërë shpesh poezia e socrealizmit; ai i qëndron larg edhe mendimit se plagët e botës janë të shërueshme, mjafton që poeti t’i tregojë ato; në të gjitha kohërat ai i mbetet besnik frymëzimit poetik, pavarësisht tërheqjes së detyruar në përplasjet e ashpra me realitetin e jetës së përditshme.

    Ndryshe nga poezia tjetër ruse, e lindur prej përjetimeve të fillimit të viteve gjashtëdhjetë, që i paguan asaj kohe një haraç më të madh, sesa Brodski, iu referohem edhe vargjeve “të mia” të Brodskit, të cilët shënojnë kalimin në një etapë tjetër të krijimtarisë së tij. Dhe e bëj këtë me vetëdije të plotë, duke pasur në duar argumente: pjesa më e madhe e vjershave, veçanërisht cikli i gjerë që Brodski e quante “Kodrat”, konsiderohet si një preambulë për përmbledhjen me të njëjtin titull që botoi në Nju-Jork. Ky cikël ngre të tjera tema: përjetësia, ligjet e universit, dhimbja që nuk kalon, kodrat – dhe së bashku me të këtu edhe jeta e përditshme e sendeve dhe e njerëzve. Cikli “Kodrat” mbart një karakter filozofik: vdekja është veçse fushë, kurse jeta: kodrat, lartësitë – dhe janë shkruar në mënyrën e Marina Cvetajevës, kompakte dhe e koncentruar, ndërkohë që vjershat e kapitullit së fundit të përmbledhjes “sime” janë shkruar me një stil më pak të lartë, me shumë përshkrime lëndore dhe përsëritje karakteristike nga rreshti në rreshtin e fjalës që rimon – në një ose disa poezi. E tillë është poezia për kalin e zi, “i cili kalorësin e kërkoi mes nesh”, dhe cikli i lirikës dashurore, të vetmisë sfilitëse midis gjërave që ka braktisur dashuria. Ja, të themi të vërtetën, kjo është e gjitha. Jo dhe aq pak. Dhe si fillim i shtegut poetik, është shumë, sepse ka nisur çerek shekulli më parë në Leningrad kur ishte veshur me dritën e jashtëzakonshme të shpërblimit në palcë të dimrit dhe tashmë po fillonte të akullonte shkrirjen kulturore po kaq e largët, si liria në kampet siberiane apo lumturia e njerëzimit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË