More
    KreuLetërsiShënime mbi libra“Të gjithë njerëzit e mi”, i autorit nga Mali i Zi, Zuvdija...

    “Të gjithë njerëzit e mi”, i autorit nga Mali i Zi, Zuvdija HODŽIĆ– Një roman që komunikon me botën shqiptare

    Nga Gëzim Puka

    “Të gjithë njerëzit e mi”, romani i autorit malazez Zuvdija HODŽIĆ,  që vjen në sistemin tonë letrar i përkthyer, do të thoja mjeshtërish, nga Dimitrov Popoviq, mbush një hapësirë të mirë të nevojës që ka lexuesi i sotëm shqiptar për letërsinë e fqinjëve tanë të ngjashëm. Letërsia bashkëkohore malazeze këtë autor e ka vendosur në majat e saj, por për ne si dhe për shumë lexues të tjerë shqiptarë, ai është ende i panjohur. Kjo mosnjohje e një shkrimtari, që shkruan në gjuhën e fqinjëve malazezë, deri tani është justifikuar me faktorë jashtëletrar, por për fat erdhi koha të shijojmë prodhimin e freskët letrar të njëri-tjetrit.

    Kur prek me sy një tekst të panjohur dhe befasohet nga ai, lexuesi çuditërisht ndihet i lumtur, për arsye sepse shpeshherë letërsia e mirë befason dhe lumturon njëkohësish. Kjo ndjesi të shoqëron deri në faqen e fundit, ndërsa shijon leximin e romanit.

    E përtypëm veprën dhe ligjërimin e saj në shqip, por me këtë rast edhe ndonjë shkrim kritik të bërë për të, qoftë në pasthënien nga Et’hem Mandiq, qoftë edhe nga ndonjë recensent tjetër, duke vërejtur se ka diçka të magjishme që e lidh këtë ligjërim, jo vetëm tematikisht me botën shqiptare, por edhe për nga teknika narrative, mënyra se si e prodhon artin e fjalës ky autor dhe si fjala artistike rrezaton në kontaktin me ne. Për të mos përsëritur me citueshmëri, mund të ndalemi vetëm tek një aspekt gjuhësor, që spikat në prurjen përkthimore të kësaj vepre. Konkretisht është misteri i këndvështrimit në këtë vepër letrare, sidomos misteri se kush po rrëfen në roman.

    Mendojmë se lexuesi empirik do ta kishte përgjigjen e shpejtë: është autori. Në një rast tjetër do ta trajtonte si vepër memoristike. Në pikëvështrimin tonë, është shumë më tepër se kaq. Dikush këtu e ka trajtuar këtë rrëfimtari si të ngjizur me njëmendësinë bektashiane, që rreket të paraqesë një lloj ndërmejtësimi të diskurseve religjioze, aq të ndryshme në Bjeshkët e Namuna, ku duket se më së shpeshti është skena hapësinore e këtij rrëfimi. 

    Si çdo tekst letrar i prozës së gjatë edhe romani “Të gjithë njerëzit e mi” i ka të dyja shtresat që përbëjnë një vepër letrare: historinë dhe rrëfimin. Duket se kjo e dyta, lidhet drejtpërdrejtë me pozicioni që zë autori, i cili na ngjan se në raport me lexuesin shqiptar ka krijuar një lidhje afërsie. Janë pikërisht lidhjet e brendshme emocionale e kuptimore nëpërmjet thënieve të rrëfimtarit dhe personazhit, që drejtojnë këtë komunikim. Le të citojmë një fragment në nisje të kreut 17.

    Ja si i drejtohet autori lexuesit:

    “A të kam treguar për Sheh Aganë? Njeri i mirë, tregtar i pashëm dhe i ndershëm, ka dhënë veresie, ka ndihmuar fukarenjtë, i matur, i ka besuar gjithkujt. Njeriu i mirë njihet në ditë të zymta. I erdhi një malësor që të blejë dy kile sheqer, ky ia peshoi, ndërsa u mendua…u mendua, kërkoi edhe dy.

    E, unë nuk mund të shes më, – i tha Sheh Aga.

    Si nuk mundesh! Po shih se ke?

    Ja ku e ke këtë pranë meje, Shqepon. Blije tek ai! Le të fitojë edhe ai diçka”[1]

    Ky lloj rrëfimi i subjektivizuar krijon një afërsi më të prekshme me lexuesin. Në këtë roman marrëdhënia e autorit me lexuesin duket e thjeshtë në pamje të parë, por në të vërtetë është shumë e përpunuar, pasi në vepër mbizotëron rrëfimi shumështresor, ku krahas zërit të autorit ndihet edhe zëri i shumë personazheve të tjera. Veç lojës vetore, në vepër ka edhe një alternim mjeshtëror të kohëve të foljeve, si dhe njëfarë shkallëzimi, që formohet mes kohës së tashme dhe kohëve të së shkuarës, sidomos kohës së kryer. Mund të theksojmë se thyerja e rrëfimit përmes kalimit nga e kryera në të tashmen është një mundësi e mirë për krijimin e botës së magjishme të veprës, por edhe mënyra më e ndjeshme për të krijuar lidhjen emocionale midis autorit dhe lexuesit. Në përdorimin e këtyre kohëve rrëfimtare ka një analogji me Ciklin e Kreshnikëve (aq të përhapur në Ballkan),  të cilin autori e ka përdorur edhe si paratekst në një nga historitë e tij.

    Po citoj:

    “Edhe atë pasdreke dolëm shëtitje. Rrugica jonë u shkretua. Menjëherë, sikur dolën nga pylli, në rrugë dy meshkuj. Pos të tjerash, ecin, shihen, e kemi të qartë se janë nga anët tona dhe megjithëse njëri është më i bëshëm…Janë vëllezër. Duke u tallur, me gjysmë zëri shqiptova vargjet nga “krajishnikat”[2].

    Erë nuk ka, por bjeshka gjëmon

    Ja ku kemi Mujin e Halilin…

    Më dëgjuan dhe të çuditur u ndalën.

    “Kush jeni dhe nga na njihni?”- disi i pasigurtë pyeti më i moshuari.

    “Jemi tanët”.

    U njohëm, folëm, pranuam të kthejmë një kafe. Bisedën e kemi vazhduar në çajtoren që kishim më afër. Kemi folur si më të njohurit e vjetër. Njerëz të thjeshtë dhe shpirtmirë, të vetmuar, dëshiruar për shoqëri dhe për biseda. Mujo dhe Halil Duraku u gëzuan se janë takuar me ne. Edhe ne na erdhi bukur dhe mirë. Gati me një naivitet fëminor dhe çiltërsi kanë folur për vete si me njeriun më të afërt, nga janë dhe pse kanë ardhur në Gjermani.

    Kanë ardhur sapo është përzier puna në Bosnjë. Janë nga Kladusha, nga Krajina, bjeshka e gjakosur, nën Kunarë, bjeshkën e gjelbër tamam si Hrnjica Mujo dhe Halil, për trimërinë dhe famën e të cilëve di gjithkush. Gjyshi ua ka dhënë emrat, që nipat të ngjajnë me ta. Jo për luftërat dhe betejat, mos ia jep o zot askujt, por për fuqi dhe bukuri. Për njerzillëk. Kur një trimi ose bajraktari të dëgjuar i kanë uruar djalin, kanë thënë:

    Dhashtë zoti, ngjan me të atin…

    Ai u është përgjigjur me mençuri: Jo, mos e dhëntë zoti të jetë ashtu, por le t’i ngjajë kohës…”[3]

    Ky lloj rrëfimi zbulon aftësinë shpirtërore të autorit, trazimin e tij të ndjenjave, të cilat sa në mënyrë intuitive, ashtu edhe të ndërgjegjshme, gjejnë rrugën për të hyrë edhe në shpirtin e lexuesit shqiptar, që mes të tjerash është edhe lexues ballkanas, prandaj lidhet lehtësisht pas një autori tipik ballkanik.

    Fatmirësisht erdhi koha që faktorët jashtëletrarë të njëmendësisë së shkuar ballkanike, shumë agresivë gjer dje, të mos i përzihen më nëpër këmbë lexuesit, i cili kërkon të shijojë letërsinë  pa sinorë që kufizojnë shijen e mirë të tekstit letrar. Përemri pronor “e mi”, në titullin e romanit, merr një kuptim më të gjerë në paraqitjen e tij para publikut shqiptar. Që nga ky çast, Zuvdija HODŽIĆ përmes librit “Të gjithë njerëzit e mi” do të na flasë si “të gjithë lexuesve të tij”.


    [1] HODŽIĆ,  Zuvdija, “Të gjithë njerëzit e mi”, “Onufri”, Tiranë, 2017,  f. 106

    [2].  Cikli i Kreshnikëve

    [3].  HODŽIĆ,  Zuvdija, “Të gjithë njerëzit e mi”,  “Onufri”, Tiranë, 2017,  f. 153-154.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË