NA THANË
na thanë
ecni përpara
dhe ne ecëm
edhe pse nuk
dëshëm të ecnim
kur ecëm
na denuan
pse ecëm
na thanë
këndoni
e ne kënduam
edhe pse nuk
deshëm të këndonim
kur kënduam
na denuan
pse kënduam
na thanë
pritni
e ne pritëm
edhe pse
nuk deshëm
të pritnim
kur pritëm
na denuan
pse pritëm
na thanë
hapni varre
e ne hapëm
edhe pse nuk
deshëm të hapim
kur i hapëm
na denuan
pse i hapëm
na varrosën
në varret
që i hapëm vetë
FLAS
Flas si i marrë
E nuk e di çka flas
Flas në heshtje
Nuk e di kujt i flas
Flas përçartë
Nuk e di pse flas
Flas kohë e pa kohë
Askush nuk më dëgjon
TAKIMI ME ANA KARENINËN
Ana Kareninën papritur
E takova në një pijetore
Shikimin e gozhduar
Ia mbulonte tymi i duhanit
Nuk u gëzua kur më pa
Edhe pse më njohu
Nuk më foli me gojë
Vetëm me shikime
Ishte krenare tepër
Për diçka që nuk e kuptoja
E tjerrte mërzinë e plakur
Me gishtat e gjymtë
E dija se nuk më priste mua
Po dikë që nuk e njihte
Aha, e priste trenin
Për çudi ai vonohej
I thashë gjeje një taksi
Dhe ik nga ky qytet
Kthehu në fshat
Nuk e pashë kur u largua
Si një erë e tërbuar
LULET E KALBURA
në dhomën time
aroma e luleve të kalbura
po m’i helmon mushkëritë
prej fëmijërisë
të njëjtat lule në saksi
më vështrojnë tinëz
kam harruar
se duhet t’i ujis
sa herë stinët ndërroheshin
lulet fillonin të klithnin
nga sëmundja e rëndë
shpesh harroja
se në dhomë kisha lule
lulet e kalbura
i dua më shumë
se kur ishin të freskëta
nuk guxoj t’i nxjerr jashtë
kam frikë se mungesa e tyre
më sjell fatkeqësi