More
    KreuLetërsiBibliotekë"Takimi me Bovarinë", tregim nga Antonio Babliku

    “Takimi me Bovarinë”, tregim nga Antonio Babliku

    Isha duke shkruar në tryezën time, pena duke puthur lehtë pergamenën, dhoma ngjyrosur nga errësira e natës me borë që penetronte nga dritarja dhe nga flaka e qiririt dhe vatrës, që vajtonin të përvëloheshin bashkë.

    Nuk ma zunë sytë në fillim, por pastaj e pashë. Ajo qëndronte te dera, me krahët kryqëzuar në kraharor. E pyeta se ç’e kishte sjellë tek unë atë natë dhe ajo më buzëqeshi. E lashë penën dhe u mbështeta në karrige. Bovaria më përqafoi duke lidhur krahët si një gjerdan në kraharorin tim, pastaj m’u ul në gjunjë. Nuk më pëshpëriti asgjë, vetëm më puthi. U ul në tryezën ku kisha lënë penën dhe pergamenën dhe unë u ngrita për të arritur puthjet e saj. Sa po zhbëja pantallonat, kur ajo më shtyu. Më akuzoi se nuk e kuptoja. Më akuzoi se nuk e dija pse kishte ardhur aty dhe se unë e shihja vetëm si një zuskë tradhtare. Gjithë këto m’i ulërinte në ecejake të tërbuara nëpër dhomën ku bluja e errësirës shkrihej me portokallinë e zjarrit.

    Vërtet nuk po e kuptoja. Ajo ra në gjunjë duke qarë. Kur iu afrova, më preku dorën. Më tha se donte të ndiente sërish. Më hapi zemrën dhe më tha se kishte qenë e vdekur dhe e gjallë për shekuj me radhë. Më tregoi si kishte kaluar nga njëri te tjetri, nga njëra te tjetra, e disa i kishin rënë në të se ç’bënte ajo aty, e disa jo. Unë isha në këtë grupin e dytë, me sa dukej. Ajo donte të jetonte. Më e gjallë se kurrë, donte të ishte. Donte të mos zhgënjehej nga ekzistenca krah mosekzistencës. M’u përgjërua. M’u përgjërua sepse unë jo vetëm që e kisha lexuar, duke e mbajtur mes duarsh si një gjë të vyer e duke kaluar gishtat lehtë nëpër fletët e saj dhe në meset e librit ku fletët lidheshin me njëra-tjetrën, por sepse po shkruaja në ato çaste kur më erdhi në dhomë. M’u përgjërua që ta ktheja në ekzistencë. I thashë se nuk mundesha. Nuk dija si. Çfarëdo që të bëja, ekzistenca e saj do të ishte afër me mosekzistencën. Do të ishin shoqe të pandara që do ta futnin në mes. I sqarova edhe se ajo i përkiste historisë. Ishte, si historia, një vdekje e nevojshme për të arritur përjetësinë. U ofendua që e quajta vdekje të nevojshme. Më shtyu dhe vetë mbajti frymën pranë vatrës. Unë vërtet që nuk e kisha kuptuar sa të vështirë e kishte. Të dy po qanim kur ajo po bëhej gati t’u jepej gjuhëve flaktare. Iu përgjërova të mos e bënte. Iu përgjërova të mos më linte.

    Por ajo u hodh. Ra. U shkrumbua.

    Dhomën menjëherë e mbuloi tymi i zjarrit të vatrës, mbrujtur me hirin e saj.

    E doja. E doja shumë. Ajo u bë ajri që thithja. U bë pjesë e imja.

    U ktheva në tryezë. Shkrova. Ajo kishte qenë një vdekje e nevojshme për të arritur përjetësinë. E arriti përjetësinë.

    Në çdo fjalë timen, frymon ajo. Frymon, por edhe nuk është. Është dhe nuk është.

    Bovari! Shpirti yt ndoshta më dëgjon ende. Mos u mërzit, e dashura ime. Të gjithë jemi dhe nuk jemi. Të gjithë jetojmë me vdekjen dhe vdesim me jetën. Ti je me fat, e dashura ime Bovari. E dashura ime Emë. E dashura ime Dashuri. Je me fat. Ti vdes dhe përjetësohesh. Më bëj dhe mua të tillë!

    E ktheva vëmendjen te pergamena. Pashë bojën e spërdredhur në shkronja, shkronjat të ngjitura në fjalë, errësirë e zezë e shpirtit tim derdhur mbi bardhësinë e dritës që më priste nga ai çast e në përjetësi.

    Isha bërë i tillë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË