“Pierre Cabanes, epigrafist dhe historian i botës greke, vepra shkencore e të cilit ka zbuluar në mënyrë pioniere Epirin dhe Ilirinë mesdhetare, të konsideruara gjeografikisht si kufij të kulturës klasike, vdiq në Clermont – Ferrand në 13 qershor 2023 në moshën 92 vjeçare”[1].
Pierre Cabanes ka qenë profesor i Historisë së lashtësisë në Universitetin Clermont – Ferrand dhe Universitetin Paris X – Nanterre. Ka qenë i pari president i zgjedhur në universitetin Clermont – Ferrand (1977-1982). Themelues i misionit arkeologjik dhe epigrafik francez në Shqipëri (1992), drejtues i Korpusit të mbishkrimeve greke të Ilirisë jugore dhe të Epirit. Është dekoruar nga Presidenca e Shqipërisë me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”(2021).
Studimi i shoqërive të Lashtësisë, përshkrimi i tipologjive, problematikat që paraqesin dhe puna për interpretimin e tyre nëpërmjet burimeve dokumentare kanë qenë pikësynimi i profesorit Pierre Cabanes në disa nga veprat e tij për të shkuarën e largët[1], ku përmendet edhe Shqipëria. Po ç’e shtyu profesorin francez, që nëpërmjet interesave të tij për “eksplorimin arkeologjik të Epirit, që posa kish filluar[2]”, të merret me gërmimet arkeologjike në territorin e Shqipërisë? Vetëm nxitja e udhëheqësit të tezës së tij, profesorit Louis Robert, që i dha drejtimin në fushën e arkeologjisë? Nisur nga një nevojë për të plotësuar hartën arkeologjike të Ilirisë jugore? Ku Shqipëria si pjesë e saj ishte nga zonat më pak të njohura! Është e vërtetë se kjo shtysë në fillim u bë nxitje e ëndrrës dhe dëshirës së studiuesit të ri. Më vonë pasioni i tij. Një pasion për punën gllabëruese të arkeologut me një dashuri që e lidhi me Shqipërinë dhe shqiptarët pandashmërisht gjatë gjithë jetës së tij të gjatë.
Në fund të shek. XIX, kur Jakob Falmerayer, anëtar i Akademisë së Shkencave të Bavarisë kish marrë përsipër të shkruante historinë e Greqisë ishte ndodhur përpara së papriturës, se cilët janë këta shqiptarët, që i dolën krejt rastësisht në studimet e veta. Fqinjë të grekëve, pjesëmarrës të rëndësishëm në historinë e tyre, por me një popullsi krejt të ndryshme nga ajo e grekëve. Në veprën e tij për Greqinë Falmerayer, do t’u kushtonte shqiptarëve një trajtesë (“që ishte e para histori pak a shumë e gjerë, e shtjelluar e shqiptarëve”[3]).
Ndërsa profesor Cabanes e kish të qartë se cilët ishin shqiptarët. Ai ishte historiani që kishte njohuri të plota për historinë e tyre, por interesi për arkeologjinë do ta shtynte të thellohej më tej në këtë histori dhe arealit ku shtriheshin. Ishte njohur edhe me studimet e arkeologëve që punuan në Shqipëri përpara dhe gjatë Luftës II Botërore (Leon Rey, Ugolini). Sidomos me punët e francezit Rey në zonën e Apolonisë së Ilirisë ku ky kishte bërë gërmimet e veta (1925-1939). Të pasqyruara me përshkrime të hollësishme, por të lëna për gjysmë prej pushtimit fashist. Pierre Cabanes kishte qenë i vendosur t’i përqendronte kërkimet në këtë terren. Pikërisht në zonën ku shtrihej Apolonia, për të plotësuar ato mungesa që ndiheshin në hartën arkeologjike të Ilirisë Jugore. Dhe arriti t’ia dilte.
Ai e dinte se arkeologut Rey pas luftës nuk i ishte pranuar kërkesa e përsëritur për të vajtur në Shqipëri. “Ka qenë e vështirë të hyje në një vend si Shqipëria, e mbyllur nën regjimin hoxhist, ku s’dihej se ç’ndodhte pas perdes së hekurt”, – do të shprehej më vonë profesori francez. Njohja me profesor Aleks Budën “një njeri i hapur, njeri kontakti midis shumë kulturash”, siç do të shprehej ai nga takimet me kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, pas ftesës dhe prezantimit të parë në Kuvendin e Dytë të studimeve ilire, do të ishte ogur i mirë. Në një letër dërguar familjes me rastin e vdekjes së profesor Aleks Budës ai do të shprehej: “Ne i jemi mirënjohës atij për hapjen ndaj nesh, francezëve, qoftë në misionet tona arkeologjike, apo në pjesëmarrjen e arkeologëve dhe historianëve shqiptarë në aktivitetet tona. Një mikpritje të madhe kemi gjetur gjithnjë prej tij jo vetëm në Akademi, po kudo dhe kurdoherë që kemi pasur nevojë. Ai na ka dëgjuar dhe është përpjekur të na plotësojë kërkesat tona në një kohë kur e dimë që s’ka qenë fort e lehtë”[4]. “Pikërisht atij i detyrohem edhe unë që munda të marr në dorë pishtarin e kërkimeve arkeologjike rreth vendbanimit të Apolonisë, të cilin e pat ndezur dikur Leon Rey”[5] – do të shprehej Pierre Cabanes, që me ekipin e vet të arkeologëve francezë kishte filluar punimet në Apoloni si themelues dhe drejtues i “Misionit arkeologjik epigrafik francez në Shqipëri”. Pati një bashkëpunim të frytshëm rreth pesëdhjetëvjeçar me arkeologët shqiptarë që, siç konstatoi nga rezultatet e gërmimeve të deriatëhershme, kishin ecur përpara.

Duke qenë se historia e rajonit të Ilirisë Jugore ka qenë bazuar më shumë në burime letrare, Pierre Cabanes i vuri shumë rëndësi punës në terren; vinte vetë në Shqipëri pothuajse për vit. Tani gjetjet arkeologjike në territorin shqiptar filluan të bëheshin të njohura nëpërmjet gërmimeve të arkeologëve dhe studiuesve shqiptarë në bashkëpunim me ata francezë. Me rëndësi do ishin edhe kolokuiumet që profesori francez organizonte në Clermont ku shkëmbimi i eksperiencave të studiuesve shqiptarë me të huajt do të ishte me përfitim reciprok. Në librat e profesorit francez do të zinin vend përshkrimet dhe interpretimet e gjetjeve arkeologjike shqiptare[6] me veçantitë e tyre, krahasuar me kulturën greke dhe romake, për të cilat ishte njohës i thelluar. P.sh. interesant është interpretimi i akteve të lirimit të skllevërve (shek. II-I per) që kishte zbuluar arkeologu Dhimosten Budina në zonën e Butrintit, ku veprimi i lirimit të skllevërve u besohej edhe grave, krejt ndryshe nga qytetet greke ku kjo e drejtë u njihej vetëm burrave etj. Specialist i numizmatikës dhe epigrafisë ai ka çmuar dhe vlerësuar punën që kanë bërë arkeologët shqiptarë në fushat e tyre duke i marrë si shembull, pa harruar të përmendë autorësinë. I tillë është rasti kur ai ka treguar se si mund të arrihet përcaktimi i një qyteti të lashtësisë, si ai i Olympes, që duhet të bjerë në Mavrovën[7] e sotme (midis Amanties dhe Vlorës), sipas monedhave të gjetura nga Burhan Dautaj në kodrën e Mavrovës etj. Pierre Cabanes ka bashkëpunuar ngushtë me arkeologët shqiptarë, si drejtues i tyre në hartimin e manualit “Harta arkeologjike e Shqipërisë”[8]. Ashtu siç punoi për Korpusin e mbishkrimeve greke të Ilirisë mesdhetare dhe të Epirit (1995-2020), në bashkëpunim me kolegët shqiptarë, që është një çelës i cili zbulon sekretet e lashtësisë së këtyre zonave. Ndërkohë kishte botuar librin “Historia e Adriatikut” (2005) si për të ilustruar mendimin e tij të përhershëm se gjeografia nuk ekziston pa historinë dhe historia pa gjeografinë. Libër ku jepet historia e një deti që nga lashtësia e hershme dhe e peizazheve bregdetare me paraqitjen e krahinave e tyre që shkojnë nga Alpet deri në zemër të Mesdheut, nëpërmjet kanalit të Otrantos.
Librat e sipërpërmendur janë pasqyrë e aktivitetit të tij shkencor, i një jete aktive me karrierë të shënuar universitare krahas punës së historianit dhe arkeologut në terren për gjetjen, grumbullimin dhe studimin e “informacionit të pasur që kam hasur në Shqipëri”, siç do të shprehej profesori francez në një intervistë.
Aktiviteti që pati zhvilluar në vendin tonë atij do t’i mundësonte kontakte njerëzore të rralla, të cilat do t’i shprehte në dy librat e tij: “L’Albanie le pays des aigles” (1995) dhe “Passions albaneses – du Berisha a Kosovo” (1999); këtë të fundit e shkroi në bashkëpunim me të birin, historianin e ri Bruno Cabanes. Ky libri i fundit, sipas gazetës “Le Monde” pati interes dhe shitje në Francë, sepse doli fill pas ngjarjeve të 1997-ës në vendin tonë, kur për Shqipërinë dhe problemin e Kosovës, si një çështje me rëndësi ballkanike, flitej shumë.
Në këto libra ka mjaft të dhëna për gjendjen e sotme dhe mendime për të ardhmen e Shqipërisë. Profesor Cabanes në radhë të parë është përpjekur tu japë përgjigje disa pyetjeve themelore: se cila është Shqipëria? Cila është mendësia e shqiptarëve, e këtij populli të lashtë ballkanik etj. Ka plot konstatime me vlerë e vështrim dashamirës për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sidomos në librin e dytë ka shumë përshkrime e mendime që lidhen me situatën e vendit të rrënuar nga diktatura komuniste dhe gjendjen e krijuar pas krizës financiare. Por për këtë libër pati edhe kontestime nga shqiptarët, sepse aty shqiptarët cilësohen si të obseduar nga nacionalizmi, që si prof. Cabanes edhe disa historianë të tjerë të huaj i kanë etiketuar herë-herë popujt e Ballkanit. Atë kohë me të drejtë Ismail Kadare do të shprehej: “ Shqiptarët e përmendin shpesh autoktoninë e tyre dhe vazhdimësinë e tyre ilire, jo sepse janë obseduar prej historisë, as për vanitet ose krenari boshe, por sepse kjo është mbrojtja e parë e tyre, kur me anën e shtrembërimit të historisë duan t’i shkulin nga trojet e tyre…”[9].
Në fund të fundit siç thotë Teodor Adorno: “Shpresa e një intelektuali nuk është që të ndikojë mbi botën, por që një ditë prej ditësh diku, dikush ta lexojë saktësisht atë që ai ka shkruar”.
Pierre Cabanes kishte pamjen e një intelektuali evropian fisnik me empati të thellë për njerëzit. Përmendte shpesh punën dhe kontributin e arkeologëve të vjetër Hasan Ceka, Selim Islami, Skënder Anamali etj., të brezit të mesëm Neritan Ceka, Apolon Baçe, Shpresa Gjongecaj, Faik Drini etj. Ai ka qenë nxitje edhe në punën e shumë të tjerëve më të rinj.
Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe aktivitetin e tij në fushën e diplomacisë, që është vënë në dukje nga francezët dhe e kanë çmuar veçanërisht shqiptarët. Ai, që i njohu shqiptarët nga afër, që nga provinca në kryeqytet, ka qenë promovues pozitiv i tyre në botën e jashtme, ashtu si ndikimi pozitiv i tij pranë ambasadës franceze në Shqipëri.
Në takimet që organizonte në Clermont – Ferrand profesori, siç kanë treguar arkeologët shqiptarë të ftuar, do të gjenin jo vetëm një atmosferë këmbimi mendimesh të një niveli shkencor me vlerë por edhe pritje miqësore njerëzore, sidomos për shqiptarët që dilnin nga një mbyllje e gjatë. Miqësore ndaj shqiptarëve dhe shumë e përkushtuar ndaj të shoqit do të ishte madam Monique Cabanes, gruaja e profesorit francez, e cila nganjëherë e pati shoqëruar bashkëshortin edhe në Shqipëri gjatë ekspeditave të tij; së bashku ata formonin një çift të përsosur. Po kështu si do të shprehej Pierre Cabanes edhe për çiftin Buda[10] në takimin e fundit, pak para vdekjes së profesorit shqiptar (1993), kur profesor Cabanes vajti për ta vizituar në shtëpi së bashku me një grup studentësh të Universitetit Nanterre të Parisit. Kjo ka qenë ndarja e fundit me profesor Aleks Budën, ish kryetarin e Akademisë, që s’do ta harronte kurrë. Por jo ndarja me Shqipërinë!

Apoloni, 27.11.2021, me profesorët Neritan Ceka dhe Marin Haxhimihali
Edhe në moshë të shtyrë profesori francez do të ndiqte nga larg ose nga afër punimet e konferencave që organizoheshin në Shqipëri, disa herë i ftuar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Së fundmi në moshën 90-vjeçare, “ky njeri i kalitur në prova”[11], ndonëse i rënduar nga mosha, i lënduar nga humbja e gruas, prej virusit famëkeq covid-19, erdhi përsëri në Shqipëri, i ftuar për të marrë pjesë në festimet e 50-vjetorit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai s’e harroi kurrë Shqipërinë po ashtu edhe Shqipëria dhe shqiptarët, me mirënjohjen që i shprehën me ardhjen e tij, që do të ishte ardhja e fundit në vendin e tyre: Presidenti i Republikës së Shqipërisë do ta dekoronte me medaljen e lartë “ Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në tetor të vitit 2021.
Profesor Pierre Cabanes e mbylli jetën me qetësinë e njeriut të mençur e të urtë në shtëpinë e tij, në Clermont- Ferrand (Puy de Dome) i rrethuar nga fëmijët e vet më 13 qershor 2023.
[1] “Les Illyriens de Bardylis a Genthos, IV-II avant J-C”C. D.U.- S.E.D.E.S., Paris, 1988. “Bota helenistike, nga vdekja e Aleksandrit te paqja e Apamesë 323-188” (Paris 1995). “Hyrje në historinë e Antikitetit” (Paris 2004), etj.
[2] Luis Robert: Hellenica, I, Paris, 1940 fq. 104-105.
[3] Aleks Buda “J. PH. Falmerayer dhe historia mesjetare e shqiptarëve” ligjeratë e mbajtur në Akademinë e Shkencave të Bavarisë. Bon, 1981, “Shkrime historike”, vëll. 3, fq.164.
[4] Letër ngushëllimi e prof. Pierre Cabanes dërguar Mme Vasilika Buda. Clermont Ferrand, 10/8/ 1993.
[5] Pierre Cabanes: “Rreth disa ilirëve të pranishëm në mbishkrimet greke në shekujt III-II para J. K. në “A. Buda: Një jetë për albanologjinë” fq.63.
[6] Pierre Cabanes, “Introduction a l’histoire de l’Antiquite”, Armand Colin, Paris 2004.
[7] Pierre Cabanes, “Hyrje në historinë e antikitetit”, Carpe diem. Tiranë 2004, fq. 140.
[8] “Harta arkeologjike e Shqipërisë” Paraqitur nga M. Korkuti. A. Baçe, N. Ceka, Tiranë 2008.
[9] Pierre Cabanes “Albanie – Les pays des aigles” Preface Ismail Kadare, fq. 8, Edisud, Paris, 1994.
[10] Përmendet në kumtesën e Pierre Cabanes “Rreth disa ilirëve të pranishëm në mbishkrimet greke në shek. III-II para J. K.”, në librin “Aleks Buda – Një jetë për albanologjinë”, A Sh Sh, T. 2012, fq 62.
[11] Gazeta “Le Monde”, po aty.