More
    KreuLetërsiBibliotekë"Tjetri", tregim nga Flurans Ilia

    “Tjetri”, tregim nga Flurans Ilia

    Në jetë të jetëve mbetem vëllai i dy motrave të mia më të rritura. Femrat më të bukura të qytetit tonë të vogëlith. Në qoftë se dashuria ime për këtë qytet duhet të ketë një imazh, atëherë ky imazh mbart veç fytyrat e tyre Rita dhe Zamira, dy yje që ndriçojnë përherë sa herë që në mbrëmje shëtisim shëtitores së vetme monotone të qendrës së qytezës tonë. Unë isha i vogël. Motrat e mia në lulëzim e sipër, më merrnin për dore saherë duhej të kërkonin leje nga babai për të dalë ditëve të verës. Ato ishin e gjithë dashuria ime për qytetin tonë që sapo filloja të eksploroja. Unë ngelesha alibia e tyre e pafajësisë në këtë qytet. Babi ndërsa më tërhiqte mënjanë për të më dhënë si zakonisht pesëlekëshin e akullores, më pëshpëriste: “Kujdes motrat. Sytë katër. Je bërë burrë tashti.” Po. Pohoja me kokë duke u munduar të shkëputem prej asaj arome barnash mjeksore që karakterizonte lëkurën e duarve të tim eti. Gishtat e tij të verdhë nga përpunimi i tetraciklinave. Gishtat e tij të verdhë si të kishin prekur push mimozash. Pastaj si rrasja pesëlekëshin e akullores në xhep lëshohesha në krahët e dashurisë së motrave të mia të bukura dhe të tre së bashku krejt të lumtur e të lirë lëshoheshim drejt shëtitores së qytetthit tonë. Nga pas na ndiqte shikimi vrojtues i babait. Shikim i thellë. Depërtues. Zhbirues. I ftohtë, përtej atyre syzeve të veta të holla skeletmetaltë që i jepnin një hije të rëndë, na vështronte prej së largu i heshtur babi. Sepse ishte dhe ngelet «njeri nobel» babai. Këtë e pohojnë të gjithë banorët e këtij qyteti. Kështu ka ngelur në kujtesën e të gjithëve që e kanë njohur. Mund të zgjedhësh edhe të përdorësh cilëndo fjalë për të karakterizuar një njeri. Por kur vjen puna te babi, fjala «nobel» ngelet më e përshtatshmja. Kjo ndoshta ngaqë pas kësaj fjale qëndron e lidhur përsosmëria gjer në art. Ose ndoshta ngaqë për mua ajo fjalë vazhdon ta ketë të lidhur spirancën në shpirtin tim pikërisht ngaqë babi kishte shumë libra. Kishim shumë libra në shtëpi, më shumë se të tjerët. Sa herë që babi vinte në kryeqytet do të kthehej prej andej me një turrë librash. Gjithmonë kërkonte dhe gjente libra, në një kohë kur jo çdo libër që kërkoje gjendej kollaj. Ishte kohë krize. Krizë librash. Babi ishte barnashitës. Si e pohonte vetë ai në antagonizëm me fjalën farmacist. Një burrë i sjellshëm. I pashëm. Serioz. Profesionalist. Burrë i ndriçuar ishte babai. Vdiq në të hyrë të marsit kur mimozat shpërthejnë papritur përmes brymës së pemëve. I urrej mimozat sepse janë lule budallaqe. Vijnë shumë shpejtë në lugun e stinës dhe si rrjedhojë po aq shpejtë ikin. I urrej mimozat. Ngaqë në kujtesën time tani, ditën e varrimit të babit, më kanë ngelur në mendje tufat dhe kurorat e mimozave mbi pllakën e mermertë dhe të ftohtë ku prehet babai.

    I mbështetur tek banaku i dyqanit të akulloreve, ca nga padurimi e ca nga të shtymat e fëmijëve të tjerë në rrëmujë e sipër, si për të kërkuar ndihmë i rrotullova sytë nga motra ime dhe me vështrim mu poshtë banakut të akulloreve ndesha kofshët gjysmë të zbuluara të Zamirës. Në mes të tyre dorën e fortë të Zanit posht fustanit të saj. Zani ishte shoku i ngushtë Zamirës. I isha betuar motrave se: “Gjallë në këtë botë nuk do i thosha asnjë fjalë babait”. U shtanga. U shtanga ngaqë gjithmonë kisha menduar se ata ishin vetëm shokë. Por jo. Jo. Ajo dorë e fortë. Mu atje poshtë banakut të dyqanit të akullores, mes kofshëve të motrës time, kishte një forcë tunduese që e bënte gjuhën të më ngjitej si mastiç plot nervozizëm pas kremës së bardhë të akullores. “Ku është Rita?” Ia trasha zërin gjithë inat Zamirën. “Ka vajtur gjer në bibliotekë për të kërkuar ca libra. Do vemi ta marrim tani së bashku, ja dy minuta shpirti motrës.” Tha,  edhe i shtrëngoi fshehtas në shenjë pasionesh të flakta gishtat Zanit. Zani nga ana e tij për të më bllokuar pamjen, ballas meje dhe motrës time, më fërkoi balluket me dorën e tij të djathtë ndërkohë që e majta e tij pas shpine fërkonte gishtat e Zamirës. U ndjeva si një qenush i bindur nga pesha e fatit. Ai vazhdonte njëtrajtësisht të më ledhatonte kokën. “Zagari!” Thashë me vete. “Kujton se jam budalla dhe nuk kam marrë vesh se ç’ngjet?!” Rrugës drejt bibliotekës në kërkim të Ritës, nuk munguan tekat dhe pickimet e mia që ia nxinë krahun Zamirës. Duroi motra ime dhe “plaff” ma pëlciti një shpullë mu në turi! Xixa më dolën nga sytë! U hakërreva por e kuptova që e kisha të kotë. Se ç’kishte një shpirt dominues Zamira. Tundonte dhe sundonte me mënyrën e saj të gjitha ndjenjat e mia. Urrejtje, xhelozi, dashuri, pasiguri, gjithçka. Akoma edhe më i pasigurt u ndjeva kur te biblioteka gjetëm Ritën me Nerin, shokun e saj për të cilin isha gjithashtu në dijeni por që u isha betuar motrave se: “Gjallë në këtë botë nuk do i thosha asnjë fjalë babait”. I kapëm në befasi duke u puthur në një nga sallat e boshatisura të leximit ndërsa ai zuzar i fërkonte gjokset motrës time. Edhe kujt pale? Ritës time si shpirt. Ai fragment ngelet shpulla e dytë që merrja brenda asaj dite. Dy shpulla flakëruese për një ditë të vetme ishin ca si shumë për një qytet me hapësirë aq të kufizuar.

    Nafija ishte pastruesja e shkallëve të pallatit tonë parafabrikat. Kishte një qerre me kalamaj dhe nuk i ngopte dot me bukë me atë palo rrogë të cfilitur që i jepte Komunalja. Për ta ndihmuar përgjatë orëve të pastrimit të shkallëve të panumërta të apartamenteve merrte vajzën e saj më të rritur në të njëjtën moshë si unë, Lela. Kur Lela na fshinte shkallët, një kat më sipër, unë nga poshtë shkallëve ia kisha parë kushedi se sa herë shalët. Pamja e tyre sa herë që mbyllesha në dhomë më bënte të shihja imazhe të bukura që ushqenin çdo ditë pubertetin. “Lela.” I them një ditë i vetëm në shtëpi. “Do vish të shohësh librat e mi?” Lela nguron dhe buzëqesh njëherazi. Lela qesh, dridhet ndërsa kapërcen pragun e shtëpisë. Lela sheh me ndrojtje dhe frikë ndërsa mundohem t’ia mbërthej shalkat e bukura si kofsha pule të shvoshkura nga puplat, të bëra mornica mornica nga dora ime, si dora e Zanit në kofshët e Zamirës. Lela prek me gishta që i dridhen nga emocioni kapakun e «Kësulëkuqes» ndërsa i ledhatoj gjokset, si dora e Nerit mbi cicat e Ritës. Lela shfleton «Kësulëkuqen» ndërsa përpiqem t’i heq rrobën e saj të basmës së Kombinatit, mbushur me toptha të verdhë mimozash, duke e bindur të qëndrojë e qetë poshtë fustankës që rrëzohet petale petale mbi dyshemenë e pllakave të freskëta. Pushi i butë i mimozave të thërmuara mbi pllakat e dhomës time, më ka ngelur ndër gishta duke më ushqyer edhe sot ndjesi të turbullta. Ky ka qenë kontakti im i parë. Nuk e kuptoj përse i urrej mimozat?

    Mbetem gjithmonë vëllai më i vogël i dy motrave të mia më të rritura, Rita dhe Zamira. Dy kurvave më të mëdhaja që ka parë në krejt historinë e vet qytetuci ynë i vocërr. Në qoftëse epshi i meshkujve të rëndomtë, si vetë ditët zvarranike të këtij qyteti duhet të ketë një imazh të asaj kohe, atëherë ky imazh mbart veç fytyrat e dy motrave të mia. Ato që dikur kishin qenë e gjithë dashuria ime për këtë qytet që sapo filloja të eksploroja, pas vdekjes së babit, ishte pothuajse e pamundur t’i bindje, t’i shtroje, t’i kontrolloje. Si rrjedhojë, dashuria ime e parë për qytetin tim të lindjes mund të përkufizohet edhe si urrejtja ime e përjetshme për qytetet e tjera ku do të jetoja më pas. Përmes ankthit dhe pasigurisë kërkoja më kot një alibi ku të justifikoja karshi atit të vdekur të gjitha veprimet e mia të mëtejshme si njeri imoral, kurvar i egër, i pacipë, elastik, strateg, zotërues, manipulues, shpirtrash e ndjenjash, epshor, agresiv, pushtetkërkues e pushtetmbajtës. Ndihesha mirë edhe pse përshkoja linjat shpirtërore të një njeriu krejt pa ndjenja, pothuajse me një shikim të ftohtë në këtë botë të cilën e shkelja me një kënaqësi vrastare, nën këpucët e mia të llustrafinta. Nuk merrja vesh nga më vinin të gjitha këto ndjesi ndërsa ngjisja një e nga një me mundim shkallët e karrierës sime të tanishme si avokat i proceseve më të mëdhaja politike në vend. Nuk kisha për ta kuptuar asnjëherë përse-në. Ngjitja ime në sferat e politikës ishte e beftë dhe spektakolare. Si femrat që kisha kaluar dhe kaloj ende nëpër duar. Përgjersa ndjenja për të shkërdhyer motrën apo gruan e cilitdo ishte shumë herë më e fortë brenda meje. Më e fortë se bota. Më e fortë se ekzistenca. Më e fortë se unë. Më e fortë se figura e atit. Më e fortë madje edhe se ato librat e tij të pafuqishëm për ta ndryshuar botën. Gjersa një ditë krejt rastësisht në një qoshk të humbur librash, u përplasa me shikimin e tij. Ai pi kafe të fortë. Pa sheqer. Ka vështrim zhbirues prej vrasësi. Ka sy të kaltër që ndryshojnë shpesh nën ndikimin e dritës. Mjekrën e ka të parruar. Pi cigare të panumërta. Dhe thonjtë kanë tendencë drejt zverdhjes si mimoza të kalbura. Ajo çka shfren prej gjoksi, tymi i cigares së vet, vjen në sytë e mi të mjegulluar si me qenë vetë dhimbja ime e panjohur për qytetin ku kam lindur. Ky është takimi im i parë me autorin. Një njeri i zhveshur nga çdo lloj tundimi dhe ambicje karshi botës që na rrethon. Pothuajse një njeri i tejdukshëm. Më saktë i padukshëm. Tym. Një tip i heshtur që zhbiron botën time ashtu si është, në heshtje. I vetmi që më sodit lakuriq. Veçori që askush nuk ka mundur ta bëjë më parë me mua. Ndihem mizerabël karshi atyre syve. Kjo më pëlqen në vazhdim. Veç t’i kesh ndeshur ato sy ndërsa rrëkëllen frazat e mia? Dy ullinj mbi një degë të paqtë? Nuk është e thjeshtë ta pohosh. Kush e njeh në brendësi forcën hipnotizuese të syve të gjarprit mbi një degë ulliri? Nuk kam pasur rast ta ndesh asnjëherë gjer në këtë çast fatlum a fatkeq këtë pamje lakuriqe e të përgjumtë hipnoze. Ky është njeriu përballë meje. Thotë se quhet F.I. Por ç’rëndësi ka emri? Megjithëse është zëri im ky që po ju flet. Autori i vërtetë i këtyre rreshtave që po ju rrëfej për veten time, ngelet ai. Dhe më duhet t’ju rrëfej edhe dy gjëra më tepër për të. F.I. është i ndershëm gjer në atë pikë sa nuk më lë asnjëherë të paguaj. Paguan gjithmonë ai. I hapët në ndershmërinë e tij të vobektë gjer në idiotësi. Thjesht një njeri i cili zor se mund të bëjë hajër në kryeqytet. “Shtrydhe jashtë vetes vetveten,” më thotë, teksa çliron prej gjoksit tymin e cigares së vet. E urreja merhumin po aq sa më vinte keq ndërsa me kokëfortësi me një durim prej bualli më shtyn fort e më fort butësisht e njëtrajtësisht ta shtrydh veten jashtë vetes. Dhe i flas për femra. Histori me Femra. I tregoj histori epshtronditëse e flakndjellëse. Ai më dëgjon me atë pasivitetin e vet të pagojë e soditës teksa i rrëfej se si kam shkërdhyer jo vetëm të gjitha gratë dhe motrat e armiqve të mi realë dhe imagjinarë, por edhe të gjitha motrat dhe gratë e kolegëve të mi. E urrej njëkohësisht sepse e ndjej që ngelet njeriu i vetëm që njeh symbyllur përmasat e kockave të mia shtazërore. Nga çasti kur ndahem prej tij, nga çasti kur i nxitoj hapat për të mbërritur tjetrin, tjetrin jashtë meje, tjetrin brenda meje, një puhizë e lehtë më ledhaton ballin. Një ndjenjë çlirimi. Një farë lirie. Një biçim shkërdhatërie. Nervozohem një çast i kapur në grackën e autorit. Klith në errësirë: “Djall o punë!” Por qetësohem pak më tej duke qeshur. Po po, duke qeshur, i kënaqur. “Tek e fundit, kafetë i pagoi ai!” Dhe nuk jam aq i ligë sa mos ta dua autorin. Përkundrazi, çmendem pas atyre gishtave të tij të zverdhur nga nikotina. Duke paguar kafetë e bisedave tona, sikur ta kishte kuptuar, me një akt të vetëm vendimtar kishte zëvendësuar imazhin e munguar. Autori më tërheq mënjanë dhe më pëshpërit, “Je bërë burrë tani.” Po. Pohoj me kokë, dashur pa dashur si atëherë fëmijë, duke u munduar të iki prej asaj arome barnash mjekësore që karakterizonte duart e tim eti. Kanë ende ngjyrë të verdhë nga përpunimi i tetraciklinave gishtat e tij të zverdhura si push mimozash. Pastaj, si e siguroj pesë lekëshin e akullores në xhep, lëshohem në krahët e dashurisë së motrave të mia të bukura, dhe të tre së bashku krejt të lumtur e të lirë, vërshojmë drejt shëtitores së vetme të qytetit tonë të brishtë në jetë të jetëve.

    Tiranë – Montréal, 2010-2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË