More
    KreuLetërsiBibliotekë"Telefonata e mesnatës", tregim nga Istref Haxhillari

    “Telefonata e mesnatës”, tregim nga Istref Haxhillari

    Telefoni në mes të natës të ngjeth. Zilja u përsërit, ndau përgjysmë natën e zakonshme në krahët e tim shoqi.               

    – Urdhëro? – u përgjigja me zë të ulët.

    – Duhet të takohemi, – erdhi zë femre.

    Nuk u prezantua. As ishte nevoja, do ta njihja mes mijërave të tjerë. Përse të këqijat ogurzeza presin natën të vijnë? Nuk do të gdhinte?

    – E di sa është ora?

              Përçapjen mjerane për të fituar kohë e shpërfilli.

    – Të vij në shtëpi?

    – Më prit aty, – u binda.

    Nuk më la zgjedhje.

    U çova e nervozuar mos zgjoja Mikelin. Fsheha thellë vetes parandjenjat e liga, që filluan të gumëzhijnë në kokë.

    U gjenda jashtë.

    Eniana priste. Trikoja e gjatë punuar me lesh deveje derdhej butësisht mbi pantallonat puthitur pas kofshëve, këpucët ngjyrë shege me takë të shkurtër xixëllonin në dritën e mekur të rrugicës. Unaza e martesës, zinxhiri prej ari i mezi dallueshëm rreth qafës, e tregonin grua të sjellshme, siç e njihja.

    Shprehja e fytyrës ma ftohu gjakun.

    – Të qe ditë do të ftoja brenda, – i zgjata dorën.

    Refuzoi ta kapte.

    – U takuat prapë sot? – në zërin e dobët klithnin nota të forta xhelozie.

    I largova sytë, por edhe ashtu ia lexoja tendosjen.

    – Festuam ditëlindjen e mikut tonë…

    – Nuk të pyeta për këtë, – më pengoi të vazhdoja.

    – Atëherë?

    Ngriti kokën, më pa drejt nën sy. Lëkura e zbardhur, vështrimi i ftohtë, dridhja epileptike e duarve, përjashtonin çdo dyshim.

    E dinte…

    – Që kur? – zëri mu drodh.

    – Ka rëndësi?

    Nuk ishte pyetje.

    – Si e zbulove?

    – Do të ndryshonte gjë?

    Ula kokën, prita.

    – Daljet në orare, gënjeshtrat e përsëritura, mesazhet… Gruaja e dikton e fundit, unë s’i shpëtova ritualit fatal.

    – Mjaftojnë?

    Nuk denjoi të përgjigjej.

    – Përse erdhe? 

    – Të mendoja më të zgjuar, – u krekos. Sytë e hapur tej mase më ngjethën.

    Gjithçka ishte e mundur.

    – Nuk u përkas atyre që i zgjidhin problemet me kapje flokësh, erdha të sqarohemi si gra të qytetëruara.

    Tunda kryet mirëkuptuese.

    – Shtrëngoja dhëmbët të mos çmendesha sa herë dilte me ty. Orvatesha të përligjja të papërligjshmen, qeshja kur duhet të qaja…

    Nxori shaminë, fshiu sytë, më pa nga koka te këmbët.

    – Kam vetëm një pyetje.

    E pamundur ta përballoja atë shikim, ktheva sytë nga rruga. Për një çast mu duk vetja e pavlerë.

    – Urdhëro, – i thashë ftohtë.

    – Pse burrin tim?

    – Thua ka përgjigje për këtë pyetje?

    – E di se je lindur një gjeneratë më herët?

    Pyetjet i shkrepte njërën pas tjetrës, si të parapërgatitura.

    – Sigurisht, – pohova me kokë.

    – Yt shoq të mban në pëllëmbë të dorës, përse ia shpërblen në këtë mënyrë? Nëse nuk rrije dot me një burrë, kaq e re, e bukur, mund të gjeje fare mirë dikë më të ri, fjala vjen beqar.

    – S’besoj se e more rrugën të më japësh mësime morali.

    – Natyrisht jo, – puliti lehtë sytë, sa mezi e pikasa.

    – Nuk është nga ato flirtet e zakonshme, siç dëgjojmë përditë, as diçka e përkohshme…

    Më ndërpreu me lëvizje nervoze të kokës. U shkoi dorën krehër flokëve, kaloi pëllëmbën prapa, shtrëngoi zverkun, të mos i ikte mendja. Sytë e çapëlyer, lëvizjet e panevojshme, ishin përpjekje mbinjerëzore për të ruajtur gjakftohtësinë.

    – Cili e filloi i pari?

    – Unë.

    – Ai?

    – U mposht.

    – Nuk je rasti i parë.

    – E di.

    U ul në gjunjë. Disa sekonda shtrëngoi kokën mes duarve.

    – Qenka më keq nga sa kujtoja, – mërmëriti thellësisht e tronditur.

    – Zbriti nga lart, si flakë hyjnore, më lëvizi çdo muskul, përpara se të paralizohesha…

    – Lëri budallallëqet! – ironizoi.

    – E di sa femra kam çuar në djall? Kur e prisje në oraret e  përpikta, i telefonove ndonjëherë? Kurrë! E bëja unë. Ndërsa flije në krahët e tij, gdhija netët ta largoja nga gjithfarë laviresh. Nuk doja gënjeshtra në dashuri…

    – Mjaft! – ngriti për herë të parë tonin.

    Edhe unë:

    – Pas kaq vitesh duhet ta dish ç’ farë burri ke në krah! Kurrë nuk do të braktisë, veç nëse e bën ti.

    – Gjer kur do ta vazhdoni këtë marrëzi? – pyetja i doli nga brendësia e pafuqisë së vet.

    – Lus të kem jetë. 

    – E di yt shoq?

    – Luajte?

    – Kujton se nuk do t’ia them?

    – E dogje rastin.

    – Shantazh?

    – E vërteta e pastër.

    Heshtja ra si armëpushim i përkohshëm. Atë e habiste këmbëngulja ime, mua vetëpërmbajtja e saj.

    – Pas gjithë këtyre, pse je kaq miqësore? – prisha qetësinë e dyshimtë.

    – Çfarë do të fitoja nëse tregohem agresive?

    Ndihej inferiore.

    Më tepër se unë.

    – Do të vijë koha kur burrat dhe gratë të mos frikësohen nga dobësitë e njëri -tjetrit, – fola me intuitë femërore.

    Dhe njëlloj kompetence çmendurake.  

    – Mbaji për vete këto, jam mësuese, leksione di të jap më mirë se ty.

    – Përse të mos i lëmë gjërat kështu siç rrodhën, – guxova më tej, – gjithçka tjetër do të na rrënonte të dyjave.

    Më në fund! Sa doja t’ia thosha këto fjalë!

    Drejtoi trupin, më hodhi pjerrtas shikim sfidues.

     – Nuk je në pozita të vësh kushte.

    E gjora, ende s’e kuptonte!

    – Tepër vonë, – i thashë.

    Frymëmarrjet e shpejtuara ndoqën njëra-tjetrën në një garë nervash.

    – Si quhet burri yt?

    – Pandeha se e dije.

    – Dua të ma thuash me gojën tënde.

    Mirëkuptimi ia la vendin hakmarrjes.

    – Mikel, – bërtita…

    – Zgjohu, zemër, je bërë ujë!

    Nuk ishte ajo.

    Ishte Mikeli.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË