PËRTEJ
Përtej jetës është vdekja: Po ç’është përtej vdekjes?
Përtej dashurisë është urrejtja: Po ç’është përtej urrejtjes?
Përtej dritës është errësira: Po ç’është
përtej errësirës?
Përtej së keqes është e mira: Po ç’është
përtej së mirës?
Përtej fajit është falja: Po ç’është
përtej faljes?
Përtej heshtjes është fjala: Po ç’është
përtej fjalës?
Përtej shpirtit është syri: Po ç’është
përtej syrit?
Përtej zjarrit është hiri: Po ç’është
përtej hirit?
Përtej engjëllit është djalli: Po ç’është
përtej djallit?
Përtej harresës është malli: Po ç’është
përtej mallit
Përtej meje je ti: Po ç’është përtej teje?
(Nga libri “Të gjallë dhe të vdekur”, f.24)
Poezia “Përtej” e Ilirian Zhupës është reflektim mbi kufijtë e njohjes dhe ekzistencës, dhe çdo varg shërben si një “stacion” jo për të udhëtuar por për të menduar përtej të njohurës. Me strukturë të përsëritur, dhe ritmin që qaset me një mantra filozofike, poeti ndërton një sistem kundërshtish që shkojnë përtej logjikës së zakonshme të të kundërtave. Ajo që e veçon këtë poezi në poetikën shqipe është mënyra se si ajo nuk ndalet te kontrastet e shfaqura, por e çon mendimin përtej tyre, duke formuluar pyetje që nuk marrin përgjigje, por që sfidojnë lexuesin të kërkojë më shumë. Në poezi, ndjehet se fjala nuk është thjesht mjet komunikimi, ajo së pari është hapësirë mendimi, ku çdo varg rrit tensionin filozofik dhe emocional. E themi qysh në nisje se kjo poezi lexohet me kënaqësi që rritet në çdo varg dhe në fund ndalesh në meditim mbi çka lexove.
I-
Gjithmonë kam patur ndrojë nga filozofia, pasi mendoja se ajo është diçka e “fortë”, e mistershme për t’u kuptuar, diçka si stralli i cili nuk gdhëndet dhe as latohet, ndaj as që mirrja mundimin të lexoja libra filozofikë. Interesimi im nisi kur ndjeva dhe kuptova që letërsia moderne ngrihej mbi një “truall” filozofik, dhe misteri filozofik nisi të më tërheqë me praninë e tij në letërsi. Ndikim të madh në afrimin me atë, pati fakti që librat filozofikë ishin shkruar me mjeshtëri artistike dhe kjo më bindi se vlera e tyre ishte shumë më e madhe se sa e mendoja unë. Se do vinte një ditë që t’i hasja konceptet filozofike (sidomos epistemologjinë) në poezi, madje të shprehura qartë dhe me një fjalor të thjeshtë këtë nuk e mendoja. Por ja që poezia e Zhupës është një magji e qëndisur në filozofi, një skulpturë fine e gdhendur në strrall. Kjo poezi ka qasje të dukëshme filozofike: ajo nuk ofron një narrativë apo përshkrim të botës, ajo shtjellon konceptin e përtejësisë përmes një dialogu filozofik, por në një mënyrë tepër poetike. Nëse do të pyesim se me kë dialogon poeti, do të thoshim se ai dialogon me lexuesin, me veten dhe me të panjohurën.
a.Poeti dialogon së pari me lexuesin pse pyetjet e përsëritura krijojnë dialog të hapur, dhe e ftojnë atë(lexuesin) të reflektojë mbi kufijtë e ekzistencës dhe të mendimit, ose e thënë ndryshe, të gjejë përgjigje për pyetjet, si: “Përtej jetës është vdekja: Po ç’është përtej vdekjes?” Ka momente që ky dialogim u ngjan bisedave dimërore pranë oxhakut në odën e burrave, ku më i moçmi pohon dijet (vargu i parë),por ndërkohë shtron pyetje për më tej (vargu i dytë), pasi jeta e ka shtyrë në mendime mbi atë ose ja ka shtruar për zgjidhje në ndonjë rast. Të pranishmit pohojnë atë që dinë, por nisin e meditojnë për pyetjen, sepse e ndjejnë se ajo nuk është thjesht një pyetje që e bën ai që flet, ajo është një pyetje që jua shtron jeta.
b.Dialogon me veten pse poezia përmban dimensionin introspektiv, ku poeti shfaqet sikur sfidon mendimet e tij dhe kërkon përgjigje në një udhëtim (poetiko) meditativ.
c.Ai dialogon me të panjohurën pse pyetjet nuk kanë përgjigje, ato lenë hapur mundësinë e dialogut metafizik me misterin dhe universin: “Përtej meje je ti: Po ç’është përtej teje?”
Pikërisht ky dialogim i shumëfishtë është një element që i jep poezisë thellësinë dhe forcën filozofike por edhe bukurinë e finesën artistike në të cilën mund të përfshijmë: a-strukturën ritmike dhe simetrinë e vargjeve, që e bëjnë leximin të rrjedhshëm. b.melodicitetin dhe muzikalitetin poetik nëpërmjet përdorimit të zanoreve dhe fjalës kyçe “Përtej”. c.minimalizmin leksikor dhe forcën e fjalëve. ç. Dimensionin ekzistencial dhe emocional që është i dukshëm kryesisht te vargu: “Përtej meje je ti…..” pse këtu poezia bëhet më intime, duke i dhënë finesë shpirtërore gjithë poezisë, përtejë abstraksioneve filozofike.
II-
Në qoftë se do kërkonim elementet filozofike të poezisë, do veçonim lehtazi:
1.Poezia jo vetëm që nuk ka narrativë, por ndërtohet mbi konceptin e dualitetit (jeta-vdekja, drita-errësira, engjëlli-djalli), ide thelbësore kjo në filozofi, qysh nga Herakliti dhe duke ju qasur dialektikës së Hegelit. Megjithatë, Zhupa nuk ndalet te të kundërtat ; ai shtron pyetjen përtej tyre,duke kërkuar një hapësirë të tretë, një lloj (bote) të panjohur metafizike.
2.Vargjet nisin me një pohim, psh: “Përtej dashurisë është urrejtja” dhe përfundojnë me një pyetje, psh:: Po ç’është përtej urrejtjes” e cila sfidon kufijtë e njohurive tona, duke ju qasur traditës skeptike filozofike: përtej asaj që njohim qëndron një realitet (botë) që nuk e njohim dhe as e perceptojmë dot.
3.Në vargun “Përtej meje je ti: Po ç’është përtej teje?”, poeti vendos individin në qendër të kërkimit metafizik, me nëntekstin se përgjigjet gjenden në raportin me tjetrin. Kjo qasje e lidh poezinë me filozofinë ekzistencialiste, veçanërisht me idetë e Heidegger-it dhe Sartre-it mbi qenien dhe tjetërsinë.
4.Së fundi, poezia funksionon si seri pyetjesh të hapura të bëra në formë dialogu, gjë që të kujton stilin peripatetik (bisedim duke ecur) të shtjellimit të koncepteve në filozofinë e Sokratit, ku pyetja është elementi bazë i reflektimit. E parë strukturalisht poezia ngjason me një traktat filozofik më tepër sesa me një poezi lirike, por duke parë fjalët e përdorura dhe ritmikën poetike ndjen se është diçka më“tokësore”, diçka si kënga “O moj jetë, jetë e rreme/ Që kur linda më gënjeve/Pleqërinë s’ma rrëfeve”
III-
Ajo që është e dukshme në këtë poezi të Zhupës është epistemologjia, (një degë e filozofisë që merret me natyrën, burimet dhe kufijtë e njohjes)e cila shqyrton se si ne dimë atë që dimë dhe nëse egziston ndonjë realitet (botë) përtej dijeve tona. Siç shohim, Zhupa e ndërton të gjithë tekstin poetik mbi një strukturë pyetëse: njohjes njerëzore dhe kufijtë e saj. Çdo varg nis nga një e dhënë e njohur, një sistem të kundërtash të qarta, por poeti e shtrin pyetjen përtej këtij dualiteti, ai pyet për mundësinë e ekzistencës të diçkaje që nuk njihet ende nga njerëzimi. Në fakt, si shpesh në filozofi, poezia nuk ofron përgjigje, por ndërtimi vargor shpreh dyshimin epistemologjik mbi njohjen dhe të vërtetën. Kjo vihet re te përsëritja e vargjeve në formën pyetësore, psh:
“Përtej së keqes është e mira: Po ç’është përtej së mirës?”
ku shihet se pyetje nuk janë thjesht poetike, ato janë filozofike dhe epistemologjike, pasi sfidojnë njohuritë tona të gjertanishme. Poeti pohon se ne kuptojmë dhe njohim ndarjet bazike të ekzistencës,(pjesa e parë e vargut) por ndërkohë çfarë vjen pas tyre mbetet e panjohur, (pjesa e dytë e vargut).
Kemi diçka të veçantë në vargjet e fundit: aty kërkimi bëhet sa personal aq dhe ekzistencial, pse poeti e zhvendos pyetjen nga konceptet abstrakte drejt reflektimit mbi individin dhe raportin me tjetrin: “Përtej meje je ti: Po ç’është përtej teje?” Kjo pyetje në thelb ka ngarkesë filozofike, pasi përveçse shpreh dilemën ekzistenciale mbi individin dhe tjetrin, na vë përballë kufirit të fundit të njohjes: çfarë ndodhet përtej asaj që ne e perceptojmë si vetja dhe tjetri? E shtruar në këtë mënyrë pyetja e lidh poezinë me traditën e skepticizmit epistemologjik, duke na treguar se realiteti përtej njohjes (së deritanishme)mbetet një mister.
Ajo që duam të vemë në dukje është fakti se te kjo poezi epistemologjia nuk shfaqet përmes shpjegimeve, por shfaqet përmes tensionit të vazhdueshëm të pyetjeve. Realisht dhe mjeshtërisht Zhupa nuk kërkon të japë përgjigje, ai provokon nxitjen e mendimit dhe meditimit nga lexuesi mbi kufijtë e dijes, duke na nxitur të reflektojmë mbi atë që ndodhet përtej asaj që dimë. Në këtë mënyrë, poezia shndrohet në kërkim për të panjohurën, dhe lexuesi vendoset në rolin e një eksploruesi të njohurive dhe vazhduesi të poezisë. Realisht nuk prisja të gjeja te Zhupa një poezi kaq të thellë filozofike, që për nga struktura dhe stili poetik, ka afëri të dukshme me disa poetë të njohur europianë, të cilët kanë eksploruar filozofinë, ekzistencën dhe kanë shtruar pyetjet më të thella të jetës përmes formave poetike moderne dhe konceptuale, si psh:Reiner Maria Rilke, vargjet poetike të të cilit shpesh janë ndërtuar si pyetje që sfidojnë kufijtë e njohjes njerëzore, duke krijuar një ndjesi të pafundësisë. Vargjet e tij kanë afëri strukturore dhe filozofike me vargjet e poezisë “Përtej” të Zhupës. Poezia e Zhupës ka qasje me Paul Celan, (një poet i njohur Gjerman) për përdorimin e pyetjeve dhe strukturave të hapura në poezinë e tij, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore. Struktura e vargjeve të Celan ka ngjashmëri me ato të poezisë së Zhupës, ku çdo pyetje e tij është një hap i ri drejt të panjohurës. Mund të përmendim edhe qasjen me T.S. Eliot për vargjet e ndërtuara rreth pyetjeve dhe kërkimit për kuptim në një botë të shkatërruar dhe të fragmentuar. Struktura e pyetjeve të Zhupës ka ngjashmëri me tonin filozofik të Eliotit.etj. Duke qenë se kemi një poezi të ndërtuar me fjalë e fraza të thjeshta por që shfaqin një thellësi kaq të madhe filozofike dhe çuditërisht tepër të kuptueshme dhe të ndjeshme nga lexuesi në një masë të gjerë, s’na mbetet gjë tjetër veçse të krenohemi me poetin tonë, ta lexojmë e të përpiqemi ta kuptojmë, për ta përjetuar më shumë.
IV-
Ka dhe një veçori specifike kjo poezi e Zhupës,ajo është një poezi e mendimit, por mendimi në të është i shtruar në formë të tillë që i kërkon lexuesit të reflektojë mbi ekzistencën dhe natyrën e realitetit. Përvoja na ka mësuar se poezia e mendimit ka një shtysë të fortë frymëzimi, ndonëse jo shumë të dukshme. Është fakt se ky lloj i poezisë që ofron Zhupa është i ndryshëm nga ai që bazohet në përshkrime dhe ndjenja të natyrshme, pse Ilirian Zhupa si asnjë poet shqiptar ka krijuar një poezi që sfidon njohuritë tona dhe na bën të pyesim veten për realitetin përtej asaj që ne shohim. Pikërisht këtu qëndron frymëzimi i kësaj poezie, i cli mund të vijë nga disa burime si:
1.Poezia “Përtej” shfaq thellësi filozofike dhe mund të jetë frymëzuar nga interesimi (apo kurioziteti) për të ditur më shumë rreth ekzistencës dhe të vërtetave përtej kufijve të njohur. Pyetjet e përsëritura si “Po ç’është përtej…?” mund të kenë lindur si reflektim mbi natyrën e jetës dhe vdekjes, për të kuptuar dhe njohur atë që është përtej tyre. Sigurisht që shumë kush prej nesh ka dëgjuar, sidomos nëpër morte shprehje të tipit si: “E kush e di se si është andej, në atë botë?”. Ndoshta mund të jetë edhe një përpjekje për të gjetur përgjigje për pyetje të ekzistencës që kanë shqetësuar mendimtarët dhe filozofët nëpër shekuj. Shumë herë nëpër biseda në oden e burrave të banorëve të bregdetit (më shpesh nëpër ditët e mortit) flitet për filozofë si Sokrati etj dhe pyetjet që ata kanë shtruar, ndoshta dhe mënyrën plot humor se si psh Sokrati ja faturonte të shoqes, Ksanthipit, mosdijen e përgjigjeve prej tij.
“Përtej zjarrit është hiri: Po ç’është përtej hirit?”
2.Frymëzimi i kësaj poezie mendimi mund të ketë ardhur nga përpjekja për të eksploruar kontradiktat e jetës njerëzore, duke përdorur të kundërtat. Në një mënyrë, Zhupa i jep “kuptim” këtyre të kundërtave të jetës: dashuria dhe urrejtja, e mira dhe e keqja, drita dhe errësira, etj. dhe tregon se ato nuk janë vetëm të lidhura, por dhe të pasqyruara te njëra-tjetra, madje të pandashme si te vargu : “Përtej dashurisë është urrejtja: Po ç’është përtej urrejtjes”
3.Frymëzimi mund të jetë pasqyrë e reflektimeve të brendshme të poetit, bazuar tek kontradiktat në jetën e përditshme. Në këtë mënyrë ky frymëzim mund të ketë ardhur nga përvoja personale. Kështu, “përtej” mund të simbolizojë jo vetëm një realitet objektiv, por edhe një përpjekje për të kuptuar botën e brendshme si te vargu: “Përtej shpirtit është syri: Po ç’është përtej syrit?”
4. Është vështirë të gjesh burimin e frymëzimit në një poezi të mendimit, pse ai mund të rrjedhë edhe nga një dialog me traditat zakonore, kulturore dhe letrare, të cilat u japin poetëve shansin të rishikojnë dhe riciklojnë ide të herëshme përmes lenteve moderne, gjë kjo tepër e zakonshme në mes poetësh e shkrimtarësh të kuotave të epërme. Konkretisht Zhupa mund të jetë frymëzuar nga pyetjet filozofike që shfaqen tek autorë të tjerë që janë përpjekur të zbulojnë të panjohurën, si poetët europianë që përmendëm më sipër. Është i njohur fakti se frymëzimi vjen edhe nga leximi, sidomos kur ajo që lexon prek thellësisht ndjenjat e lexuesit.Kujtoni ku morri shkasin Shekspiri për të shkruar tragjeditë e famëshme Hamleti, Makbethi etj.
Është vërtët shumë e vështirë që në poezitë e mendimit të gjesh burimin e frymëzimit, por ajo që ka rëndësi për ne është fakti se në këtë poezi, mendimi ka marrë krahët e frymëzimit, duke u shndërruar vetë në një formë arti. Ky është një aspekt i veçantë i poezisë ‘Përtej” pse: nuk kemi thjesht një reflektim filozofik të ftohtë, por një mendim që rrjedh me lirshmëri poetike dhe krijon ritëm të brendshëm dhe ndjesi fluturimi drejt së panjohurës. E themi këtë sepse, mendimi në këtë poezi nuk është statik, por rrjedh me një lloj muzikaliteti dhe progresioni të brendshëm, si ujët që rrjedh nga burimi e shtohet rrugës nga prurjet e përrenjve. Në fakt krahasimi me ujin që rrjedh nuk është i saktë, pasi pyetjet krijojnë ndjesinë e një ngjitjeje, sikur poeti po eksploron qiejt, horizontet:”Përtej dritës është errësira: Po ç’është përtej errësirës” ndaj më mirë do ishte që ta krahasonim me anijet kozmike që ngjiten drejt të panjohurës, por sesi më duket ky krahasim.
Megjithatë duhet të pranojmë se kjo poezi është krijim që nuk mund të vijë nga një frymëzim i rastësishëm, ajo ka nevojë për një kërkim të vazhdueshëm dhe njohuri të thella të traditave filozofike e letrare. Për të krijuar një poezi si kjo, autori duhet të ketë dije dhe njohuri të thella të realitetit dhe shoqërisë njerëzore, gjë që mund të arrihet vetëm përmes një përvoje të gjatë dhe angazhimi intelektual.
Padyshim që një poezi e tillë kërkon domosdoshmërisht talent të jashtëzakonshëm. Ilirian Zhupa, përmes poezisë “Përtej”, dëshmon një nivel të lartë të përgatitjes dhe aftësi të jashtëzakonshme për të kombinuar mendimin filozofik me formën poetike. Përfshirja e pashmangëshme e filozofisë në poezi është një dimension që ndihmon në pasurimin e saj dhe krijon një hapësirë ku pyetjet ekzistenciale për jetën, vdekjen, dashurinë dhe urrejtjen janë të pakufishme. Zhupa ka aftësitë për të formuluar pyetje që janë me ngarkesa filozofike e intelektuale, të cilat mund të tërheqin jo vetëm lexuesin e zakonshëm, por sidomos studiuesit e letërsisë dhe filozofisë. Në thelb, poezia “Përtej” është një krijim ku mendimi nuk shfaqet si një koncept abstrakt, ai shfaqet si një emocion i gjallë, si një energji që rritet dhe shtrihet përtej kufijve të zakonshmes. Kjo është ajo që i jep poezisë një bukuri unike dhe një forcë të veçantë artistike.
V-
Sigurisht që lexuesi do pyesë plot kuriozitet: Cilat janë risitë që poezia “Përtej”e Ilirian Zhupës sjell në poezinë e sotme shqipe? Duhet të pranojmë se kjo poezi sjell një risi të spikatur në poezinë shqipe së pari përmes qasjes së saj filozofike, strukturës dialektike dhe përdorimit të ritmit të përsëritur si mjet poetik. Ajo nuk ndalet te përshkrimi lirik, por eksploron në thellësitë e mendimit, duke sfiduar kufijtë e njohurive dhe duke vendosur lexuesin përballë pyetjeve ekzistenciale.
1. Një nga risitë kryesore të saj është mënyra sesi ajo ndërton një sistem kontrastesh të njohura (jeta-vdekja, drita-errësira, e mira-e keqja), por pa u ndalur në to. Në vend që të pranojë këto kundërti si absolute, poeti ngre pyetjen: Çfarë është përtej?
“Përtej zjarrit është hiri: Po ç’është përtej hirit?”
“Përtej engjëllit është djalli: Po ç’është përtej djallit?”
Poezia shqipe (romantike e klasike, madje dhe real.socialiste) ka synuar kryesisht të shfaqë ndjenja e përjetime konkrete, ndërsa Zhupa krijon një poezi që është konceptuale filozofikisht: nuk i jep lexuesit përgjigje, por e nxit atë të mendojë, meditojë, gërmojë, eksplorojë mbi të panjohurën. Në poezinë shqipe, ky lloj ndërtimi dialektik nuk ka qenë i pranishëm.
2.Poezia përdor ritmin dhe përsëritjen si strategji poetike, ku çdo varg nis me pohim dhe përfundon me pyetje:
Përtej fajit është falja: Po ç’është përtej faljes?
Përtej heshtjes është fjala: Po ç’është përtej fjalës?
duke krijuar, kryesisht nëpërmjet përsëritjes një efekt hipnotik, madje poezia ndihet si një formulë mantrike (kemi folur për këtë dukuri). Duhet të kemi parasysh se te kjo poezi përsëritja nuk është thjesht stilistikë, por është mjet që përforcon ndjesinë e pasigurisë dhe thellon dilemat. E kini vënë re, shumëherë nxënësit kur duan të gjejnë përgjigjen e një pyetjeje të vështirë, instiktivisht ripërsëritin pyetjen. Po ashtu aspekti ritmik dhe pyetës e afron poezinë e Zhupës me prirjet e poezisë eksperimentale dhe konceptuale.
3.Risi tjetër e dukshme është fakti që poezia shmang plotësisht përshkrimin lirik dhe figurat poetike bazuar te shqisat, pse Zhupa nuk përdor imazhe konkrete apo simbole klasike; në vend të imazheve vizuale apo ndjesore, ai krijon një hapësirë reflektimi, ku fjala nuk ka funksion dekorativ, figurativ, por filozofik.
4. Është interesant fakti se si në fund, Zhupa largon vëmendjen nga universalja dhe e drejton pyetjen tek raporti mes unë-it dhe ti-:“Përtej meje je ti: Po ç’është përtej teje?” duke shënuar një kthesë në poezi : faktin që pas vargjeve të ndërtuara mbi të kundërta abstrakte dhe filozofike, poezia arrin një moment thellësisht njerëzor, pse e panjohura më e madhe është mes njerëzve, marrëdhënia jonë me tjetrin. E parë në tërësi mund të themi se pikërisht kjo poezi e vendos Zhupën në linjë moderniste, ku arti nuk është vetëm shprehje emocionale, por një formë kërkimi mbi realitetin dhe kuptimin e tij.
VI-
Po të lexojmë me vemëndje poezinë “Përtej” do vërejmë se arti poetik nuk qëndron aq në përdorimin e figurave artistike apo teknikave të ndërlikuara, por më tepër qëndron në thellësinë filozofike të pyetjeve dhe ndikimin e tyre në mendjen e lexuesit. Poezia është e thjeshtë në formë dhe e pasur në përmbajtje dhe kjo e bën tërheqëse dhe të fuqishme në mënyrën e saj. Elementët që e shndërrojnë këtë poezi në një vepër me vlera artistike janë:
1.Poezia nuk përdor figura të shumta stilistike si metafora, simbole apo imazhe të ndërlikuara. Në vend të tyre, Zhupa përdor pyetje të drejtpërdrejta që sfidojnë kufijtë e njohjes dhe ftojnë lexuesin të angazhohet në reflektim. Në fakt, struktura pyetëse e vargut është në vetvete një formë arti, pasi krijon një ndjesi kërkimi e tensioni, si te vargjet:.”Përtej dashurisë është urrejtja: Po ç’është përtej urrejtjes?” Këto pyetje krijojnë një hapësirë të pasigurtë dhe kërkojnë një përgjigje që nuk është thjesht logjike.
2. Minimalizmi dhe thjeshtësia e përdorimit të një gjuhe të thjeshtë është një formë artistike që përdoret shpesh nga Zhupa. Në fakt, pavarësisht se vargjet janë të drejtpërdrejta e të qarta, ato janë të mbushura me të vërteta universale dhe filozofike. Është ky minimalizëm i figurave artistike që merr një fuqi të veçantë, pasi thekson rëndësinë e ideve mbi forma apo ornamentet artistike të tepruara, si te vargu:
“Përtej fajit është falja: Po ç’është përtej faljes?”
ku figura e “fajit” dhe “faljes” është e thjeshtë, por krijon tension filozofik mes dy koncepteve, dhe fton lexuesin të mendojë për natyrën njerëzore dhe të pafajësisë.
3. Arti poetik te kjo poezi shfaqet dhe si proces dialogu dhe kërkimi. Pyetjet që shtron poezia janë sa të hapura aq dhe sfiduese, e ftojnë lexuesin të kërkojë përtej të dukshmes. Pikërisht dialogu e bën artin poetik proces kërkimi të përhershëm, ku përgjigjet nuk janë të thjeshta dhe as definitive. Te vargu “Përtej meje je ti: Po ç’është përtej teje?” pyetja ka ndjeshmëri gati personale dhe e shpie poezinë përtej nivelit të universalitetit.
VII-
Rritja e shkallës së tensionit në poezinë “Përtej” të Ilirian Zhupës shfaqet në mënyrë graduale, të kontrolluar, duke u rritur përmes strukturës pyetëse dhe përdorimit të të kundërtave, të cilat krijojnë dinamizëm të vazhdueshëm. Çdo varg përmban një pyetje që mund të shihet si një lloj sfide për mendimin dhe për reflektimin e lexuesit, dhe tensioni rritet ndërsa kalon nga një e kundërt në tjetrën, duke shtuar gjithë më shumë pasiguri dhe kërkesa për kuptim.
1.Poezia fillon me dy të kundërta ekzistenciale që janë të natyrshme dhe të njohura, siç janë “jeta-vdekja” dhe “dashuria-urrejtja”. Në këto vargje tensioni nuk është shumë i lartë, sepse ato janë shumë të njohura për lexuesin, të dëgjuara rëndom nëpër morte. Megjithatë, intensiteti poetik fillon të rritet kur Zhupa kalon në pyetje më të vështira, siç janë pyetjet mbi “fajet dhe faljen” ose “shpirtin dhe syrin”. Çdo kalim nga një çift në tjetrin është rritje graduale e tensionit, pasi pyetjet bëhen më të vështira dhe më të thella, si te vargjet:.
“Përtej jetës është vdekja: Po ç’është përtej vdekjes?”
“Përtej dashurisë është urrejtja: Po ç’është përtej urrejtjes?”
2.Kur poeti kalon në pyetje si “Përtej fajit është falja” dhe “Përtej shpirtit është syri”, poezia merr një kthesë të fortë, duke rritur tensionin poetik, pse të kundërtat këtu nuk janë vetëm konceptualisht të ndryshme, por ato përfaqësojnë aspekte të thella të natyrës njerëzore dhe shpirtërore, të vështira për t’u kuptuar. Psh te vargjet :
“Përtej fajit është falja: Po ç’është përtej faljes?”
“Përtej shpirtit është syri: Po ç’është përtej syrit?”
tensioni poetik nis e rritet sepse pyetjet janë të vështira për tu kuptuar e jo më për tu përgjigjur.
3. Kur poeti kalon në pyetje filozofike, si “Përtej engjëllit është djalli”, tensioni bëhet i madh dhe i përshkallëzuar, pasi këtu flitet me simbole të forta që i referohen botës shpirtërore. Po ashtu,kontrastet mes të mirës dhe të keqes, dritës dhe errësirës, janë dukuri të vjetra filozofike, por Zhupa i bën ato të duken si më të vështira për t’u kuptuar, duke rritur tensionin në poezinë e tij. Kjo duket te vargu: “Përtej engjëllit është djalli: Po ç’është përtej djallit?” Në këtë moment filozofik, tensioni është i madh sepse pyetja është e paqartë dhe ngre dilemën për natyrën e të kundërtave të jetës.
VIII-
Po të shohim me vëmëndje, vargu i fundit e kthen në invers fjalën “Përtej” duke e zhvendosur qendrën e kërkimit filozofik të poezisë nga universalja tek individualja: “Përtej meje je ti: Po ç’është përtej teje?”
Faktikisht në dukjen e parë, në të gjithë poezinë fjala“përtej” shfaqet si kërkim për diçka të madhe, të thellë, për njohje që shkon përtej kategorive të zakonshme të mendimit (jeta-vdekja, drita-errësira, e mira-e keqja), por befas te vargu i fundit, lëvizja ndryshon kah: nga konceptet abstrakte, pyetja zhvendoset te një “ti”,një qenie konkrete, një individ, një njeri. Ky inversim jo vetëm që thellon tensionin filozofik, por më e rëndësishme është se e bën poezinë më intime, më personale. Pikërisht në këtë moment, “përtej” nuk është një kërkim metafizik i largët, por një përballje me tjetrin, me njeriun përballë. Nëse e gjithë poezia shtron pyetje mbi universin, vargu i fundit lë të kuptohet se përgjigja mund të mos gjendet në një të vërtetë“qiellore”, të pakapshme, por në lidhjen me tjetrin.
Këtë më mirë e shpjegon kuptimi i vetë fjalës “invers” e cila vjen nga latinishtja “inversus” që do të thotë e kundërt, e kthyer në drejtim të kundërt. Në kontekstin e kësaj analize të poezisë “Përtej”, përdorimi i këtij termi nënkupton që në vargun e fundit ndodh “një kthim në drejtim të kundërt” e mënyrës së përdorimit të fjalës “përtej”. Pra, ajo që është përtej, në invers është përbrenda atij dhe asaj/asaj, pasi pa këta të dy, asnjë ravgim dhe hulumtim i hapësirave të pafundme nuk ka kuptim.Në fillim dhe zhvillim, poezia eksploron nocione të mëdha filozofike duke vendosur të kundërta të njohura (jeta-vdekja, drita-errësira), por në fund, përtejësia nuk shfaqet si ide abstrakte, por si një person konkret, “ti”. Pra, në vend të kërkimit përtej një koncepti të largët, pyetja na rikthen tek tjetri, tek njeriu. Njeriu është inversimi i kuptimit dhe drejtimit të kërkimit filozofik në poezi, këtu synonte të mbrinte Ilirian Zhupa. Tek unë dhe tek ty.
Sarandë, më shkurt 2025