More
    KreuLetërsiShënime mbi libraThanas Dino: Rritja prej Temës dhe Formës

    Thanas Dino: Rritja prej Temës dhe Formës

    Fati që më ka zgjedhur të kem shokun më të ngushtë të jetës Petro Çerkezin më ka mundësuar të shoh rrugëtimin e tij si një nga poetët, prozatorët dhe përkthyesit më aktivë e të njohur nga rradhët e penave të grekëve të Shqipërisë, duke filluar nga mosha e vjershave të para në gjimnaz, pastaj në Universitet dhe në dekadat e tëra të jetës. Vepra e tij e gjerë është një kontribut më vete në kulturën bilingue që shkruhet në greqisht e shqip dhe një histori letrare e jetës së minoritetit grek në Shqipëri.

     Ndryshe nga disa të tjerë prej nesh Petro Çerkezi pati një formim letrar më të shpejtë, e gjeti veten më lehtë në letërsi, fillimisht në poezi. Ai nuk i ndjeu aq shumë përplasjet nga një ekstrem estetik te tjetri, gjë që ndodhte sa nga presioni ideologjik i kohës aq dhe nga rezistenca e dobët që bënte ndaj përçudnimit artistik letërsia dhe në tërësi kultura jonë. Petro Çerkezi ishte më i lirë dhe jetonte më i çliruar. Esenini i thoshim jo vetëm prej pamjes, veçanërisht krehjes së flokëve, po edhe prej sjelljeve, kontaktet me letërsitë e huaja, bagazhi i madh i vjershave që njihte, dinte përmendsh dhe imitonte. Disa sjellje të tij ishin aq rebele sa ngjanin me një kontestim politik. Ai u derdh shpejt në formën e tij poetike, kallëp që ndryshoi pak gjatë kohës duke kërkuar një gjë, përsosjen dhe përkryerjen.

    Mendoj që rritja më e madhe e Petro Çerkezit erdhi kur ai kaloi në prozë, nisi të shkruajë tregime dhe romane. Poezia vazhdoi ta furnizojë me lirikë prozën e tij, po ajo vetë, nën shembullin e prozës së madhe greke e ruse që ai i njeh kaq mirë dhe nën ndikimin e drejtpërdrejt të estetikës së Kadaresë, mik i tij i hershëm, shumë vepra të të cilit ai ka pasur mundësi t’i njohë që në lindjen e idesë, në projekt, i shtoi epikën dhe dramën. Tarreni ishte i gatshëm. Autori ishte lindur mbi kufijtë e prerë shqiptaro – grekë dhe në mes të jetës migroi në një shtet të vogël ishullor me kryeqytet të prerë nga kufijtë qiprioto – turq. Në vepra u shtua sfondi i madh, kontradikta dhe karakteret njerëzore që mund t’i pikturojë vetëm romani. Gjirokastra p.sh, aq shumë e përshkruar nga disa autorë, nën optikën e Petros merr një kolor tjetër, veçanërisht me dhënien e botës së krishtere të saj, siç ndodh me romanin “I megali eksodhos” – “Eksodi i madh”.

    Më i lirë se ne të tjerët në gjithçka, Petrua ishte më i lirë edhe etnikisht, në raportet e individit me kombin, gjuhën amtare dhe, në rastin e krijuesit, të realizuarit në të. Kjo ishte Tema e Brendshme, e Jetuara e tij. Komplekset e njeriut të pakicës ishin kapërcyer shpejt prej tij, duke mbetur temë për letërsinë e tij. Ajo që Sartri e quan “Ferri janë të tjerët”, u ndje më shumë në dhjetëvjetshat në Qipro ku dramat etnike e të kufijve, të shpeshta në Ballkan, atje ishin shfaqur në një formë më vete. Këto tema orientuan jo vetëm krijimtarinë e tij të mirëfilltë letrare, po edhe përkthimet, zgjedhjet në autorët qipiot, siç ngjau p.sh. me tregimet e Kristos Haxhipapas, “Dashnorë nga raca armiqësore”, poezinë e Mihali Pjeris “Metamorfozë qyteteshe” dhe këtë vit me romanin e shkrimtarit Emilios Solomu “Fluturoi shpejt si harabel” i vlerësuar me çmim evropian dhe i shumëpërkthyer tek ne etj. Këtu dua të theksoj atë që quhet “diplomaci kulturore”, me insistimin e tij për përrkthimin dhe botimin e poezisë shqipe në shtetin fqinj, Greqinë. Në katër vjetët e fundit ka botuar në Athinë katër vëllime poetike bilingue: Miranda Için, poete gjirokastrite që rron në Bruksel, Moikom Zeqon, Natasha Lakon dhe këtë vit poetin laurat Rudolf Marku.  

    Mosha dhe fuqia e shkrimtarit nuk është gjithmonë në raport me moshën e tij biologjike, natyralen. Nga lidhjet e pandërprera që kemi ruajtur di se subjektet më dramatike dhe librat më me vlerë nuk janë shkruar ende nga Petrua. I tillë është p.sh. ajo që e flisnim “Romani i Dropullit”, shkruar që në sistemin e kaluar, recensionuar e redaktuar, por që nuk u botua nga rënia e tij, të cilin në reçensën e tij Kadareja e vlerëson: “Kjo vepër është një tablo shoqërore me ngjyra të ndezura, një fushë e gjerë e lëruar nga parmënda deri në rrënjët më të thella, duke na dhënë personazhe dhe peizazhe të epokës së konflikteve të mëdha…”. Një vepër për fshatin e lindjes, Poliçanin me manastire e shenjtorë që në shekullin e 11 – të dhe disa subjekte nga Qiprua, që mund të jenë një vështrim dhe kontribut i veçantë i autorit në letërsitë dhe kulturat bilingue dhe trajtimin e temave me në qendër etnitë dhe etniket. Është tamam koha për t’u shkruar e publikuar ato.

    Rritja prej formës, siç e tregojnë dhe dy librat më të rinj poetikë të sapobotuara nga “Neraida”, “Ti më këshillon të blej një bilbil” dhe “Qiell barok melankolie”, vihet re më lehtë në poezi, ndoshta se kjo është gjini më e ndjeshme, por edhe në prozë po të kemi parasysh suksesin e romanit të tij më të fundit “Sonatë për violinë dhe vaj” – «ΣΟΝΑΤΑ για βιολί και θρήνο» botuar në Athinë.

    “Studioja e parë poetike, siç pohon poeti, ishte tradita e lirikës popullore, ajo polifoni pogonite kaq e njohur, tashmë e njohur edhe jashtë kufijve, që të rrëmben shpirtin dhe të bën poet”.

    Petro Çerkezi u bashkua që në fillim të lirisë, pas viteve 90 – të, me atë grup poetësh që punuan dhe punojnë për t’i dhënë një fytyrë të re moderne vjershërimit shqip. Poezia më e mirë e tyre tejkaloi një thjeshtësi naive e vargëzim të lehtë të poezisë së kaluar, i zgjeroi asaj përmasat dhe hapësirat, shtoi figuracionin dhe shtresat kuptimore të fjalëve, vuri në qendër dilemat shpirtërore të individit të sotëm etj. Në dy librat poetike që kemi në duar fokusi i poetit profilizon me tërësi ndjenjash dhe konceptim të qartë kompleksitetin kohor të njeriut bashkëkohor, labirinthin dedallor ku endet dhe udhëkryqin ekzistencial me një poezi që rezonon me bukurinë dhe agoninë për ecurinë drejt ndryshimeve epokale. Poeti vë në blancë të vërtetat jetësore të një bote të hapur dhe të lirë me atë poetike me dimensione njerëzore. Në finesën e poezisë së tij sa reale, por herë-herë rebele modelon intimitetin e natyrshëm, shartimin e suksesshëm që ka bërë me brilantet e lirikës popullore, na sjell identitetin individual ku vihen re luhatjet psiqike me shqetësimet substancore për një shoqëri humane të së arthmes. Sot shkruhet shumë poezi dhe tepërimet kanë bërë që eksperimentimet të mos jenë të suksesshme në të gjitha rastet. Dëm, pas mendimit tim, kanë sjellë abuzimi me metaforinë dhe braktisja e muzikalitetit, që janë tipare të lindura të poezisë. Te Petro Çerkezi është pikërisht tema ajo që e ka mbrojtur vjershërimin prej tyre. Duke flakur ideologjizmat dhe politizimet, ajo nuk ka humbur socialitetin dhe lëndën e vërtetë. Kështu, duke dhënë e duke marrë, ka ndikuar proza te ky shkrimtar si trinitet letrar, poet, prozator e përkthyes.

                                                                                       2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË