More
    KreuLetërsiBibliotekë"Taksën e vetes e paguaj me brengë", poezi Ruzhdi Gole

    “Taksën e vetes e paguaj me brengë”, poezi Ruzhdi Gole

    As kujtesa, as…

    Asgjë pas…
    Ngrohtë, ftohtë, squllur,
    Fjalët me lule… vetëm çast

    Harresa… e ndrojtur,
    mrrudhur.

    Asgjë pas,… as Kujtesa, as…?!


    Vlim

    Kokëkrisja kërkon atdheun tim, tëndin
    Lavditë e tij ndizen dhe digjen
    nga të gjallët, të çmendurit.

    Vrullti… kujt i bie hirnosja e re mbi krye
    nga përdëllim’ i thellë e më i flashkët?
    Kokëkrisja vrapon mpakur… soditje !

    Atdheu po mbytet… A ka shpëtimtarë?…


    Pa tepri

    Me tepri ftillohen shpirtrat,
    Me tepri sos vraga vragë
    Në çdo letër shkruan
    Pritja
    herë me syza
    herë me çark.

    Çdo të shkruaj shpirti sot?
    Gjithçka tha e s’po mund?
    Me qortime e me Zot
    rrojmë këtu
    a tjetërkund?


    Far loti

    Sikur të binin sot
    sirenat e portit
    jo për alarm

    varkat do të kuturisnin
    nga cekëtinat e të ftohtit,
    Fari e loti ato i mban gjallë.

    Si mund të ngjallen cimat
    të kërcejnë sot peshqit
    ndjerë e të zhgënjyer
    teksa mendja vërvit
    topitjet e të pazotit,
    Kumbona e erës
    gjithëkund
    përplas
    kryet…

    Ah, sikur të binin sirenat e portit…


    Taksbrengë

    Taksa për çerdhet e zogjve nën strehë
    për byth-zbatharakët do vilen taksa,
    taksa për trastën që rr’mon pleh
    nga plehrat krela të k’saj
    Shëtitoreje farsash.

    Taksa për farsat, gurët e amfiteatrit
    shulluar qyshkur pa prerë
    për vete asnjë biletë,

    taksa për bilbilat që trallisin beharin,
    taksa për librat që pa pyet kënd
    mardhin nën hundën e squllët
    Biblio – Shtet.

    Taksën e vetes e paguaj me brengë.


    Skulpturë antike

    Kjo skulpturë bore tretet
    po e lamë pasdore, andaj
    me gishtat tanë të ngrohtë
    t’i’a ledhatojmë fytyrën prore
    gjersa ajo të mbrri n’aeroport.

    Për atje është nisur…e mori Era
    mbi supet e saj si një përshpirtje –
    Kudo le t’ulet kjo skulpturë antike
    edhe pranë meje me ftohmën ndritur
    veçse jo papritur fletëzave prej helike…


    Çeljetë

    Çeljetë puqemi edhe më çiltër
    prej bishës gllabërohemi
    gllabërrojmë gjumjen
    gjakftohtë, soditës.

    Zgjohemi… mëngjez(s)orë mbi gjumje
    të mos gllabërohemi nga vetja
    prej shkume…


    Valë

    Zonjë,
    t’ka lezet gjithçka
    për bel e për bela…

    … valëzoj veç tue t’pa …


    Gisht ere

    Rrallë, pa faj dëgjohemi midis
    mbrëmje tej mbrëmjes
    kthjell-errët

    Me buzë pëshpërisim rrezet në risk
    n’ajri shkruajmë me gishtin e erës.

    Ne, prindërit borëtojmë dhe mes vere
    kur dita me kthetër na shqyen
    buzë-tuturitjen si lajm.

    Fëmijtë janë dashuri e të tjerëve
    afërlarg nesh… ende pa faj…


    Triumfe lajlelule

    Vjedhja duart nuk i mban në xhep,
    me këmbët biologjike udhëton
    shpesh edhe me auto-burg,

    shpik çka nuk shpiket, ngahera
    gëzon kënaqshëm shëndet,
    atdheun vreshtë rrëkëllen
    në klubin kuvendar
    bashibuzuk.

    Vjedhja asnjëherë nuk është e dalë mode
    madje g’zon respekt për veshjet, veglat
    si maska, kokorja, lajlelule këmisha,
    droga e ndershme ardhur këtu
    për kurbet, fisheku akcent,
    rrahja dhe thika.

    Në mes të hajdutëve plot të mençur
    neve na vjedhin jo nga xhepat
    na vjedhin nga mendja
    me farë e më gungë,
    toç e të tredhur
    gjëndra

    biologjikë
    të pushtetit
    anadollako – bashibuzuk..


    Kyç, vraja

    Qelia tund çelësa lart poshtë
    mbyll e hap zgavra qelish,
    burgu jeton çdo moshë
    pa moshën vis foshnjë,
    burgu mendon veç
    hopthi arratish.

    Befas brenda meje tundet
    një çelës por unë nuk ia
    mbath sot me të katra…
    shumë burgosur jemi
    edhe jashta
    hiç flatra
    vatra,

    Ne në horizontin kyç
    vraja të mbrapshta
    me thonjtë në fyt.


    3 Maj

    Shiu e Dielli këmbejnë të qeshura
    se qesh edhe shiu qan pak dielli
    pa u duk, bluza e shiut ndrit
    plot rrezë, flokët pantollat
    e diellit kullojnë qull.

    Shiu i afrohet diellit aq sa mundet,
    dielli i afrohet shiut aq sa desh,
    era, mes tyre, mban në dorë
    një tufë lulesh, pret dikë
    prej tyre, të dy njëher’sh…

    Shiu dhe dielli lotrrezë qeshin
    lodrojnë mes tyre erën
    pastaj të tre gjithçka
    e falin për të tjerët.


    Solfezh vere

    Shpotitje të shpeshta,
    mëni të mrrudhura
    ballkonet valavisin
    larjet e freskëta
    ndonjë turpësi
    havaje n’ajri
    t’gurgullta.

    Rruga fjaloset më shpesh
    me qeshjet vajzat e veta
    nga kodrat përreth
    zbresin përdore
    solfezhe verore
    kopshtet,
    vreshtat.

    Ja, deti… Golemi prushnaje –
    Shpotitje mes veti
    këtu ndalohen
    urdhërat
    mënitë
    Fajet
    falen.


    Çast i vranët

    Karriket me spaleta
    spaletat me grada
    gradat me pritje
    pritjet vagull
    t’athëta.
    Spaletat katër këmbë
    katër këmbë pushteti,
    Pushteti me paruke
    shkelmon
    t’vegjëlit.

    Mbrëmje artistike. Kupola afsh.
    Spaletat vranësojnë pritjet,
    Poetët asnjë çast.
    Kub dhome

    E vranët Fjala jashta, përjashta
    vetullat i kërcejnë plasa-plasa.

    Xhami këtu luan rrëshekë fantazish
    plot sy e gishta, sy gishta stolish.

    Nënkresa lule ujitet gazmendesh,
    veriga e seksit shkund frutet
    mburret trembja, trembet.

    E vranët fjala, vetullash plasa,
    këtu gënjejmë, gënjehemi jashta.


    Prajti bora

    S’prajti bora, s’prajtën përpjekjet –
    Kosa ende nuk i njeh të korrat,
    rruga këqyr një bisht komete.

    Mbahet rruga tej kometash
    plot përqafje fisnikërisht
    dimri kothere eshtrash
    l’pin, çukit gishtrinjtë.

    Dimri ngopur shqotë e zhguna
    është nuk është mendjethati
    prajti bora thellë urnash
    rruga drithmë lëkurë
    gjarpëri…

    prajti bora, vorfnia s’prajti…


    Vetmi… tingujsh

    Qeti shtëpie mbasdite
    e shtuna ulur në karrike.

    Qashtër sytë, rrezja në gjoks –
    Shoh qiellin plot valavitje
    romantik, më shumë
    se çdo harlisje,
    shurdh, bosh.

    Plot buzagaz shtëpie
    gjithçka mbasdite,
    Vetmia e çiltër
    ujitet prej
    tingujve.


    Rimë tjetër

    Plot gjemba, plot vetëtima koka…
    brenga me rima, rima me gropa.

    Veç zogjve nëpër ajer
    nga koka me vrima
    fluturojnë
    gropa,
    rima…

    Kumbona, e zvargur, bosh –
    Gjembi plas tëmthin,
    jehona josh…


    Fëmijë hëne (naive)

    Hënë:
    Ne fëmijve na qëllojnë
    me plumba të vegjël
    Përse na vrasin?

    O ëngjëlli im:
    Lufta vret
    At e Mëmë
    sidomos
    fëmijtë
    pasardhësit…

    Hënë,
    Mos zbrit’ në Tokë
    mund të të vrasin…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË